Kur ligji zbutet dhe shkelja forcohet – Inspektimi si iluzion reformues në Shqipëri
Shqipëria ndodhet sot në një pikë kthese kritike ku filozofia e inspektimit, nga një instrument për garantimin e zbatimit të ligjit, po shndërrohet në një iluzion institucional që maskon dështimin shtetëror. Ligji i ri “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar në fund të vitit 2024[1] synon të ndërtojë një kulturë bashkëpunimi ndërmjet inspektorit dhe subjektit, me theks te ndërgjegjësimi i shkelësit.
Ky ligj premton reformë, por zbatimi dhe përmbajtja e tij sinjalizojnë një zbutje të dukshme të shtetit ligjor në emër të edukimit dhe bashkëpunimit.
Por në realitetin shqiptar, ku mungon një edukatë e qëndrueshme ligjore, institucionet janë të politizuara dhe autoriteti i inspektorit i rrudhur, kjo qasje shndërrohet në një zhvleftësim praktik të funksionit kontrollues të shtetit.
Në vend që të përforcojë sundimin e ligjit, po legalizon pandëshkueshmërinë.
Ndëshkimi, dikur një mjet për të frenuar shkeljet, është kthyer në një simbol bosh, një dekor ligjor që nuk mbart më asnjë forcë dekurajuese.
Ndërkohë, edukimi pa strukturë, pa mekanizma ndjekjeje dhe pa përgjegjësi konkrete, kthehet në një iluzion institucional që legjitimon shkeljen dhe ul besimin tek ligji. Në vend që të rrisë ndërgjegjësimin, kjo qasje ushqen pandëshkueshmërinë.
Dështimi i sistemit të inspektimit nuk është më abstrakt.
Në këtë sistem, shkelësi jo vetëm nuk frikësohet, por ndjehet i sigurt që ligji nuk do ta prekë, të paktën jo menjëherë.
Pasojat janë tashmë të dukshme, veçanërisht në sektorin e sigurisë ushqimore, ku rreziku për shëndetin publik është i drejtpërdrejtë.
Rritja e rasteve të helmimeve, prania e produkteve të skaduara në treg, mungesa e etiketimit dhe kushtet e papërshtatshme higjieno-sanitare nuk janë më thjesht problematika teknike, por tregues të qartë të dështimit të sistemit inspektues.
Në vend që subjektet të ndëshkohen për shkelje serioze, ata paralajmërohen, ose më keq, përfitojnë nga falje të njëanshme që e shkatërrojnë çdo logjikë përgjegjësie.
Kur ndëshkimi zëvendësohet me këshillim, mbrojtja e shëndetit publik bie.
Kjo qasje kulmoi me vendimin për të falur të gjitha gjobat administrative të papaguara për periudhën 2015–2024.
Ky akt i qeverisë nuk është thjesht dështim në mbledhjen e të ardhurave, por është një mesazh politik i qartë dhe i rrezikshëm.
Në Shqipëri, shkelja nuk ndëshkohet, por tolerohet.
Shteti jo vetëm që nuk mban qëndrime të qëndrueshme, por e shpërblen sjelljen devijuese pa asnjë reflektim. Një biznes që për vite me radhë ka operuar në shkelje të rregullave nuk ka më arsye të përmirësojë standardet, kur shteti e fal pa kushte.
Krahasimi me vendet e rajonit është domethënës. Në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, paralajmërimi përdoret vetëm për raste të lehta dhe të justifikuara, ndërsa për shkelje që prekin sigurinë apo konkurrencën ndëshkimi është i menjëhershëm dhe i pa negociueshëm. Në Serbi, janë ngritur struktura të specializuara që garantojnë integritetin e inspektorëve, duke ndarë qartësisht këshillimin nga ndëshkimi. Shqipëria, në vend që të forcojë sistemin, e ka zhvlerësuar atë.
Në Shqipëri, koncepti i paralajmërimit është shndërruar në normë, pavarësisht natyrës së shkeljes. Kjo jo vetëm që krijon pasiguri juridike, por e minon funksionin parandalues të inspektorëve. Inspektimi është kthyer në një ritual formal, pasi inspektohet, por nuk ndëshkohet, këshillohet, por nuk veprohet.
Më e rëndë se filozofia e gabuar është infrastruktura e dobët që e shoqëron.
Asnjë ligj nuk mund të funksionojë mbi një infrastrukturë të dobët zbatimi. Në Shqipëri, sistemi i inspektimit është minuar nga tre plagë të thella:
- Mungesa e kapaciteteve teknike, që e bën të pamundur identifikimin dhe ndjekjen e shkeljeve;
- Përzgjedhja politike e inspektorëve, që minon pavarësinë dhe profesionalizmin;
- Korrupsioni i përhapur në terren, që e kthen inspektimin në një mjet presioni selektiv dhe jo një instrument barazie përpara ligjit.
Në këtë kontekst, inspektorët janë shndërruar në figura këshilluese pa autoritet real.
Ligji i ri nuk i pajis inspektorët me më shumë fuqi, përkundrazi: u heq mjetin më të rëndësishëm, gjobën e menjëhershme, duke i reduktuar në figura pasive.
Ky është një kthim pas në garantimin e interesit publik, ku shteti inspekton, por nuk vepron; identifikon shkeljen, por nuk e ndëshkon; këshillon, por nuk korrigjon.
Duhet thënë qartë!
Edukimi si filozofi nuk është problem. Por funksionon vetëm mbi themele të forta institucionale, integritet të inspektorëve, dhe respekt për ligjin nga vetë shteti. Shqipëria nuk i plotëson këto kushte.
Në këtë kontekst, edukimi bëhet alibi për mosveprim, paralajmërimi bëhet garanci e pandëshkueshmërisë dhe inspektori kthehet në figurant institucional.
Shteti që paralajmëron por nuk ndëshkon, fal por nuk kërkon përgjegjësi, është një shtet që nuk garanton më rregull, por simulon rendin. Inspektimi, nëse mbetet në këtë formë, nuk është më instrument i shtetit ligjor, por ritual bosh që zhvlerëson autoritetin e vetë shtetit. Shqipëria ka nevojë urgjente për një sistem inspektimi me autoritet real, integritet profesional dhe sanksion efektiv, ndryshe po prodhon një farsë ligjore me pasoja të rënda për sigurinë, ekonominë dhe besimin qytetar.
Shqipëria ka nevojë urgjente për një sistem inspektimi me autoritet real, integritet profesional dhe sanksion efektiv, ndryshe po prodhon një farsë ligjore me pasoja të rënda për sigurinë, ekonominë dhe besimin qytetar.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.