Mbikëqyrja financiare në epokën e inteligjencës artificiale, a është Shqipëria gati?

Mbikëqyrja financiare në epokën e inteligjencës artificiale, a është Shqipëria gati?

Në botën financiare po ndodh një revolucion i qetë, por i thellë. Inteligjenca artificiale (AI), modelet gjenerative dhe procesimi i avancuar i të dhënave po ndryshojnë mënyrën se si funksionon çdo hallkë e sistemit financiar, nga bankat te bursat, nga auditimi te mbikëqyrja.

Sot, institucionet financiare përdorin miliarda të dhëna për të analizuar sjelljen e konsumatorit, për të menaxhuar riskun në kohë reale dhe për të krijuar produkte të personalizuara. Në të njëjtën kohë, autoritetet mbikëqyrëse në shumë vende po transformojnë mënyrën se si ruajnë stabilitetin financiar, duke kaluar nga raportimet manuale tek mbikëqyrja inteligjente e bazuar në algoritme.

Ky proces njihet si suptech (teknologji mbikëqyrëse). Sipas vlerësimeve të fundit të FMN-së[1] dhe Cambridge SupTech Lab[2], 164 autoritete financiare në 105 vende tashmë po përdorin mjete të tilla për të monitoruar tregjet, për të luftuar mashtrimet dhe për të mbrojtur konsumatorët.

Por pabarazitë janë të dukshme, ku ndërsa 75% e ekonomive të zhvilluara përdorin mjete suptech, vetëm 58% e ekonomive në zhvillim kanë bërë hapa konkretë. Edhe më e thellë është ndarja në fushën e përdorimit të inteligjencës gjenerative (GenAI), një teknologji që në vitin 2024 përdorej nga vetëm 19% e vendeve, megjithëse kjo përqindje është dyfishuar krahasuar me një vit më parë.

Në vendet e avancuara, inteligjenca artificiale tashmë është pjesë e praktikës së përditshme të mbikëqyrjes.

Banka e Anglisë përdor modele AI për të parashikuar krizat financiare dhe prishjet në tregjet bankare. Banka e Tajlandës analizon procesverbalet e bordeve të bankave për të gjurmuar sjellje të rrezikshme.

Ndërsa Banka Qendrore Evropiane përdor modele për të lexuar automatikisht formularët e licencimit të drejtuesve të bankave, duke kursyer mijëra orë pune njerëzore.

Në këtë panoramë globale, pyetja që lind për Shqipërinë është e thjeshtë, por e rëndë:

  • A jemi ne gati të hyjmë në këtë ligë të re të mbikëqyrjes inteligjente?

Në Shqipëri, megjithëse BSH dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kanë nisur të adoptojnë teknologji dixhitale në proceset raportuese dhe analitike, nuk mund të flitet ende për një strategji suptech të mirëfilltë.

Pjesa më e madhe e mbikëqyrjes bazohet ende në raportim manual, me verifikim të vonuar të të dhënave dhe pa analiza të avancuara që përdorin modele parashikuese.

Në terma të thjeshtë, Shqipëria nuk është pjesë e garës globale për një mbikëqyrje të zgjuar. Kjo mungesë ritmi krijon një hendek teknologjik që do të thellohet nëse nuk ndërmerren masa urgjente. Arsyeja nuk është vetëm financiare, por edhe institucionale, si dhe kulturore.
Strukturat publike shqiptare ende funksionojnë në logjikën e verifikimit pas faktit, jo në analizën parashikuese. Ndryshe nga autoritetet e tjera që po eksperimentojnë me modelet gjenerative të AI-së, institucionet tona ende përballen me probleme bazike, si mungesë ekspertësh IT, sisteme ende të vjetra dhe të paazornuara dhe procedura prokurimi që nuk përshtaten me ritmin e inovacionit dixhital.

Mungesa e investimeve të dukshme në kapacitet njerëzor, infrastrukturë dixhitale dhe rregullim të qartë të përdorimit të AI e bën të vështirë futjen e teknologjive si GenAI (një klasë modelesh të inteligjencës artificiale (IA) që krijojnë përmbajtje të re, të tilla si tekst, imazhe, audio dhe video, bazuar në të dhënat ekzistuese) në proceset mbikëqyrëse.

Sipas standardeve të FMN-së dhe BIS-it (Bank of International Settlements), një autoritet mbikëqyrës duhet të ketë burime të mjaftueshme njerëzore dhe teknologjike për të kryer mbikëqyrje efektive, diçka që për Shqipërinë mbetet ende në fazën e aspiratës.

Në horizontin e zhvillimit institucional dhe teknologjik, Shqipëria ndodhet në një moment ku mund të përcaktojë nëse do të mbetet konsumator pasiv i risive dixhitale, apo do të bëhet ndërtuese e një arkitekture moderne të mbikëqyrjes fiskale.

Kalimi drejt epokës së inteligjencës artificiale në fushën e financave publike dhe mbikëqyrjes ekonomike kërkon më shumë se thjesht investim në teknologji kërkon një vizion strategjik të lidhur fort me reformën e qeverisjes financiare dhe digjitalizimin e institucioneve.

Suksesi i këtij transformimi varet nga tre shtylla që duhet të ndërtohen mbi njëra-tjetrën në mënyrë koherente dhe të ndërvarur. Së pari, strategjia kombëtare e “suptech”-ut (supervisory technology) duhet të jetë pjesë organike e planit të transformimit digjital të financave publike. Kjo strategji nuk mund të mbetet një dokument teknik i izoluar, por duhet të shndërrohet në një instrument politikash që bashkon Bankën e Shqipërisë, AMF-në dhe Drejtorinë e Tatimeve në një ekosistem të integruar mbikëqyrjeje.

Së dyti, specializimi i një njësie për inteligjencë artificiale pranë institucioneve kryesore financiare duhet të eci përpara, si tek Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, por edhe te dhe Banka e Shqipërisë dhe ministria e Financave, që do të do të shërbenin si laborator për zbatim pilot dhe zhvillim të algoritmeve që mund të analizojnë në kohë reale tregjet, transaksionet dhe rreziqet sistemike financiare dhe fiskale. Kjo qasje do të mundësonte që mbikëqyrja të mos jetë më thjesht një reagim pas ngjarjeve, por një proces parashikues që identifikon devijimet përpara se ato të përshkallëzohen në krizë.

Së treti, rregullat etike dhe juridike për përdorimin e AI duhet të jenë të qarta, të detajuara dhe të përshtatura me realitetin shqiptar. Përdorimi i inteligjencës artificiale në fushën financiare sjell përfitime të mëdha, por edhe rreziqe të ndjeshme: paragjykime algoritmike, abuzime me të dhënat personale, apo vendimmarrje të paarsyeshme që mund të prekin individë dhe biznese. Prandaj, nevojitet të mbahet një kornizë e fortë ligjore që garanton mbrojtjen e privatësisë dhe auditimin e proceseve digjitale, ku çdo përparim teknik të mos mbetet i brishtë.

Nëse këto tre shtylla do të ngrihen në mënyrë të koordinuar dhe të mbështetur nga një vullnet i qëndrueshëm politik, Shqipëria mund të hyjë në fazën e mbikëqyrjes inteligjente dhe parashikuese, ku vendimmarrja publike mbështetet në analiza të thelluara të të dhënave dhe në transparencë të plotë për publikun.

Një qeverisje e tillë nuk do të kufizohej më te reagimi ndaj krizave, por do të kishte kapacitet të parandalonte ato, duke ndërtuar besim të qëndrueshëm në sistemin financiar dhe në institucionet e shtetit.

Në thelb, pyetja nuk është nëse duhet përdorur AI në mbikëqyrje financiare, por si.

Për një vend si Shqipëria, ku infrastruktura dhe aftësitë digjitale janë ende në zhvillim, integrimi i AI kërkon jo vetëm teknologji, por edhe një ndryshim kulture në mënyrën si kuptohet mbikëqyrja, nga formalizmi tek inteligjenca analitike, nga raportimi tek interpretimi dhe nga reagimi tek parashikimi. Ky tranzicion duhet të bëhet, pasi rreziku është që Shqipëria të mbetet përherë një përdoruese e vonuar e teknologjive që tashmë po rishkruajnë arkitekturën e sistemit financiar botëror.


[1] https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/WP/2025/English/wpiea2025199-source-pdf.ashx

[2] https://papers.ssrn.com/sol3/papers.cfm?abstract_id=5518142

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.