Lojërat e fatit në Shqipëri dhe miliardat që zhduken mes ligjit dhe tolerancës fiskale

Lojërat e fatit në Shqipëri dhe miliardat që zhduken mes ligjit dhe tolerancës fiskale

Në Shqipëri, industria e lojërave të fatit është si një lumë që nuk mund të ndalet edhe kur qeveria përpiqet ta devijojë. Ajo vazhdon të rrjedhë, herë në kanale të ligjshme, herë nën tokë, duke përfshirë qindra miliona euro në qarkullim dhe një pjesë të madhe që zhduket në zona gri fiskale.

Sipas të dhënave të fundit të Administratës Tatimore dhe analizave të pavarura fiskale, të ardhurat e mbledhura nga ky sektor në vitin 2024 arrijnë vetëm 2.3–3 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2025 parashikohen 3–3.8 miliardë lekë.

Në letër, kjo duket si përmirësim, por në realitet është vetëm maja e një ajsbergu shumë më të madh.

Tregu që nuk ndalet dhe që nuk kontrollohet

Vlerësimet më të kujdesshme flasin për një treg total, legal dhe ilegal me xhiro mes 150 deri në 300 milionë euro në vit. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e të ardhurave, 50–70%, ndodhet jashtë sistemit tatimor. Humbjet për buxhetin publik llogariten mes 5 dhe 10 miliardë lekësh çdo vit, më shumë se dyfishi i asaj që deklarohet. Nw fakt transparenca nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojwrave tw Fatit apo nga Ministria e Financave wshtw mw shumw se munguese.

Nëse ndjekim këtë gjurmë, bëhet e qartë se “mbyllja” e lojërave të fatit në vitin 2019 ishte më shumë një pauzë politike sesa një reformë strukturore. Aktivitetet fizike u ndaluan, por bastet dhe kazinotë virtuale u rishfaqën nën forma të reja, përmes serverëve të huaj dhe licencave të mjegullta që shpesh kalojnë nëpër duar të ndërmjetme.

Ligji ekziston, por nuk zbatohet

Në teori, kuadri ligjor pas ndalimit të vitit 2019 parashikonte monitorim elektronik, ndëshkime të ashpra dhe transparencë për çdo operator. Në praktikë, asnjë nga këto shtylla nuk u ngrit në kohë.
Licencat online, të dhëna në periudha të ndryshme pas vitit 2022, janë shpesh të mbështetura në procedura që mungojnë në publikimet zyrtare të AMF apo Ministrisë së Financave.

Një pjesë e platformave që operojnë në tregun shqiptar nuk kanë adresë juridike brenda vendit, nuk raportojnë të ardhura tatimore dhe përdorin rrjete ndërmjetësish për të shmangur kontrollin. Kjo është forma e re e informalitetit fiscal, digjital, e lëvizshme dhe pothuajse e paprekshme nga inspektimi klasik.

Skenarët fiskalë midis potencialit dhe realitetit

Nëse ligji do të zbatohej plotësisht dhe çdo operator do të deklaronte të ardhurat reale, fitimi për shtetin mund të ishte 10–15 miliardë lekë më shumë në vit. Kjo do të përbënte deri në 2% të të ardhurave totale tatimore të vendit, një shifër domethënëse për çdo ekonomi që kërkon hapësira të reja buxhetore.

Por ky është një skenar ideal, që kërkon një transformim të plotë institucional:

  • një sistem të detyrueshëm elektronik monitorimi,
  • transparencë të plotë për pronësinë e operatorëve,
  • bashkëpunim ndërinstitucional mes DPT, AMLF, AMF dhe Policisë,
  • dhe, mbi të gjitha, vullnet politik për ta përballur industrinë që prej vitesh shërben si “thesar i heshtur” për financime të errëta.

Mekanizmi i mbijetesës, nga ndalimi te legalizimi i heshtur

Rikthimi i lojërave të fatit në formën online pas vitit 2023 ka krijuar një franchise fiskale de facto, ku një numër i kufizuar operatorësh, shpesh të lidhur me interesa politike, veprojnë pa konkurrencë të hapur. Kjo situatë ka dy pasoja të drejtpërdrejta:

  1. Monopolizim i tregut, që redukton transparencën dhe nxit korrupsionin administrativ;
  2. Shmangie fiskale të strukturuar, pasi deklarimet bëhen në mënyrë selektive dhe me mungesë të verifikimit të burimeve të financimit.

Në fakt, kontrolli publik është kthyer në një formë të kontrolluar të mungesës së kontrollit, me raporte që prodhohen, por nuk ndëshkojnë askënd.

Ekspertët fiskalë dhe tregu që ka nevojë për konkurencë të ndershme kërkojnë:

  • Inspektime të menjëhershme në më shumë se 1.000 pika basti të dyshuara;
  • Një aplikacion kombëtar të monitorimit të lojërave online, që lidhet direkt me serverët tatimorë;
  • Fushata publike ndërgjegjësuese si “Luaj legal – Fito legal!”;
  • dhe forcim të gjobitje deri në nivele të dyfishta (200%) për operatorët që shmangin deklarimet., bazuar në përvojat e ngjashme.

Këto masa janë të realizueshme vetëm nëse qeveria ndërton një sistem të përbashkët të transparencës fiskale, ku çdo pagesë dhe fitim regjistrohet në kohë reale dhe është i verifikueshëm nga autoritetet.

Problemi nuk është mungesa e ligjit. Problemi është se ligji nuk zbatohet në mënyrë të barabartë. Një grup i vogël operatorësh gëzojnë status të privilegjuar, ndërsa dhjetëra platforma të tjera të palicencuara operojnë pa ndëshkim.
Në këtë klimë, transparenca fiskale bëhet iluzion dhe “ndalimi” i lojërave të fatit, një fasadë politike.

Në vend të një ekonomie të formalizuar, Shqipëria rrezikon të mbetet me një treg të kontrolluar nga pak duar, që krijon varësi fiskale dhe politike në vend të konkurrencës dhe të ardhurave të qëndrueshme.

Lojërat e fatit nuk janë vetëm çështje morali apo zakoni social, por janë çështje ekonomike, fiskale dhe sovraniteti institucional.
Nëse shteti nuk arrin të kontrollojë rrjedhën e parave që qarkullojnë në këtë industri, atëherë humb më shumë se të ardhurat: humb besueshmërinë si autoritet që mbron interesin publik.

Deri atëherë, “fati” mbetet në anën e atyre që dinë si ta shmangin ligjin dhe jo të atyre që e zbatojnë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.