Një kornizë fiskale përtej varësisë nga TVSH
Shqipëria ka nevojë për rregulla të reja buxhetore që garantojnë qëndrueshmëri dhe drejtësi
Përtej titujve të sukseseve me të ardhura që i tejkalojnë pritshmëritë dhe ulje të deficitit përtej objektivave vjetore, buxheti i Shqipërisë ka ndërtuar një bazë të brishtë që nuk mund të mbajë peshën e të ardhmes. Në thelb të kësaj brishtësie qëndron varësia disproporcionale ndaj një zëri të vetëm: Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Prej më shumë se një dekade, struktura e të ardhurave tatimore ka ndryshuar pak, ndërsa baza tatimore reale ka mbetur e ngushtë dhe e përqendruar. TVSH përbën rreth 35% të të ardhurave totale dhe, ironikisht, shumica e saj mblidhet nga një pakicë biznesesh të mëdha, nga importuesit, rrjetet e mëdha tregtare, telekomi dhe pjesërisht nga ndërtimi.
Në të njëjtën kohë, pjesa më e madhe e ekonomisë, sidomos ajo informale në tregti e shërbime dhe në prodhimet bujqësore mbetet jashtë kontributit real fiskal.
Mirëpo, siç përballet Irlanda me rrezikun nga varësia ndaj një grushti korporatash multinacionale që kontribuojnë në të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, po ashtu Shqipëria ka një rrezik të ngjashëm nga koncentrimi i të ardhurave në TVSH, të ndjeshme ndaj çdo cikli konsumator, goditje krize apo lëkundjeje politike.
Deri më tani, buxhetet shqiptare janë ndërtuar mbi objektiva vjetore, të fokusuara në deficitin fiskal, por pa një vizion të qartë shumëvjeçar. Në përmirësim të kornizës fiskale të integruar, politika fiskale duhet që të ndjekë zhvillimet e ditës dhe jo objektivat e së ardhmes.
Në këtë kontekst, sugjerojmë, që qeveria dhe specifikisht Ministria e Financave duhet të ndërmarrë një reformë të thellë të arkitekturës fiskale duke ndërtuar dy shtylla të forta:
1. Vendosja e një ankori të borxhit nga afat mesëm në afatgjatë.
Borxhi publik i vendit, i luhatshëm në intervalin 60–65% të PBB-së në dekadën e fundit është i ndjeshëm ndaj kursit të këmbimit, goditjeve të jashtme dhe dinamizmit të dobët të të ardhurave të brendshme.
Një prag i borxhit neto prej 55% të PBB-së, i kalibruar mbi të ardhurat strukturore (p.sh. duke përjashtuar ndikimin e cikleve të TVSH-së apo remitancave) do të krijonte një busull të re për menaxhimin fiskal.
Ky prag nuk duhet të shihet si një kufi i ngurtë, por si një orientim i qëndrueshëm për politikëbërësit, që përçon besueshmëri tek tregjet financiare dhe publiku për angazhimin afatmesëm dhe afatgjatë të shtetit ndaj qëndrueshmërisë fiskale.
2. Një rregull operacional i shpenzimeve që vendos tavane shumëvjeçare
Në vend që shpenzimet publike të përcaktohen çdo vit në mënyrë diskrecionare, shpesh sipas nevojës politike të momentit, vendosja e një rregulli shpenzimesh shumëvjeçare të mbështetur mbi të ardhurat strukturore dhe objektivat e borxhit është një praktikë e mirë ndërkombëtare që garanton disiplinë buxhetore, qëndrueshmëri makrofiskale dhe planifikim afatgjatë.
Në rastin e Shqipërisë, një rregull i tillë është konceptualisht i pranishëm në kuadrin aktual të politikës fiskale, i përfshirë në dokumentet e Programit Afatmesëm Buxhetor (PBA) dhe të përforcuar nga rekomandimet e rregullta të FMN-së për vendosjen e një tavani shpenzimesh shumëvjeçare të lidhur me objektiva të borxhit dhe të ardhurat strukturore.
Megjithatë, ky kuadër nuk është ende i institucionalizuar si pjesë e një kornize fiskale të integruar dhe detyruese ligjërisht, çka e bën zbatimin e tij të varur nga vullneti politik i radhës dhe i prekshëm nga ndryshimet në ciklet zgjedhore.
Në këtë kontekst, vendosja dhe respektimi i një kufiri vjetor për rritjen e shpenzimeve, për shembull një normë rritjeje nominale në intervalin 4–5% në vit do të ishte e përshtatshme për të ruajtur konsolidimin fiskal afatmesëm, pa cenuar nevojën për investime publike në fusha kritike si infrastruktura, shëndetësia dhe arsimi.
Kjo qasje do të ndihmonte gjithashtu në uljen graduale të borxhit publik dhe rritjen e besueshmërisë fiskale, që janë objektiva të përsëritura si nga FMN, ashtu edhe nga BE në procesin e përafrimit të Shqipërisë me acquis-in ekonomik evropian.
Institucionalizimi apo kush e ruan rregullin dhe si sigurohet funksionimi i tij?
Zbatueshmëria e një rregulli fiskal nuk varet vetëm nga dizenjimi teknik i tij, por mbi të gjitha nga institucionet që garantojnë respektimin e tij dhe nga kapaciteti për të ruajtur balancën mes disiplinës dhe fleksibilitetit në kohë të ndryshme ekonomike.
Për Shqipërinë, ku sfidat e besueshmërisë dhe kapaciteteve administrative janë ende të mëdha, institucionalizimi i një rregulli fiskal duhet të mbështetet në tre shtylla të pandashme:
- Mekanizmat korrigjues. Në rast devijimesh të përsëritura nga objektivat fiskalë, rregulli duhet të parashikojë mekanizma automatikë korrigjimi, të cilët rikthejnë politikën fiskale në shina pa u ndikuar nga ciklet politike. Këto mund të përfshijnë kufizime automatike të shpenzimeve ose plane trevjeçare të konsolidimit.
- Këshilli i pavarur Fiskal. Krijimi i një organi të jashtëm e të pavarur, me mandat për të monitoruar, analizuar dhe raportuar mbi zbatimin e rregullit, është vendimtar. Një institucion i tillë duhet të informojë publikun, median dhe Kuvendin, duke rritur transparencën dhe presionin publik për disiplinë fiskale. Roli i tij nuk është politik, por teknik dhe edukues, duke kontribuar në një kulturë të re të qeverisjes së financave publike.
- Lidhja me Planifikimin Afatmesëm (MTBP). Rregulli duhet të jetë plotësisht i integruar në procesin e përgatitjes së Buxhetit Afatmesëm (MTBP), për të shmangur konfliktet mes objektivave fiskalë dhe prioriteteve sektoriale. Ai gjithashtu kërkon përditësim të rregullt të parashikimeve mbi ciklin ekonomik dhe të ardhurat potenciale, duke siguruar bazë realiste dhe të qëndrueshme për vendimmarrje.
Në një vend si Shqipëria, me një histori të luhatshme fiskale dhe presione të mëdha politike mbi buxhetin, institucionalizimi i një rregulli shpenzimesh nuk është luks, por domosdoshmëri. Ai përbën një element kyç të transparencës dhe qëndrueshmërisë, që rrit besimin e publikut, investitorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në politikën fiskale të vendit.
Në një ekonomi si kjo e jona, ku sfidat fiskale ndërthuren me pabarazitë strukturore dhe pasigurinë institucionale, qëllimi i një kornize të re fiskale nuk duhet të kufizohet thjesht në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik apo në mbajtjen nën kontroll të borxhit publik. Ajo duhet të ngrihet mbi një vizion më të gjerë për të siguruar drejtësi fiskale.
Drejtësia fiskale është thelbi që e bën një sistem publik të qëndrueshëm në kohë dhe të pranueshëm nga qytetarët. Ajo arrihet kur barra e tatimeve dhe përfitimet nga shpenzimet publike ndahen në mënyrë të drejtë e të qëndrueshme, duke shmangur situatat kur vetëm një pakicë mban peshën e financimit të buxhetit të shtetit. Në këtë kuptim, një kornizë e re fiskale duhet të synojë uljen e kësaj varësie disproporcionale, duke zgjeruar bazën tatimore në mënyrë të drejtë dhe efektive.
Një sistem i drejtë fiskal duhet gjithashtu të krijojë më shumë hapësirë për investime në zonat që janë lënë pas dore, qoftë në aspektin territorial, si rajonet periferike, apo në aspektin social, si grupet vulnerabël të popullsisë. Këto investime nuk janë thjesht shpenzime buxhetore, por mjete për rritje gjithëpërfshirëse dhe reduktim të pabarazive.
Së fundmi, një kornizë e tillë do të kontribuonte ndjeshëm në ndërtimin e besimit të qytetarëve tek shteti dhe tek politika fiskale. Kur qytetarët kuptojnë se paratë e tyre menaxhohen në mënyrë të drejtë, transparente dhe të orientuar drejt nevojave reale të shoqërisë, rritet vullneti për të kontribuar dhe për të respektuar rregullat. Në këtë mënyrë, drejtësia fiskale nuk është vetëm një parim abstrakt, por një element kritik për një demokraci funksionale dhe një ekonomi të qëndrueshme.
Është koha që buxheti i Shqipërisë të përditësohet për shekullin XXI.
Objektivat vjetore nuk mjaftojnë, por në vend të tyre nevojitet një kornizë fiskale integruar, parashikuese dhe gjithëpërfshirëse.
Korniza që sugjerohet është kyç për qëndrueshmëri, përgjegjësi dhe zhvillim të drejtë.
Pa këtë hap, çdo tepricë e sotme (suficite primare etj.) mund të shndërrohet në rrezik për të ardhmen.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.