Pabarazia që kushton – Reformë fiskale për barazi ekonomike në Shqipëri
Në një Ballkan që përballet me sfida të thella sociale dhe ekonomike, Shqipëria shquhet jo për përparim, por për përthellim të pabarazisë. Sistemi aktual fiskal nuk e zbut pabarazinë, përkundrazi e betonon atë.
Kjo është një nga gjetjet më të forta të raportit “Barra Tatimore në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor 2024”, i cili e vendos Shqipërinë në radhën e vendeve me strukturën më regresive të taksimit në rajon dhe me një efekt tepër modest në uljen e varfërisë dhe pabarazisë.
Një sistem që dëmton më të dobëtit dhe shpërblen më të fortët
Në vend që të funksionojë si një mjet për drejtësi sociale, sistemi tatimor në Shqipëri shfaq tiparet e një modeli që rrit hendekun social, duke përjashtuar më të pambrojturit dhe duke favorizuar elitat ekonomike. Taksa të sheshta, përjashtime selektive dhe informalitet i lartë janë elementët kyç të kësaj formule të pabarabartë.
Evazioni fiskal në Shqipëri arrin në 33–38% të potencialit tatimor, një nga nivelet më të larta në rajon.
Ai nuk është vetëm shkelje e ligjit, por një formë sistematike padrejtësie sociale, sepse dikush tjetër paguan për atë që të tjerët fshehin. Në ndërtim, tregti dhe shërbime, ku qarkullojnë fitime të mëdha, tatimet janë shumë më të ulëta se sa do të duhej, ndërsa qytetari i zakonshëm e përjeton çdo ditë barrën e lartë mbi konsumin dhe të ardhurat e ulëta.
Përjashtimet fiskale, që në teori justifikohen si nxitje për investime ose zhvillim sektorial, në praktikë janë kthyer në instrumente privilegjimi, shpesh pa analizë kosto-përfitim dhe me ndikim të drejtëpërdrejtë në përkeqësimin e konkurrencës dhe rritjen e pabarazisë. Energjia, turizmi, bujqësia apo sektori i teknologjisë përfitojnë trajtim preferencial që shpesh nuk justifikohet me rezultatet reale në ekonomi apo në mirëqenie.
Dëmi konkret?
Një shtet që nuk rishpërndan, por përforcon pabarazinë.
Të dhënat flasin vetë.
Ndërkohë që Bashkimi Evropian arrin të ulë koeficientin Gini nga ~0.47 në ~0.30 përmes sistemit të tij fiskal dhe skemave sociale (36% efekt redistributiv), Shqipëria e redukton atë vetëm nga ~0.44 në ~0.35 – një efekt shumë më modest prej vetëm 20%. Kjo do të thotë se politikave publike u mungon forca për të korrigjuar pabarazitë strukturore.
Në thelb, sistemi tatimor shqiptar është më afër një mjeti neutral sesa një mekanizmi të drejtësisë sociale. Tatimet nuk “flasin” në gjuhën e barazisë, por në atë të konformizmit financiar dhe interesave të ngushta.
Punësimi informal, një plagë që thellon varfërinë
Shtresa më e prekur nga ky sistem janë punonjësit informalë. Me afro 30% të fuqisë punëtore jashtë skemave të sigurimeve, qytetarët humbasin aksesin në pensione, shërbime shëndetësore dhe siguri në punë. Gratë dhe të rinjtë janë veçanërisht të ekspozuar, duke krijuar një cikël varfërie që trashëgohet nga brezi në brez.
Koha për një drejtësi të re fiskale
Raporti thekson se rritja e të ardhurave publike ka kuptim vetëm nëse bazohet në drejtësi dhe progresivitet. Shqipëria nuk ka luksin të vazhdojë me arna fiskale. Nevojitet një reformim i thellë, me katër shtylla thelbësore:
- Zgjerimi i bazës tatimore përmes luftës serioze kundër evazionit dhe përfshirjes së sektorëve informalë në pagesën e detyrimeve.
- Heqja e përjashtimeve selektive, që nuk sjellin zhvillim të qëndrueshëm dhe dëmtojnë konkurrencën.
- Tatimi mbi pasurinë dhe kapitalin për të rivendosur ekuilibrin dhe për të rritur kontributin e shtresave më të pasura.
- Fuqizimi i skemave sociale me transferta të synuara që ofrojnë mbështetje reale për ata që kanë më shumë nevojë.
Drejtësia fiskale si themel i ekonomisë së qëndrueshme
Një sistem fiskal që nuk adreson pabarazinë është një sistem që minon zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar. Nëse Shqipëria synon një të ardhme evropiane dhe të drejtë, drejtësia fiskale nuk është më opsion është domosdoshmëri. Koha për ndryshim është tani. Sepse pabarazia nuk është vetëm padrejtësi sociale është një pengesë për zhvillimin ekonomik dhe demokracinë funksionale.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.