Ekonomia dhe financat e paqëndrueshme: Sa vlejnë për ne?

ekonomi e paqendrueshme

Ekonomia dhe financat e paqëndrueshme: Sa vlejnë për ne?

Ekonomia jonë ka shumë kohë që është duke përjetuar një rënie afatgjatë të konkurrencës së saj të përgjithshme në tregun ndërkombëtar jo vetëm kundër ekonomive fqinje me ne, por edhe me vendet e tjera që janë pjesë e pellgut të Mesdheut.

E gjithë kjo marëdhënie e ekonomisë dhe tregut, tashmë prej dekadash e pabarabartë ka dhënë ndikim në mbajtjen e një deficiti të lartë në llogarinë e tregtisë në mallrat e përgjithshme dhe sherbimet.

Si mund të shihet edhe nga të dhënat e INSTAT për periudhën 2010-2020, bilanci negativ midis importeve dhe eksporteve vjen me një peshë të lartë 10 vite më parë (-22.7% e PBB-së) me tendencë rënie pas vitit 2011 duke arritur pikën më të ulët në vitin 2018.

Por menjëherë pas kësaj ka filluar rritja e lehtë. Ekonomia ka përjetuar luhatje veçanërisht të theksuara në konkurrencën e saj tregtare duke kuptuar, se vijon të mbetet veçanërisht e ekspozuar ndaj “goditjeve” të jashtme ekonomike, siç janë ekonomitë e vendeve të Bashkimit Europian, të cilët janë partnerët kryesorë të kërkesës për mallrat dhe shërbimet shqiptare, por edhe për arsye të luhatjes së eksporteve nga energjia dhe çmimeve të naftës dhe produkteve minerare.

Bilanci tregtar (Si % e PBB)20102011201220132014201520162017201820192020
Imp.-Exp.-20.6-22.7-18.6-18-18.9-17.3-16.8-15.1-13.7-13.8-15.4

Burimi: INSTAT

Nga ana tjetër, edhe pse vendimet për drejtimin e marëdhënieve ekonomike janë marrë rregullisht me fokus përfitimin ose mbrojtjen prej sektorit financiar, ajo çfarë ka rezultuar në fakt ka qenë një efekt që nuk ka shërbyer në interes të ekonomisë në kuptimin më të gjerë të saj.

Edhe sektori financiar nuk ka arritur të bëjë hapa përpara në drejtim të zgjerimit të tregut, si dhe rritjen e kreditimit për ekonominë me kosto më të ulët. Ndërkohë, kreditë jo performuese të sektorit financiar pas vitit 2016 kanë patur rënie të dukshme duke arritur në nivelin më të ulët të dekadës me -8.1%, Gusht 2020, kryesisht me ndikime edhe nga efektet e fatkeqësive natyrore.

Kreditë jo performuese20102011201220132014201520162017201820192020
Raporti-13.9-18.7-22.5-23.5-22.8-18.1-18.2-13.2-11.1-8.4-8.1

Burimi: BSH

Megjithatë, nisur nga informaliteti i lartë i ekonomisë paraja në qarkullim ende ndodhet me shumicë jashtë sektorit financiar. Në vitin 2019, paraja jashtë bankave ishte në nivele sa 22.1% e gjithë parasë gjithsej në qarkullim duke arritur përsëri nivele të larta, që nuk ishin përsëritur prej vitit 2009.

Në fakt duket se njerëzit kanë më pak besim në bankat dhe institucionet e tjera, të ndikuar tashmë edhe nga pasiguria që krijon situata pandemike. Ndërkohë, norma më të larta interesi për huatë për bizneset janë një tregues tjetër që tregon paqëndrueshmëri dhe mungesë besimi në eficencën e tregut financiar.

Nëse shikojmë kreditimin e vështirë për bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe ato të reja është një tjetër tregues e një tregu jo të qëndrueshëm. Kështu, Shqipëria renditet e fundit në rajon për nivelin e kreditimit në raport me PBB-në (te 33%) duke patur një rritje shumë të vogël të kreditimit nga viti në vit.

Sipas të dhënave fiskale të viteve të fundit është fakt, që ekonomia nuk është ndikuar nga deficiti buxhetor. Por ky fakt në analizën e marrëdhënieve të deficitit me dy krahët e buxhetit tregon “aneminë” fiskale të tij. Shpenzimet janë mbajtur nën kontroll dhe të përshtatura me performancën jo të mirë të të ardhurave duke realizuar ato pjesë të shpenzimeve që nuk kanë ndikuar në rritjen e mëtejshme të deficitit, si rrjedhojë janë mbajtur të kufizuara një pjesë e projekteve që kanë qenë të nevojshme të zhvillohen sipas parashikimit buxhetor.

Ekonomia në përgjithësi nuk është forcuar në gjithë këtë dekadë të fundit edhe pse është tentuar për ta përdorur sektorin financiar si mjet mbështetës, por përgjithësisht nisur nga problemet e “anoreksisë” dhe zhvillimit anemik të sektorit financiar janë përdorur për të financuar huadhëniet nga jashtë, nëpërmjet Eurobondit. Kjo huamarrje është në kohën e duhur, për sa kohë tregu financiar europian është në situata të vështira me kërkesën e tregut për para dhe natyrisht që kjo vlen për Shqipërinë, pasi është përfituar një borxh me pak kosto për ekonominë.

Por, kur përdorimi i borxhit të jashtëm në një pjesë të mirë të tij shkon për të paguar borxhet e vjetra dhe interesat korente do të jetë më i kushtueshëm në të ardhmen, për arsye të mosfutjes së tij në funksion të konkurueshmërisë ekonomike, por përgjithësisht në funksion të sistemit financiar.

Kjo do të thotë që modeli aktual i ekonomisë dhe tregut financiar rrezikon seriozisht të mos jetë në gjendje për të përballuar çdo goditje serioze të mëtejshme në sektorin financiar.

Kërcënimi i një rreziku të likuiditetit për Shqipërinë nuk është problematik, pasi kreditimi në fakt është me shumë probleme në ekspozimin e tij në tregun shqiptar duke u kërcënuar nga “sëmundjet” kronike të tregut, si: informaliteti, evazioni i ndjeshëm, si dhe niveli i korruptimit në çdo sektor të ekonomisë.

Meqenëse Shqipëria është veçanërisht e ndjeshme ndaj goditjeve të jashtme dhe kjo e bën situatën ekonomike të paqëndrueshme, në vetvete do të thotë që goditje të mëtejshme, të tilla si: ndikimi nga pandemia apo edhe fatkeqësitë natyrore që janë të pashmangshme, me gjasa do të ndikojnë për keq treguesit e bilancit tregtar, financiar dhe fiskal.

Politkëbërësit duket se nuk i kanë vlerësuar rreziqet që mund të ketë sektori financiar dhe si ndikon ai mbi ekonominë, duke dhënë efekte paqëndrueshmërie edhe për të ardhurat tatimore, që rrjedhin nga ato financiare.

Përfundimi i analizës na tregon se modeli aktual i ekonomisë është në thelb i paqëndrueshëm dhe është në rrezik të madh për të imponuar ngarkesa të mëtejshme thelbësore mbi tatimpaguesit e sotëm dhe të nesërm.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.