Informaliteti dhe mentaliteti tundojnë korruptimin

Informaliteti dhe mentaliteti tundojnë korruptimin

Arsyet pse një biznes zgjedh të rrijë në ekonominë informale janë të lidhur si me përfitimet që rrjedhin nga të qenët i paregjistruar, po ashtu dhe me uljen e kostos për të përballuar kërkesat e administratës. Këta faktorë mbartin mbi vete disa nga problemet e kohës sonë, por janë të përzier edhe me trashëgiminë e kulturës dhe të bërit ekonomi.

Mentaliteti antitaksa nuk është i paqenësishëm në vendet ballkanike, ku bën pjesë dhe vendi ynë. Ky mentalitet nuk është uniform, por gjurmë të tij gjen në çdo vend. Administratat kanë qenë të sunduara për shumë vite nga sisteme dhe akoma më herët nga pushtime e sundime të panatyrshme.

Problemi i mentalitetit antitaksa, në fakt, është një problem politiko-social, që kërkon kohën e tij te ndryshoje. Minimizimi do të vijë, kur politika dhe oligarkia financiare do të parashtrojnë te tatimpaguesit qëllimin e përbashkët, që duhet të jetë qartësisht në favor të interesave të zhvillimit të kombit shqiptar.

Ky mentalitet ndihmohet shumë pak me diskutime politike që prekin pjesë, por jo thelbin e administrimit fiskal. Debati i qenësishëm për administrimin fiskal në vendin tonë duhet të ketë një lidhje të qartë dhe shumë të plotë me betejën ndaj evazionit, që është derivat i sistemit dhe aleat i korrupsionit.

Problemi i korruptimit politik, me emra konkretë në aprovimin dhe mbrojtjen e ligjeve me avokatinë e tyre ndaj disa biznesmenëve dëmtojnë procesin e administrimit dhe konkurrencën e lire. Mjafton ky fakt te shërbejë si nxitje të madhe, që bizneset pranojnë të informalizojnë të ardhurat e tyre duke pare se informaliteti buron nga te mëdhenjtë.

Fshehja e të ardhurave krijon tundimin e korruptimit, më shumë se e anasjellta. Ndryshimi i këtij modeli, do të mund të ndodhte vetëm nga zbatimi i një vullneti të përbashkët politik të përçuar në ambientin e shoqërisë civile dhe komunitetin e biznesit qytetar. Modeli i ri i ndryshimit kërkon transparence.

Morali i mbarsur nga ky vullnet i sinqertë mund të lejojë që ekonomia dhe shoqëria të kalojë në një nivel më të lartë te civilizimit te saj dhe hapjes ndaj tregut global.

Kostoja e biznesit në informalitet, gjithsesi i lë ata në situatë distrofike, pasi qëndrimi i biznesit dhe rrjetit të tij në hije nuk mundëson koncentrimin dhe zgjerimin e kapitaleve dhe burimeve.

Nga ana tjetër, aktiviteti informal vetë kufizohet në marrëdhënie me partnerë seriozë dhe konfidentë dhe rrit kostot për të arritur një vend në botën globale. Edhe pse mund të kenë mbështetje politike, bizneset nuk munden dot të jenë të forta dhe të besueshme për botën globale te kapitalit.

Nisur nga fakti që ligji nuk është bërë ende normë e përhapur në vendin tonë nevojitet pikërisht që kjo status quo të ndryshojë sa më shpejt. Elita që mban drejtimin politik dhe ekonomik të vendit duhet të propagandojë me sjellje personale se po del kundër së kaluarës si dhe kundër mentalitetit antitatim të deritanishëm.

Një debat publik në lidhje me ngushtimin e evazionit dhe ekonomisë informale në vend do të ishte thembra e Akilit, pasi u jep edhe përgjigje parimeve të administrimit të lidhura me neutralitetin, thjeshtësinë dhe transparencën.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: