Open Balkan: Të humbur dhe të fituar

Open Balkan

Open Balkan: Të humbur dhe të fituar

Rrënjët politike të reagimit aktual kundër nismës së ndërmarrë “Open Balkan” nga krerët e qeverive aktuale në Serbi, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut për integrimin e tregut të punës dhe tregut ekonomik midis tre shteteve të Ballkanit Perëndimor  rrjedhin nga pasojat shpërndarëse të ekonomisë dhe nga mungesa e mundësive për të zgjidhur problemet e brendshme të tregut të punës dhe konkurencës politike të jashtme në funksion të integrimit të vendeve në BE, i konsideruar si një stacion final politik dhe më tej edhe ekonomik.

Një arsye tjetër e reagimit është e lidhur me zbatimin e parimeve të tregut të përbashkët, e cila duke ju referuar tregut të përbashkët europian, i cili nuk ishte thjesht një bashkim i tregjeve, por një nismë politike dhe në funksion të strategjive vizionare gjeopolitike të vendeve që e themeluan atë ishte së pari një bashkim politikash midis vendeve që kishin të përbashkëta dhe jo thjesht pse ishin kufitarë me njeri-tjetrin.

Në fakt, nisur nga nisma e popullarizuar nga dëshira e liderëve aktualë të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duket se do të dalin të fituar konsumatorët dhe bizneset e secilit vend duke rritur mundësitë e eksportit, nëpërmjet zgjerimit të volumeve tregtare dhe shpërndarjes së aftësive dhe njohurive të tregjeve të punës të secilit vend.

Në realitet, nëse njeri vend do të përfitojë nga eksporti, vendi tjetër do të humbë duke importuar dhe kjo ndodh kur vendet janë të pabarabarta ekonomikisht në përballjen mes tyre.

Nga kjo qasje, e cila në fakt i tejkalon nivelet e një morali vendim marrës në emër të gjithë votuesve/qytetarëve nuk ka deri më sot analiza dhe prezantime të plota të pjesës që fitojmë dhe humbasim ne nga një vendim që kanë marrë krerët e qeverive aktuale, pa na pyetur as edhe një herë në format direkt apo indirekt.

Për një nismë që tejkalon kufijtë e Shqipërisë, të paktën duhej të ishin bërë sondazhe dhe anketime me qytetarët, për tu diskutuar dhe njohur me më shumë detaje për natyrën, mënyrën dhe formën e përfitimit dhe humbjeve nga këto marrëveshje që do të hyjnë pa trokitur në ekonominë tonë.

Një diskutim mbarëkombëtar do të duhet për të kuptuar dhe diskutuar realitetin që na përcillet për të ardhmen me të tashmen e treguesve të ekonomisë dhe tregut të punës.

Çfarë zgjidh nga problemet e pa adresuara deri më sot në lidhje me ekonominë? Po në lidhje me problemet e informalitetit dhe të punësimit cilësor dhe të denjë?

Po në aspektin politikës së jashtme dhe partneriteve strategjike a ka nevojë që të njihemi për parashikimet që prodhon një orientim drejt kësaj forme organizimi?

Të njëjtat përpjekje dhe energji duhen konsumuar për arritjen e objektivit strategjik, atë të integrimit në Bashkimin Evropian.

Megjithëse integrimet ekonomike synojnë të ngrenë standardet e përgjithshme të jetesës në një vend, ajo gjithashtu gjenerojnë fitues dhe humbës në vendin, ku organizimi dhe menaxhimi i ekonomisë janë në nivele të disfavorshme në raport me vendet e tjera, që janë pjesë e tregut ekonomik të integruar. Në rastin, kur nga të gjitha problemet e pazgjidhura ndër vite në lidhje me ekonominë, tregun e punës dhe sistemin fiskal ende jemi të paqartë për standartet e arritura ka të ngjarë të kundërshtohet në masë të konsiderueshme nga bizneset dhe vetë qytetarët liberalizimi i mëtejshëm i barrierave tregtare dhe të tregut të punës, duke parë se nga kjo politikë e nxituar dhe e pa konsultuar me pothuajse asnjë grup interesi brenda vendit janë duke u rrezikuar përfitimet ekonomike të krijuara në tregun e brendshëm, por edhe për shoqërinë në tërësi. Kur përfitimet ekonomike janë të disfavorshme, ndërsa humbjet mundet të përqendrohen në ekonominë dhe tregun më të dobët dhe të pa organizuar ndaj tregut të ekonomisë së vendit fqinj, punëtorët dhe bizneset e pakënaqur mund të bëhen një zonë elektorale politike që me gjasa do të tentojë ta zhbëjë liberalizimin.

Përvoja e integrimit të shpejtë dhe të bërë me nxitim të ekonomive të vendeve në zona të ndryshme të botës kanë rezultuar me raste edhe në humbje të mundshme të të ardhurave dhe vendeve të punës në vendet me të ardhura më të ulta se vendet e tjera.

Nëse analizojmë sektorët e mundshëm ekonomikë që mundet të përfshihen në këtë organizim politik dhe ekonomik (Open Balkan) shikojmë se prodhuesit bujqësorë në Shqipëri kanë pak gjasa për të qenë në veprimtari fitimprurëse, për sa kohë që kostot e prodhimit, transportit dhe tregtimit janë ende të larta dhe aspak konkurruese me ato të prodhuesve bujqësorë në Serbi, Maqedoni të Veriut.

Nëse hiqen barrierat e kostove doganore/tatimore në fakt ulen niveli i mbrojtjes së prodhimeve vendase. Ndërkohë, nevojitet që të konsultohet dhe azhornohet gjithë kuadri rregullator në përshtatje me këto lëvizje politike të reja, të cilat nuk janë pjesë në asnjë dokument të politikave strategjike qoftë në bujqësi, qoftë në energjetikë, qoftë në transport.

Ajo që është më befasuese dhe shqetësuese është se efektet e tregtisë ndërkufitare mbi të ardhurat dhe punësimin janë të përqendruara gjeografikisht dhe me efekte afatgjata.

Efektet e tregtisë do të varen nga ekspozimi i një vendi ndaj goditjeve të importit dhe eksportit. Bizneset në vendet me përqendrime të larta të industrive të orientuara nga eksporti kalojnë më mirë sesa bizneset në vendet me përqendrime më të ulëta të eksportuesve.  Kjo është statistikisht dhe logjikisht në disfavor të tregut dhe ekonomisë shqiptare.

Sipas interesit ekonomik nga zhvillimi i projektit politik dhe ekonomik (Open Balkan) një zhvillim tjetër i pritshëm mundet të jetë zhvendosja e bizneseve dhe individëve nga Shqipëria që ka një nivel më të ulët të standartit të jetesës se dy vendet e tjera drejt Serbisë/Maqedonisë së Veriut që konsiderohen nga treguesit makroekonomikë dhe standarte e jetesës me një nivel më të mirë, duke prodhuar si efekt direkt transferimin e të ardhurave drejt këtyre vendeve, si dhe moszhvillimin e duhur dhe konkurrues të ekonomisë, e cila do të jetë në funksion të ekonomive më të zhvilluara.

Kjo qasje ka ndodhur me vendet më pak të zhvilluara si Polonia, Rumania, Bullgaria me integrimin e tyre në BE.

Në realitet, përvoja nga këto vende ka prezantuar se ka lëvizshmëri jo të barabartë  ndërkufitare të punëtorëve. Lëvizja është e kushtueshme dhe mund të sjellë heqjen dorë nga sigurimet shoqërore dhe kontribute të tjera, pasi mund të ketë një tjetërsim të rezidencës fiskale të gjithë bizneseve dhe individëve që preferojnë të mos punojnë në Shqipëri dhe të nxitë shamngien/evazionin tatimor.

Edhe ky zhvillim duhet analizuar nga politikanët dhe qeveria, për të rishikuar gjithë kuadrin ligjor fiskal në funksion të kësaj lëvizje, por në fakt jo vetëm këtë kuadër ligjor, por edhe atë të politikave sociale dhe më tej se këto.Ndërkohë, tregjet për pronën dhe asetet prodhuese mund ta bëjnë të vështirë blerjen dhe shitjen e elementeve të rëndësishme të jetesës dhe mirëqenies së njerëzve.

Hulumtimet sugjerojnë se arsyet e lëvizshmërisë së punëtorëve janë specifike për secilin vend, në varësi të nivelit të zhvillimit ekonomik, politikave qeveritare dhe normave shoqërore.

Nëse qeveria dëshiron të mbajë të gjallë dhe efektive mbështetjen për tregtinë e lirë, e cila është potencialisht edhe më e rëndësishme se më parë në botën e sotme të zinxhirëve global të furnizimit, ajo e ka nevojë parësore për të ndihmuar fuqizimin e atyre sektorëve ekonomikë që kanë mbetur pa punë dhe treg nga krizat politike dhe kriza prej pandemisë, duke bërë një hapje jo të plotë të ekonomisë dhe tregut, por me përzgjedhje të atyre sektorëve që nevojitet vërtet të efektivizohen duke i vënë theksin sigurisë kombëtare dhe nevojës për rritje të investimeve të huaja hyrëse në vend dhe jo dalëse nga vendi.

Saktësisht se si duhet të ndihmojë qeveria të dëmtuarit është objekt i një analize dhe debati specifik i cili duhet të jetë i lidhur me kontekstin, varësisht nga niveli i zhvillimit ekonomik të vendit, fleksibiliteti i tregut të punës dhe struktura e financave publike. Të mos harrojmë se situata aktuale e financave publike është në momentet e saj më të këqia, fakt që nuk konstatohet në të njëjtat nivele as në Serbi, por as edhe në Maqedoninë e Veriut.

Bashkimi i tregjeve ekonomike, përfshirë atë të punës dhe lëvizjen e lirë, duhet të nxjerrë mësimet e veta nga politika që është shpallur për treg të përbashkët me Kosovën, e cila është aleatja shpirtërore, politike, tradicionale, ekonomike më e afërt për Shqipërinë.

Edhe pse janë ndërmarrë nisma të ndryshme lehtësuese midis Kosovës dhe Shqipërisë në fakt u vërejt se ato nuk kanë patur përmbushjen e programuar pasi bashkimin duhet ta pranojnë bizneset dhe të reflektojnë në nisma bashkëvepruese edhe diferencat dhe nivelet e ndryshme të konkurueshmërisë midis tyre.

Një faktor tjetër që duhet të mbajë parasysh Shqipëria në këtë nismë është edhe kujdesi i nevojshëm, që nëpërmjet këtij procesi që tashmë po hyn në fazat fillestare të krijimit të kushteve për bashkëveprim të mos mbivendosë apo anashkalojë de facto dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë probleme egzistencialiste në thelbin e tyre. Një nismë e nxituar në zbatim ka ndikim në këtë dialog, pasi Shqipëria duhet të ruajë elementin strategjik në rajon si një faktor stabiliteti.

Pa patur në krah dhe në ndihmë për nisma të çdo lloji shtetin e Kosovës nuk mund të synohet që të arrihet të jetëzohet një nismë e zbatueshme mes shteteve ballkanike, që përmbajnë në marëdhëniet mes tyre nevojën për të qartësuar dhe mbajtur përgjegjësi reciproke për të mirat dhe të këqijekonkat që i kanë shkaktuar njeri-tjetrit.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *