Performanca e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, 6-mujori 2025
Të ardhurat totale arritën në 366 miliardë lekë, duke e tejkaluar planin me 0.6 pikë përqindjeje (realizim 100.6%).Kjo përmasë përfaqëson një rritje vjetore prej 6.7% krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2024.
Suficiti buxhetor në këtë periudhë përbën rreth 33.5 miliardë lekë, sasi që i është shtuar arkës publike.
Burimet me performancë më të lartë ishin:
Tatimi mbi pagat +26.6%, pasojë e zbatimit më rigoroz të kontrollit mbi informalitetin dhe deklarimin e të ardhurave.
TVSH vendase neto +20.8%, tregues i qartë i rritjes së konsumit.
Dogana +3.4%, me rritje më të lartë për akcizat (+11.2%).
Shpenzimet kapitale arritën në 32 miliardë lekë, 20.8% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Midis stabilitetit nominal dhe sfidave strukturore
Të dhënat e 6-mujorit të parë të vitit 2025 shpërfaqin një pamje të dyfishtë të financave publike.
Nga njëra anë, qëndrueshmëria e të ardhurave totale dhe ritmi i zbatimit të shpenzimeve që përputhet me projeksionet. Nga ana tjetër, tensionet nën sipërfaqe që lidhen me cilësinë e të ardhurave, strukturën e shpenzimeve dhe ndikimin e politikave fiskale ndaj sektorëve të cenueshëm.
Të ardhurat, realizim nominal pozitiv, por me dallime thelbësore sipas burimeve
Të ardhurat totale me një rritje vjetore prej 5.8% dhe tejkalim ndaj planit në masën 4.1%, në vështrim të parë prezantojnë një sinjal pozitiv për menaxhimin fiskal.
Por burimi i rritjes mbështetet më tepër në tatimin mbi të ardhurat personale dhe kontributet shoqërore, sesa në taksat dhe tatimet e tjera apo performancën doganore.
Kjo performancë sugjeron dy gjëra:
Së pari, formalizimi i tregut të punës, nëse ka ndodhur realisht, mund të ketë sjellë efekte të dobishme për buxhetin,
Së dyti, niveli i konsumit dhe importit duket se nuk ka gjeneruar të njëjtën fuqi arkëtuese, çka tregon ndoshta për frenim të kërkesës agregate.
Tatimi mbi fitimin, ndonëse i qëndrueshëm, nuk reflekton ndonjë dinamikë të re strukturore në rritjen e produktivitetit apo fitimeve të sektorëve të biznesit.
Shpenzimet dominohen nga pesha e madhe e shpenzimeve korrente dhe nënperformanca e investimeve publike
Shpenzimet arritën në 342.1 miliardë lekë, me një realizim në nivelin 94.2% të planit. Brenda kësaj shifre, bie në sy rritja e shpenzimeve për paga dhe sigurime, e lidhur drejtpërdrejt me reformën e rritjes së pagave në sektorin publik.
Ndërkohë, shpenzimet kapitale, që janë instrumenti i vetëm për transformimin e infrastrukturës dhe mbështetjen afatgjatë të zhvillimit ekonomik, shfaqin një nënperformancë prej 15% më pak se plani. Ky është një tregues shqetësues për kapacitetin absorbues të institucioneve dhe për planifikimin e dobët të projekteve publike.
Bilanci buxhetor tregon deficit të kontrolluar, por në kurriz të investimeve
Deficiti buxhetor rezulton 7.8 miliardë lekë, më i ulët se parashikimi, por pjesërisht si rezultat i mosrealizimit të shpenzimeve.
Kjo përqasje konservatore i qëndron linjës së disiplinës fiskale, por një deficit i ulët nuk përbën domosdoshmërisht një sukses nëse shoqërohet me moszbatim të investimeve produktive.
Sa ka shërbyer ky 6-mujor buxhetor në funksion të ekonomisë dhe tatimpaguesve?
Për një ekonomi që synon të përshpejtojë ritmin e rritjes dhe të zbusë pabarazitë sociale e territoriale, profili aktual fiskal sugjeron një pozicion të matur fiskalisht, por jo ambicioz strukturalisht.
Tatimpaguesit përballen me një mjedis që kërkon përmbushje të rritur të detyrimeve, ndërsa përfitimet publike, sidomos në investime nuk reflektojnë gjithmonë këtë kontribut.
Ekonomia, e ndodhur në një cikël të paqartë pas valës së rritjes të pasigurive në tregjet e huaja dhe sfidave të brendshme kërkon një rol më aktiv të politikës fiskale për të gjeneruar kërkesë dge për të ndihmuar sektorët më të goditur dhe me përmirësim në infrastrukturën e zhvillimit.
Sfidat që dalin nga kjo analizë
Si fillim është cilësia e të ardhurave.
A janë të qëndrueshme këto burime, apo të lidhura me faktorë të përkohshëm si indeksimi i pagave apo formalizimi fiskal përmes presionit administrativ?
Të ardhurat janë rritur me ritëm të lartë, por mbeten të ndikuara nga faktorë të përkohshëm si indeksimi i pagave publike, rritja e çmimeve dhe presioni administrativ mbi formalizimin. Rritja e të ardhurave nga kontributet dhe TVSH për tregun e brendshëm nuk pasqyron domosdoshmërisht zgjerim real të bazës fiskale, por më shumë intensifikim kontrolli.
Në vijim është kapaciteti i zbatimit të investimeve.
Çfarë pengesash administrative, ligjore apo politike po kufizojnë realizimin e shpenzimeve kapitale?
Realizimi i shpenzimeve kapitale është i dobët (24.4%), duke sinjalizuar probleme të vazhdueshme në planifikim dhe ekzekutim. Pengesat janë strukturore dhe burojnë nga kapaciteti i kufizuar i njësive zbatuese, procedura të ngadalta prokurimi dhe mungesë koordinimi institucional.
Këto nuk janë të reja, por mbeten kronike dhe pa zgjidhje.
Së fundmi është efekti në ekonomi reale.
A përkthehen këto të dhëna fiskale në përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve dhe mbështetje për rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse?
Pavarësisht rritjes së të ardhurave, nuk ka dëshmi të mjaftueshme se ky përmirësim është shndërruar në cilësi më të mirë të shërbimeve publike apo në mbështetje të drejtpërdrejtë për zhvillimin gjithëpërfshirës. Mungesa e realizimit të investimeve dhe pesha e lartë e shpenzimeve administrative kufizon efektin transformues të buxhetit në ekonomi, veçanërisht në sektorët produktivë dhe në zonat më pak të zhvilluara.
Kjo periudhë e parë e vitit 2025 nuk jep një tablo alarmante të buxhetit, por nxjerr në pah tensionet e fshehura të një modeli të kujdesshëm fiskal që nuk ka ende guximin e nevojshëm për transformime strukturore dhe përdorim efikas të financave publike.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.