Komente për një ekuacion të pranueshëm të skemës së pensioneve

Komente për një ekuacion të pranueshëm të skemës së pensioneve

Panorama ekonomike ka ndryshuar gjatë 10 viteve të fundit në Shqipëri, por sistemi i pensioneve nuk është përshtatur në përputhje me ambjentin social dhe ekonomik.

Një popullsi në plakje së bashku me rritjen e punësimit informal natyrisht që kërkon burime shtesë për sigurinë e të ardhurave sesa mund të sigurojë sistemi aktual i pensioneve.

Pavarësisht trendit të favorshëm në rritjen e arkëtimeve buxhetore nga kontributet e sigurimeve, përfitimet e pensioneve kanë rënë në mjaftueshmëri dhe kjo rënie pritet të vazhdojë.

Gjithashtu, mbulimi si në nivelin më të lartë ashtu edhe në atë të poshtëm të shpërndarjes së të ardhurave pritet të bjerë, ashtu si dhe mbulimi i përfitimeve në pleqëri.

Ne mendojmë se sistemi i pensioneve kontributdhënës mund të ruajë dizajnin e tij, por në mënyrën se si funksionon prej më shumë se tre dekada do të duhet të përshtatë parametrat e tij dhe të mbështetet përgjithmonë në transfertat buxhetore për të mbuluar deficitet e tij.

Nisur nga performanca e sistemit aktual ne mendojmë se formula e përdorur për të rritur pagat duhet të përshtatet optimalisht te rregulli i indeksimit nga inflacioni, por pa harruar që rritja duhet të përshtatet me përfitimet, me pak efekt në kostot fiskale.

Rritja mesatare e pagave nevojitet që të përgjigjet jo vetëm rritjes së çmimeve, por më së shumti duhet të shërbejë si element shtesë për indeksimin e pensioneve. Në këtë mënyrë, përfitimet do të pasqyronin më nga afër fitimet mesatare të karrierës dhe pensionet do të ruanin fuqinë e tyre blerëse gjatë daljes në pension.

Punëtorët me të ardhura të mesme dhe më të larta do të kenë nevojë për burime shtesë të të ardhurave për të arritur përfitimet e duhura të pensionit.

Në këtë mes duhet përmendur fakti i planit të pensioneve vullnetare dhe planet e pensioneve të fondeve private për një harmonizim të skemave duke sinkronizuar burimet me përfitimet fiskale.

Duke pasur parasysh strukturën tatimore në vend, përfitimet tatimore nuk krijojnë gjasa për  stimuj të mjaftueshëm për të zgjeruar mbulimin e tyre. Masa të tilla si njohja e shpenzimeve për pagesat e kontributeve dhe oferta të tjera nga ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat kanë nevojë për më shumë elasticitet dhe duhet të harmonizohen me situatën e tregut të punës aktual. Kjo do të thotë ofrimin e një opsioni të qartë dhe të mirërregulluar të paracaktimit për kontribuuesit, që të mund të rrisin ndjeshëm pjesëmarrjen në planet e pensioneve vullnetare dhe fondet private me pak kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Tashmë prej shumë vitesh është në funksionim pensioni social që edhe pse i pamjaftueshëm ka arritur të reduktojë pjesërisht rrezikun e varfërisë në pleqëri.

Pensioni aktual i fermerëve funksionon në praktikë si një pension pothuajse social duke qenë se kontributet mbulojnë vetëm 30 për qind të kostos së përfitimeve dhe pothuajse të gjithë përfituesit marrin përfitimin minimal.

Ky është një dizajn jo optimal dhe mbulimi është ulur me kalimin e kohës. Një alternativë për futjen e skemave subvencionuese për zonat rurale do të vlente për ngushtimin e boshllëkut midis pensioneve të qytetit me ato të fshatit dhe është një masë direkte që ndikon në uljen e niveleve të larta të varfërisë. Pushteti vendor në këto raste duhet të trajtojë nëpërmjet transfertave të buxhetit mbulimin e gjithë shërbimeve bazë pa kosto për pensionistët, si dhe diferencimin në varësi të zonës nga qendra e qyteteve.

Ky përfitim mund të zëvendësojë gjithashtu pensionin aktual të fermerëve, duke ofruar një instrument më të mirë për të parandaluar varfërinë e pleqërisë në zonat rurale. Për më tepër, ky do të ishte një përdorim më rishpërndarës i burimeve publike sesa transfertat e përgjithshme buxhetore të përdorura për të mbuluar deficitet në skemën e pensioneve kontributive.

Në momentin, kur po punohet mbi një model bashkëpunimi të mbyllur nga ekspertët e financave publike dhe të Bankës Botërore, ne sugjerojmë nga jashtë se një paketë e fortë masash politikash mund të stabilizojë fiskalisht dhe të përmirësojë barazinë e sistemit të pensioneve.

Për shembull, ne sugjerojmë se harmonizimi i vetëm PAYG për të gjithë periudhën e shërbimit me modelin e tregut të pensioneve të pjesëmarrësve të shtyllës së dytë do të përmirësonte ndjeshëm financat e pensioneve. Heqja e kufirit kufizues të akumulimit për pjesëmarrësit vullnetarë të shtyllës së dytë ngre menjëherë normat e tyre të reja të zëvendësimit dhe minimizon pabarazinë aktuale të sistemit me shumë shtylla.

Megjithatë, në aspektin afatshkurtër aplikimi i nxituar dhe i menjëhershëm do të gjeneronte kosto shtesë.

Përshtatshmëria afatgjatë e pensioneve nevojitet për arsye të përballjes me sfidën e tendencave të përgjithshme socio-ekonomike dhe demografike, duke përfshirë emigracionin e intensifikuar, shkallën e ulët të punësimit dhe punësimin e konsiderueshëm informal. Në këtë drejtim, një përmirësimi i mjaftueshmërisë së pensioneve në të ardhmen (ndër të tjera) duhet të kërkohet përmes:

– përmirësimi i aksesit të skemës së pensioneve kontributive, për të përfshirë punëtorët me të ardhura sezonale (të vetëpunësuar, punëtorë të përkohshëm, etj.);

– intensifikimi i stimujve financiarë për punëtorët në punësim informal për tërheqjen e tyre në sistemin e pensioneve të detyrueshme, d.m.th fleksibiliteti i pagesës së kontributeve, etj.;

– sistemi i pensioneve duhet t’i nënshtrohet një reforme strukturore për tu sinkronizuar në objektivat e konsolidimit fiskal afatgjatë për të përgjysmuar deficitin fillestar.

Plot elementë të tjerë vlejnë në këtë drejtim të përmirësimit të skemës.

Në fund të fundit, reformimi i skemës së pensioneve duhet të gjejë një ekuacion të pranueshëm, ku nga njëra anë është sigurimi i pensioneve të përshtatshme dhe të përballueshme dhe nga ana tjetër një barrë e taksave të punës në mënyrë që individët të kenë një nxitje për të kontribuar.

Për ta zgjidhur këtë ekuacion duhet të ndërtohen objektiva që përballojnë ndryshoret e tij, që janë: plakja e popullsisë që ndikohet nga emigracioni dhe rritja e moderuar e jetëgjatësisë, politikë nxitëse për formalizimin e tregut dhe rritjen e kontributeve në mënyrë vullnetare dhe rritjen e besimit të tregut te masat e qeverisë dhe politikat duke reformuar kontratën sociale egzistuese dhe duke transferuar modelin e propagandës elektorale në propagandë për ndërgjegjësimin e individëve dhe bizneseve për dobishmërinë dhe pjesëmarrjen e nevojshme në skemat publike dhe private.

Deri sa të shikojmë raportin e Rishikimit të Financave Publike të Bankës Botërore, i cili do të ketë ndër të tjera edhe rekomandime për reformën e pensioneve ne mbetemi me dëshirën për të kontribuar në momente efektive të hartimit të politikës reformuese dhe vijojmë të jemi për procese gjithpërfshirëse në situate të tilla të rëndësishme të reformave me ndikim afatgjatë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: