Pagat e magjistratëve dhe ekonomia e vendimmarrjes publike

Pagat e magjistratëve dhe ekonomia e vendimmarrjes publike

Vendimi për pagat e magjistratëve ka njëkohësisht dimension kushtetues, fiskal dhe ekonomik. Për këtë arsye, debati publik meriton të dalë nga kufiri i shumës mujore që merr një gjyqtar apo prokuror dhe të trajtojë të gjithë ekuacionin, që do të thotë se sa paguan shteti, pse e paguan, çfarë kërkon në këmbim dhe çfarë vlere prodhon kjo kosto për qytetarin dhe ekonominë?

Në thelb, çështja nuk është vetëm sa duhet të paguhet një magjistrat, por se çfarë lloj drejtësie kërkon shteti të ndërtojë dhe sa është i gatshëm të paguajë për të.

Nga vendimi kushtetues te kostoja buxhetore

Vendimi nr. 15, datë 17 shkurt 2026, i Gjykatës Kushtetuese, që preku mekanizmin e përcaktimit të pagave të magjistratëve dhe raportin e tyre me pagën e Presidentit, e riktheu çështjen në qendër të vendimmarrjes publike.

Në planin institucional, ndërhyrja lidhet me garantimin e statusit dhe pavarësisë së magjistratëve. Në planin fiskal, ajo krijon një detyrim të përhershëm për buxhetin.

Vlerësimet publike për skemën e re e vendosin koston rreth 40 milionë euro në vit, ose afërsisht 3.7 miliardë lekë. Në raport me buxhetin e vitit 2026, kjo përfaqëson rreth 0.4% të shpenzimeve buxhetore dhe rreth 2.6% të fondit të pagave të administratës qendrore.

Nëse merret si referencë periudha prill 2023–korrik 2026, vlerësimi publik për koston e akumuluar arrin rreth 125 milionë euro, ose rreth 11.5 miliardë lekë.

Këto shifra e ndryshojnë natyrën e debatit. Nuk kemi më vetëm një çështje page individuale. Kemi një zgjedhje të politikës publike me ndikim shumëvjeçar në shpenzimet e shtetit.

Prandaj kërkesa ekonomike bëhet e pashmangshme, çfarë blen shteti me 3.7 miliardë lekë në vit?

Kostoja e një sistemi pagash nuk mund të matet vetëm me pagën mujore të publikuar.

Sipas të dhënave të disponueshme (gusht–shtator 2026), paga referuese e re, sipas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (nr. 435, datë 26.08.2026) dhe vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (nr. 144, datë 28.08.2026), në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2026 është si më poshtë:

  • Paga referuese bazë = 222.425 lekë
  • Shtesa për nivelin e kualifikimit = 14.000 lekë
  • Total referues fillestar = 236.425 lekë (efekt nga 1 gusht 2026, me efekte prapavepruese për periudhën 1 prill 2023 – 31 korrik 2026).

Numri i magjistratëve aktivë (vlerësime më të fundit)

Gjyqtarë efektivë janë rreth 307 (nga organika e parashikuar 417, sipas të dhënave të fundit 2025–2026 nga KLGJ dhe kryetari i Gjykatës së Lartë).

Prokurorë (juridiksioni i përgjithshëm) në organika 321, por efektivë janë rreth 204–229 (raportet e Prokurorisë së Përgjithshme 2025 dhe strategjia 2026–2028). Totali i prokurorëve (përfshirë struktura të posaçme) është më i lartë, por mungojnë shifra të unifikuara publike për të gjithë sistemin.

Total i përafërt magjistratësh aktive (pa strukturat e posaçme) është rreth 510–530 individë.

Pagat aktuale vs. nivelet e kërkuara / të llogaritura (sipas deklaratës së Ministrit të Financave Petrit Malaj, shtator 2026):

KategoriaPaga aktuale (bruto)Paga e kërkuar / e llogariturDiferenca mujore afërsisht
Gjyqtar i Shkallës së Parë376.381 lekë567.421 lekë191.000 lekë
Gjyqtar i Shkallës së Dytë388.927 lekë586.335 lekë197.000 lekë
Gjyqtar Grupi III GJKKO659.920 lekë994.877 lekë335.000 lekë

Efekti agregat i deklaruar krijon kosto shtesë vjetore rreth 40 milionë euro (3.7 miliardë lekë). Efekti i akumuluar (arrears) për periudhën prill 2023 – korrik 2026 rreth 125 milionë euro (11.5 miliardë lekë).

Kontributet e punëdhënësit (kosto shtesë reale), ku norma standarde e kontributeve të punëdhënësit në 2026 është 16.7 % e pagës bruto (15 % sigurime shoqërore + 1.7 % sigurime shëndetësore). Për nivele të larta page (mbi tavanin e kontributeve shoqërore, aktualisht rreth 186.416 lekë), pjesa mbi tavan paguhet vetëm për sigurimin shëndetësor. Kjo do të thotë se për çdo rritje të pagës bruto, kostoja reale për buxhetin është paga + 16.7 % (ose pak më pak për pjesën mbi tavan).

Për buxhetin, kostoja reale përfshin pagën bazë, kontributet e punëdhënësit, shtesat për funksionin, kualifikimin dhe përvojën, kompensimet e tjera, si dhe efektet e mundshme prapavepruese. Për këtë arsye, transparenca fiskale kërkon të shihet e gjithë panorama fiskale duke filluar nga numri i magjistratëve, paga aktuale dhe ajo e propozuar, diferenca, shtesat, kontributet e punëdhënësit dhe deri te detyrimet e prapambetura dhe burimi i financimit.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse vendimet për pagat publike kanë efekt zinxhir. Një rritje e qëndrueshme sot krijon një bazë më të lartë shpenzimi edhe për vitet e ardhshme. Ajo ndikon mbi pensionet, kontributet, strukturën e pagave publike dhe pritshmëritë për kategori të tjera të administratës.

Pra, vendimi për një pagë nuk është vetëm vendim për një pagë, pasi është vendim për arkitekturën e shpenzimeve publike.

Në këtë kuptim, hierarkia e pagave është pjesë e politikës ekonomike.

Në Shqipëri, paga mesatare bruto e sektorit publik është rreth 112 mijë lekë, ndërsa paga minimale në vitin 2026 është 50 mijë lekë. Në të njëjtën kohë, shumë profesione me përgjegjësi të lartë publike, si mësuesit, mjekët dhe infermierët kanë nivele më të ulëta të ardhurash.

Kjo e bën të domosdoshëm një argumentim institucional për diferencat.

Magjistrati ka përgjegjësi kushtetuese të veçantë. Ky profesion ka kërkesa të larta profesionale, kufizime mbi ushtrimin e veprimtarive të tjera dhe një përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbi të drejtat, pasurinë, lirinë dhe sigurinë juridike të qytetarëve.

Prandaj, hierarkia e pagave duhet të ketë një logjikë institucionale dhe ekonomike dhe jo vetëm një logjikë politike.

Nëse një shtet kërkon drejtësi profesionale, të pavarur dhe të mbrojtur nga ndikimet e jashtme, paga është një prej instrumenteve të kësaj politike. Por paga vetë nuk e prodhon pavarësinë.

Pavarësia kërkon njëkohësisht institucione funksionale, procedura të qarta, administrim gjyqësor efektiv, përgjegjshmëri dhe matje të rezultateve.

Atëherë, çfarë blen shteti me 3.7 miliardë lekë në vit?

Kjo është pyetja qendrore e gjithë analizës sonë në fakt.

Nëse paga e magjistratit shihet vetëm si shpenzim, atëherë çdo rritje e saj është një barrë shtesë për buxhetin.

Nëse shihet si investim në kapitalin institucional, atëherë duhet të identifikohen kthimet që priten prej këtij investimi.

Një drejtësi e pavarur, profesionale dhe e parashikueshme mund të ulë pasigurinë juridike. Mund të reduktojë kostot e transaksioneve. Mund të rrisë besimin e investitorëve. Mund të përmirësojë ekzekutimin e kontratave. Mund të ulë rrezikun që lidhet me investimet private dhe të rrisë parashikueshmërinë e aktivitetit ekonomik.

Në këtë kuptim, drejtësia është edhe infrastrukturë ekonomike.

Një investitor nuk vlerëson vetëm taksat, pagat, energjinë apo infrastrukturën fizike. Ai vlerëson edhe se sa i sigurt është kontrakti, sa shpejt zgjidhet një konflikt dhe sa e parashikueshme është sjellja e institucioneve.

Kjo është arsyeja pse një pjesë e parave që shteti shpenzon për drejtësinë mund të trajtohet si investim me kthim ekonomik.

Por ky argument ka një kusht themelor, që investimi duhet të prodhojë rezultat.

Paga më e lartë duhet të shoqërohet me performancë më të matshme.

Një sistem drejtësie më i paguar, por me produktivitet të pandryshuar, krijon një ekuacion fiskal të paplotë.

Një sistem më i paguar dhe më efikas krijon vlerë ekonomike të matshme.

Prandaj, rritja e pagave duhet të lexohet bashkë me tregues të tillë si kohëzgjatja e proceseve, numri i çështjeve të përfunduara, ngarkesa për gjyqtar, stoku i dosjeve, aksesi në drejtësi, digjitalizimi, cilësia e administrimit gjyqësor, specializimi dhe parashikueshmëria e vendimmarrjes.

Këtu qëndron një prej boshllëqeve të debatit publik, ku diskutohet shumë për inputin financiar dhe shumë më pak për outputin institucional.

Shteti duhet të dijë sa kushton një sistem drejtësie, por duhet të dijë edhe sa çështje zgjidh, sa kohë kursen, sa konflikte shmang dhe sa siguri juridike krijon.

Kjo nuk do të thotë të kthehet drejtësia në një ndërmarrje që matet vetëm me numrin e dosjeve të mbyllura. Cilësia e vendimit është po aq e rëndësishme sa shpejtësia e tij.

Por një institucion i financuar me burime të konsiderueshme publike duhet të ketë një arkitekturë të matshme të performancës.

Si rrjedhojë, kostoja oportune duhet të jetë pjesë e analizës.

Çdo vendim buxhetor ka një kosto alternative.

Rreth 3.7 miliardë lekë në vit për pagat e magjistratëve përfaqësojnë afërsisht 4.5% të buxhetit të shëndetësisë dhe rreth 4.1% të buxhetit të arsimit për vitin 2026.

Ky krahasim nuk synon të vendosë drejtësinë përballë shëndetësisë apo arsimit.

Përkundrazi, ai tregon se hapësira fiskale është e kufizuar dhe se çdo vendim i përhershëm për rritjen e pagave duhet të shihet brenda të gjithë arkitekturës së prioriteteve publike.

Një shtet mund të rrisë pagat e një kategorie. Por çdo rritje e përhershme krijon pritshmëri të reja (pretendime) për kategori të tjera. Nëse këto vendime merren pa një formulë të qëndrueshme, presioni mbi fondin e pagave rritet gradualisht dhe e bën më të vështirë menaxhimin e politikës fiskale.

Këtu lind diskutimi i dytë i madh që duhet ti japë përgjigje pyetjes se sa është kapaciteti i ekonomisë për të financuar në mënyrë të qëndrueshme këtë nivel pagash?

Pavarësia e drejtësisë ka edhe çmim ekonomik

Pavarësia e drejtësisë nuk duhet parë si një privilegj institucional. Ajo është një prej kushteve të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe të ekonomisë së tregut.

Kur vendimet gjyqësore janë të parashikueshme, kontratat kanë më shumë siguri, si dhe kur konfliktet zgjidhen në mënyrë efektive, biznesi përballet me më pak pasiguri. Pra, kur institucionet funksionojnë, rritet besimi.

Në këtë kuptim, një drejtësi funksionale ka një efekt përtej sallës së gjyqit.

Ajo prek investimet, kredinë, pasurinë, kontratat, sipërmarrjen, konkurrencën dhe marrëdhëniet ekonomike.

Por pikërisht për këtë arsye, shpenzimi publik për drejtësinë duhet të shihet si një investim që kërkon kthim institucional.

Shteti nuk paguan vetëm për të garantuar një standard jetese për magjistratin. Ai paguan për të krijuar një institucion që duhet të prodhojë siguri juridike.

Ky është ndryshimi midis një page që thjesht rritet dhe një politike pagash që ndërton kapacitet shtetëror.

Një tjetër problem i debatit është krahasimi i pagës së një gjyqtari shqiptar me pagën e një gjyqtari në një vendi tjetër, pa marrë parasysh madhësinë dhe kapacitetin e ekonomisë.

Një pagë prej 5 mijë eurosh mund të ketë peshë të ndryshme në një ekonomi me GDP për frymë shumë më të lartë sesa në Shqipëri.

Prandaj, krahasimi duhet të bëhet përmes raporteve paga e magjistratit ndaj pagës mesatare, paga ndaj GDP-së për frymë, shpenzimi publik për drejtësinë ndaj GDP-së dhe kostoja për qytetar ndaj nivelit të të ardhurave.

Kjo mënyrë e leximit jep një pamje më të saktë të barrës fiskale dhe të pozicionimit të pagave të magjistratëve shqiptarë.

Nëse synimi është afrimi me standardet europiane, atëherë duhet të krahasojmë jo vetëm pagën, por edhe produktivitetin institucional dhe rezultatin e sistemit.

Për qëllime të debatit të prodhuar aktualisht ne mendojmë se nevojitet një formulë e qëndrueshme dhe jo vendime periodike.

Një sistem modern i pagave publike nuk mund të mbështetet vazhdimisht te vendime të veçuara.

Nevojitet një formulë që krijon parashikueshmëri për institucionin, magjistratin dhe buxhetin.

Një model i mundshëm mund të marrë në konsideratë pagën mesatare kombëtare, pagat në sektorin publik, inflacionin, rritjen reale të ekonomisë, përgjegjësinë institucionale, kualifikimin dhe përvojën profesionale.

Por mbi të gjitha, kjo formulë duhet të lidhet me kapacitetin fiskal.

Këtu duhet të hyjnë rritja nominale e të ardhurave, rritja reale e ekonomisë, inflacioni, produktiviteti, pesha e fondit të pagave ndaj PBB-së, raporti i shpenzimeve korrente ndaj të ardhurave dhe trajektorja e borxhit publik.

Kjo krijon një parim të thjeshtë, ku paga rritet kur rritet edhe aftësia e ekonomisë për ta financuar në mënyrë të qëndrueshme.

Një mekanizëm i tillë do të reduktonte edhe konfliktet periodike rreth pagave, sepse do ta zhvendoste diskutimin nga presioni i momentit te një formulë e njohur paraprakisht.

Debati për pagat e magjistratëve nuk duhet të reduktohet te pyetja nëse 3.7 miliardë lekë në vit janë shumë apo pak.

Ajo që merr vlerë publike në këtë debat është përgjigja se çfarë rezultati institucional dhe ekonomik pritet nga këto para?

Nëse synimi është një drejtësi e pavarur, profesionale dhe e besueshme, atëherë paga e përshtatshme është pjesë e zgjidhjes.

Nëse synimi është rritja e sigurisë juridike, ulja e pasigurisë për biznesin dhe forcimi i shtetit të së drejtës, atëherë investimi në drejtësi ka një dimension të qartë ekonomik.

Por nëse kostoja rritet pa një përmirësim të matshëm të funksionimit të sistemit, atëherë buxheti thjesht merr përsipër një shpenzim më të madh.

Prandaj, politika e pagave duhet të ndërtohet mbi tre shtylla: (a) paga e përshtatshme për përgjegjësinë, (b) financim i përballueshëm për buxhetin dhe (c) performancë e matshme për qytetarin dhe ekonominë.

Kjo është mënyra më e drejtë për ta lexuar vendimmarrjen publike, sepse pavarësia e drejtësisë ka një çmim, por edhe pasiviteti institucional ka një kosto ekonomike.

Ajo që vlen më shumë ështrë se për çfarë po paguajmë, sa mund ta përballojmë dhe çfarë vlere duhet të prodhojë?

Në rastin e magjistratëve, kjo do të thotë që paga të mos shihet vetëm si shpenzim buxhetor, por si pjesë e një investimi publik në kapitalin institucional të Shqipërisë, ku çdo investim publik serioz kërkon një gjë: rezultat.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.