Ekonomisë që e duam i duhet ende punë dhe vullnet i ri

Ekonomisë që e duam i duhet ende punë dhe vullnet i ri

Që nga fillimi i vitit, ekonomia shqiptare gradualisht është drejt rimëkëmbjes, e mbështetur nga disponueshmëria e vaksinave, por edhe nga një vërshim i parasë në sektorët e paragjykuar si problematikë në lidhje me evazionin dhe strehimin e parave nga burime informale.

Shkalla dhe ritmi i rimëkëmbjes ekonomike janë megjithatë të paqarta dhe rruga për rimëkëmbjen e plotë është e mbushur me pasiguri. Pandemia gjithnjë e më shumë po dikton ekonominë drejt një rimëkëmbje që nuk duket se është e njëjta rrugë e mëparshme. Nëse marrim parasysh ndërlikimet e mundshme për stabilitetin ekonomik dhe financiar në planin afatgjatë, kjo rrugë e re kërkon vullnet të ri dhe një bashkëpunim politik dhe teknik në nivel kombëtar.

Arsyeja së pari duhet gjetur te argumenti, se rimëkëmbja nuk po mbështetet në përpjekjet e bashkërenduara të të gjitha palëve, për të ndërmarrë një veprim të vendosur dhe të fortë kundër ndryshimeve të politikave të para dhe pas pandemisë, por edhe problemet që reflekton tregu rajonal  duke sjellë problemet me vete. Partia Socialiste fitoi e vetme të drejtën e qeverisjes, por nuk mundet ta sfidojë e vetme periudhën post pandemi me të njëjtën qasje si para saj. Duke parë përpara dhe duke ruajtur kohezionin e dëshiruar, Ajo, Ju, Ne duhet të sigurojmë rimëkëmbjen aktuale dhe të ruajmë stabilitetin ekonomik dhe financiar. Duke filluar nga tani, ne duhet të përpiqemi më të mirën për të krijuar një të ardhme më gjithëpërfshirëse, më të zgjuar dhe më të shëndetshme për fëmijët tanë.

Së dyti, dëshira për të ecur shpejt me futjen e teknologjisë në shërbimet publike dhe në ekonomi duket se do të prodhojë si një efekt dytësor ndarjen dixhitale midis një grupi ekonomik dhe shoqëror që ka mundësi ta zotërojë dhe ta përdorë qasjen e teknologjisë në favor të vet, si dhe një grupi më të madh i përbërë prej biznesesh dhe grupimesh shoqërore që kanë shumë pak ose nuk kanë qasje në teknologjinë dixhitale, por që në tërësi atyre u mungojnë aftësitë për ta përdorur atë në mënyrë produktive. Kjo ndarje dixhitale tashmë po i lëshon vendin një ndarjeje ekonomike, dhe nëse lihet më tej e pa adresuar, kjo ndarje do të kthehet në ndarje sociale. Kjo është diçka që ky vend nuk mund ta përballojë përsëri si një pasojë që nuk vjen nga vullneti i tij, por nga lidershipi që prodhon politika nisur nga dëshira për të arritur në qasjet që synon. Edhe pse secili meriton çdo mundësi për të ndjekur rrugën që zgjedh në funksion të rritjes së mirëqenies, duket se këto rrugë tani janë të lidhur pazgjidhshmërisht me novacionin e vazhdueshëm teknologjik dhe tregun dhe shërbimet publike që burojnë prej tyre.

Ndërsa qeveria ka zgjedhur rolin e duhur për atë vetë, në realitet është sektori privat ai që i ka lënë rol minor në gjithë këtë ecje të pabarabartë midis sektorëve. Mirëpo është e paevitueshme që të dy sektorët do të duhet të bashkëpunojnë për të maksimizuar mundësitë e rritjes që paraqitin opsionet e së ardhmes. Nëse situata ekonomike do të bëhet më e mirë, qeveria/të do ti duhet që të jetë në gjendje të rrisi më tej ofertën për rritje të rolit të saj në funksion të mirëqenies për qytetarët. Kjo do të thotë se pritshmëria e qytetarëve me këtë rol protagonisti të qeverisë duhet të konvertohet në rritje të standardeve të jetesës dhe në një rritje të mundësive rregullatorë për sektorin privat që të jetë në gjendje të ofrojë produkte transformuese, në tregje të reja, për më shumë klientë, me të ardhura më të larta.

A duket se do të ndodhin këto?

Një pikëpyetje ende pa përgjigje.

Megjithatë investimet në infrastrukturën fizike për zhvillim më të madh të teknologjisë duhet thënë se vetëm kaq sa është bërë dhe ajo që është planifikuar nuk mundësojnë atë zhvillim konkurrues për sektorin privat dhe ekonominë digjitale të së ardhmes së afërt.

Së treti, bizneset e reja kanë nevojë për qasje te njerëzit e duhur. Zhvillimi i kapitalit njerëzor është thelbësor. Qeveria duhet të investojë siç duhet në edukimin që ka premtuar, veçanërisht në fushat ku nevojitet më shumë ndërhyrja e saj. Ndërsa sektori privat duhet të ndihmojë me një rol në rritje duke investuar në trajnimin e punonjësve për atë “pregatitjen e fundit” në aftësitë teknike specifike për biznesin e tyre. Të dy shkojnë dorë për dore, dhe ky është një shembull ku koordinimi duhet të jetë motori i të gjitha ndryshimeve.

Në fakt, përgatitja e tregut të punës është ende një lajm që pritet të njoftohet, pasi ende riformatimi i sistemit të kualifikimit profesional sipas ekonomisë së re është një premtim që pritet të jetë program i qeverisë së re socialiste.

Së fundmi, sektori financiar duhet të kapitalizohet dhe të përshtatet si në zgjerim të instrumentave të tij, por edhe me synimin për të ruajtur stabilitetin. Ndërsa ndodh kjo, nevojitet që gjithë energjitë e sektorëve vitalë të arrijnë të kanalizojnë kapitalin për hyrjet e reja në treg.

Një sektor financiar i cili është tepër i ngarkuar me kompleksitete që nuk kanë treguar shenja të nevojshme për të alokuar kapital për ekonominë po vdes në mënyrë efektive edhe pjesët më dinamike të sektorit privat duke mos arritur dot të “ujitë” burimet që u duhen atyre për t’u rritur. Në planin afatgjatë qëllimi është që të kemi një përzierje të bankave, tregut të kapitalit, madje edhe të vetë FinTech-eve që të alokojnë kapital për bizneset e reja, në gjendje të financojnë në nivele të ndryshme, me kushte të ndryshme dhe duke marrë përsipër rreziqe të ndryshme.

Por çdokush, si qytetarët, si investitorët, po ashtu edhe bizneset kanë nevojë për qasje në një kornizë ligjore të shëndoshë dhe të qëndrueshme me një sistem gjyqësor që ende nuk kupton të drejtat e pronës, përfshirë rëndësinë e të drejtave të pronës intelektuale. Politika e vjetër me paketa fiskale të përvitshme, si dhe me ligje që dalin nga “askundi” duke u prezantuar si nisma në funksion të ekonomisë e bëjnë pasigurinë të rritet, por edhe nuk lejojnë të formalizohet ajo çfarë vlen për një ekonomi konkurruese.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *