Ekonomia informale nuk do t’ja dijë nga politika e taksave
Në debatet më të rëndësishëm të politikës fiskale kanë në qendër të tyre pyetjen se a do të ketë efekt ulja e taksave në rritjen e iniciativave për punë dhe investime?
Nga ana tjetër, pyetja binjake vetiu është se kush do të jenë efektet për kufizimin e ekonomisë informale?
Treguesit e gjithë harkut kohor njëzetë vjeçar kanë patur gjithnjë një shenjues me pak ndryshime të nivelit të informalitetit, pavarësisht populizmit dhe paketave fiskale në dukje favorizuese për bizneset apo edhe armike të informalitetit.
Edhe pse prej 2005, politikat fiskale kanë ndryshuar të paktën dy – tre herë në nivele dukshëm më të ulët për tatimet mbi kapitalin dhe punën, informaliteti nuk ka lëvizur më poshtë se niveli 33%.
Politikat fiskale, të cilat edhe pse mund të kenë patur të drejtë në synimet e tyre nuk kanë mundur dot asnjëherë të jenë të zbatuara në masë të plotë, pasi ka shumë mandate qeverisëse që administrimi i bie gozhdës dhe politika i bie patkoit.
Edhe nëse politikat do të kishin një kalibrim të saktë, përsëri duke mos u arritur te përmbushen direktivat e të ardhurave të buxhetit gjatë procesit të administrimit ka krijuar amullinë e shpeshtësisë se ndryshimeve ligjore për te mbushur boshllëkun midis tyre. Administrimi nuk është vendosur dot edhe pas mbi 20 vitesh në kuotat e nevojshme për të na bere të kuptojmë se sa e saktë ka qenë politika e prodhuar për tu konsumuar nga administrata.
Kjo situatë që ka ndarë në vite administrimin nga politika ka krijuar probleme të dukshme edhe në stabilizimin e politikës fiskale drejt qasjeve anti informalitet, por edhe nuk e ka lënë mundësinë e hapur për tu zhvilluar.
Por, a ka mundur administrimi të ketë arritur të ndalojë evazionin të përhapet?
Nëse përgjigja do të ishte po, atëherë do të ishte e natyrshme të shikonim ndryshimin e një modeli administrimi me një tjetër, i cili jo vetëm do të zëvendësonte modelin paraardhës, por do t’i kishte dhënë një tjetër dimension edhe politikës fiskale të bazuar mbi modelin e taksimit të ndershëm.
Edhe pse politikanët e papjekur me sistemin kapitalist kanë kërkuar të shesin gjithnjë një politikë që i ka bërë dëm mullës së buxhetit, të paktën kanë lejuar që në Shqipëri të arrihet një ngarkesë fiskale më e ulët në realitet nga ajo që kanë miratuar në parlament.
Nga statistikat e 20 viteve të fundit, edhe pse ngarkesa fiskale sipas ligjeve tatimore ka qenë mbi 30% e prodhimit të brendshëm, administrimi ka mundur të arrijë të mbledhë tatime deri në kufijtë e 26% të prodhimit të brendshëm. Pra e gjithë diferenca prej 5-10% midis politikës që miraton qeveria dhe tatimeve që mbledh administrata është ajo pjesë që i mungon politikës për arsye të mungesës së koordinimit midis tyre. Qeveritë në 10 vjetëshin e fundit kanë ardhur me programe që kanë synuar ulje të taksave, dhe luftë ndaj informalitetit. Por, politika e uljes se taksave nuk ka arritur ende të zëvendësohet me zgjerimin e bazës së tatimpaguesve dhe detyrimisht fillimin e ngushtimit të informalitetit duke e futur problemin fiskal në një ekuacion.
Kjo do të thotë, se çdo ulje takse kërkon të balancohet me një taksë tjetër, apo me rikuperimin e saj nga një burim tjetër duke përbërë sfidë për qeverinë për të gjetur ato burime ekonomike për ti taksuar pa dëmtuar të tjerët.
P.sh., nëse marrim në konsideratë për të vlerësuar efektin e të ardhurave të një ndryshimi në ulje takse p.sh në akcizën e karburanteve për një sektor ekonomik të caktuar shqetësimi duhet të përqendrohet në matjen e shkallës në të cilën ky ndryshim i taksës do të ndikojë në shumën e karburantit të blerë dhe detyrimit fiskal që humbet bashkë me të. Përpjekja për një zëvendësim të saj me një taksë tjetër, që jo vetëm të mos deformojë politikën tatimore në tërësi, por dhe të jetë nxitëse e zhvillimit ekonomik do të përbënte një diskutim dhe debat publik te nevojshëm.
Do të ishin llogaritësit e të ardhurave buxhetore ata që do të angazhoheshin të parët për mos prishje të ekuacionit. Ndërkohë, autoritetet tatimore do të ishin ata që do të mbanin qëndrimin kritik duke u bazuar në analizat e vlerësimit dinamik prej të gjithëve.
Këto analiza do të kishin të bënin me vlerësime të efektit të të ardhurave nga ndryshimet në kushtet ekonomike të vendit. Synimi i këtyre vlerësimeve dinamike do të ishte p.sh. Se si do të ndikonin të ardhurat që mund të humbin në buxhet, në një vit nga ulja e akcizës (rreth 400 milionë dollarë), tek punësimi, rritja e PBB-së.
Por, a do të reduktonte ekonominë informale ulja e taksave?
Matja e ekonomisë informale edhe pse është e vështirë, sipas matjeve dhe llogaritjeve nga studiuese të ndryshëm mendohet të variojë në rastin më të mirë te 30% dhe ne rastin më negativ te 40% te PBB-së.
Edhe pse ka periudha ulje dhe ngritje brenda segmentit të përmendur nuk ka ndodhur që të ketë ulje, që të regjistrojë një efekt të ndjeshëm dhe të lidhur me politikën e taksave të ulëta. Fakti i barrës fiskale në vite tregon se ndërsa në vitin 2005 treguesi shënonte nivelin sa 22.5% e prodhimit të brendshëm, në vitin 2015 ky nivel arriti sa 24.1% e prodhimit të brendshëm. Pra, politika fiskale ka bërë shfaqjet e saj populiste, por nuk ka patur efekt as në uljen e informalitetit.
Gjatë dekadës së fundit, çdo familje shqiptare ka kontribuar më shumë lekë nga buxheti i saj për llogari të buxhetit te shtetit shqiptar. Nëse llogaritim kontributin fiskal të familjeve shqiptare për 10 vitet e fundit llogaritjet flasin se barra tatimore është rritur dy herë në vitin 2015 nëse matet me vitin 2005. Kështu, në 2015 mesatarisht çdo familje shqiptare kontribuoi me rreth 4.100 dollarë për buxhetin e shtetit për një nivel të ardhurash vjetore mesatare prej 4 herë më shumë se kontributi fiskal. Pra, kjo do të thotë se 25% e të ardhurave të familjes shkon në buxhetin e shtetit në pagim taksash, detyrimesh ndaj institucioneve të shtetit, për kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe pagesa të tjera. Kuptohet, që kjo peshë është më e rëndë për qytetet, sesa për fshatrat.
Ndërkohë, buxheti kërkon deri në 2 herë më shumë se kontributi fiskal aktual që jep çdo familje, në mënyrë që të shihet ndryshimi i ambientit ekonomik në vend. Nisur nga rritja ekonomike në dy vitet e fundit dhe nëse do të ketë qëndrueshmëri gjithmonë e më të madhe në sistemin fiskal në Shqipëri do të ketë rritje ekonomike me ritme të qëndrueshme për të arritur në kapacitetet që mundet realisht ekonomia. Shqiptarët mund të reagojnë më mirë ndaj politikave fiskale duke bërë ato ndryshime që vërtet stimulojnë treguesit makroekonomikë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.