Ekonomia pa kreditim mbetet distrofike
Një ekonomi e pa kredituar zbeh shumë rezultatet e zhvillimit të vendit, duke patur vlera reale te ndjeshme për fatet e ardhme dhe te tashme për ekonominë. Faktet e mbi 1 dekade të fundit të tregut financiar tregojnë se nga viti 2008, ekonomia vijon në një situatë tkurrje të kreditimit, me disa sinjale pozitive të dy tremujoreve të fundit për një rigjallërim, por akoma mbetet ne nivele me ndikim te pandjeshëm për një efekt gjallërues.
Kush janë shkaqet e mungesës së kreditimit të ekonomisë?
Nëse do ti përmblidhen ne disa arsye me kryesore, ato do të ishin:
-Mungesa e projekteve zhvillimore me rentabilitet të mirë financiar nga ana e vet sipërmarrësve.
Përqendrimi i biznesit, në menaxhimin më të mirë të aktiviteteve ekzistuese, të cilat janë kredituar nga bankat dhe kanë përgjegjësinë e kthimit të kredisë.
– Kostot e larta të financimit të projekteve te biznesit nga ana e bankave, një shkak tjetër për tkurrjen e kreditimit.
– Po kështu edhe rritja e kërkesave nga ana e qeveris për të hedhur në treg instrumenta borxhi (në formën e bonove të thesarit) ka orientuar në mënyrë konseguente bankat drejt këtij investimi duke dhënë një kontribut më shumë për përkeqësimin e rënies së kredisë ndaj biznesit.
-Një shkak tjetër që ka frenuar dhe ulur kreditimin e biznesit nga banka është dhe niveli i lartë i kredive të këqija. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që shumë projekte të biznesit u goditën nga kriza, shumë parashikime të planeve të biznesit u ngadalësuan.
Por, në rast se qeveria një pjesë të mire të fondeve që çliron nga shitja e bonove të thesarit, do te vijoje ti transferoje për shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit (TVSH, fatura korente, detyrime te tjera), do të kishte rezultat ndaj bankave qe te rimarrin atë qe kane dhënë hua, por edhe te fillojnë te orientojnë portofolet e kreditimit drejt bizneseve qe kane tregues te qarte te rimarrjes se investimeve.
Por, çfarë duhet bërë më shumë se kaq sektori privat dhe qeveria, për të bërë funksional shqetësimin për gjallërimin e kreditimit dhe tregut financiar shqiptar?
Qeveria duhet të mbështeti sistemin bankar, duke thjeshtuar më tej barrierat ligjore, por dhe ato proceduriale që industria bankare i gjykon si faktor që ndikojnë negativisht në cilësinë e portofolit të kredisë dhe në zgjerimin e mëtejshëm të tij. Por, faktori kryesor qe do te ndikonte gjithë sistemin është formalizimi, i cili edhe pse jehonën e ka të bujshme, efektin do të duhet të presim edhe disa kohë për ta parë.
Edhe pse drejtuesit e filialeve të bankave të huaja që operojnë në Shqipëri janë shprehur për planifikime te qarta për zgjerimin e kredisë, realiteti i kreditimit te ekonomisë është i ulet dhe larg pritshmërive. Disa nga bankat mëma ruajnë ende një qëndrim të kujdesshëm në zgjerimin e portofolit të tyre në rajon. Përveç konstatimit të një kërkese ende të dobët, industria bankare shikon si problem, mungesën e konsistencës në zbatim apo nevojën për përmirësim të kuadrit ligjor që shoqëron procesin e ekzekutimit të kolateralit dhe falimentimin e subjekteve.
Nga ana tjetër, sistemi bankar duhet të ndryshoje qasjen e kreditimit dhe ofertës se kredive për të shfrytëzuar më mirë mundësitë ekzistuese dhe për të rritur ndërmjetësimin financiar.
Një shpërndarje sa më të balancuar të portofolit të kredisë. Nevojitet, që vet sistemi të bëjë një rivlerësim të kujdesshëm të potencialit që mbartin sektorët e ndryshëm të ekonomisë, duke identifikuar sektorët që ofrojnë mundësi më të mira kreditimi.
Për të garantuar një gjallërim të qëndrueshëm të kredisë për ekonomin, është e domosdoshme një analizë e thelle e portofolit të kredive me probleme. Ky vlerësim duhet të realizohet në nivel mikro, duke mbuluar rast pas rasti degë të veçanta të ekonomisë, aktivitete të ndryshme të veprimtarisë prodhuese dhe të sektorit të shërbimeve, apo dhe biznese me rëndësi sistemike, si për sektorin ku operon, ashtu edhe për bankën financuese.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.