Analizë sociale e varfërisë dhe mirëqenies në Shqipëri, 2024
Në Shqipëri, rritja nominale e të ardhurave dhe treguesit pozitivë makroekonomikë nuk janë përkthyer automatikisht në përmirësim të jetës së përditshme të qytetarëve.
Politikat publike, duke përfshirë rritjen e pagave minimale, pensioneve dhe ndihmave sociale, kanë për qëllim të mbrojnë standardin minimal jetik dhe të reduktojnë varfërinë, por realiteti tregon një tablo më komplekse.
Të dhënat e Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ 2024) ofrojnë një pasqyrë të drejtpërdrejtë të asaj se si këto politika ndikojnë në familjet shqiptare dhe sa prej tyre arrijnë të përfitojnë realisht.
Politikat sociale funksionojnë si “mburojë” ndaj rreziqeve të varfërisë, veçanërisht për familjet në nevojë ose ato me fëmijë në varësi.
Megjithatë, mungesa e indeksimit të nevojshëm të të ardhurave ndaj inflacionit dhe rritja e çmimeve bazike të ushqimit dhe energjisë ka kufizuar efektin e tyre.
Një familje me pension mesatar prej 30 mijë lekësh në Tiranë, për shembull, nuk mundi të përballojë më shumë se gjysmën e kostos së shportës bazike ushqimore në 2024. Ndërsa një familje me dy të rritur dhe dy fëmijë që punojnë vetëm me paga minimale shpesh u përball me pamjaftueshmëri të ardhurrash për energji e transport dhe shërbimet arsimore për fëmijët.
Tendencat e varfërisë dhe privimit material
Sipas AANJ 2024, rreziku për të qenë i varfër statistikisht ka rënë lehtë, nga 19,8% në 19,2%. Megjithatë, ky përmirësim është jo i njëtrajtshëm sipas grupmoshave.
Te grupmosha 0–17 vjeç rreziku ka rënë nga 27,5% në 26,6%. Kjo tregon një efekt modest të politikave sociale tek familjet me fëmijë, ku ndihmat familjare dhe subvencionet kanë pakësuar pjesërisht privimin ushqimor dhe material. Për shembull, një familje me tre fëmijë që merr ndihmë financiare shtesë për shkollën dhe energjinë ka mundësi të mbulojë disa shpenzime bazike, por ende jo të gjitha.
Te grupmosha mbi 65 vjeç rreziku ka pësuar një rritje të lehtë, nga 13,6% në 13,8%, duke treguar se pensionet nuk po arrijnë të mbulojnë inflacionin ushqimor dhe energjetik për të moshuarit që jetojnë vetëm ose në familje me të ardhura të ulëta. Një pensionist që jeton me 27–32 mijë lekë në muaj shpesh përballet me zgjedhjen e vështirë mes energjisë dhe ushqimit.
Privimi material dhe social, që tregon sa individë nuk përballojnë të paktën 7 nga 13 kategori bazike (ushqim, energji, arsim, shërbime shëndetësore, transport etj.), ka rënë nga 35,9% në 32,8%.
Por, ky nivel aktual na tregon se ende një e treta e popullsisë jeton me privime të rënda, kryesisht familje në nevojë, të cilat nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet bazike.
Kështu, nëse analizojmë një familje me dy të rritur dhe një fëmijë në Shkodër, e cila mund të marrë pensionin e nënës dhe pagën minimale të babait, por nuk mund të përballojë shpenzimet e energjisë për dimrin, librat dhe materialet shkollore për fëmijën, dhe të ruajë kursime për emergjenca.
Edhe pse ka një përmirësim modest krahasuar me vitin 2023, politikat sociale dhe rritja e të ardhurave ende shfaqin mungesa kapaciteti për të mbuluar nevojat bazike të familjeve në nevojë dhe për të garantuar një standard minimal jetik. Për qytetarin mesatar, kjo përkthehet në mungesë sigurie për ushqim, energji dhe arsim, duke krijuar një realitet ku rritja ekonomike në shifra nuk ndihet në xhepin e familjeve.
Ndikimi i përfitimeve sociale
Të dhënat e AANJ 2024 tregojnë qartë se pensionet dhe ndihmat familjare luajnë një rol vendimtar në uljen e rrezikut për të qenë i varfër.
Pa asnjë përfitim social, rreziku për të qenë i varfër do të ishte 36,7%. Kjo tregon se mbi një të tretën e popullsisë do të përballej me mungesa bazike në ushqim, energji, arsim dhe shërbime shëndetësore, nëse nuk do të ekzistonin asnjë lloj mekanizmi mbrojtës.
Duke përfshirë vetëm pensionet e pleqërisë dhe ndihmat familjare, rreziku bie në 22,7%. Kjo ulje tregon se këto politika sociale janë efektive në ruajtjen e një standardi minimal jetik, sidomos për familjet më të dobëta ose për ata që jetojnë vetëm, por ama vetëm kaq mund të përmbushin.
Përfitimet sociale nuk janë thjesht transaksione financiare, por mekanizma jetësorë mbrojtës për shtresat më të rrezikuara. Familjet me të ardhura të ulëta, si pensionistët, familjet me një të rritur dhe fëmijë në varësi, ose personat që nuk kanë akses në punësim të qëndrueshëm mbështeten kryesisht tek këto mjete.
Pa to, këto familje do të përballeshin me rreziqe shumë më të mëdha të privimit material dhe social, duke rritur presionin mbi konsumimin bazik, shëndetin dhe mundësitë arsimore të fëmijëve.
Një pensionist me 30 mijë lekë në muaj që jeton vetëm në një qytet të madh mund të përballojë vetëm rreth gjysmën e shpenzimeve bazike të energjisë dhe ushqimit. Me ndihmën familjare ose pensionet shtesë, ai/ajo mund të mbulojë shpenzimet elementare, duke shmangur privimin total dhe rrezikun për varfëri të thellë.
Kjo tregon se politikat sociale përkthehen në mënyrë të drejtpërdrejtë në mbrojtje reale të mirëqenies dhe çdo ndryshim në këto mekanizma ka efekt të menjëhershëm në jetën e familjeve më të dobëta.
Diferencat sipas strukturës familjare
Të dhënat e AANJ 2024 tregojnë se struktura familjare ka një ndikim të qartë mbi rrezikun për të qenë i varfër.
Familjet pa fëmijë në varësi përballen me një rrezik më të ulët për varfëri. Kjo për shkak se shpenzimet për ushqim, arsim dhe shërbime shëndetësore janë më të menaxhueshme, dhe të ardhurat e të rriturve shpesh mjaftojnë për të mbuluar nevojat bazike.
Familjet me fëmijë në varësi janë më të ekspozuara ndaj varfërisë dhe privimit material. Numri më i madh i anëtarëve krijon presion shtesë financiar për ushqim, energji, shërbime arsimore dhe shëndetësore. Për shembull, një familje me dy të rritur dhe tre fëmijë që jeton në një qytet të mesëm duhet të ndajë të ardhurat mes ushqimit, transportit dhe shpenzimeve shkollore, duke e bërë më të vështirë ruajtjen e një standardi jetese të qëndrueshëm.
Një familje me një fëmijë që merr vetëm pagën minimale përballon kostot e energjisë dhe ushqimit, por shpesh nuk arrin të mbulojë shpenzimet për libra dhe materiale shkollore.
Familjet me tre ose katër fëmijë shpesh duhet të sakrifikojnë kursimet ose shërbimet shëndetësore, duke rritur rrezikun për privim material të vazhdueshëm.
Politikat sociale duhet të jenë të targetuara drejt familjeve me fëmijë dhe shtresave më të rrezikuara. Përqendrimi tek familjet më komplekse dhe më të prekshme nga varfëria garanton një shpërndarje më të drejtë të mbështetjes, duke reduktuar privimin material dhe duke ruajtur standardin minimal jetik për fëmijët dhe të rriturit.
Kjo qasje nënvizon nevojën për ndihmë të diferencuar dhe të synuar, jo një shpërndarje të përgjithshme që mund të mos arrijë të adresojë presionin financiar unik të familjeve me fëmijë.
Mirëqenia dhe të ardhurat
Të dhënat e AANJ 2024 tregojnë se të ardhurat mesatare mujore për frymë kanë pësuar një rritje të ndjeshme, nga 41.479 lekë në 51.122 lekë, një rritje nominale prej 23,2%.
Në dukje, ky është një tregues pozitiv që tregon përmirësim ekonomik. Megjithatë, kur e analizojmë nga këndvështrimi social, tabloja bëhet më kompleks, pasi rritja e të ardhurave nuk është e barabartë për të gjitha shtresat.
Familjet me të ardhura të tjera dhe të mesme përfitojnë më shumë nga rritja nominale. Për ta, kjo rritje përkthehet në mundësi më të mëdha konsumimi, kursimesh dhe investimesh të vogla në arsim ose shërbime shëndetësore. Për shembull, një familje me dy paga mesatare dhe kursime të vogla mund të blejë produkte më të shtrenjta ushqimore, të përmirësojë energjinë për ngrohje dhe të planifikojë pushime ose trajtime shëndetësore.
Familjet në nevojë, megjithëse mbështeten pjesërisht nga pensionet dhe ndihmat sociale, nuk përfitojnë plotësisht nga rritja nominale. Kostot e larta të ushqimit dhe energjisë kufizojnë fuqinë e tyre blerëse reale.
Një familje me një të rritur që punon me pagë minimale dhe merr pensionin e nënës mund të përballet me zgjedhje të vështira, si të sakrifikojë kursimet, të mos blejë disa ushqime të domosdoshme ose të reduktojë shpenzimet për arsim dhe transport.
Një familje me dy fëmijë dhe një të rritur me pagë minimale në Fier ose Elbasan, përballë rritjes së çmimit të ushqimeve dhe energjisë, shpesh arrin të mbulojë vetëm 65–70% të kostos reale mujore.
Një pensionist në Tiranë që jeton vetëm dhe merr 30 mijë lekë në muaj shpesh përballon vetëm gjysmën e shpenzimeve të domosdoshme, duke u detyruar të sakrifikojë për ushqim ose ilaçe.
Pra, rritja e të ardhurave nuk ka garantuar përmirësim të mirëqenies për familjet më të dobëta. Pabarazitë mbeten të dukshme dhe shumë familje nuk arrijnë të përmbushin standardin minimal jetik. Ky konstatim nënvizon se rritja ekonomike në shifra nuk përkthehet automatikisht në rritje të jetës reale, veçanërisht për ata që përballen me kostot bazike më të larta dhe varfëri të strukturuar.
Pabarazia dhe kohezioni social
Të dhënat e AANJ 2024 tregojnë një përmirësim modest të pabarazisë në Shqipëri.
Koeficienti Gini ka rënë nga 30,6% në 29,8%, duke treguar një reduktim të vogël të pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave.
Raporti S80/S20, që mat diferencën mes të ardhurave më të larta dhe më të ulëta, ka rënë nga 5,0 në 4,8. Kjo tregon se familjet në grupin më të lartë të të ardhurave përfitojnë ende më shumë nga rritja ekonomike, ndërsa shtresat më të dobëta përballen me sfida të vazhdueshme për të ruajtur standardin minimal jetik.
Familjet me të ardhura të larta mund të investojnë në kursime, arsim privat ose përmirësime në banesë, duke përfituar proporcionalisht më shumë nga rritja ekonomike.
Familjet në nevojë shpesh e përdorin çdo shtesë të të ardhurave për shpenzimet bazike si ushqim, energji dhe transport, duke mos përfituar nga mundësitë për përmirësim të mirëqenies reale.
Një familje e pasur në Tiranë me dy paga mesatare dhe kursime mund të përballojë energjinë dhe qiranë, të blejë produkte më të shtrenjta ushqimore dhe të planifikojë shërbime shëndetësore ose pushime.
Një familje në një qytet të mesëm me një pagë minimale dhe një pension të vogël shpesh duhet të sakrifikojë ushqimin ose shërbimet arsimore për fëmijët, duke ruajtur vetëm minimumin jetik.
Ulja e lehtë e koeficientit Gini dhe raportit S80/S20 nuk garanton përmirësim të ndjeshëm të jetës së familjeve më të dobëta. Pa politika aktive për shpërndarjen e të ardhurave dhe mbështetje sociale, përmirësimet makroekonomike nuk përkthehen automatikisht në rritje të mirëqenies reale për qytetarët më të ekspozuar.
Këndvështrimi për interesin publik
Analiza e të dhënave të AANJ 2024 tregon një tablo të ndarë të varfërisë dhe mirëqenies në Shqipëri.
Çfarë ka ndodhur me varfërinë?
Nga analiza jonë shihet se ka pasur një ulje të lehtë të rrezikut për të qenë i varfër (nga 19,8% në 19,2%) dhe të privimit material dhe social (nga 35,9% në 32,8%). Megjithatë, një e treta e popullsisë mbetet në rrezik të lartë, duke përfshirë familjet me fëmijë, pensionistët dhe individët në familje me të ardhura minimale.
Si është ndikuar mirëqeni?
Familjet me të ardhura më të larta dhe të mesme përfitojnë nga rritja nominale e të ardhurave (+23,2%) dhe mund të përmirësojnë konsumimin, kursimet dhe investimet e vogla në shëndet ose arsim.
Familjet në nevojë, edhe pse pjesërisht mbështeten nga pensionet dhe ndihmat sociale, përballen ende me kostot e larta të ushqimit dhe energjisë, që kufizojnë fuqinë e tyre blerëse reale. Për ta, përfitimet sociale janë vendimtare për të ruajtur standardin minimal jetik, por nuk janë të mjaftueshme për të garantuar mirëqenie të qëndrueshme.
Rritja e ekonomisë në 2024 nuk reflektohet në mënyrë të barabartë në jetën reale të qytetarëve. Politikat sociale, kontrolli i inflacionit dhe shpërndarja e drejtë e të ardhurave janë çelës për mbrojtjen e standardit real jetik dhe për ruajtjen e kohezionit social.
Qytetarët përballen me zgjedhje të vështira në përditshmëri, si ushqim, energji, arsim dhe shëndet, ndërsa rritja ekonomike e publikuar nuk ndihet në xhepin e tyre. Ekonomia mund të rritet në shifra, por fuqia reale blerëse e familjeve më të dobëta dhe e shtresës së mesme pëson presion, duke krijuar rrezik social dhe polarizim.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.