Informacioni mbi ekonominë dhe ndikimi në vendimin e votuesit
Çështja se si demokracia dhe procesi zgjedhor ndikon në rritjen ekonomike ka marrë një interes të madh për studiuesit e ekonomiksit dhe ekonomisë politike në Evropë dhe rreth saj.
Ne jemi duke e trajtuar këtë çështje duke shqyrtuar efektin e zgjedhjeve politike mbi rritjen ekonomike dhe treguesit makro të ekonomisë. Ka pasur ndryshime të mëdha në rritjen ekonomike midis vendeve të BP-së dhe ka edhe disa studime që sugjerojnë se si qeverisja ndryshon mes tyre dhe bën dallimin. Megjithatë, rezultatet tona nuk gjejnë ndonjë fakt se këto dallime janë shkaktuar nga ndryshimet në shkallën e demokracisë, sepse niveli i demokratizimit mes vendeve të BP-së nuk ndryshon shumë. Nuk ka efekt të përgjithshëm të zgjedhjeve të drejtpërdrejta lokale për rritjen ekonomike lokale[1], por e njëjta situatë mbetet e argumentuar edhe për zgjedhjet politike. Ekziston një efekt statistikor i rëndësishëm dhe pozitiv i zgjedhjeve në disa vlerësime, por rezultati është shumë i brishtë ndaj ndryshimeve në se u referohemi treguesve ekonomikë dhe fiskalë. Interpretimi më i paanashëm është se qytetarët nuk zgjedhin persona me cilësi të lartë si përfaqësues të tyre dhe pranojnë pa shumë rezistencë ata kandidatë të politikës që janë të emëruar në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes pjesëmarrjes së partisë në parlament.
Besimi i votuesit potencialisht mund të ndikojë në ecurinë ekonomike nëpërmjet dy drejtimeve kryesore, “mikroekonomike” dhe “makroekonomike”. Në nivelin mikro, lidhjet shoqërore dhe besimi ndërpersonal mund të zvogëlojnë kostot e transaksioneve, të zbatojnë kontratat dhe të lehtësojnë kreditë në nivelin e investitorë individualë [2] . Në nivelin makro, kohezioni social që krijon besimi i votuesit mund të forcojë qeverisjen demokratike, të përmirësojë efikasitetin dhe ndershmërinë e administratës publike dhe të përmirësojë cilësinë e politikave ekonomike.
Studimet mbi votimin ekonomik argumentojnë se vlerësimet mbi ndikimin që vjen prej perceptimeve ekonomike (agjentëve ekonomikë) në votim ndikohen nga zgjedhja e e programit dhe premtimeve që u prezantohen votuesve si zgjidhje politike në ndihmë të zhvillimit ekonomik. Nëse votuesit kanë ndërmend të votojnë për atë forcë politike që është në qeverisje, atëherë ata e arsyetojnë përgjigjen e tyre ndaj pyetjes se si është perceptimi mbi ekonominë duke deklaruar se ekonomia ka qenë e mirë. Por, nëse realisht ky perceptim është prezantuar dukshëm nga forcat politike e tjera se ka deformime të rënda midis perceptimit dhe realitetit, atëherë vërehet se perceptimet ekonomike ndikojnë në zgjedhjen e votës, për sa kohë ekziston një marrëdhënie e sinqertë dhe e besueshme e politikanëve në interpretimin e realitetit.
Pyetja që shtrohet natyrshëm në këtë moment të analizës është se çfarë indikatorë të ekonomisë shikojnë zgjedhësit kur ata vendosin të shpërblejnë apo të dënojnë politikanët?
Përgjigja e parë lidhet me mirëqenien e votuesve, e cila përkthehet në më shumë para në llogaritë bankare ose në para të gatshme, si dhe një monedhë kombëtare më e vlerësuar në raport me valutat e tjera, kur ata dalin jashtë vendit. Përgjigja e dytë lidhet me treguesit makro, të shpjeguar nga statistikat e qeverisë dhe gjithashtu nga aktorë të tjerë në shoqëri, si forcat politike dhe OSHC-të së bashku me think tank dhe analistë të ekonomisë dhe financave. Ekzistojnë shumë tregues ekonomike midis nivelit të llogarisë bankare të një zgjedhësi individual dhe një matjeje të përgjithshme të ekonomisë makroekonomike siç është PBB ose të ardhurat reale të disponueshme për frymë. Votuesit mund të zgjedhin të marrin në konsideratë shpërndarjen e ndryshimeve në ecurinë ekonomike. Shpërblimi i një partie politike për një rritje të të ardhurave që ka shkuar tërësisht për anëtarët e një pjese të ndryshme të shtresës ekonomike mund të ketë pak kuptim. Në vazhdim të kësaj logjike, nëse të ardhurat reale të disponueshme për frymë rriten me 5 për qind, por 90 për qind e rritjes shkon në 1 për qind të shpërndarjes së të ardhurave, pse duhet që votuesit në pjesën e poshtme të 99 për qind të shpërndarjes së të ardhurave të shpërblejnë krahun politik që qeveris vendin?
Nëse duam të abstragojmë më tej me këtë logjikë mund të themi se votuesit në kuptimin e përgjithshëm nuk janë vlerësues të treguesve dhe raporteve ekonomike dhe financiare njësoj si aksionerët e një shoqërie aksionare. Jo të gjithë votuesit janë të interesuar të maksimizojnë vlerën e “aksioneve” të tyre në pasuritë publike. Kur marrim në konsideratë pikërisht faktin për heterogjenitetin te votuesit, mendojmë se disa votues ndoshta do ti kushtojnë më shumë vëmendje sesa votuesit e tjerë temave të tilla si: politika monetare duke përfshirë inflacionin, të ardhurat e buxhetit, shpenzimet publike dhe destinacioni i tyre, borxhi publik, cilësia e jetës dhe rendi publik, ose sovraniteti dhe përdorimi i besimit të publikut për t’u marrë me investitorët në lidhje me burimet natyrore.
Në këtë kontekst të analizës është e rëndësishme të dimë më mirë se çfarë e formon perceptimin ekonomik të votuesve, në kushtet kur të gjitha vendet kanë heterogjenitet të votuesve.
Deri tani, hulumtimet në këto tema nuk janë aq të mjaftueshme për të gjetur përgjigjet e duhura dhe për të dhënë zgjedhjet e duhura, por ne dimë diçka rreth ndikimit të mbulimit mediatik të ekonomisë në perceptimet ekonomike. Por është e qartë se kjo analizë nuk e mbush dot boshllëkun e mungesës së studimeve për rajonin e BP-së.
Hulumtimet mbi ndikimin e medias në përgjithësi do të sugjeronin që duke folur për ekonominë, mediat mund t’a tërhiqnin më shumë vëmendjen e votuesit për të vënë më shumë theksin tek ekonomia. Por, media nuk mund t’i tregojnë votuesve se si të mendojnë për ekonominë pa u konsultuar me ekspertët që studiojnë ekonominë.
Në realitetin mediatik të BP-së nuk ka hapësirë për ekspertët e ekonomisë dhe financave. Ky fakt i hidhur është shumë larg asaj që kërkojnë votuesit, dhe arsyeja është pjesë e mungesës së sundimit të ligjit dhe keqfunksionimit të rregullave të demokracisë. Tregu aktual mediatik është i mbushur me mjaft konkurencë të pandershme, por edhe me media që janë zgjatim i politikave propaganduese të partive të mëdha. Lënia e këtij tregu të vijojë në mënyrë kaotike dhe pa zbatuar ligjet e miratuara nga politika është edhe arsyeja pse në media nuk pasqyrohet ekspertiza e pandikuar nga interesat e ngushta të drejtuesve të politikës. Në vend të ekspertëve edhe këtë rol e ka marrë në patronazh politika e vjetër, e cila prezanton ekspertët e saj që në fakt janë të paguarit për të bërë këtë rol nga vetë drejtuesit e partive politike të vjetra.
Megjithatë, votuesit kanë burime lokale dhe kombëtare për tu informuar për ekonominë. Ata mund të vëzhgojnë në mënyrë të pavarur, se si qytetarët, fshatarët ose miqtë dhe familja e tyre e mendojnë se po shkon ekonomia. Në fakt, ata nuk duhet të varen vetëm nga një varg statistikash qeveritare dhe mediat që i sjellin ato statistika tek ata, për të mësuar rreth makro-ekonomisë. Përsëri, vërejmë faktin mbi heterogjenitetin e votuesve. Sigurisht që ka një grup të votuesve të përshtatur me konceptet dhe analizat ekonomike dhe financiare, të cilët arrijnë ta njohin gjendjen reale të ekonomisë dhe faktin media e thekson atë realitet apo jo. Megjithatë, shumë votues janë më pasivë për të kërkuar informacion mbi ekonominë dhe nuk duan të dinë për ndryshimet ekonomike nëse ata nuk e shikojnë të raportohet nëpërmjet mediave kryesore.
Nga ana tjetër, bazuar në anëtarësinë historike të partive, varet edhe reagimi në grup ndaj mjedisit ekonomik. Për shembull, krahu politik i majtë në Shqipëri është më i ndjeshëm ndaj nivelit të punësimit, rritjes ekonomike dhe inflacionit, ndërsa krahu politik i djathtë është më i shqetësuar për privatizimin e ekonomisë, të drejtat e pronësisë mbi tokën dhe themelimin dhe reformimin e ekonomisë së tregut, të paktën duke u bazuar në programet dhe deklaratat e lidershipit të tyre. Ndër vlerësimet e ndryshme të lidhura me treguesit kryesorë të ekonomisë, ata gjejnë mirëkuptimin e përbashkët vetëm ndaj politikës anti-korrupsion, mjeteve anti-evazion dhe anti-informalitet dhe reformave fiskale, megjithëse ata synojnë mënyra të ndryshme për të adresuar dhe finalizuar reformat e papërfunduara.
Megjithatë, kur votuesit të vlerësojnë ndikimin e vlerësimeve ekonomike në votim, ata nuk duhet vetëm të konsiderojnë kushtet kombëtare makroekonomike, por duhet të marrim parasysh faktin se votuesit vlerësojnë të kaluarën, të tashmen dhe synojnë të shohin përpara dhe të bëjnë plane për të ardhmen e familjeve dhe miqve të tyre. Bazuar në këto gjetje, por edhe në shumë studiues dhe hulumtues, votuesit votojnë në mënyrë retrospektive[3], duke vlerësuar ecurinë e kaluar ekonomike, por gjithashtu, ata votojnë në mënyrë prospektive duke mbështetur votat mbi pritshmëritë e së ardhmes, që bazohen mbi premtimet e politikës. Menaxhimi i kohës në funksion të ekonomisë është shumë e rëndësishme për votuesit dhe ka implikime të rëndësishme si për sofistikimin e votuesve, por dhe për interpretimin e rezultateve të zgjedhjeve.
Në bazë të secilës pikëpamje ekonomike të besueshme për votuesin, atëherë, vjen edhe mirëkuptimi prej tij, se çfarë kërkojnë zgjedhjet nga zgjedhësit dhe gjithashtu çfarë duan të thonë zgjedhjet për ekonominë sipas perceptimit të tyre. Në rastin e votimit të ardhshëm, votuesit janë relativisht të sofistikuar pasi ata kanë pritshmëri më të pranueshme për ecurinë e ardhshme të ekonomisë sipas programeve e politikave të partive të ndryshme. Votat e tyre reflektojnë drejtimin më të mirë për të ardhmen, pasi kthehen në mandate për partinë që i merr me shumicë duke fituar edhe të drejtën e qeverisjes.
Sipas votimit në retrospektivë, kërkohet shumë më pak sofistikim nga votuesit, ata duhet të reflektojnë vetëm për performancën e kaluar të partive, pra mbi rezultatet. Zgjedhjet në këndvështrimin retrospektiv janë referendume për performancën e partisë.
Në përgjithësi, faktet janë të përziera, duke sugjeruar disa drejtime për vlerësimet retrospektive dhe të ardhshme. Në vendet e BP-së gjithsesi forcat politike që kanë qeverisur, në nivelet e ndryshme të qeverisjes (qendrore dhe lokale) kanë tentuar në vijimësi që ta bëjnë më të vështirë votimin ekonomik duke prezantuar analiza jo reale apo të zbukuruara lidhur me përgjegjësinë për rezultatet ekonomike. E megjithatë është e rëndësishme të theksohet se votuesit në vendet e BP-së tentojnë ta mbajnë qeverinë të përgjegjshme për kushtet ekonomike edhe në kushtet kur qeverisja është e ndarë në model federativ (Bosnjë -Hercegovinë), por edhe në rastin kur ka probleme me administrimin territorial (Veriu i Kosovës). Kur lideri i një partie është shumë i individualizuar, jo të gjithë votuesit do të fajësojnë vetëm partinë apo politikën e saj, por ata gjithashtu do të fillojnë që fajësimin për problemet ta adresojnë direkt te lideri politik, që ka kërkuar me forcë personalizimin e reformimit të partisë, ekonomisë dhe shtetit.
Një gjë tjetër duket se është e qartë nga praktika e analizuar në vendet e BP.
Nivelet e ndryshme të qeverisjes mund të ndërlikojnë vendimin e zgjedhësve apo të paktën një pjesë të elektoratit, megjithatë sistemi demokratik lë pak hapësira për një vijimësi të thellimit të komplikacioneve përtej një mandati elektoral, duke konsideruar se zgjedhjet do të realizohen të lira dhe të drejta. Efekti negativ i politikave të partive qeverisëse është më problematik dhe i dëmshëm, kur zgjedhjet bëhen në periudha kohore më të vogla se një mandat 4-vjeçar, pasi difektet e qeverisjes së keqe mund të justifikohen me mandatin qeverisës të ndërprerë dhe problemi mund të orientohet më shumë të duket jo si rrjedhojë e politikës së keqe apo të nxituar për tu personalizuar.
Situata ekonomike kombëtare vërehet se ka ndikuar më pak në pjesën e votave të fituara nga secila parti në nivel lokal, pasi situata ekonomike lokale ka patur ndikim shumë më të fortë për votuesin. Në veçanti, vetëm rritja e të ardhurave kombëtare për frymë dhe normat e papunësisë mundet të kenë efekte disi më të fuqishme në rezultatet e zgjedhjeve në nivel kombëtar, por edhe ato do e kishin këtë efekt vetëm nëse do të sqaroheshin dhe do të përktheheshin në kontekstin e përfitimit të votuesit në nivel lokal. Nga ana tjetër, rritja e nivelit të të ardhurave për frymë dhe norma e inflacionit do të ishin përcaktuese në përqindjet e pjesëmarrjes në votime, vetëm nëse votuesit do të ishin pjesë e vendimmarrjes nga qeveria qendrore/Parlamenti për çështjet ekonomike dhe investimet e rëndësishme dhe strategjike (për shembull, si përvoja me referendumet në Zvicër të mbajtura për çdo çështje të rëndësishme). Ndërkohë, që për shpenzimet që prekin pjesë të mëdha të parave të mbledhura nga taksat duhet të ketë informacion që duhet të garantohet për secilin qytetar pa patur nevojë për kërkesë. Megjithatë kur verifikojmë të dhënat në dispozicion mbi buxhetin faktet mundet të forcojnë apo dobësojnë më shumë/pak argumente që hamendësohen dhe deformohen në mungesë të analizës mbi to.
Pas verifikimit të të dhënave buxhetore në vendet e BP-së, ne konstatojmë se të dhënat e shpenzimeve publike nga çdo vend i BP-së në dhjetë vitet e fundit nuk japin ndonjë shenjë devijimi të madh në drejtim të rritjes apo zvogëlimit para dhe pas zgjedhjeve. Gjithsesi shpenzimet publike në vitet para-zgjedhor dhe zgjedhor janë pak më lart se vitet para apo mbrapa procesit zgjedhor. Qeveritë kanë rritur shpenzimet buxhetore në kohën e zgjedhjeve, të cilat në mënyrë të veçantë duket se kanë ndikuar edhe inflacionin në tregun e shërbimeve dhe shpenzimet bazë të familjeve. Por ky efekt duhet të merret jo seriozisht, pasi informaliteti në ekonomi është mbi normën normale krahasuar me mesataren e vendeve të BE.
Si pasojë e skemës së shpenzimeve buxhetore “zgjedhore”, deficitet fiskale janë rritur në mënyrë mjaft të moderuar në vitet e zgjedhjeve dhe është vijuar me një politikë agresive fiskale në vitin pas zgjedhor.
Chauvet dhe Collier (2008) kanë përmendur se gjithmonë ka shanse që zgjedhjet të ndikojnë në politikat ekonomike me skenarë të ndryshëm para dhe pas kohës së zgjedhjeve.
Ne jemi përqendruar në peshën e shpenzimeve publike në PBB në varësi të viteve që ka patur zgjedhje. Modelet e ciklit të biznesit politik parashikojnë se përpara një viti zgjedhor, të ardhurat do të bien dhe shpenzimet do të rriten. Por statistikat fiskale zyrtare tregojnë se deficiti buxhetor, sipas politikës buxhetore të zbatuara nga qeveritë e tanishme ka ndodhur nga rritja e shpenzimeve ose nga ulja e taksave në çdo zgjedhje, por është fakt që nuk kanë ndodhur të dyja në të njëjtën kohë.
Partia politike në pushtet gjithmonë përpiqet të sjellë përfitime ekonomike dhe reforma që janë veçanërisht një nxitje për votuesit në periudhën parazgjedhore për të marrë më shumë vota. Investimet dhe reformat kryesisht në këtë periudhë mund të quhen kosto afatshkurtra politike për përfitime afatgjata. Për shembull, në zgjedhjet e vitit 2014 në Bosnje-Hercegovinë, Serbi dhe në vitin 2018 në Kosovë shpenzimet publike[4] shënuan mesatarisht rritje prej 10% deri në 12% në drejtim të zbatimit të politikave sociale. Ky nivel shpenzimesh tregon se krahasimi midis vendeve të BP-së dhe vendeve europiane dhe më gjerë, për raste të rritjes së shpenzimeve për shtresa sociale apo investime kapitale të rritura më shumë se vitet buxhetore normale nuk mund të jenë referenca njësoj si gjetjet që përmenden në studime të ndryshme lidhur me tendencat e zhvendosjes së shpenzimeve për qëllime të përfitimeve elektorale. Fakti i rritjes minimale të shpenzimeve sociale dhe kapitale lidhet edhe me nivelin e informaliteit dhe të korrupsionit, që në vendet e BP-së është i lartë dhe si i tillë krijon hapësira për ti marrë përfitimet elektorale direkt nga përdorimi i fondeve informale përveç fondeve publike.
Në rastin e shpenzimeve publike, të cilat zbatohe në projekte afatshkurtra mund të fillojnë gradualisht të humbasin efektin deri në zgjedhjet e ardhshme. Por, votuesit janë racionale dhe ata kujdesen për performancën post-zgjedhore të qeverisë. Nisur nga kjo logjikë e testuar në vite qeveria nuk ka nxitjen e mjaftueshme nga votuesi për të fryrë investime që rrezikojnë të mos përthithen dot nga infrastruktura ekonomike.
Tatimet mbi të ardhurat (tatimet mbi kapitalin dhe punën) luajnë një rol të rëndësishëm në manipulimin e politikës elektorale. “Sekreti” qëndron te fakti, se në vendet e BP-së, ashtu si në vende të tjera qeveritë preferojnë të fitojnë para nga rritja parazgjedhore në duke lënë mundësi për rritje deficiti për vitin pasaardhës duke mos dashur që të prekin shpenzimet kapitale, pasi në çdo rast ato janë pjesa më e prekshme e shpenzimeve qeveritare. Nëse kjo politikë e investimeve planifikohet të shtyhet në disa vite buxhetore të ardhëm, atëherë politika elektorale bëhet edhe më e komplikuar për votuesin, pasi shpenzimet e sotme të buxhetit kapitalizohen për të ardhmen, kur ndoshta qeveria aktuale mund të mos jetë në qeverisje për të paguar shpenzimet e vendimeve që ka marrë. Ndërkohë, që tatimi mbi të ardhurat për këto shpenzime merret në momentin që shpenzimet kryhen, që përkon me periudhën e qeverisë që ka marrë vendimet për këto shpenzime kapitale.
Një karakteristikë tjetër e vendeve të BP-së është efekti në ekonomi i bazuar në ofertat politike zgjedhore të bëra nga politikanët, të cilat në terma ekonomikë konsiderohen si investime elektorale. Këto investime janë ato që do të ishin të pamundura ose shumë të kushtueshme për t’u kthyer mbrapa, pasi të ndërmerren, por me dëm ekonomik për imazhin e vendit në sytë e investitorëve seriozë. Për shembull, konsideroni një kompani që po vendos nëse do të ndërtojë një HEC për prodhimin e energjisë elektrike. Nëse HEC-i do të jetë i përfunduar, ai nuk mund të përdoret për qëllime të tjera pa modifikime të shtrenjta. Sipas fizibilitetit rimarrja e vlerës së investimeve rezulton pozitive. Por, nëse kjo vështirësohet rimarrja e kapitalit e ndikuar nga pasiguria e politikës që lind në vetvete nga zgjedhjet mund të nxisë firmën që të shtyjë vendimin nëse do të ndërtojë HEC-in, duke supozuar që shpenzimet prej vonesës janë më të ulëta se dobia nga të mësuarit e rezultatit zgjedhor. Pra, nëse partitë e mëdha mbajnë qëndrime të ndryshme mbi energjinë e rinovueshme dhe ka paqartësi se kush do të fitojë zgjedhjet, firma mund të vendosë në mënyrë racionale të shtyjë vendimin, duke supozuar se zgjedhjet nuk janë shumë larg[5].
Të marra së bashku, vendimi i investimeve oportune dhe zgjedhore tregon ndikimin e zgjedhjeve që variojnë nga komponentët e ndryshëm të PBB-së. Për investime private të tilla si formimi i kapitalit fiks bruto, zgjedhjet do të nxisin një ngadalësim. Për shpenzimet qeveritare dhe shumicën e konsumit privat, zgjedhjet do të inkurajojnë një zgjerim të përkohshëm të tyre. Një kategori e caktuar, konsumi privat i mallrave afatgjata, përballet me presione kundërbalancuese. Konsumi personal duhet të rritet ndërkohë që investimi zgjedhor duhet të bjerë. Sidoqoftë, nuk është e qartë se cili efekt duhet të dominojë. Zgjedhjet duhet të nxisin një rritje më të madhe të konsumit personal me afat të shkurtër sesa në terma afatgjatë, nëse rritet edhe konsumi afatgjatë.
[1] Singh Charan – CCS India – Effect of elections in Indian Economy, August 2015
[2] Almond and Verba, 1963
[3] Linn Suzanna, Nagler Jonathan, A. Morales Marco – Oxford Handbook of American Elections and Political Behavior – Economics, Elections, and Voting Behavior, February 2010
[4] IMF Country reports for Albania, Bosnia and Herzegovina, Kosovo, Montenegro, North Macedonia, Serbia 2009 – 2018
[5] Canes-Wrone and Park 2012; Julio and Yook, 2012
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.