Është koha për një Kontratë të re Sociale

kontrate e re sociale

Është koha për një Kontratë të re Sociale

Pandemia është një motiv për të ndryshuar, pasi shërbeu me të keqen e vet për të ekspozuar saktësisht dështimet dhe problemet e sistemit dhe të modelit të qeverisjeve. Gjithë difektet dhe dobësitë kanë nevojë të ndryshohen në këtë fillim të dekadës së tretë të shekullit që jetojmë.

Megjithëse Shqipëria është afër tre herë më e pasur se tridhjetë vite më parë, afër 50% e njerëzve thonë se paga minimale nuk është e mjaftueshme për të jetuar dhe shumica e punonjësve mendojnë se është lejuar shkelja e të drejtave të marrëveshjeve kolektive mes punonjësve dhe pronarëve të bizneseve. Kjo gjendje e zbatimit të kontratës sociale në fakt është pabarazi që vjen nga modeli ekonomik dhe social.

Modeli ekonomik aktual ka dështuar dhe njerëzit që punojnë për ta mbajtur e ndjejnë këtë fakt përditë. Fuqia dhe lakmia e bizneseve të mëdha ka kapur qeveritë prej kohësh, të cilat nga ana e tyre përtej propagandës për të na bindur për të kundërtën veprojnë/nuk veprojnë në dëm të të drejtave dhe sigurisë së punëtorëve. Në zinxhirin e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve, mbi 60% e fuqisë punëtore është e fshehur në hapësirat e pajustifikueshme të errësirës së kontratave të biznesit dhe moszbatimit të ligjit duke lehtësuar shfrytëzimin dhe mosrespektimin e të drejtave të tyre.

Kontrata aktuale sociale, si thelbi i moralit të filozofisë politike jo të vlefshme ka nevojë të rishikohet për të ndryshuar marëdhënien midis dy poleve të botës që jetojmë, midis klasës së njerëzve të thjeshtë dhe klasës së njerëzve të komplikuar dhe të pasur që mbajnë pozitat drejtuese në vend.

Rishikimi duhet kryer për të ripërcaktuar të drejtat dhe detyrat e secilit.

Është koha për një Kontratë të Re Sociale midis punëtorëve me sindikatat, qeverisë dhe pronarëve të bizneseve. Në këtë qasje të re duhet të përfshihet një nivel garancie e re e punës për të gjithë punëtorët për të përballuar kushtet e jetesës bazuar te negociatat kolektive, ku mbrojtja sociale të jetë mbi standarte universale, si dhe dialogu social të sigurojë të drejta të panegociueshme për ekonominë e re dhe mbrojtje nga efektet e futjes së teknologjisë.

Zbatimi i një Kontrate të Re Sociale do të sigurojë që të drejtat të respektohen, vendet e punës të jenë në kushte më të mira dhe paga minimale të mos vendoset nga qeveria, por nga marrveshja mes paleve te interesuara, sindikatë dhe drejtuesit e bizneseve me dijeninë e qeverisë.

Futja me forcë e koronavirusit në jetët tona ka shkatërruar shumë marëdhënie dhe ka ciflosur shumë pjesë të besimit të publikut për frymën politike dhe qeverisëse, pra për kontratë aktuale sociale. Veçanërisht besimi ka rënë për ekonominë shqiptare dhe sistemin shëndetësor, të cilat janë larg standartit të vendeve të zhvilluara për të përballuar dhe trajtuar simptomat e krizave lokale dhe globale të tilla si pandemia apo katastrofat natyrore.

Në këtë kohë të vështirë ishte sakrifica personale e punonjësve shëndetësorë, punonjësve të kujdesit social, stafit të punionjësve të tregtisë dhe shërbimeve, punëtorëve të shumë sektorëve dhe shumë punonjës publikë të tjerë ata që na bënë të kuptojmë se kush e mban sistemin në këmbë me atë që ata munden.

Ndërkohë, ato kompani përgjegjëse që kanë qëndruar pranë zinxhirëve të furnizimit kanë ripërdorur shërbimet dhe prodhimet e tyre për nevoja shoqërore, por dhe kanë mbajtur fuqinë e tyre të punës me paga gati të plota me një qëndrueshmëri që tregon se kush e mban vërtetë ekonominë tonë të brishtë.

Në këto rrethana, kur buxheti i shtetit nuk ka mundësitë për të përballuar situata të tilla që me zor po përballohen edhe nga buxhetet e shteteve të pasura është e nevojshme të analizohen dhe nxirren detyra për të ribërë ato që duhet të ndryshohen dhe programohen për të mirën afatgjatë të pasardhësve tanë.

Tashmë që ky vit na mbajti në gjendje alarmi a na ka ndikuar për të ndryshuar te secili dhe te të gjithë bashkë ato politika dhe veprime që vlejnë për tu promovuar në këtë dekadë të re?

A mundemi ta arrijmë një kontratë të re sociale?

A e duan të gjithë?

A duhet të nxisë ajo ndjesinë e bashkëpunimit duke filluar nga kjo krizë dhe për të avancuar me një agjendë politike të re?

Sot, protestuesit dalin në rrugë edhe mes një pandemie si kjo që përjetojmë dhe ata nuk duhet të luftojnë më kot. Momenti aktual na nxit të gjithëve që të bashkohemi për të luftuar pabarazitë në politikat publike, si p.sh. në Financat publike dhe politikat e mbrojtjes sociale, të cilat duhet të pasqyrojnë përparësitë tona.

Një shembull me kuptim do të ishte në rastin e paketave të shpëtimit për bizneset, të cilat duhet të përfshinin masa adekuate të mbrojtjes sociale që punëtorët e tyre të trajtoheshin me dinjitetin e duhur.

Në vend të paketave, të cilat janë masa të përkohshme, por nuk adresojnë zgjidhje aftagjata, një kontratë e re shoqërore do të mund të adresojë faktin, se ndërsa varfëria është reduktuar, pabarazitë brenda vendit janë në rritje të shpejtë, në një pjesë të madhe përmes difekteve të modelit dhe sistemit.

Edhe politikat monetare dhe financiare deri me tani mund të ndihmojnë ekonominë nga kufizimet e përkohshme të likuiditetit, por ato nuk mund të rregullojnë problemet e aftësisë paguese, si dhe as nuk mund të sigurojnë mbrojtjen e vazhdimësisë ose të jetesës së kategorive dhe individëve në nevojë.

Në gjithë këtë sistem marëdhëniesh politike dhe ekonomike duket se vendi jonë nuk ka mundur të përdorë masa të forta për tu mbrojtur nga ndikimet që ndodhen përtej kufijve.

Por, një kontratë e re sociale e mbështetur te një frymë e re politike pa elementë populizmi do të ishte shenja e parë dalluese e sistemimit të difekteve të prezantuara.

Në këtë proces të ndryshimit nuk duhet të pranojmë për më tej udhëheqës që vazhdimisht thërrasin për ndihmë “vullnetin e njerëzve” pasi konsolidojnë pushtetin ekzekutiv.

Në të kundërt, kontrata sociale e re duhet të jetë e bazuar në një partneritet që prodhon vlera dhe ndikon direkt për të trajtuar varfërinë dhe shfrytëzimin përtej standarteve të marëdhënieve të përcaktuara në kontratat mes palëve dhe të njohura si standarte universale.

Mësimet nga krizat ekonomike të kaluara dhe ato aktuale, përfshirë edhe efektin nga pandemia COVID-19 duhet ti përdorim që modeli ynë aktual i të bërit biznes nga statusi si i paqëndrueshëm të transformohet në të kundërtën.

Edhe me reformën e taksave duhet filluar dizenjimi i një filozofie të mbështetur te tatimi mbi të ardhurat, si baza e sigurtë dhe transformuese duke tatuar së pari pasurinë e njerëzve që realisht kanë një mirëqenie mbi mesataren, si dhe përfundimin e reformave ekzistuese për të eleminuar shmangiet dhe përjashtimet pa kritere të qarta ndër vite.

Përgjigja jonë ndaj pandemisë duhet të formësojë të ardhmen tonë. Strategjitë, programet, modeli i qeverisjes, biznesi dhe investitorët duhet të përdorin këtë shans unik për të sjellë të drejtat e punonjësve dhe përgjegjësinë e tyre për të përçuar në modelet e biznesit dhe ekonomisë shanse të shtuara për punonjësit dhe të drejtat e tyre.

Të gjithë ne nuk duhet tu lëmë trashëgimni dobësi të tilla pasardhësve që të na kujtojnë vetëm nëpërmjet tyre

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: