Çfarë zbulon Banka Botërore për modelin e rritjes ekonomike

Çfarë zbulon Banka Botërore për modelin e rritjes ekonomike

Shqipëria përballë testit të produktivitetit, nga rritja ekonomike te cilësia e zhvillimit

Raporti i Bankës Botërore Europe and Central Asia Economic Update: Making AI Work: Jobs, Firms, and Productivity, publikuar më 6 tetor 2026, e vendos zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në një kontekst më të gjerë rajonal, ku rritja ekonomike, produktiviteti, ndryshimet demografike dhe aftësia për të përdorur teknologjinë po bëhen gjithnjë e më të ndërvarura.

Ndryshe nga raporti i pranverës për Ballkanin Perëndimor, botimi i tetorit 2026 trajton Evropën dhe Azinë Qendrore si një hapësirë më të gjerë ekonomike. Ky raport shqyrton jo vetëm ritmin e rritjes, por edhe mundësinë që inteligjenca artificiale të përmirësojë produktivitetin e ndërmarrjeve, të lehtësojë kufizimet e fuqisë punëtore dhe të krijojë burime të reja të zhvillimit.

Sipas Bankës Botërore, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor pritet të rriten me 3,1% në vitin 2026, nga 2,6% në vitin 2025. Ky përmirësim i perspektivës rajonale bashkëjeton me një mjedis të jashtëm më të pasigurt, të karakterizuar nga çmime të larta të energjisë, dobësi të rritjes në Bashkimin Evropian dhe pasiguri në tregtinë ndërkombëtare.

Për Shqipërinë, ky kontekst e zhvendos vëmendjen te qasja që duhet të mbajë për ekonomi më produktive dhe konkurruese.

Turizmi, ndërtimi, konsumi dhe investimet mund të mbështesin aktivitetin ekonomik. Por që këto aktivitete të përkthehen në konvergjencë të qëndrueshme me Bashkimin Evropian, nevojiten ndërmarrje më produktive, punonjës me aftësi më të avancuara, eksporte më të qëndrueshme dhe institucione që krijojnë kushte të parashikueshme për investime.

Nga këndvështrimi i ALTAX, kjo është çështja që duhet të organizojë analizën, pra jo vetëm ecuria e treguesve makroekonomikë, por edhe aftësia e ekonomisë shqiptare për ta kthyer rritjen në kapacitet prodhues dhe zhvillim afatgjatë.

1. Tregu i punës, kufizimi demografik dhe potenciali i pashfrytëzuar

Banka Botërore e identifikon tkurrjen e popullsisë në moshë pune si një nga sfidat kryesore të Evropës dhe Azisë Qendrore. Plakja e popullsisë dhe emigrimi po pakësojnë ofertën e punës, ndërkohë që një pjesë e grave, të rinjve dhe individëve të tjerë mbeten jashtë tregut të punës për shkak të pengesave ekonomike dhe institucionale.

Në Ballkanin Perëndimor, këto zhvillime kanë rëndësi të veçantë. Mungesa e punonjësve mund të kufizojë zgjerimin e ndërmarrjeve, të rrisë kostot e rekrutimit dhe të ushtrojë presion mbi pagat. Në të njëjtën kohë, pjesëmarrja e ulët në tregun e punës kufizon potencialin e prodhimit dhe bazën mbi të cilën financohen shërbimet publike.

Raporti i tetorit thekson se, nëse normat e pjesëmarrjes në tregun e punës në rajon do të përputheshin me ato të vendeve të krahasueshme të Bashkimit Evropian, numri i personave që mund të hynin në tregun e punës do të rritej ndjeshëm. Për Ballkanin Perëndimor, raporti i posaçëm i pranverës vlerëson një potencial prej mbi 2,8 milionë punonjësish shtesë nëse pjesëmarrja do të arrinte nivelet e vendeve të krahasueshme të BE-së.

Ky vlerësim nuk duhet interpretuar si një numër personash që mund të punësohen menjëherë. Ai tregon madhësinë e potencialit të pashfrytëzuar, i cili kërkon politika për aftësitë profesionale, kujdesin për fëmijët dhe të moshuarit, përshtatjen e përfitimeve sociale dhe krijimin e kushteve më të favorshme për punësim.

Për Shqipërinë, kjo do të thotë se politika e punësimit duhet të shkojë përtej uljes së papunësisë. Nevojitet një vlerësim i njëkohshëm i pjesëmarrjes në tregun e punës, punësimit formal, emigrimit, aftësive dhe produktivitetit.

Rritja e pagës minimale dhe lehtësimi i kontributeve mund të kontribuojnë në formalizim, por nuk e zgjidhin vetvetiu problemin e mungesës së punonjësve. Efekti i tyre varet nga produktiviteti i ndërmarrjeve, kostoja e punës, kërkesa për aftësi dhe mundësia që individët të hyjnë e të qëndrojnë në tregun e punës.

2. Inteligjenca artificiale, si një mundësi për produktivitetin, por jo një zgjidhje automatike

Risia kryesore e raportit të tetorit është vendosja e inteligjencës artificiale në qendër të diskutimit për produktivitetin, firmat dhe punësimin.

Sipas Bankës Botërore, rreth një në pesë punonjës në Evropë dhe Azinë Qendrore punon në profesione të ekspozuara në mënyrë të konsiderueshme ndaj inteligjencës artificiale, veçanërisht punonjës të rinj dhe me arsim të lartë. Megjithatë, më pak se një në dhjetë firma në rajon e përdorin aktualisht këtë teknologji, kryesisht për detyra bazike.

Këta tregues i referohen rajonit të gjerë të Evropës dhe Azisë Qendrore, jo posaçërisht Shqipërisë. Megjithatë, ata ofrojnë një kornizë të dobishme për të analizuar sfidat e ekonomisë shqiptare.

Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në automatizimin e detyrave administrative, analizën e të dhënave, menaxhimin e inventarëve, shërbimin ndaj klientit dhe përmirësimin e proceseve të prodhimit. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përdorimi i saj mund të ulë disa kosto operacionale dhe të përmirësojë aftësinë për të konkurruar me kompani më të mëdha.

Por, teknologjia nuk prodhon automatikisht produktivitet. Përfitimet varen nga cilësia e të dhënave, aftësitë e punonjësve, organizimi i brendshëm, infrastruktura digjitale dhe mundësia për të financuar investimet. Pa këto kushte, adoptimi mund të mbetet sipërfaqësor, duke u kufizuar në përdorime të izoluara që nuk ndryshojnë realisht mënyrën e funksionimit të ndërmarrjes.

Për Shqipërinë, çështja është veçanërisht e rëndësishme për shkak të peshës së ndërmarrjeve të vogla, kufizimeve në financim dhe nevojës për të rritur produktivitetin pa u mbështetur vetëm në shtimin e numrit të punonjësve.

Një program efektiv për transformimin digjital duhet të ndërthurë trajnimin, qasjen në teknologji, financimin e investimeve dhe përmirësimin e menaxhimit. Mbështetja publike duhet të vlerësohet sipas rezultateve të matshme, si ulja e kostove për njësi produkti, rritja e shitjeve, përmirësimi i cilësisë dhe zgjerimi i eksporteve.

Nga këndvëstrimi jonë, inteligjenca artificiale duhet trajtuar si instrument i politikës së produktivitetit, jo thjesht si temë e digjitalizimit. Pyetja kryesore është nëse teknologjia ndihmon ndërmarrjet shqiptare të prodhojnë më shumë vlerë me burimet që kanë në dispozicion.

3. Pagat dhe produktiviteti mbeten sfida e konkurrueshmërisë

Rritja e pagave është e rëndësishme për të ardhurat e familjeve dhe për tërheqjen e punonjësve. Megjithatë, që ajo të jetë e qëndrueshme, duhet të mbështetet nga rritja e produktivitetit.

Kur pagat rriten më shpejt se produktiviteti për një periudhë të gjatë, kostoja e punës për njësi produkti mund të rritet, duke ushtruar presion mbi marzhet e ndërmarrjeve dhe konkurrueshmërinë e eksporteve. Ky efekt varet nga sektori dhe nga mundësia për të përmirësuar proceset, për të përdorur teknologji dhe për të rritur vlerën e produkteve e shërbimeve.

Nga ana tjetër, konkurrueshmëria e Shqipërisë nuk mund të mbështetet pafundësisht te kostot e ulëta të punës. Emigrimi dhe mungesa e aftësive tregojnë se një strategji e tillë mund të dobësojë aftësinë e ndërmarrjeve për të ruajtur punonjësit dhe për të zgjeruar aktivitetin.

Për këtë arsye, analiza e pagave duhet të lidhet me investimet, produktivitetin për punonjës, kostot për njësi produkti dhe performancën eksportuese. Pa këtë lidhje, rritja e pagave mund të vlerësohet gabimisht, qoftë si sukses i pakushtëzuar, qoftë si kërcënim për biznesin.

Raporti i tetorit e forcon këtë argument duke vënë në dukje potencialin e inteligjencës artificiale për të përmirësuar efikasitetin dhe për të zbutur ndikimin e tkurrjes së popullsisë në moshë pune. Megjithatë, kjo mundësi realizohet vetëm kur teknologjia shoqërohet me aftësi profesionale dhe përshtatje të proceseve të punës.

Për politikën ekonomike shqiptare, objektivi duhet të jetë krijimi i kushteve që pagat të rriten mbi baza më produktive. Kjo kërkon arsim dhe formim profesional më të lidhur me tregun, investime në teknologji dhe një mjedis fiskal që nxit investimet afatgjata.

4. Turizmi dhe ndërtimi mbeten burime të rritjes që kërkojnë lidhje më të forta me prodhimin vendas

Turizmi dhe ndërtimi kanë qenë ndër sektorët që kanë mbështetur aktivitetin ekonomik të Shqipërisë. Turizmi sjell të ardhura nga jashtë, krijon kërkesë për shërbime dhe mbështet punësimin. Ndërtimi ndikon në investime, pasuri të paluajtshme dhe aktivitetin e sektorëve të lidhur.

Megjithatë, rritja e këtyre sektorëve nuk duhet ngatërruar me diversifikimin e ekonomisë. Nëse zgjerimi i shërbimeve nuk shoqërohet me zhvillimin e industrisë, agropërpunimit, teknologjisë dhe eksporteve me vlerë të shtuar më të lartë, ekonomia mund të mbetet e ekspozuar ndaj ndryshimeve të kërkesës së jashtme dhe cikleve të investimeve.

Turizmi duhet të krijojë lidhje më të forta me prodhimin vendas, përfshirë bujqësinë, industrinë ushqimore, transportin, shërbimet profesionale dhe teknologjinë. Kjo rrit mundësinë që më shumë vlerë e shtuar të mbetet në ekonominë shqiptare.

Po kështu, investimet në ndërtim duhet të vlerësohen jo vetëm për kontributin e tyre në aktivitetin ekonomik, por edhe për ndikimin mbi produktivitetin, infrastrukturën dhe përdorimin e kapitalit. Rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme, për shembull, nuk është e barabartë me rritjen e kapacitetit prodhues.

Në këtë kuadër, inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi mund të ndihmojnë në përmirësimin e menaxhimit të turizmit, logjistikës, shërbimeve dhe proceseve të ndërmarrjeve. Por këto përfitime kërkojnë investime, aftësi dhe standarde të përshtatshme.

Sipas këndvështrimit të ALTAX, ekonomia duhet të ruajë potencialin e turizmit, por njëkohësisht të zgjerojë bazën prodhuese dhe eksportuese. Suksesi nuk duhet të matet vetëm nga numri i vizitorëve apo vlera e investimeve, por edhe nga produktiviteti dhe vlera e shtuar që krijohen brenda vendit.

5. Reformat dhe mjedisi i biznesit duhet të transformohen nga procedurat te kapaciteti për të konkurruar

Përmirësimi i administrimit ekonomik dhe i procedurave është një kusht i rëndësishëm për investimet. Licencat më të shpejta, procedurat doganore më efikase dhe institucionet fiskale më të afta mund të ulin kostot administrative dhe të rrisin parashikueshmërinë për bizneset.

Por koha e një procedure nuk mat të gjithë cilësinë e mjedisit të biznesit. Ndërmarrjet kanë nevojë edhe për konkurrencë efektive, siguri juridike, zbatim të kontratave, transparencë dhe qasje në financim.

Një ekonomi mund të përmirësojë procedurat administrative pa zgjidhur pengesat që kufizojnë rritjen e ndërmarrjeve. Nëse bizneset nuk kanë kapital për të investuar, aftësi për të përdorur teknologjinë ose mundësi për të hyrë në tregje të reja, përfitimet nga thjeshtimi procedural mbeten të pjesshme.

Raporti i tetorit shton një dimension të ri në këtë diskutim: cilësia e menaxhimit dhe aftësitë bazë janë ndër kushtet që përcaktojnë nëse firmat mund ta përdorin inteligjencën artificiale në mënyrë produktive. Pra, transformimi teknologjik nuk është vetëm çështje pajisjesh apo softuerësh, por edhe e kapaciteteve organizative.

Ne mendojmë, se kjo do të thotë që reformat e mjedisit të biznesit duhet të ndërthurin administrimin më të mirë, konkurrencën, financimin e ndërmarrjeve dhe zhvillimin e aftësive. Përmirësimet procedurale duhet të shoqërohen me rezultate të matshme në investimet private, rritjen e ndërmarrjeve dhe performancën eksportuese.

6. Politika fiskale duhet të synojë financimin e transformimit pa dobësuar qëndrueshmërinë

Qëndrueshmëria fiskale mbetet kusht për stabilitetin makroekonomik dhe për aftësinë e shtetit për të përballuar goditjet. Megjithatë, politika fiskale duhet të vlerësohet jo vetëm nga niveli i borxhit apo i deficitit, por edhe nga cilësia e shpenzimeve dhe ndikimi i tyre në kapacitetin prodhues.

Investimet në arsim, formim profesional, infrastrukturë, digjitalizim dhe institucione mund të ndihmojnë në rritjen e produktivitetit, nëse përzgjidhen dhe zbatohen në mënyrë efektive. Në të kundërt, shpenzimet që nuk krijojnë kapacitet të qëndrueshëm mund të kufizojnë hapësirën për politika zhvillimore në të ardhmen.

Raporti i tetorit thekson se masat e përkohshme të qeverive për të zbutur ndikimin e kostove më të larta të energjisë kanë ndihmuar familjet dhe firmat, por në disa vende kanë shtuar presionin mbi financat publike. Ky vlerësim nënvizon nevojën për të dalluar mbështetjen e përkohshme nga reformat që rrisin produktivitetin dhe rezistencën e ekonomisë.

Për Shqipërinë, një politikë fiskale e qëndrueshme duhet të sigurojë hapësirë për investime produktive dhe njëkohësisht të shmangë masa që krijojnë kosto të vazhdueshme pa rezultate të qarta. Lehtësimet tatimore, subvencionet dhe programet e financimit duhet të vlerësohen sipas ndikimit mbi formalizimin, investimet, punësimin dhe produktivitetin.

Një element gjithnjë e më i rëndësishëm është edhe mbështetja për transformimin digjital të ndërmarrjeve. Kjo nuk nënkupton subvencionimin e pakushtëzuar të teknologjisë, por krijimin e instrumenteve që ndihmojnë firmat të investojnë në aftësi, sisteme dhe procese që përmirësojnë performancën e tyre.

Ne mendojmë, se politika fiskale duhet të kalojë nga mbështetja e aktivitetit ekonomik në përgjithësi drejt instrumenteve të vlerësueshme që nxisin produktivitetin, investimet private dhe zgjerimin e bazës prodhuese.

7. Eksportet dhe konkurrueshmëria kanë nevoja për kapacitete më të qëndrueshme

Eksportet janë një tregues i rëndësishëm i aftësisë së ekonomisë për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare. Për Shqipërinë, turizmi ka mbështetur eksportet e shërbimeve, por zhvillimi i eksporteve të mallrave dhe diversifikimi i produkteve mbeten thelbësore për të zgjeruar bazën e të ardhurave nga jashtë.

Konkurrueshmëria nuk përcaktohet vetëm nga çmimi apo kostoja e punës. Ajo varet nga cilësia, teknologjia, aftësia për të respektuar standardet, logjistika dhe qëndrueshmëria e marrëdhënieve me blerësit ndërkombëtarë.

Në këtë drejtim, digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale mund t’u japin ndërmarrjeve mundësi për të përmirësuar proceset, për të analizuar tregjet dhe për të menaxhuar më mirë zinxhirët e furnizimit. Por përfitimet kërkojnë kapacitete të brendshme që nuk krijohen vetëm përmes blerjes së teknologjisë.

Politikat për eksportet duhet të mbështesin modernizimin e ndërmarrjeve, formimin profesional, standardet e cilësisë dhe qasjen në financim. Njëkohësisht, ato duhet të nxisin krijimin e produkteve dhe shërbimeve me vlerë të shtuar më të lartë, në vend që të mbështeten kryesisht te kostot e ulëta.

Për ALTAX, ky është një nga mekanizmat kryesorë për ta lidhur analizën e Bankës Botërore me politikën ekonomike shqiptare. Rritja e produktivitetit duhet të shihet në rezultatet e ndërmarrjeve, në qëndrueshmërinë e eksporteve dhe në aftësinë e tyre për të ruajtur tregjet.

Raporti i tetorit 2026 i Bankës Botërore e zgjeron kuadrin e analizës së ekonomisë shqiptare. Krahas zhvillimeve makroekonomike, ai vë në qendër produktivitetin, kapacitetin e firmave për të përdorur teknologjinë dhe nevojën për të kompensuar kufizimet demografike përmes aftësive dhe organizimit më të mirë të punës.

Nga këndvështrimi i ALTAX, pesë prioritete dalin në plan të parë:

  1. Produktiviteti si objektiv i politikës ekonomike, pra matja e rezultateve të investimeve, teknologjisë dhe formimit profesional.
  2. Pjesëmarrja më e lartë në tregun e punës me politika që ulin pengesat për gratë, të rinjtë dhe grupet e tjera që mund të kontribuojnë në ekonomi.
  3. Adoptimi produktiv i inteligjencës artificiale, duke u bazuar te mbështetja e aftësive, menaxhimit dhe investimeve që sjellin rezultate të matshme për firmat.
  4. Diversifikimi i modelit ekonomik, tema më e prekur gjatë viteve të fundit, pasi nevojitet realisht forcimi i lidhjeve midis turizmit, prodhimit vendas, industrisë dhe eksporteve me vlerë të shtuar.
  5. Politika fiskale me orientim zhvillimor, që do të thotë ruajtja e qëndrueshmërisë së financave publike dhe përdorimi më efektiv i burimeve për të zgjeruar kapacitetin prodhues.

Përfundimisht, ne mendojmë se sfida e ekosomisë sonë nuk është vetëm të ruajë rritjen ekonomike, por të rrisë aftësinë e ekonomisë për të prodhuar më shumë vlerë me burimet që ka në dispozicion. Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në këtë proces, por nuk zëvendëson reformat institucionale, investimet, aftësitë profesionale dhe një mjedis biznesi të parashikueshëm.

Stabiliteti makroekonomik krijon kushtet për zhvillim dhe produktiviteti përcakton sa larg mund të shkojë ai zhvillim, çka përbën testin kryesor të fazës së ardhshme të konvergjencës ekonomike me Bashkimin Evropian.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.