Ndryshimet e Buxhetit 2025 me akte normative dhe rreziku i devijimit nga disiplina fiskale

Ndryshimet e Buxhetit 2025 me akte normative dhe rreziku i devijimit nga disiplina fiskale

Buxheti i vitit 2025 në Shqipëri është ndryshuar tre herë përmes akteve normative, një herë gjatë fushatës zgjedhore (para 11 majit 2025), një herë në qershor 2025 dhe hera e tretë në tetor 2025.

Këto ndryshime, të shoqëruara me probleme të vazhdueshme të identifikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), si mangësi në planifikimin dhe zbatimin e shpenzimeve kapitale, përqendrim të lartë të fondeve në fund të vitit, dhe alokime të diskutueshme për institucione jashtë buxhetit apo kompani publike e private pa baza ligjore të plota, ngrenë pyetje serioze për disiplinën fiskale dhe integritetin e procesit buxhetor.

Kjo analizë vlerëson praktikat e planifikimit dhe shpërndarjes së buxhetit 2025, rëndësinë e zbatimit korrekt të politikave buxhetore, shkeljet ligjore të akteve normative dhe mungesën e transparencës në alokimin e fondeve, duke ofruar një pasqyrë të plotë të sfidave dhe rekomandimeve për të ardhmen.

Vlerësimi i planifikimit dhe shpërndarjes së buxhetit 2025

Ndryshimet e trefishta të buxhetit 2025 përmes akteve normative tregojnë një qasje reaktive dhe të pamjaftueshme në planifikimin financiar publik.

Sipas të dhënave, buxheti i ndryshuar ka rialokuar 11.8 miliardë lekë, përfshirë 3 miliardë lekë për garanci sovrane në bujqësi, duke reflektuar një mungesë parashikimi për nevojat sektoriale në fazën fillestare të hartimit të buxhetit.

Kjo praktikë, siç evidentohet nga KLSH përkeqësohet nga përqendrimi i shpenzimeve kapitale në fund të vitit, çka ul cilësinë e projekteve dhe efektivitetin e tyre ekonomik. Për shembull, raportet e KLSH-së për vitet e mëparshme tregojnë se deri në 60% e shpenzimeve kapitale realizohen në tremujorin e fundit, duke krijuar presione administrative dhe humbje financiare për shkak të nxitimitt.

Këto ndryshime të shpeshta e kthejnë buxhetin nga një instrument strategjik zhvillimi në një mjet për menaxhim afatshkurtër politik. Kjo qasje dëmton stabilitetin makroekonomik, veçanërisht në një kontekst ku borxhi publik synohet të ulet gradualisht deri në 2029 dhe investimet publike planifikohen të rriten me mbi 2 miliardë euro kredi.

Ndryshimet e shpeshta krijojnë pasiguri për investitorët dhe institucionet ndërkombëtare, si FMN apo BE, të cilat kërkojnë disiplinë fiskale për të mbështetur integrimin evropian të Shqipërisë. Për më tepër, mungesa e konsultimeve publike për këto ndryshime zvogëlon transparencën dhe llogaridhënien, duke ulur besimin e qytetarëve në menaxhimin e fondeve publike.

Kjo reflekton dobësi strukturore në procesin buxhetor, ku ndryshimet gjatë vitit, veçanërisht në periudhë zgjedhore, e kthejnë buxhetin në një mjet të politikës afatshkurtër elektorale, duke munguar një strategji afatgjatë fiskale dhe duke rritur pasigurinë për ekzekutimin e projekteve publike.

Rëndësia e planifikimit dhe zbatimit korrekt të politikave buxhetore

Planifikimi dhe zbatimi korrekt i buxhetit janë thelbësorë për transparencën, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë fiskale.

KLSH-ja ka identifikuar probleme strukturore, si mosrespektimi i rregullave të prokurimit publik dhe përqendrimi i shpenzimeve në fund të vitit, të cilat çojnë në humbje ekonomike dhe mosarritje të objektivave zhvillimore.

Për shembull, auditimet e 2024-s tregojnë se shkeljet në menaxhimin e koncesioneve dhe mungesa e analizës së rrezikut fiskale kanë rezultuar në dëme financiare që mund të ishin shmangur me planifikim më të mirë.

Një buxhet i planifikuar dhe zbatuar korrektisht ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve publike, si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura, dhe mbështet objektivat afatgjatë të zhvillimit të qëndrueshëm.

Përqendrimi i shpenzimeve kapitale në fund të vitit jo vetëm ul cilësinë e projekteve, por edhe pengon zhvillimin rajonal të balancuar, duke favorizuar zona të caktuara për arsye politike.

Kjo praktikë bie ndesh me standardet e BE-së për qeverisjen fiskale, të cilat kërkojnë parashikueshmëri dhe stabilitet për të siguruar financimin e projekteve të mëdha.

Për më tepër, mungesa e planifikimit të saktë rrit rrezikun e borxhit të fshehur, sidomos përmes kontratave të partneritetit publik-privat (PPP), të cilat KLSH-ja i ka kritikuar për mungesë transparence.

Mangësitë e përsëritura të konstatuara nga KLSH tregojnë se problemi është sistematik, dhe kërkon rishikim të modelit të menaxhimit financiar publik, me fokus në parashikim realist, zbatim të uniformë gjatë vitit dhe rritje të përgjegjshmërisë institucionale.

Shkeljet ligjore të akteve normative dhe ndryshimet gjatë fushatës zgjedhore

Akti normativ i qershorit 2025, i justifikuar me “ngadalësimin e zbatimit për shkak të situatës zgjedhore”, shkel kriteret kushtetuese të përcaktuara nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr. 24/2006 dhe Nr. 23/2014.

Sipas nenit 101 të Kushtetutës, aktet normative lejohen vetëm për rrethana të paparashikueshme dhe urgjente, si fatkeqësitë natyrore ose krizat ekonomike. Situata zgjedhore, si një proces i planifikuar, nuk përmbush këto kritere, duke e bërë aktin jokushtetues dhe një tejkalim të kompetencave ekzekutive.

Përdorimi i akteve normative për të anashkaluar Kuvendin minon parimin e ndarjes së pushteteve dhe dobëson rolin e parlamentit në mbikëqyrjen e financave publike. Kjo praktikë, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore, ngre dyshime për motive politike, pasi rialokimet buxhetore mund të përdoren për të fituar mbështetje elektorale përmes financimit të projekteve populiste, siç ishin 3 miliardë lekët për bujqësinë.

Këto vendime jo vetëm dëmtojnë integritetin e procesit zgjedhor, por edhe krijon një precedent të rrezikshëm për abuzim me pushtetin ekzekutiv. Në kontekste të ngjashme, organizata si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe KLSH-ja kanë kritikuar ndryshime të tilla për mungësë transparence dhe ndikim të mundshëm në votues. Ndryshimet e bëra në qershor 2025 përmes aktit normativ janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe parimet e shtetit të së drejtës.

Në periudhë zgjedhore, përdorimi i këtij instrumenti krijon dyshime të forta për keqpërdorim të fondeve publike për qëllime elektorale, duke minuar besueshmërinë e qeverisjes fiskale dhe duke dëmtuar barazinë e garës politike, e duke e bërë të domosdoshëm kontrollin parlamentar dhe auditimin e menjëhershëm paszgjedho

Alokimi i fondeve të buxhetit për institucione dhe kompani dhe mungesa e transparencës

Rasti i transferimit të 1 miliardë lekëve (rreth 10 milionë euro) për “Thinking Machines Lab”[1] përmes Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), pa vendim investimi të miratuar nga Kuvendi[2] dhe pa ndjekur procedurat e ligjit për shoqëritë tregtare, investimet strategjike dhe prokurimin publik, është një shembull flagrant i mungesës së transparencës dhe llogaridhënies.

Ky alokim pa bazë ligjore thekson anashkalimin e mekanizmave të kontrollit institucional dhe krijon hapësirë për abuzim dhe favoritizm. Ky rast reflekton një problem më të gjerë të përdorimit të korporatave publike, si KISH, për të kanalizuar fonde pa mbikëqyrjen e duhur.

Ligji për investimet strategjike kërkon një proces të hapur dhe konkurrues për projektet e mëdha, ndërsa ligji për prokurimin publik synon të sigurojë efikasitetin dhe barazinë në përdorimin e fondeve. Anashkalimi i këtyre procedurave jo vetëm shkel ligjin, por edhe rrezikon efikasitetin ekonomik të investimit, duke pasuar parasysh se projektet e teknologjisë së lartë kërkojnë analiza të detajuara të fizibilitetit për të garantuar kthimin e investimit.

Shembuj të ngjashëm të alokimeve kontroverse jashtë procedurave ligjore në buxhetin 2025 përfshijnë transferimin e 30 milionë eurove si transfertë kapitale për Albcontrol, një institucion jashtë buxhetit, për shkak të vështirësive të funksionimit pas bllokimit të llogarive.

Këto alokime, të bëra përmes aktit normativ të tetorit 2025, anashkalojnë procedurat standarde të buxhetit dhe prokurimit, duke krijuar precedentë për shpërndarje arbitrare të fondeve publike pa miratim parlamentar, e duke rritur rrezikun e abuzimit dhe mungesës së llogaridhënies.

Shpërndarja e fondeve në këtë formë është shkelje e drejtpërdrejtë e parimeve të ligjit për menaxhimin financiar publik dhe cenim i transparencës buxhetore, duke krijuar precedent të rrezikshëm që lejon fonde të konsiderueshme të kalojnë në struktura publike ose gjysmë-publike pa kontroll parlamentar, gjë që mund të çojë në rrezik të abuzimit, konflikt interesi dhe mungesë përgjegjshmërinë fiskale.

Drejt një buxheti të qëndrueshëm dhe transparent për 2026

Përvoja e buxhetit 2025 nxjerr në pah nevojën urgjente për një qasje të reformuar ndaj procesit buxhetor, që të garantojë stabilitet, transparencë dhe respektim të plotë të kuadrit ligjor.

Për të arritur këtë, qeveria duhet të zbatojë korrektësisht strategjinë buxhetore afatgjatë, të mbështetur në analiza ekonomike të thella dhe parashikime realiste, për të shmangur ndërhyrjet e shpeshta dhe reaktive.

Kjo strategji duhet të përfshijë konsultime të gjera me ekspertë, shoqërinë civile dhe palët e interesit, për të siguruar që buxheti reflekton nevojat reale të vendit dhe jo prioritetet politike të momentit.

Kuvendi duhet të marrë një rol më aktiv në mbikëqyrjen e financave publike, përmes krijimit të një komisioni të posaçëm për shqyrtimin e akteve normative dhe investimeve strategjike, duke forcuar kontrollin parlamentar dhe parandaluar abuzimet nga ekzekutivi.

Transparenca në alokimin e fondeve është thelbësore për të rikthyer besimin publik.

Çdo rialokim buxhetor, përfshirë ato përmes korporatave publike, si KISH, duhet të shoqërohet me raporte të detajuara publike dhe të respektojë procedurat e prokurimit publik, për të garantuar efiçencën dhe barazinë në përdorimin e burimeve.

KLSH-ja dhe KQZ-ja duhet të pajisen me autoritet më të madh për të investiguar dhe sanksionuar shkeljet buxhetore, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore, për të parandaluar përdorimin e fondeve publike për qëllime elektorale.

Së fundmi, procesi buxhetor duhet të harmonizohet me direktivat e BE-së për qeverisjen fiskale, duke kufizuar borxhin e fshehur nga partneritetet publik-privat dhe duke rritur transparencën në investimet publike, për të mbështetur perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë.

Buxheti 2025 na zbulon dobësi të thella në disiplinën fiskale të Shqipërisë, nga planifikimi i dobët dhe ndryshimet e shpeshta përmes akteve normative, deri te alokimet e diskutueshme pa baza ligjore, si rasti i “Thinking Machines Lab”.

Këto praktika jo vetëm shkelin kuadrin ligjor dhe kushtetues, por edhe dëmtojnë besimin publik, stabilitetin ekonomik dhe perspektivën e integrimit evropian.

Për vitin 2026, qeveria dhe institucionet duhet të ndërtojnë një buxhet të qëndrueshëm, transparent dhe të bazuar në ligj, duke mësuar nga gabimet e 2025-s për të rikthyer disiplinën fiskale dhe për të mbështetur zhvillimin afatgjatë të vendit. Një proces buxhetor i reformuar, i mbështetur në parashikueshmëri, llogaridhënie dhe përfshirje publike do të jetë çelësi për të transformuar financat publike nga një mjet i manovrave politike në një instrument të zhvillimit të qëndrueshëm.


[1] Sipas raporteve, ky investim lidhet me një projekt të teknologjisë së lartë të drejtuar nga Mira Murati, ish-CTO e OpenAI, por mungesa e detajeve publike dhe e procedurave të prokurimit publik ngrenë dyshime për konflikte interesi dhe mungesë transparence.

[2] Kuvendi ka kompetencë kushtetuese dhe ligjore për të miratuar çdo përdorim të fondeve publike që përfshin investime kapitale ose ndryshim të pronës publike. Më konkretisht:

  • Ligji për menaxhimin financiar publik (nr. 9936/2008) përcakton se çdo ndryshim në destinacionin e fondeve buxhetore duhet të miratohet nga Kuvendi, si organi që ka miratuar vetë buxhetin.
  • Ligji për shoqëritë tregtare kërkon që vendimet për investime të reja nga shoqëritë me kapital shtetëror (si Korporata e Investimeve Shqiptare) të kenë miratimin e pronarit të kapitalit — në këtë rast, shtetit përmes Kuvendit.
  • Ligji për investimet strategjike (nr. 55/2015) kërkon që projektet me karakter strategjik të kenë vendim të posaçëm të miratuar institucionalisht, jo vetëm vendim qeverie.

Pra, miratimi i Kuvendit garanton kontroll parlamentar, transparencë mbi përdorimin e parave publike dhe parandalon përdorimin arbitrar të fondeve jashtë kritereve të zhvillimit strategjik.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.