Koha për një model shqiptar industrial

Koha për një model shqiptar industrial

Nëse ka një pyetje thelbësore për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë, ajo është kjo:

  • Si mund të ndërtojmë një ekonomi prodhuese konkurruese, të qëndrueshme dhe të integruar në zinxhirët rajonalë dhe globalë të vlerës?

Përgjigja nuk qëndron vetëm në dëshirën për zhvillim, por në strategjinë qëndrore që ndjekim.

Një nga historitë më të fuqishme të industrializimit në kohët moderne është ajo e Kinës.

Nga një vend i prapambetur bujqësor, Kina u shndërrua në “fabrikën e botës”, duke mbushur supermarketet globale me çdo produkt të mundshëm, nga çorapet deri te dronët me inteligjencë artificiale.

A është ky një model që Shqipëria duhet ta ndjekë?

Po, por jo pa reflektim.

Duhet të mësojmë nga Kina, jo ta kopjojmë.

Suksesi i saj nuk është një mister, por është rezultat i politikave të koordinuara, vendimmarrjes së qëndrueshme shtetërore dhe investimit sistematik në kapacitete.

Kina nuk ia la industrializimin tregut.

Përkundrazi, ndërtoi një ekosistem të mirëfilltë ekonomik, duke mbështetur prodhimin me politika afatgjata, ndërhyrje strategjike dhe planifikim të kujdesshëm.

Politika industriale aktive dhe jo spontane

Kina përdori plane pesëvjeçare për të orientuar prodhimin dhe teknologjinë.

Në vend të një “plani 5-vjeçar” kinez, Shqipëria ka nevojë për një pakt kombëtar për industrializimin, të lidhur ngushtë me tre komponentë: arsimin profesional, investimet teknologjike dhe integrimin në zinxhirët rajonalë e europianë të prodhimit.

Është realitet se Shqipëria nuk mund të ndërtojë çdo lloj industrie.

Ajo çfarë duhet të bëjmë është të zgjedhim sektorë me potencial konkurrues, të lidhim politikën arsimore me industrinë, dhe të krijojmë “ishuj zhvillimi” të fokusuara.

Për faktin se Shqipëria nuk ka mundësinë e tregut të madh, ajo ka nevojë për specializim të zgjuar në segmente të përzgjedhura, si përpunimi i ushqimit, energjia e pastër, dhe teknologjia dixhitale.

Hartimi i një strategjie industriale kombëtare me bashkëpunim mes qeverisë, universiteteve dhe industries është një ndër qasjet e para vizionare.

Natyrisht, që qeveria ka inevstuar shumë nga burimet dhe politikat e saj tek infrastruktura si themel i konkurrencës.

Por, rrugët, portet dhe furnizimi me energji janë jo thjesht çështje ndërtimi, por duhet të bëhen determinantë të efikasitetit ekonomik. Investimi në logjistikë dhe në infrastrukturë në tërësi nevojitet dhe mere vlerë vetëm kur arrin të ulë kostot e zinxhirit të vlerës.

Nisur nga ky konkluzion, nevojitet që edhe investimet publike dhe PPP duhet tashmë të jenë tëfokusuara në infrastrukturë industriale, me prioritet për korridoret prodhuese rajonale.

Zinxhirët e integruar të furnizimit janë ajo që e bën prodhimin efektiv. Kina ndërtoi klustere rajonale ku bashkëjetojnë furnizues, prodhues dhe qendra teknologjike.

Themelimi i 2–3 zonave industriale të specializuara, me logjistikë, qira të ulëta dhe shërbime teknike të përqendruara duhet që të ishin funksionale me kohë edhe në Shqipë2ri me politikat e ndryshme që janë shpallur dhe përdorur.

Por, kjo politikë duhet të ishte e ndërthurur me atë qasje që të jemi selektiv në pranimin e investimeve të huaja me kushte. Kuhstet themelore që duhet të kishin orientuar politikat ekonomike të qeverive duhet të ishin të lidhura me detyrimin për investimet të lokalizoheshin dhe transferonin teknologji aty ku konsiderohej nevoja për zhvillim rajonal, duke forcuar kapacitetet vendore.

Edhe pse me vonesë të theksuar është gjithnjë mundësia, që pas planeve të kujdesshme të ndërtohen marrëveshje me investitorët e huaj dhe ata vendas që të përfshijnë kusht për trajnime, partneritete me shkolla teknike dhe ndarje teknologjie.

Asnjë ekonomi nuk prodhon në shkallë pa fuqi punëtore të kualifikuar. Në këtë qasje vlen të përmendim se duhet riorientuar edhe arsimin teknik për të ndjekur kërkesën industrial dhe jo thjesht për diplomë.

Reforma rrënjësore në sistemin e arsimit professional është shumë e vonuar, me module të zhvilluara për të krijuar një bashkëpunim me industrinë.

Por, nga ana tjetër duhet korigjuar edhe politika kaotike dhe jo vizionare e liberalizimit të menjëhershëm dhe të pakontrolluar të tregut, një nga faktorët që ka ndikuar në krijimin e një ekonomie të varur nga importet. Në fakt, nëse shikojmë nga suksesi I ekonomisë kineze është bërë e kundërta, një hapje gradual edhe jo çbërje e menjëhershme

Kina mbrojti prodhuesit e saj në fazat fillestare, duke hapur tregun në mënyrë të kontrolluar. Liberalizimi pa kapacitete të ndërtuara është rrugë për de-industrializim.

Edhe në këtë drejtim, në hapësirat e pakta që tashmë janë zënë nga marrëveshje të pamenduara mirë nevojitet hartimi i një kalendari selektiv për hapjen e tregjeve, me mbrojtje të përkohshme për sektorë strategjikë.

Në fund të analizës sonë, shtrojmë pyetjen e rëndësishme, nëse është Kina model i zbatueshëm për Shqipërinë?

Ne besojmë se nuk mund të jetë në formën e vet të pastër.

Kjo nuk bëhet dot pasi ka diferenca të mëdha në përmasa, strukturë demografike dhe sistem politik.

Shqipëria nuk mund të ndërtojë industrinë e saj duke ndjekur verbërisht modelet e ekonomive të mëdha. Realiteti ynë strukturor është i ndryshëm, më i vogël në treg, më i ndjeshëm në kapital njerëzor dhe më i brishtë në kapacitetet e shtetit. Por pikërisht këto kufizime e bëjnë të domosdoshëm krijimin e një modeli prodhimi të zgjuar, të fokusuar dhe me orientim afatgjatë.

Por mekanizmat e suksesit të saj janë të vlefshëm për t’u përshtatur në një kontekst më të vogël, demokratik dhe europian.

Në këtë analizë nuk mund të themi se vlen që Shqipëriatë bëhet “Kina e Ballkanit”, por që të kthehet në një “ekonomi prodhuese e mençur”

Shqipëria nuk ka nevojë të kopjojë Kinën.

Por duhet të mësojë nga ajo ashtu s inga shumë ekonomi të zhvilluara për atë që përshtate me kushtet e sotme dhe perspektivën e neësërme.

Zhvillimi nuk ndodh vetë.

Në këtë kontekst, përveç operatorëve të tregut është shteti që ka rol kyç në krijimin e tregut.

Por tregu prodhues ka nevojë për teknologji, logjistikë dhe dije teknike dhe një qasje industriale kombëtare, me prioritet prodhimin me vlerë të shtuar, teknologjinë e pastër dhe ndërlidhjen me zinxhirët rajonalë duhet të ioshte nisur të paktën mbi dy dekada më përpara.Në vend të garës për tregje konsumi, Shqipëria duhet të hyjë në garën për prodhim, sepse vetëm prodhimi gjeneron dije, punësim të qëndrueshëm dhe autonomi ekonomike.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.