Mirëqenia nuk mjafton të krahasohet me të shkuarën
Shpesh dëgjojmë politikanë, analistë apo edhe profesionistë dhe individë me një mirëqenie të kënaqshme, që të thonë se “Ne tani jemi më mire se më përpara”.
Ky lloj krahasimi nuk është thjesht i mangët, por më së shumti i rrezikshëm dhe intelektualisht i papërshtatshëm. Ai krijon një narrativë që justifikon dështimet e politikave dhe fsheh realitetin. Mirëqenia nuk matet vetëm me krahasim retrospektiv, por me aftësinë reale të politikave për të shfrytëzuar burimet natyrore dhe njerëzore, duke rritur cilësinë e jetës së qytetarëve.
Siç ka argumentuar Amartya Sen, fitues i Çmimit Nobel për Ekonomi “zhvillimi nuk është thjesht rritje ekonomike, por zgjerim i lirisë dhe mundësive të individëve për të jetuar jetën që vërtet e vlerësojnë”. Politikat që nuk japin mundësi reale, nuk ndihmojnë qytetarët të arritin potencialin e tyre, ashtu si një individ me talent të madh, arsim dhe energji, i cili nuk gjen mundësinë për të ndërtuar karrierën e tij apo për të kontribuar në shoqëri, nuk mund të konsiderohet i realizuar.
Në këtë kontekst, krahasimi me të shkuarën është jo vetëm i papërshtatshëm, por edhe i dëmshëm, sepse justifikon stanjacionin ekonomik dhe social dhe injoron faktin se burimet që vendi ka në dispozicion, si ato natyrore, por më shumë ato njerëzore dhe intelektuale mund të përdoren për të ndërtuar mirëqenie reale dhe të qëndrueshme.
Ekonomia dhe largimi i të rinjve, një tregues i mirëqenies reale
Shqipëria ka një potencial të madh ekonomik me toka pjellore për bujqësi intensive dhe të qëndrueshme, burime minerale me vlerë strategjike dhe një potencial turistik që mund të rivalizojë destinacione shumë më të zhvilluara. Megjithatë, ekonomia e vendit mbetet fragmentuar dhe informaliteti në punësim është i lartë, duke penguar rritjen e mirëqenies reale.
Ky fenomen ka një efekt të drejtpërdrejtë tek të rinjtë, atë të mungesës së mundësive reale për punësim dhe avancim professional, çka i shtyn ata të largohen jashtë vendit. Sipas të dhënave të INSTAT dhe Bankës Botërore, në 10 vitet e fundit, mbi 500,000 të rinj shqiptarë kanë emigruar, duke marrë me vete kapitalin njerëzor më të vlefshëm të vendit. Ky largim nuk është thjesht një statistikë demografike, por pasqyron një mungesë të mirëqenies reale.
Të rinjtë nuk gjejnë mundësi për t’u realizuar personalisht dhe profesionalisht brenda vendit të tyre.
Për të kuptuar kontrastin, mund të shohim vendet si Sllovenia dhe Estonia. Sllovenia, me burime natyrore më të kufizuara ka investuar në arsim profesional dhe teknologji, por ka ndërtuar rrjet të qëndrueshëm mbështetje për sipërmarrësit e rinj dhe ka përmirësuar infrastrukturën digjitale, duke krijuar mundësi reale për zhvillim personal dhe profesional.
Estonia, nga ana tjetër e ka shndërruar digjitalizimin dhe qeverisjen elektronike në motor të zhvillimit ekonomik, duke ofruar mundësi për të rinjtë e saj dhe duke ndaluar largimin masiv të kapitalit njerëzor.
Ndryshe nga këto modele, Shqipëria vazhdon të mbështetet kryesisht tek remitancat dhe investimet e huaja për të ruajtur një mirëqenie relative. Ky ekuilibër i brishtë nuk krijon perspektivë të qëndrueshme dhe nuk përdor në mënyrë strategjike burimet njerëzore dhe natyrore të vendit. Rezultati është një cikël ku ekonomia e ngadaltë, punësimi informal dhe emigracioni i të rinjve mbajnë vendin në një gjendje të “mirëqenies relative” që nuk është reale. Qytetarët nuk përfitojnë nga potenciali i plotë i vendit dhe të rinjtë, që janë shpresa për zhvillim afatgjatë, largohen.
Në thelb, kjo tregon se mirëqenia nuk mund të matet vetëm me tregues relativë nga e kaluara. Ajo duhet të matet me aftësinë e vendit për të krijuar mundësi reale për qytetarët, për të përdorur burimet që ka dhe për të ndaluar humbjen e kapitalit njerëzor. Largimi i të rinjve është treguesi më i qartë se politika aktuale nuk ka arritur këtë qëllim.
Arsimi dhe punësimi: një tregues i mirëqenies që nuk duhet nënvlerësuar
Ndërsa buxheti për arsimin formal ka shënuar rritje nominale, cilësia e ofruar shpesh mbetet larg standardeve që kërkon tregu i punës. Universitetet e reja prodhojnë diploma pa aftësi praktike, ndërsa programet profesionale dhe teknologjike nuk janë të përqendruara në nevojat reale të ekonomisë. Si pasojë, të rinjtë nuk gjejnë mundësi për zhvillim profesional brenda vendit, duke u detyruar të emigrojnë.
Në kontrast, Kroacia ka përdorur strategji të qarta për të lidhur arsimin me tregun e punës: investime në arsimin profesional, teknologji dhe programe për sipërmarrje të të rinjve kanë rritur mundësitë për punësim dhe kanë zvogëluar largimin e talentëve. Kjo tregon qartë se politika intelektuale dhe strategjike mund të ndikojë drejtpërdrejt në mirëqenien reale të qytetarëve.
Shëndetësia dhe shërbimet publike, cilësia mbi sasinë
Ndërkohë që spitalet e mëdha në qytetet kryesore janë modernizuar, qendra shëndetësore në zonat rurale mbeten minimalisht të pajisura. Investimet shpesh fokusohen në projekte të dukshme për propagandë politike, dhe jo në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Për shembull, qytetarët e zonave të thella detyrohen të udhëtojnë dhjetëra kilometra për trajtim bazik, duke rritur koston dhe humbjen e kohës.
Në vende si Sllovakia dhe Portugalia, qeveritë kanë ndërtuar sisteme shëndetësore gjithëpërfshirëse, të aksesueshme dhe të barabarta, duke përmirësuar mirëqenien reale dhe duke zvogëluar diferencat midis zonave urbane dhe rurale. Ky model tregon se investimi strategjik dhe qeverisja e mirë në shëndetësi janë faktorë kyç për rritjen e mirëqenies.
Shfrytëzimi i burimeve natyrore, nga fitimet e shkurtra te zhvillimi afatgjatë
Shqipëria ka pasuri minerale dhe turistike të konsiderueshme, por shpesh investimet janë të orientuara drejt përfitimeve të shkurtra, duke favorizuar interesat private mbi komunitetin lokal. Projeketet hidroenergjitike dhe turistike shpesh nuk krijojnë zhvillim të qëndrueshëm, dhe shumë zona humbasin mundësinë për të zhvilluar ekonomi lokale të bazuara në turizëm apo industrinë e qëndrueshme.
Nga ana tjetër, Mali i Zi, me burime natyrore shumë më të kufizuara, ka zhvilluar turizëm të qëndrueshëm dhe ka krijuar rrjet mbështetës për sipërmarrjen lokale, duke shndërruar potencialin e tij të kufizuar në burim mirëqenieje reale dhe afatgjatë. Ky shembull tregon se nuk është sasia e burimeve, por mënyra se si menaxhohen, ajo që përcakton nivelin e mirëqenies.
Situata aktuale vs. Mirëqenia që duhej të kishim
| Dimensione | Situata aktuale në Shqipëri | Situata ideale (shembuj nga vende të ngjashme) |
| Arsimi dhe punësimi | Universitetet shpesh prodhojnë diploma pa aftësi praktike; pak lidhje me tregun e punës; largim masiv i të rinjve | Kroacia: investime në arsimin profesional dhe teknologjik; lidhje e drejtpërdrejtë me tregun e punës; zvogëlim i emigracionit |
| Shëndetësia | Spitalet moderne vetëm në qytetet kryesore; qendrat rurale minimale; investime fragmentare për efekt propagandistik | Sllovakia/Portugalia: sisteme gjithëpërfshirëse, të barabarta dhe të aksesueshme në të gjithë vendin |
| Shfrytëzimi i burimeve natyrore | Fokus tek përfitime të shkurtra; projekte që favorizojnë interesa private; zhvillim jo i qëndrueshëm | Mali i Zi: turizëm dhe projekte lokale të qëndrueshme; rritje e sipërmarrjes dhe mirëqenies së komunitetit |
| Kapitali njerëzor | Largim i masiv i të rinjve të edukuar; mungesë mundësish reale për zhvillim | Sllovenia/Estonia: investime në mundësi për të rinjtë; stimulim i inovacionit dhe karrierës brenda vendit |
| Mirëqenia reale | Mbështetje kryesisht tek remitancat dhe investimet e huaja; mirëqenie relative, jo reale | Krijim i një jete të qëndrueshme dhe mundësive reale për qytetarët; rritje e standardit jetësor dhe stabilitetit social |
Kjo tabelë e bën të qartë se diferenca mes mirëqenies që kemi dhe asaj që mund të kishim arritur nuk është thjesht retrospektive, por pasqyron efektin real të politikave, investimeve dhe menaxhimit të burimeve.
Atëherë, pse krahasimi me të shkuarën është i dëmshëm?
Narrativa e shpesh përsëritur “Ishim më keq dhe tani jemi më mirë” nuk është thjesht një retorikë e thjeshtë. Ajo krijon një legjitimitet të rreme për politikat që nuk kanë rritur mirëqenien reale të qytetarëve. Ky krahasim i shpejtë dhe i sipërfaqshëm pengon reflektimin kritik dhe përdoret shpesh si justifikim për stagnimin dhe mungesën e reformave të domosdoshme.
Së pari legjitimon dështimin e sistemit politik dhe ekonomik. Çdo politikë që nuk arrin të shfrytëzojë burimet natyrore dhe njerëzore të vendit shihet si “sukses”, vetëm sepse situata duket më e mirë se në vitet ’90. Për qytetarët që përballen çdo ditë me çmime të larta, punësim të pasigurt dhe mungesë shërbimesh bazë, ky krahasim është jo vetëm i padrejtë, por edhe i hidhur. Ai fsheh faktin se potenciali i vendit mbetet i pazbatuar dhe shpresa për një jetë më të mirë është e pakët.
Së dyti, nxit apati tek qytetarët. Kur njerëzit besojnë se “jemi më mirë se më parë”, ata fillojnë të pranojnë gjendjen e tyre si e mjaftueshme. Shumë të rinj ndjejnë se nuk ka vlerë të kërkojnë ndryshim, sepse standardi relativ i mirëqenies i tregon atyre një komoditet të rremë. Ata shohin se politikat nuk krijojnë mundësi reale për të jetuar jetën që e dëshirojnë, dhe kjo gjeneron një ndjenjë frustruese të pafuqisë.
Në fakt, krahasimi me të shkuarën maskon vuajtjen e sotme dhe pengon çdo përpjekje për të ndërtuar politika të qëndrueshme. Ai është si të shikosh vetëm majën e ajsbergut, duke injoruar mijëra njerëz që përballen me jetesë të pasigurt, largimin e të rinjve dhe mungesën e shpresës. Mirëqenia nuk mund të vlerësohet duke parë vetëm se ku kemi qenë më parë; ajo duhet matur me standarde reale, me atë se sa mund të jetojnë qytetarët, sa mundësi kanë për zhvillim dhe sa burime vendi përdor në mënyrë strategjike për t’i shërbyer shoqërisë.
Mirëqenia nuk matet me nostalgjinë për të shkuarën, por me kapacitetin që politika ka për të transformuar burimet e vendit në jetën reale të qytetarëve. Politikat e dështuara që nuk krijojnë mundësi për të rinjtë, nuk përmirësojnë arsimin dhe shëndetësinë në mënyrë të qëndrueshme, dhe nuk shfrytëzojnë burimet natyrore me mençuri, nuk duhet të justifikohen me krahasime retrospektive.
Nëse Shqipëria do të ndërtojë mirëqenie reale, duhet të matet me standarde të jashtme dhe brenda vendit.
Si kanë arritur vendet e tjera me burime të ngjashme të krijojnë mundësi dhe të ndalin largimin e të rinjve? Përgjigja do të ishte se, vendet e tjera kanë ndaluar largimin e të rinjve duke investuar në arsim cilësor dhe aftësi profesionale, duke krijuar mundësi reale punësimi, duke mbështetur sipërmarrjen lokale dhe duke menaxhuar burimet natyrore dhe njerëzore me strategji afatgjate dhe qeverisje efikase.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.