Çfarë mblodhi dhe si i shpenzoi paratë Bashkia e Tiranës, në 2018?
Diskutimet pa të dhëna dhe pa u orientuar në ato elementë, që duhet realisht të ballafaqohen dhe analizohen nuk mund të tregojnë dot rëndësinë e pushtetit vendor dhe efektivitetin e administrimit të tij. Nga analiza e publikuar në fund të Marsit 2019 nga ALTAX lidhur me barrën fiskale të bashkive dhe qarqeve në Shqipëri në vitin 2018, ka përzgjedhur Bashkinë e Tiranës, për të treguar realisht se sa të ardhura janë mbledhur, si dhe përbërja e tyre, sipas strukturës. Por, këto të ardhura janë sqaruar edhe se ku kanë përfunduar, pa hyrë në detaje analitike lidhur me njësitë, por vetëm në nivel bashkie.
Të ardhurat gjithsej të Bashkisë Tiranë, në 2018 (16.3 miliard lekë, ose 127 milion Euro) përbëhen nga të ardhurat nga taksat me 54% peshë ndaj gjithë të ardhurave. Ndërsa, të ardhurat jotatimore (tarifa, të ardhura nga asetet në pronësi etj.) zënë 26% të totalit të të ardhurave. Një nivel prej 7% të të ardhurave janë trashëguar nga mospërdorimi në vitet e kaluar duke u mbartur në buxhetin e vitit 2018. Ndërkohë, vetëm 13% e të ardhurave furnizohen nga buxheti i shtetit, në formën e transfertave. Për 4 vitet e fundit të ardhurat nga taksat dhe tarifat bashkiake (të ardhurat e mbledhura nga bashkia me burimet e veta) janë 19.4 miliard lekë, apo 147 milion Euro. Të ardhurat në vitin 2018 janë 2.2 herë më të larta se në vitin 2014. Për të njëjtën periudhë krahasuese, investimet dhe mirëmbajtja janë 2.7 herë më të larta.
Në një prerje tërthore, për të analizuar se si përbëhen të ardhurat e mbledhura nga burimet e veta në vitin 2018 rezulton se:
- 23% mblidhen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë (21 milion Euro)
- 19% mblidhen nga tarifa e pastrimit (17.7 milion Euro)
- 16% mblidhen nga taksa e pasurisë (14.7 milion Euro)
- 8% mblidhen nga taksa infrastrukturës arsimore (7 milion Euro)
- 4% mblidhen nga taksë tabele (4 milion Euro)
- 4% mblidhet nga tarifa e parkimi (4 milion Euro)
- 2% mblidhet nga Tatimi thjeshtuar B.V (2 milion Euro)
- 24% e të ardhurave janë nga të ardhura të tjera të bashkisë, si qera, pagesat e kopshteve, çerdheve etj. (22.2 milion Euro).
Të ardhurat e mbledhura në vitin 2018 paraqiten me një shpërndarje sipas zërave më kryesorë që përbëjnë bilancin. Mbi 42% e të ardhurave gjithsej (ku përfshihen taksat bashkiake dhe transferta nga buxheti) shkojnë për investime në drejtime të ndryshme sektoriale, si: arsim, shëndetësi, rrugë, vepra kulturore dhe sportive.
Në 2014 investimet e realizuara janë 28.5 milion Euro, ndërsa të ardhurat nga taksat e mbledhura në arkën e Bashkisë janë 22.8 milion Euro, ose sa 53% e nivelit të investimeve 2018 (53.4 milion Euro).
Në 2016 janë realizuar 36.5 milion Euro investime, ndërsa të ardhurat e mbledhura nga taksat bashkiake janë 48.7 milion Euro.
Ne 2017 janë realizuar 44.4 milion euro investime, ndërsa të ardhurat e mbledhura nga taksat bashkiake janë 53.1 milion Euro.
Për mirëmbajtjen e aseteve të ndryshme që janë në inventarin e Bashkisë (rrugë, kopshte, shkolla, kënde sportive, shtëpi sociale etj.) përdoren 28% e të ardhurave, ku natyrisht përfshihen edhe shpenzimet që bën vetë stafi i punonjësve për të realizuar shërbimet e ndryshme dhe aktivitetet. bashkiake. Raporti investime ndaj mirëmbajtje është 1.5 me 1.
Pagat e gjithë punonjësve të Bashkisë Tiranë, si dhe gjithë njësive administrative dhe institucioneve vendore në vartësi të saj kanë një kosto sa 22% të të ardhurave të mbledhura dhe 4% janë shpenzuar për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore duke u rikthyer në buxhet të shtetit sipas skemës së kontributeve.
Interesat për huatë e marra bashkë me disa kosto për transferim asetesh kanë kushtuar për qytetarët e Tiranës sa 2% e gjithë të ardhurave, si dhe po 2% e të ardhurave (2.3 milion Euro) janë transferuar te individë të ndryshëm në nevojë dhe për qëllime të veçanta sipas vendimeve të Bashkisë të kaluara edhe në Këshillin Bashkiak.
Nëse i analizojmë investimet sipas destinacionit të tyre të shpërndara në secilin nga sektorët e planifikuar për të patur kontribute nga buxheti i Bashkisë Tiranë, shikohet se për shërbimet publike të bashkisë Tiranë janë shpenzuar 23% e fondit të investimeve dhe mirëmbajtjes (29.3 milion Euro). Mirëmbajtja e rrugëve dhe transporti urban kanë përfituar investime dhe meremetime, sa 19% e gjithë shumës së destinuar nga Bashkia për investime dhe mirëmbajtje (23.7 milion Euro).
Në vend të tretë renditen investimet për institucionet e edukimit parashkollor dhe shkollor me 10% të totalit të fondeve të destinuara për investim dhe mirëmbajtje (13.2 milion Euro). Për investimet në institucionet dhe ambjentet ku punon stafi bashkiak janë destinuar 6% e gjithë fondeve investuese dhe të mirëmbajtjes (8.2 milion Euro).
Një vend të konsiderueshëm për investimet zënë ato për strehimin social me 9% të gjithë shpenzimeve për investime (10.9 milion Euro). Ndërkohë, destinacione të tjera ku janë shpenzuar paratë për investime janë për sigurinë dhe rendin publik të zonës territoriale të bashkisë, për ambjente dhe aktivitete kulturore (1% e totalit), si dhe për kënde sportive dhe aktivitete rinore (1% e totalit).
Nga kjo analizë e të ardhurave dhe shpenzimeve shikohet se paratë janë brenda territorit të Bashkisë dhe janë përdorur në masën më të madhe për investime dhe mirëmbajtje të pronës që zotëron bashkia. Ndërkohë, eficenca e përdorimit të fondeve duket në nivelin e rritur të investimeve (185.6 milion Euro) për 4 vitet e fundit që janë në një tendencë më të lartë se paratë e mbledhura nga taksat (147 milion Euro).
Natyrisht, që lekët e investuara më shumë se shuma e taksave të grumbulluara nga administrata vendore janë marrë nga fondet e transfertës së buxhetit, por edhe nga pjesë të caktuara që i përkasin tarifave të pastrimit, tabelës dhe parkimit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.