Inflacioni në Qershor 2025 arrin 2.4%, por kostot e jetesës mbeten të larta për familjet
Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) në Qershor 2025 arriti në 119,2, duke reflektuar një rritje vjetore prej 2,4% krahasuar me Qershorin e kaluar. Kjo është një ngritje e lehtë nga norma e vitit të kaluar (2,1%) dhe një rënje mujore prej -0,2% krahasuar me Majin 2025, çka sinjalizon një ngadalësim sezonal të presioneve inflacioniste.
Ku e ndjejnë qytetarë më shumë inflacionin?
Inflacioni në Qershor 2025, edhe pse në nivele relativisht të moderuara (2,4%), ka prekur drejtpërdrejt buxhetin e përditshëm të familjeve, përmes rritjes së çmimeve në mallra dhe shërbime të domosdoshme. Këtu më poshtë janë grupet e produkteve, ku qytetarët e ndjejnë më shumë presionin e çmimeve:
Ushqime dhe pije joalkoolike
Ky grup mban peshën më të madhe në shportën e konsumatorit (34,3%) dhe regjistroi
rritje vjetore prej 3,5%. Ndikim më të lartë në inflacionin total me + 1,19 pikë përqindje (pp)
Brenda tij spikatën:
- Vajrat dhe yndyrnat (+7,6%)
- Zarzavatet dhe patatet (+5,3%)
- Qumështi, djathi dhe vezët (+4,6%)
- Mishi (+4,0%)
Kjo rritje ka efekt të menjëhershëm në tryezat e qytetarëve, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta.
Qira, ujë, energji dhe lëndë djegëse
Rritje vjetore + 1,8% me ndikim + 0,36 pp. Kostoja e banesës dhe faturave bazë vazhdon të rëndojë te shtresat mesatare dhe pensionistët.
Mobilje dhe pajisje shtëpie
Rritje vjetore: 3,0%, me ndikim + 0,22 pp. Nga sa shihet janë shtuar kosto për mirëmbajtjen e shtëpisë dhe pajisjet e domosdoshme.
Pije alkoolike dhe duhan
Rritje + 3,5%, me ndikim + 0,17 pp. Kjo kosto është më e lartë për produktet e konsumit të zakonshëm.
Argëtim dhe kulturë
Rritje më e lartë nga të gjitha grupet + 6,8%. Rritja është më e ndjeshme për familjet që konsumojnë shërbime kulturore, bileta, libra apo pajisje elektronike argëtuese.
Transporti
Ndryshim vjetor është – 0,5% (i vetmi me ulje). Kjo ulje është një lehtësim i përkohshëm, por i pamjaftueshëm për të kompensuar rritjet në grupet e tjera.
🔺 Produktet bazë ushqimore dhe energjia janë shkaktarët kryesorë të presionit inflacionist.
🔻 Transporti dhe disa shërbime kanë ndihmuar në balancimin e kostove mujore, por pa efekt ndjeshëm lehtësues.
Qytetarët me të ardhura fikse apo pensione janë më të ekspozuar ndaj këtyre ndryshimeve, pasi përqindja më e madhe e të ardhurave të tyre shkon për produkte të domosdoshme.
Çfarë po e ngadalëson ritmin e çmimeve?
Grupi që përfshin “Transportin” është i vetmi që ka shënuar ulje vjetore me -0,5%, duke lehtësuar disi barrën inflacioniste, në një kohë kur çmimet globale të naftës kanë qenë më të qëndrueshme. Po ashtu, rritja modeste e shërbimeve si: “arsimi” (+0,9%) dhe “shëndeti” (+0,6%) ka mbajtur inflacionin e përgjithshëm nën kontroll.
Për qytetarët, këto shifra tregojnë një realitet të përzier.
Çmimet po rriten, por jo me të njëjtin ritëm të fortë si në vitet e mëparshme.
Megjithatë, ushqimet bazë, energjia dhe qiraja vazhdojnë të jenë barra më e rëndë për buxhetin e familjeve, sidomos në zonat urbane.
Qeveria dhe autoritetet fiskale duhet të monitorojnë me kujdes tendencën e çmimeve, veçanërisht ndikimin që ka inflacioni mbi shtresat në nevojë dhe konsumin bazë. Ndërhyrjet për të mbështetur fuqinë blerëse dhe për të parandaluar rritje të mëtejshme në sektorë si energjia dhe ushqimet janë kyçe. Nëse tendencat aktuale vazhdojnë, Shqipëria mund të ruajë një inflacion të qëndrueshëm nën 3% deri në fund të vitit, por rreziqet që lidhen me ndryshimet në tregjet energjetike ndërkombëtare, klimën dhe kursin e këmbimit mbeten të hapura.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.