Pasuritë natyrore nuk krijojnë zhvillim — politikat po
Pasuritë natyrore janë vetëm një bazë e pasigurt nëse nuk shoqërohen me institucione të forta dhe politika që përqendrohen në krijim, jo në shpërndarje pasurie.
Në një vend si Shqipëria, ku natyra ka qenë e pakursyer dhe bujare me ne duke na dhënë male, lumenj e burime ujore, naftë e minerale, bregdet dhe një pozicion gjeostrategjik të lakmuar është paradoksale që ende nuk jemi kthyer në një histori suksesi ekonomik.
Në vend të kësaj, pas 30 vitesh tranzicion, Shqipëria ndodhet ende në një udhëkryq zhvillimor, me pasuri natyrore të papërdorura në mënyrë të qëndrueshme, me institucione të dobëta dhe me një politikë publike që shpesh është më e përqendruar në ndarjen e “tortës”, sesa në rritjen e saj.
Iluzioni i bollëkut
Prej dekadash, diskursi publik dhe qeveritar e ka përdorur retorikën e “potencialit të madh natyror” për të krijuar një iluzion të zhvillimit të ardhshëm.
Por realiteti është i ftohtë, pasi as rezervat e naftës, as mineralet, as turizmi natyror nuk janë shndërruar në motorë zhvillimi të qëndrueshëm, sepse qeveritë tona, në shumicën e rasteve, nuk kanë ndërtuar institucione të qëndrueshme, të pavarura dhe vizionare, të cilat do ta kanalizonin këtë pasuri drejt mirëqenies së përgjithshme.
Pasuritë natyrore janë vërtet një avantazh i mundshëm, por jo i mjaftueshëm. Ato shndërrohen në mirëqenie reale vetëm nëse shoqërohen me politika të mençura dhe institucione funksionale. Përndryshe, shndërrohen në burime pasigurie, pabarazie dhe zhvillimi të ngadalshëm.
Tre dekada të politikës pa prodhim
Vitet ’90 – Kaos dhe grabitje me licencë
Fill pas rënies së sistemit komunist, Shqipëria përjetoi një proces të ashpër liberalizimi, i cili shpesh përkthehej në grabitje të pasurive natyrore dhe privatizime të pakontrolluara. Mungesa e një arkitekture institucionale i la në dorë aktorëve të rastësishëm dhe korrupsionit burimet strategjike të vendit.
Vitet 2000 – Rritje me bazë të dobët
Kjo dekadë solli një përmirësim formal institucional, por qasja mbeti ende e bazuar te koncesionimi i pasurive natyrore, jo te transformimi i tyre në aktivitet ekonomik me vlerë të shtuar. Qeveritë e kësaj kohe nisën të shpërndajnë kontrata për shfrytëzim, por pa ndërtuar mekanizma për të siguruar që kjo pasuri të shërbente zhvillimit vendor apo kapitalit njerëzor.
Vitet 2010–2024 – Shteti si operator, jo si rregullator
Në një dekadë e gjysëm të fundit kemi parë një koncentrim të vendimmarrjes, ku shteti shpesh vepron si ndërmarrës, jo si garantues i rregullave të lojës. Investimet publike në infrastrukturë nuk janë orientuar nga një strategji për krijimin e pasurisë së re, por shpesh nga logjika elektorale. Edhe në sektorë si turizmi apo energjia, politika qeveritare është fokusuar më shumë në tërheqjen e investimeve të mëdha, por pa një politikë të qëndrueshme të zhvillimit vendor, pronësisë së burimeve, apo mbrojtjes mjedisore.
Ajo çfarë mungon është kapitali krijues, jo ai natyror
Shqipërisë nuk i mungojnë pasuritë.
As projektet.
As fondet.
I mungon institucionalizimi i vizionit për të kaluar nga një ekonomi ekstraktive në një ekonomi prodhimi dhe inovacioni.
Rruga e zhvillimit nuk kalon më nga tenderat e rrugëve, por nga investimi në arsim cilësor, aftësi digjitale, rritja e produktivitetit të ndërmarrjeve të vogla, dhe përfshirja reale e komuniteteve në zhvillim.
Nëse një qeveri matet nga aftësia për të nxitur krijimin, atëherë suksesin e saj nuk do ta përcaktojë sa hektarë u shfrytëzuan apo sa turistë kaluan nga Radhima, por sa biznese të reja prodhuese lindën, sa inovatorë u kthyen nga jashtë, dhe sa rinisë iu krijua mundësi të ndërtojë, jo të emigrojë.
Mësimi i madh – Politika krijuese mbi politikën shpërndarëse
Margaret Thatcher pat thënë se problemi i shteteve të bazuara në shpërndarje është se një ditë “u mbaron paratë e të tjerëve”. Edhe Shqipëria rrezikon të mbetet pa “përfitues të rinj” nëse nuk kthehet drejt modelit të krijimit të pasurisë përmes punës, mendjes dhe konkurrencës. Pasuritë natyrore janë një nisje, por vetëm për ata që e mendojnë zhvillimin si proces institucional, jo si fitim momental.
Derisa të kuptojmë këtë, do të vazhdojmë të jemi të pasur për të tjerët e të varfër për veten.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.