Brishtësia menaxheriale, pengesa e padukshme e ekonomisë shqiptare
Në çdo diskutim për zhvillimin ekonomik në Shqipëri, fjala “biznes” përmendet shpesh investime, taksa, startup-e, eksport, subvencione. Por ajo që mbetet jashtë vëmendjes, ndonëse ndikon thellësisht në suksesin apo dështimin ekonomik, është cilësia e menaxhimit të bizneseve. Ky nuk është thjesht një aspekt teknik – është një kufizim strukturor, një pengesë e rrënjosur që po e ndalon ekonominë shqiptare të rritet, të përballet me krizat dhe të jetë konkurruese në rajon e më gjerë.
Një sistem i ndërtuar mbi mikro-biznese të pambështetura
Ekonomia shqiptare dominohet nga ndërmarrje mikro dhe të vogla, mbi 95% e totalit, të cilat zakonisht drejtohen nga vetë pronarët, me staf minimal dhe mungesë funksionesh të ndara (menaxhim, marketing, financë, burime njerëzore). Biznesi familjar, që është forma mbizotëruese, krijon varësi të madhe nga një individ ose familje, duke e bërë menaxhimin emocional, intuitiv dhe shpesh të paformalizuar.
Këto biznese janë të ndërtuara mbi logjikën e mbijetesës, jo zhvillimit. Vendimmarrja mbështetet te intuita, përvoja personale dhe emocionet, ndërsa dokumentimi financiar është minimal dhe informal.
Mungesa e kapitalit njerëzor të kualifikuar dhe e një tregu kapitali funksional bën që këto biznese të mos rriten përtej një mase të vogël, duke u bërë të mbyllura ndaj investimeve, inovacionit dhe partneriteteve strategjike.
Humbja e një brezi rritjeje: Pse SME-të nuk zhvillohen?
Ka një diferencë thelbësore mes sipërmarrjes fillestare dhe aftësisë për ta kthyer atë në një ndërmarrje të qëndrueshme. Ajo që mungon nuk është ideja apo vullneti për të bërë biznes, por kapaciteti për të strukturuar rritjen nëpërmjet planeve strategjike, vlerësimit të riskut, organizimit të burimeve njerëzore dhe transparencës financiare.
Bizneset shqiptare shpesh:
- nuk kanë plane afatmesme ose afatgjata;
- nuk përdorin indikatorë të performancës (KPI);
- nuk bëjnë auditim apo analizë risku;
- nuk ndajnë përgjegjësitë në menaxhim.
Kjo krijon një sistem të brishtë, ku krizat (si pandemia apo inflacioni) godasin më fort se sa në çdo vend tjetër të rajonit, pikërisht për shkak të mungesës së planeve për vazhdimësi (business continuity plans). Pa këto elemente, asnjë grant, subvencion apo treg i hapur nuk e garanton suksesin.
Shqipëria jashtë hartës së qeverisjes moderne të biznesit
Ndërsa në Europë dhe rajon ndarja mes pronësisë dhe drejtimit ekzekutiv është bërë normë, në Shqipëri ajo shihet si luks. Ndërtimi i bordeve këshillimore, përdorimi i standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar (IFRS), ose kualifikimi i burimeve njerëzore mbeten përjashtime, jo rregull.
Për rrjedhojë, Shqipëria nuk është vetëm më pak konkurruese, por është edhe më pak rezistente ndaj tronditjeve ekonomike.
Mungesa e tyre në pjesën më të madhe të ekonomisë pengon aksesin në financim serioz, ndërtimin e besimit me investitorët, dhe rritjen përtej një kufiri familjar.
Kush duhet të veprojë dhe si?
1. Vetë bizneset nëpërmjet ndryshimit të kulturës së menaxhimit
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) duhet të kalojnë nga modeli i “menaxhimit me ndjesi dhe perceptime” në menaxhim të bazuar në të dhëna dhe analiza.
Ato duhet të investojnë në menaxherë të trajnuar, jo vetëm të besuar.
Edhe në përmasa të vogla, mund të krijohen struktura të thjeshta qeverisjeje, si komitete ose këshilla këshillimore.
2. Shtetiv ndërkohë duhet të iniciojë politika që stimulojnë qeverisjen e mirë
Politikat fiskale dhe programet mbështetëse (grante, subvencione, kredi të buta) duhet të lidhen me nivelin e organizimit të brendshëm të firmës.
Shteti mund të nxisë përdorimin e certifikimeve të menaxhimit (ISO, B-Corp, etj.) si kusht për përfitime.
Përmes bashkëpunimit me universitetet, mund të ngrihen qendra për edukimin dhe trajnimin e menaxherëve lokalë, veçanërisht për sektorët prioritarë.
3. Organizatat e biznesit dhe dhomat tregtare të promovojnë rrjetëzimin dhe mentorimin
Organizata e biznesit mund të ofrojnë mentoring nga biznese më të mëdha për SME-të që duan të rriten, një punë e cila ka nisur por duhet të jetë e organizuar dhe koordinuar me të gjitha pjesët e tjera të mozaikut të menaxhimit të sipërmarrjeve.
Së bashkur me nismën “Shtëpia e biznesit” dhe të tjera të ngjashme mund të organizojnë inkubatorë të qeverisjes, ku bizneset mësojnë të ndërtojnë struktura, plane dhe raportim.
4. Financuesit dhe partnerët ndërkombëtarë të kërkojnë kushte që nxisin zhvillimin
Bankat dhe donatorët duhet të shtyjnë bizneset të rrisin transparencën dhe qeverisjen, përmes kushteve të lidhura me mbështetjen.
Ndryshimi nis nga mënyra si mendojmë biznesin
Nuk mjafton të diskutojmë vetëm për taksa të ulëta, treg të lirë apo lehtësi fiskale. Nëse thelbi i firmës mbetet informal, i paqeverisur dhe i pambrojtur nga rreziqet, çdo politikë tjetër zhvillimi do të jetë e destinuar të dështojë. Shqipëria nuk mund të ndërtojë një ekonomi moderne mbi baza të paqëndrueshme të menaxhimit instinktiv dhe informalitetit familjar.
Çfarë mungon nuk është vetëm kapitali apo tregu – mungon menaxhimi si disiplinë dhe qeverisja si praktikë. Nëse synojmë një ekonomi që të rritet në mënyrë të qëndrueshme, që tërheq investime, eksporton, inovon dhe i mbijeton krizave, atëherë duhet të fillojmë nga brenda: me profesionalizimin dhe formalizimin e menaxhimit të firmave shqiptare.
Pa këtë themel, çdo përpjekje për zhvillim, nga fondet e BE-së te investimet strategjike, do të përplaset me kufizimin më të madh të kohës sonë: strukturën e brishtë dhe të paqeverisur të sipërmarrjes shqiptare. Derisa të vendosim strukturën dhe disiplinën e brendshme në qendër të zhvillimit të biznesit, Shqipëria do të mbetet një ekonomi me potencial të pakryer, një garë ku nisemi me vrull, por rrallëherë arrijmë në finish.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.