Çfarë efekti përcjellin te ne vendimet e Bordeve të kontrollit të çmimeve?

Çfarë efekti përcjellin te ne vendimet e Bordeve të kontrollit të çmimeve?

Me miratimin me akt normativ të ngritjes së Bordit të Administrimit të Karburanteve[1] dhe Bordit Transparencës për Çmimet Bazë (për produktet ushqimore)[2], tregu dhe ekonomia në masë të madhe kanë hyrë në një nivel kombëtar të kufizimit të vendimarrjes së bizneseve nga faza e e prodhimit deri te faza e tregtimit. Praktikisht këto vendime për karburantet prekin gjithë zinxhirin e furnizimit. Ndërsa, për tregun e produkteve ushqimore bazë vendimi I qeverisë prek zinxhirin e prodhimeve dhe tregtimeve në ekonomi.

Zyrtarët më të lartë të qeverisë Rama 3 bashkë me vetë Nr.1 të saj kanë shfaqur me vendime të njëpasnjëshme shqetësimin në rritje për frenimin e tendencave të rritjes së çmimeve nga importimi i çmimeve të diktuara nga tregjet e huaja. Rritjet e mprehta të çmimeve të disa mallrave, si: lëndë djegëse (naftë, benzinë, gaz), si dhe disa mallra ushqimore dhe shërbime janë interpretuar në shumë qarqe të jetës së vendit si paralajmërim i një rritje të përgjithshme të çmimeve dhe kostove të jetesës duke fajësuar edhe qeverisjen.

Nëse kthehemi mbrapa 6 muaj më përpara dhe shikojmë rritjen e çmimeve duke filluar nga sezoni i verës së vitit të kaluar[3] ne kuptojmë se kemi paguar më tepër për ushqime, lëndë të para për prodhimet, si dhe më tepër për makina dhe shërbime.

Në këto kushte të rritjes së çmimeve në një treg vendas të shtrembëruar nga mungesa e konkurencës, prania e informalitetit dhe ndërhyrjeve të qeverisë qendrore dhe vendore me tarifa dhe pagesa të ndryshme pa u thelluar në efektet që vijnë nga ndërveprimi i elementëve të tregut është normale për çdo ekonomist që të shprehet kundër përcaktimit të çmimeve nga qeveria.

Ndërhyrja në treg me vendime të Bordeve, të krijojnë perceptimin se janë dublim i institucioneve aktuale. Por një frenim i tillë në kushtet e mosmarrjes së masave parandaluese ka një ndikim në prishjen e balancave të tregut. Madje sipas perceptimit të disa ekspertëve të njohur të politikave fiskale, ky moment aktual ngjan sikur të jemi në rrethanat e një “…ekonomie të “alkoolizuar” që i kufizohet lëvizja nga bordet e miratuara nga Qeveria, njësoj si polici rrugor që të kontrollon në rrugë për drejtim mjeti në gjendje të dehur…“.

Efekti parësor që ka dhënë prej pak ditësh me vendimet e tij Bordi për Transparencën e çmimit të karburanteve është ai i kufizimit të xhiros dhe furnizimit me karburant në biznesin e sektorit në jo të njëjtën mënyrë. Pikat e pakicës, të cilat kanë ndërtuar marëdhënie kontraktore bazuar mbi planet e tyre tashmë vendosen përballë një konkurence edhe më të fortë se më përpara.

Efekti dytësor është se kontrollet e çmimeve do të çojnë në favorizime të bizneseve. Konkurenca në treg mund të bëhet edhe më e padrejtë për një segment të caktuar të pikave të tregtimit me pakicë, pasi atyre mund tu përkeqësohet situata financiare, por edhe qarkullimi. Ndërhyrja në vendimarrjen e biznesit të shitjeve me pakicë dhe shumicë, duke konsideruar një kohëzgjatje jo më shumë se disa mujore të “ngrirjes” së fitimeve do të shkaktojë mungesa dhe ndoshta mund të përkeqësojë problemet e zinxhirit të furnizimit.

Ndërsa e mira ekonomike është se  vetëm përkohësisht do të reduktojë inflacionin.

E njëjta ecuri do të ndodhë edhe për tregun e prodhimit dhe tregtimit të produkteve bazike të shportës.

Ky ndikim në fakt nuk do të kufizohet vetëm për këto produkte dhe bizneset që operojnë me to, por do të shtrihet edhe te furnizuesit e tyre, të cilët së bashku do të ndeshen me probleme të  likujditetit dhe pamundësisë për të paguar në kohë për furnizimet.

Me sa duket për të patur një mburojë për efektet si pasojë e vendimeve, qeveria duhet të reflektojë edhe njëherë mbi gjithë:

  • raportet e institucioneve të pavarura mbikqyrëse lidhur me situatën e tregut,
  • analizat mbi marëdhëniet e punës dhe informalitetit,
  • raportet e Fondit Monetar dhe organizatave të biznesit për nivelin e evazionit dhe ambjentit të biznesit,
  • raportet e Bankës së Shqipërisë lidhur me situatën e Lekut në treg dhe këmbimit të tij, i ndikuar nga importi dhe
  • paqartësitë e sistemit financiar që prej kohësh ka treguar probleme të kreditimit dhe rritjen e borxheve të brendshme midis bizneseve shqiptare.

Qëndrimi ndaj kontrolleve të çmimeve duket të jetë i ngjashëm me vendimarrjet që kanë deklaruar qeveritë e ndryshme nëpër botë. Kontrollet e kufizuara të çmimeve janë të pranishme sot në ekonominë europiane dhe amerikane. Por, ata janë të ndikuar shumë më fuqishëm nga sanksionet që kanë vendosur dhe dimensionet e ekonom ive të tyre vuajnë pasoja të një modeli dhe strukture ekonomie që nuk është ende e formuar njësoj në Shqipëri.

Pavarësisht presionit në rritje nga qytetarët shqiptarë, për disa arsye që qeveria nuk ka asnjë ndikim, duhet parë me shumë qetësi dhe me llogaridhënie të detajuara për efektet që do të vijnë prej masave që po shpallen për të minimizuar mbajtjen përgjegjëse të qeverisë për masa që nuk ka zbatuar në kohë apo të plota.

Në ditët që kemi kaluar dhe ato që do të vijnë duket se gjithë këto masa dhe vendime janë duke presuar fort ndaj familjeve të klasës së mesme që po e ndjejnë dhimbjen e rritjes së çmimeve më shumë se të pasurit.

Megjithatë një ide për të shpërndarë koston e masave frenuese të çmimeve mund të analizohet nga pjesëmarrësit në Borde për kontrollet e çmimeve që për një gamë të gjerë mallrash në Shqipëri tashmë nën këtë kontroll duhet të orientohen jo vetëm duke u vendosur tavan, por edhe një dysheme çmimesh për disa shpenzime që ato bëjnë. Në këtë drejtim, një nevojë për vendosje dyshemeje duhet të përfshijë zinxhirin e blerjeve (kostove) në bizneset që u “ngrijnë” fitimet duke aplikuar dysheme çmimi blerje, ose shtyrje në kohë të mëvonshme të pagesave për ata që u shesin atyre mallra dhe shërbime të tjera, si p.sh. qeraja e ambjentit, kostot e energjisë dhe gazit, kostot e tarifave institucionale dhe taksave vendore etj.

Kjo masë kundërvepruese në respekt të “ngrirjes” së fitimeve duhet të vlejë për të mos dekurajuar bizneset të prodhojnë/shesin më pak një produkt, duke synuar në mosprishjen e strukturës aktuale të tregut dhe ekonomisë, ku disa biznese janë të ndrydhur dhe disa të tjerë jo.

Ekonomia shqiptare nuk mund të ndahet në dy grupe biznesesh, pasi vetë ekonomia ndërvepron mes vetes dhe nuk arrin dot të kufizohet kjo marëdhënie. Por ndërkohë kjo prish balancat e tregut aktual duke favorizuar më të fuqishmit për të rritur ndikimin e tyre në treg, por edhe rrezikun e vërshimit të parasë informale.

Në fund të fundit mund të krijohen edhe mungesa në treg dhe kjo jo vetëm për faj të mungesave nga importi.

Një rregull i mirë për të menduar, siç thekson Davis R. henderson dhe Charles L. Hooper është se “për të shpjeguar një ndryshim në një variabël, duhet të tregoni një ndryshim në një variabël tjetër. Për shkak se lakmia për rritje çmimesh (sado e përcaktuar) është relativisht konstante, nuk është një mënyrë e mirë për të shpjeguar një ndryshim”.[4]

Në kushtet e një ekonomie shqiptare me sistem financiar jo të zhvilluar, me ekonomi ende në strukturim dhe me pamundësi të politikave subvencionuese më shumë sesa 7 masat buxhetore[5], që tashmë u shpallën duhet të kërkojë zgjidhje në vënien në funksion të plotë të institucioneve monitoruese dhe ligjzbatuese, të cilat kanë ndikimin e tyre të madh në një situatë si kjo që po kalojmë. Ndërkohë, pjesë plotësuese e zgjidhjes mund të jetë edhe një politikë tatimore nxitëse dhe lehtësuese, por me rezerva të mëdha në kushtet e informalitetit.

Por, duke patur parasysh kapacitetet e mangëta të qeverisjes për arsye të vendimarrjeve përjashtuese[6] nga drejtuesit politikë të qeverisjes socialiste (një konstante e pandryshuar që prej qeverisjes demokratike)  nevojitet që të koordinohet ky moment i qeverisjes me sektorin privat dhe ekspertët e gjithë sektorëve duke përfshirë sa më shumë kontribuesë.

Në kushtet kur inflacioni mundet të arrijë nivele më të larta[7], qeveria duhet të angazhojë një gjithpërfshirje në ndihmë të ekonomisë bashkë me analizën nga ekspertët që të  kontribuojnë me të paktën mosmarrjen e vendimeve të mëtejshme në kushtet e presionit të rritur publik.

Gjithpërfshirja është një hap drejt transparencës më të madhe dhe kalimit të kësaj situate që ndikohet edhe nga shtrenjtimi i tregjeve të huaja.

[1] https://ata.gov.al/2022/03/14/rregullat-e-funksionimit-te-bordit-te-administrimit-te-hidrokarbureve/
[2] https://top-channel.tv/2022/03/17/rama-do-te-krijojme-bord-per-cmimet-e-produkteve-ushqimore-baze-kush-abuzon-do-ia-konfiskojme-produktet/
[3] https://www.monitor.al/vala-e-rritjes-se-cmimeve-ne-vend-nga-po-vjen-dhe-sa-do-te-vazhdoje/
[4] https://www.hoover.org/research/price-controls-still-bad-idea
[5] https://dosja.al/7-pikat-e-rames-open-data-nuk-jane-masa-por-kosto-shtese-buxhetore/
[6] https://top-channel.tv/2021/06/08/top-story-mbi-108-mln-euro-demi-financiar-i-shkaktuar-nga-largimet-e-padrejta1/
[7] https://finance.yahoo.com/news/out-of-control-inflation-could-see-the-fed-get-more-aggressive-morning-brief-100814540.html

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: