Kriza dhe Ne duhet të flasim
Ekonomitë europiane me të cilat Shqipëria ka marëdhënie janë nën ekspozimin e një rrisku për të rënë përsëri në krizë, megjithë masat që ato kanë filluar të zbatojnë prej 10 vitesh. Ajo që bën ndryshimin në ciklikën e përsëritjes së krizave është fakti se ato nuk po vijnë në të njëjtën mënyrë që egziston në perceptimin publik. Tashmë tregu financiar dhe ekonomitë e këtyre vendeve, kalojnë situata që përshtaten me zhvillimet e reja të tregut global, politikës dhe sistemit financiar që zbatojnë vendet e zhvilluara dhe korporatat e fuqishme ndërkombëtare, si dhe arsye të tjera që burojnë nga politikat e brendshme kombëtare.
Për Shqipërinë ky informacion është më shumë i vlefshëm në nivelin e shqyrtimit të mundësive se si duhet të përshtatë qasjen në politikat e saj ekonomike, financiare, por edhe ato monetare me synimin për të përfituar nga dobësitë që po shfaqen në ciklikat më të shpeshta në tregjet që e rrethojnë atë duke shfrytëzuar boshllëqet që krijohen nga këto situata.
Çfarë duhet të bëjë një shtet i vogël si Shqipëria (apo Kosova) që të mos humbin, por të përfitojnë në raste të tilla që duket se ato nuk preken direkt nga sistemi financiar i sëmurë i vendeve të zhvilluara?
Në fakt nuk ka ndonjë analizë të gatshme për ti paraprirë dhe dalë përpara të keqes/mirës, që vjen nga ndikimi në ekonomi dhe financat publike të vendit tonë.
Përgjigja që mundet të jetë për këtë situatë duhet të jetë më e pakta përshtatja me realitetin ekonomik dhe politik që ka ndryshuar vit pas viti.
Ndërsa, vendet e zhvilluara që janë partnere me ne vuajnë për kufizim investimesh dhe zgjerim të ekonomisë, vendet me ekonomi në strukturim dhe në tentativë për të thithur investimet për të bërë të mundur konsolidimin e financave publike dhe konkurueshmërinë e ekonomisë (Shqipëri, Kosovë etj.) duhet së pari të rritin peshën e të ardhurave ndaj Prodhimit të brendshëm, si dhe së dyti dhe njëkohësisht të forcojnë investimet publike duke shfrytëzuar optimalisht fondet publike.
Me pak fjalë, investime më të pakta do të thotë më pak kërkesë e përgjithshme në ekonomi, që justifikon mungesën e besimit dhe shkakton një raund tjetër të shtrëngimit të rripit. Kriza shmanget vetëm kur nuk ka asgjë më shumë për të shkurtuar në shpenzimet buxhetore dhe shpenzimet kapitale nuk duhet të vonohen më tej.
Në kuadër të planifikimit të një qasje, për të përballuar ndikimet nga vala e ardhme e krizës së sistemit financiar dhe tregjeve europiane është me shumë vend që përtej politikave mbrojtëse të vijohet me forcimin e luftës ndaj informalitetit dhe zbatimit të ligjit njësoj për të gjithë duke u kuptuar si një front gjithëpërfshirës.
Por, jo vetëm kaq!
Njësoj si secili individ që zotëron kapitale përpiqet të mbrojë ato për një rast që mund të dëmtojë interesat e tij dhe të familjes, po ashtu edhe qeveria duhet që të vijojë me një forcë të shtuar për të vijuar me kompletimin e investimeve të filluara dhe atyre të planifikuara dhe të frenojë planifikimin me fonde publike përtej investimeve në zhvillim. Pasi vendimmarrja më optimale në kohë si kjo që po vjen është qarkullimi sa më i shpeshtë i parasë duke mbajtur nën kontroll sensin e masës për abuzime për qëllime përfitimi në favor të korrupsionit.
Kështu, p.sh. në situatën, kur tregu privat i sektorit të ndërtimeve civile është me një ofertë më të madhe se kërkesa nevojitet që një politikë monetare në favor të stimulimit të konsumit të jetë e koordinuar me politikën fiskale. Qëllimi që të ndihmohet një sektor ekonomie apo konsumatori është duke filluar me rritjen e besimit të tij për tregun.
Në fakt në rastin kur frika e tregjeve përreth rritet atëherë është e nevojshme që reagimi i tregut të brendshëm dhe ekonomisë të jetë në kahun e guximit për të ecur përpara, pasi kjo është edhe periudha më e mirë për të kaluar problemet që mund të dalin, por edhe për tu përgatitur për një përballje të kërkesës së jashtme për fuqi punëtore të kualifikuar dhe treg që mund të zgjerohet përtej guackës së vet.
Por, nuk mjafton të shprehet secili në pozicionin e vet dhe me kaq mund të mendohet se është bërë diçka në ndihmë të interesit të tregut dhe publikut. Nuk mjaftojnë madje edhe këshilltarët që rrinë prapa vendimmarrësve.
Pas një paraqitje të ideve (politika, qeveria, ekspertët, publiku) nevojitet një diskutim publik i ekspertëve në nivele dhe formate të koordinuara rreth qëllimit për të ndihmuar dhe jo individualizuar diskutimin. Nevojitet shumë që të flitet për riformatimin e shoqërive që ende janë në treg në sektorin publik dhe privat se si të përthithen modelet e qeverisjes së shoqërive për të konkuruar me modelin menaxherial.
Më tej nevojitet të forcohet konkurrenca nëpërmjet koordinimit për të punuar në një treg ku të mos synohet përjashtimi me çdo kusht i konkurrentit, por duke synuar formalizimin e segmenteve të caktuara, si dhe shfrytëzimi i kapaciteteve që ende nuk janë vënë në përdorim.
Ndërkohë, nevojitet që të punohet shumë për krijimin e tregut transparent dhe me standarte të njëjta si ato që zbatohen në tregjet e kapitalit në vendet partnere më Shqipërinë. Pas kësaj tregu duhet të fillojë të futet në sistemin ndërkombëtar të kapitaleve, pasi vetëm atëherë kapitalizmi shqiptar merr kuptim dhe fillon të bëhet realisht interesant për investitorët.
Këto janë sfidat që duhet të mos i presim të ndodhin, por ti bëjmë të mundshme për të ndodhur.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.