Arkitektura Tatimore Rajonale: Si konkurron Shqipëria përballë Ballkanit Perëndimor
Një analizë krahasuese e ALTAX mbi tatimin e të ardhurave personale, kontributet shoqërore dhe barrën fiskale të profesionistëve të lirë në Ballkanin Perëndimor, 2026.
ALTAX prezanton një përmbledhje nga publikimi për taskimin e profesioneve të lira, si analizë krahasuese të arkitekturës tatimore në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (BP6), duke vlerësuar mënyrën se si rregullat tatimore ndikojnë në konkurrueshmërinë ekonomike, formalizimin e punës dhe vendimmarrjen e profesionistëve të lirë. Studimi shkon përtej krahasimit të normave ligjore dhe shqyrton ndërveprimin ndërmjet tatimit mbi të ardhurat personale, bazës së tatueshme, zbritjeve, kontributeve shoqërore, pragjeve të TVSH-së dhe tatimit në burim për pagesat ndërkufitare.
Një nga përfundimet kryesore është se konkurrueshmëria tatimore e vendeve të BP6 përcaktohet nga kombinimi i rregullave fiskale dhe jo vetëm nga norma e tatimit mbi të ardhurat. Dy vende me norma të ngjashme mund të krijojnë kosto shumë të ndryshme për individët dhe bizneset, në varësi të detyrimeve të sigurimeve shoqërore, zbritjeve të lejuara dhe trajtimit të të ardhurave nga kapitali.
Për Shqipërinë, analiza evidenton një pozicion relativisht konkurrues për profesionistët e lirë, të mbështetur në një barrë fiskale të moderuar sipas skenarëve të modelit ALTAX. Megjithatë, ky avantazh shoqërohet me një çështje strukturore, që lidhen me diferencën ndërmjet detyrimeve të punëmarrësve dhe trajtimit të të vetëpunësuarve. Kjo diferencë mund të ndikojë në mënyrën se si organizohen marrëdhëniet e punës, në zgjedhjen ndërmjet punësimit dhe kontratave të shërbimit, si dhe në bazën e financimit të sistemit të mbrojtjes sociale.
Krahasimi rajonal nxjerr në pah modele të ndryshme. Kosova paraqet një trajtim më të baraspeshuar të kontributeve në krahasimin e kategorive të analizuara, ndërsa Serbia shfaq barrë më të lartë për profesionistët e lirë në skenarët e modelit, kryesisht për shkak të kontributeve të detyrueshme. Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina paraqesin barrë më të ulët në skenarët e përzgjedhur, por rezultatet varen nga supozimet mbi bazën e tatueshme dhe detyrimet që përfshihen në llogaritje. Për këtë arsye, normat dhe rezultatet duhen interpretuar brenda kuadrit të tyre ligjor dhe metodologjik.
Studimi trajton gjithashtu pragjet e regjistrimit në TVSH dhe normat e tatimit në burim për dividentët, interesat dhe pagesat për përdorimin e pronësisë intelektuale. Këto elemente kanë rëndësi të veçantë për konsulentët, profesionistët e teknologjisë së informacionit, ofruesit e shërbimeve dixhitale dhe bizneset që punojnë me klientë ndërkombëtarë. Ndryshimet në pragjet e TVSH-së dhe në trajtimin e pagesave ndërkufitare mund të ndikojnë në kostot e pajtueshmërisë, strukturën e financimit dhe parashikueshmërinë e investimeve.
Për ta bërë krahasimin më konkret, ALTAX përdor skenarë të ardhurash vjetore prej 10 mijë, 25 mijë, 50 mijë dhe 100 mijë eurosh. Në skenarin prej 50 mijë eurosh, modeli vlerëson barrën totale për një profesionist të lirë në Shqipëri në 6 mijë euro, ose 12% të të ardhurave bruto. Për të njëjtin nivel të ardhurash, rezultati i modeluar është 14% në Kosovë, 8% në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën e Hercegovinës, si dhe 27,5% në Serbi. Këto janë rezultate të modelit ALTAX sipas supozimeve të përcaktuara, jo një renditje universale e barrës për çdo tatimpagues apo formë aktiviteti.
Rëndësia e këtij krahasimi qëndron te pyetja se si mund të ndërtohet një sistem tatimor që ruan konkurrueshmërinë, siguron trajtim të drejtë ndërmjet formave të punës dhe mbështet qëndrueshmërinë e financimit të pensioneve e shërbimeve sociale. Një sistem me barrë të ulët mund të jetë tërheqës për profesionistët dhe investitorët, por vlerësimi i tij duhet të përfshijë edhe mbulimin e sigurimeve shoqërore, cilësinë e shërbimeve publike dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të të ardhurave buxhetore.
Për politikëbërjen shqiptare, gjetjet krijojnë një bazë për të shqyrtuar harmonizimin e detyrimeve ndërmjet punëmarrësve dhe të vetëpunësuarve, rregullat e zbritjeve, mbulimin e sigurimeve shoqërore dhe ndërveprimin ndërmjet tatimit mbi të ardhurat dhe TVSH-së. Qëllimi duhet të jetë një arkitekturë tatimore më neutrale, ku zgjedhja e formës së punës dhe organizimit të aktivitetit mbështetet te nevojat ekonomike e profesionale, duke kufizuar stimujt për riorganizime artificiale vetëm për arsye fiskale.
Kontributi i ALTAX është vendosja e këtyre çështjeve në një kuadër të përbashkët krahasues, duke lidhur rregullat ligjore me skenarë konkretë të të ardhurave dhe me pasojat e tyre të mundshme ekonomike e fiskale. Kështu, analiza e zhvendos debatin nga pyetja se cili vend ka normën më të ulët drejt një vlerësimi më të plotë: cili sistem ofron kombinimin më të qëndrueshëm të konkurrueshmërisë, neutralitetit tatimor, formalizimit dhe mbrojtjes sociale.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.