Diversifikim të zhvillimit të ekonomisë
Pas mbi katër vitesh rezultatesh pozitive financiare për investitorët në sektorin e naftës rënia e menjëhershme e çmimit të naftës në gjysmën e dytë të vitit 2014 dhe status quo e çmimit deri në nivelin 50 US.D për fuçi kanë ndikuar në vendimmarrjet e kompanive të kërkim-prodhimit. Përtej problemit të ambjentit të luhatur politik dhe ekonomik në Shqipëri, tregu ndërkombëtar implikoi qëndrime të shoqërive në vendburime të mëdha në shfrytëzim të reformonin statusin e tyre, si prodhues eksporti.
Shitjet e aksioneve të disa shoqërive kryesore tregojnë qartë problemin e uljes së normës së fitimit në terma afatmesëm. Tjetërsimi i pronësisë së kompanive prodhuese e gjeti politikën fiskale pa ndonjë rol të rëndësishëm në axhustimet që nevojiteshin për eksportuesit e naftës. Tashmë është lajmëruar se një paketë konsolidimi fiskal do të ndihmojë lehtësimin e barrës burokratike dhe forcimin e administrimit.
Rezultatet financiare të shoqërive eksportuese tregojnë se konsolidimi fiskal është një pjesë e rëndësishme në rikuperimin e bilancit të shitjeve për eksportuesit e naftës. Nëse këtë politikë do ta konvertonim në tregues të shprehur në vlerë, nga studimet e kryera rezulton se për 1% ulje të shpenzimeve qeveritare, ka një reagim në rritje të balancës tregtare me 0.3%.
Duke patur në konsideratë se varësia e ekonomisë në një masë të madhe të saj varet nga faktori i çmimit të ulur të hidrokarbureve, atëherë konsolidimi fiskal duhet të synojë diversifikim të sektorëve potencialë të ekonomisë.
Për tu arritur diversifikimi i ekonomisë duhet që më tej të forcohet stabiliteti makro ekonomik nëpërmjet përdorimit të harmonizuar të produktivitetit të industrisë nxjerrëse me industrinë elektro-energjetike në ekspansion, si dhe nxitjes së industrisë agrare në funksion të industrisë së turizmit duke krijuar baza furnizimi me cikël vjetor. Tranzicioni i diversifikimit ekonomik në këto drejtime zhvillohet duke i trajtuar ato si pjesë e vizionit, duke përdorur të njëjtën logjikë fiskale dhe financiare që përdoret për zonat e lira teknologjike dhe ekonomike.
Në këtë dinamikë të politikës, vlera e dialogut me elektoratin, si një produkt post fushate, me synimin që të bëhet pjesë efektive e strategjisë kombëtare për diversifikim të ekonomisë është mëse e nevojshme të përdoret për të shpejtuar diversifikimin.
Vlera e hartimit dhe miratimit të politikave për diversifikimin duket në faktin e përshtatjes sa më mirë me rrethanat specifike të ekonomisë.
Mjafton të kopjohet modeli i zhvillimit të vendeve rajonale në përputhje me kërkesat e qytetarëve për një Shqipëri që duhet të synojë mirëqenien më të lartë në rajon pas një dekade.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.