Monedha kombëtare duhet të reflektojë ekonominë reale

Monedha kombëtare duhet të reflektojë ekonominë reale

Forcimi i lekut shqiptar vitet e fundit, i nxitur kryesisht nga hyrjet e larta valutore përmes turizmit, remitancave, transaksioneve me pasuri të paluajtshme dhe lëvizjeve kapitale është interpretuar gjerësisht si shenjë stabiliteti makroekonomik dhe besimi në ekonominë shqiptare.

Forcimi i lekut shqiptar ka sjellë stabilitet monetar, por njëkohësisht ka prodhuar presion mbi sektorët prodhues dhe eksportues, duke theksuar boshllëqet ndërmjet politikave monetare dhe objektivave zhvillimore.

Ky opinion ekonomik analizon efektet e kursit të këmbimit mbi ekonominë reale dhe nënvizon nevojën për një qasje më koherente të politikave makroekonomike që mbështesin konkurrueshmërinë dhe prodhimin vendas. Eksportuesit kërkojnë jo privilegje, por mekanizma të drejtë që pasqyrojnë realitetin ekonomik dhe nxisin rritje të qëndrueshme.

Në qendër të këtij shqetësimi qëndron një mospërputhje strukturore.

Vlera e monedhës kombëtare duket gjithnjë e më shumë e shkëputur nga themeli ekonomik i sektorëve që gjenerojnë rritje të qëndrueshme dhe të bazuar në produktivitet.

Pasojat nuk janë abstrakte, ato janë reale dhe të menjëhershme për prodhuesit, agropërpunuesit dhe eksportuesit industrialë shqiptarë.

Monedhë e fortë, sektor prodhues më i brishtë

Ndërsa një lek i fortë ndihmon importuesit, ul kostot e shërbimit të borxhit të jashtëm dhe zbut presionet inflacioniste, ai njëkohësisht dëmton ndjeshëm konkurrueshmërinë e prodhuesve vendas që operojnë në tregjet ndërkombëtare, ndërkohë që përballen me rritje kostosh në tregun e brendshëm.

Për çdo euro të fituar jashtë, eksportuesit marrin më pak lekë, duke ngushtuar marzhet dhe kufizuar aftësinë për të reinvestuar.

Ky efekt ndikon veçanërisht sektorët me fleksibilitet të ulët në çmime dhe me ekspozim të lartë ndaj konkurrencës rajonale dhe globale.

Pavarësisht përpjekjeve për modernizim dhe integrim në zinxhirët e furnizimit evropian, eksportuesit raportojnë vështirësi të shtuara në mbajtjen e kapaciteteve dhe vendeve të punës në kushtet aktuale të kursit të këmbimit.

Drejtues strukturorë përballë boshllëqeve politike

Forcimi i lekut nuk buron nga një rritje strukturore e produktivitetit në sektorët prodhues, por më së shumti nga rryma hyrëse valutore që lidhen me sektorë jo-produktivë ose që nuk krijojnë vlerë të shtuar në vend.

Në këtë kuptim, kursi i këmbimit, ndonëse i lirë nuk pasqyron realitetin e sektorëve prodhues, por ndikohet nga lëvizje afatshkurtra apo spekulative.

Situata përkeqësohet edhe nga mungesa e instrumenteve fiskalë kompensues.

Shqipëria ende nuk aplikon mekanizma që zbusin humbjet e konkurrueshmërisë, si kreditë tatimore për eksportuesit, rimbursimet e përshpejtuara të TVSH-së apo skema të synuara mbështetjeje.

Po ashtu, mungon një kornizë e koordinuar që të lidhë politikat monetare, fiskale dhe zhvillimore në një strategji të vetme për transformim ekonomik.

Mësime për një qasje koherente

Ajo që propozohet nga eksportuesit këtë fillim vere nuk është manipulim i kursit të këmbimit apo heqje dorë nga tregu i lirë. Përkundrazi, eksportuesit kërkojnë koherencë ndërmjet instrumenteve makroekonomike dhe objektivave zhvillimore afatgjata.

Një qasje më e balancuar mund të përfshijë:

  • Komunikim dhe koordinim më të qartë ndërmjet Bankës së Shqipërisë, autoriteteve fiskale dhe agjencive të zhvillimit, për të vlerësuar ndikimin e kursit të këmbimit në sektorët strategjikë.
  • Mekanizma kompensues selektivë për sektorët që kanë potencial eksportues, por janë shumë të ndjeshëm ndaj luhatjeve të monedhës.
  • Krijimin e linjave krediti produktiv, lehtësira fiskale për investime në eksporte dhe nxitje për kërkim-zhvillim.
  • Një zhvendosje graduale drejt një modeli rritjeje të mbështetur në mallra të tregtueshëm dhe inovacion, në vend të konsumit dhe sektorëve joproduktivë.

Stabiliteti makroekonomik i Shqipërisë është zhvnedosur në një tjetër balancë prej dy-tre vitesh, por potenciali i zhvillimit afatgjatë varet nga qëndrueshmëria e bazës prodhuese.

Një mjedis politikash që shpërblen flukset afatshkurtra në dëm të kapaciteteve të qëndrueshme rrezikon të thellojë dobësitë strukturore dhe të përshpejtojë de-industrializimin.

Për të shmangur këtë, politika e kursit të këmbimit, ndonëse e lirë duhet të përfshihet në një vizion më të gjerë strategjik që mbështet dhe forcon sektorët që sjellin qëndrueshmëri, eksporte dhe punësim cilësor.

Eksportuesit nuk duhet të kërkojnë mbrojtje artificiale. Ata duhet të kërkojnë parashikueshmëri, koherencë dhe vëmendje politike në përputhje me rolin që luajnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.