Amortizimi i përshpejtuar i investimeve dhe lehtësimi i barrës fiskale për Eksportuesit
Në kontekstin e krizës së kursit të këmbimit dhe duke ju referuar dialogut mes drejtuesve të qeverisë dhe eksportuesve lidhur me amortizimin e investimeve në 40% nga sa është deri në fillim të vitit 2025 shihet se ende nuk ka asnjë lëvizje nga qeveria.
Amortizimi i investimeve u kërkua nga bizneset e sektorit si një mjet që lejon ato të shpërndajnë koston e investimeve kapitale (si makineri, pajisje, teknologji) gjatë një periudhe të caktuar, për të reflektuar vlerën e tyre të humbur nëpërmjet përdorimit dhe kalimit të kohës. Por, amortizimi është edhe pjesë e programit i qeverisë për 2021 – 2025 ku shprehet se “…do të përdorim instrumentin e amortizimit të përshpejtuar gjatë vitit, për të nxitur investimet me pajisje të prodhuara brenda vendit, me vëmendje në pajisjet që kursejnë energji dhe që janë miqësore ndaj mjedisit, deri në kuotën 40%”
Një amortizim i përshpejtuar që akoma nuk është realizuar është një faktor pengues më shumë për bizneset, veçanërisht për ato që kanë investuar në infrastrukturë dhe teknologji moderne. Amortizimi i një pjese të madhe të investimeve mund ti ndihmojë këto biznese të përmirësojnë likuiditetin e tyre në vitin e investimit. Kjo do t’u mundësojë që të ruajnë më shumë kapital të gatshëm për operacionet e përditshme. Duke pasur mundësinë për të zbritur një pjesë të kostos në periudhën e parë të përdorimit, bizneset mund të shohin një rikthim më të shpejtë të shpenzimeve të bëra në kohët e zhvlerësimit më tej të euros.
Një diskutim i pranuar në parim është që bizneset të lejohen të amortizojnë deri në 40% të vlerës së investimeve të bëra në një vit. Kjo mund të ndihmojë për t’u siguruar që investimet do të mund të shlyhen më shpejt, duke ulur barrën e tatimeve të paguara nga bizneset në vitin e investimit.
Shembuj :
- Nëse një kompani ka investuar në një makinë që kushton 100,000 lekë dhe mund të amortizojë 40% të vlerës, ajo mund të zbriste 40,000 lekë nga shpenzimet e saj tatimore për atë vit.
- Ky proces mund të ndihmojë që biznesi të paguajë më pak tatime në vitin e investimit, duke përdorur këtë mundësi për të mbështetur cash flow-në (likuiditetin).
Një politikë e tillë mund të zvogëlojë të ardhurat tatimore të shtetit në periudhën kur amortizimi bëhet, por mund të ketë një ndikim pozitiv në rritjen e investimeve dhe rritjen ekonomike afatgjatë. Ndihma financiare e shtuar që bizneset mund të marrin nga amortizimi mund të stimulojë investimet private, duke kontribuar në zhvillimin e sektorëve të teknologjisë, manifakturës dhe industrive të tjera.
Kriza e kursit të këmbimit ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në eksportuesit, duke rritur kostot e produkteve të importuara dhe duke bërë që një pjesë e fitimeve të shkojë për të mbuluar humbjet e shkaktuara nga ndryshimet në kursin e këmbimit. Një lehtësim i amortizimit mund të ndihmojë eksportuesit të menaxhojnë këto ndikime, pasi do t’u jepet mundësia të mbulojnë një pjesë më të madhe të shpenzimeve të investimeve dhe të rikuperojnë shpejt humbjet.
Në këto kushte, kur viti 2025 ka hyrë pa ndryshimet e kërkuara dhe të aprovuara politikisht duket se lind nevoja të rimendohet se si do të vijohet me politikën fiskale për kategorinë e prodhuesve dhe eksportuesve në Shqipëri.
Shumë shtete ofrojnë mundësi për amortizim të shpejtë, veçanërisht për investimet që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike, si ato që lidhen me teknologjinë, energjinë e rinovueshme ose infrastrukturën.
Për të lehtësuar barrën fiskale të eksportuesve dhe bizneseve që po përballen me vështirësi për shkak të krizës ekonomike dhe ndryshimeve të kursit të këmbimit, mund të implementohen disa strategji dhe masa, të cilat i paraqesim si më poshtë:
Lehtësimet Tatimore për Eksportuesit
- Zvogëlimi i tatimit të fitimit të Ndërmarrjeve eksportuese. Një mundësi për 2025 është që përmes amortizimit të përshpejtuar me 40%, i njohur si normë edhe nga standartet ndërkombëtare financiare do të ishte me efekt të njëjtë si ulja e përkohshme tatimit mbi fitimin për eksportuesit, duke u mundësuar atyre të ruajnë më shumë likuiditet dhe të investojnë përsëri në përmirësimin e proceseve të tyre.
- Rimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSh). Eksportuesit po përfitojnë në një kohë më të shpejtë rimbursimin e TVSh-së për materialet e paisjet e importuara, duke i lehtësuar kostot e prodhimit dhe duke i bërë më konkurrues në tregjet ndërkombëtare. Por, rimbursimi kërkohet të jetë më automatik dhe pa shumë vonesa që krijohen nga burokracia në qytete të ndryshme të vendit.
Kreditë Tatimore dhe stimuli për investimet
- Stimuj për investime në Teknologji dhe Inovacion. Bizneset mund të përfitojnë nga mbështetje fiskale për investimet që bëjnë në teknologji të reja dhe proceset e automatizimit, për të rritur konkurrueshmërinë.
- Fondi për Kredinë e Eksportuesve. Një mundësi e mirë ishte garantimi për kredi të buta, që u premtua nga takimet e sektorit me qeverinë, por që nuk arritën dot të mundësoheshin për ti përfituar nevojtarët e biznesit. Tashmë mund të analizohet krijimi i një fondi që do të mbështesë bizneset që kërkojnë të marrë kredi për investime kapitale, përmes një fondi shtetëror.
Mbështetje për Barrën e Punës
- Lehtësimi i Kostos së Punës. Shteti mund të zvogëlojë kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë të caktuar, për të lehtësuar bizneset që përballen me rritje të kostos së punës.
- Trajnime dhe përshtatje e aftësive. Investimi në trajnime për punonjësit për aftësi të reja, sidomos për ata që janë të punësuar në sektorët e teknologjisë dhe manifakturës, mund të krijojë mundësi për të rritur produktivitetin pa shtuar barrën e punës.
Lehtësimi i Procedurave Administrative
- Reduktimi i formaliteteve dhe burokracive. Rritja e efikasitetit të administratës fiskale dhe zvogëlimi i formaliteteve administrative mund të sjellin lehtësim për bizneset, duke u mundësuar atyre të përqendrohen më shumë tek operacionet dhe më pak tek procedurat.
- Shpejtimi i procesit të Rimbursimit. Një sistem më efikas dhe të shpejtë për rimbursimin e taksave dhe tatimeve për bizneset mund të lehtësojë likuiditetin dhe të mbështesë zhvillimin e ekonomisë.
Për të realizuar këto masa, është e rëndësishme që të ketë një vullnet të fortë politik dhe një implementim të mirë të skemave fiskale. Kjo do të kërkojë:
- Dialog të vazhdueshëm me aktorët ekonomikë dhe grupet e interesit, duke siguruar që masat të jenë të përshtatshme dhe të lehtësojnë barrën për sektorët që janë të prekur më shumë nga kriza.
- Monitorim të vazhdueshëm për të siguruar se lehtësimet tatimore dhe masat stimuluese janë duke pasur efektet e dëshiruara dhe nuk po krijojnë ndikime negative të tjera në buxhetin shtetëror.
Implementimi i lehtësimeve tatimore mund të jetë një hap i rëndësishëm për të mbështetur eksportuesit dhe bizneset gjatë krizës ekonomike, si dhe për të stimuluar investimet dhe rritjen e konkurueshmërisë në nivel kombëtar. Veçanërisht, amortizimi i 40% është një mundësi që mund të përdoret nga bizneset për të ulur barrën e tatimeve në periudhën e investimit dhe për të stimuluar investimet, sidomos në sektorët që kanë nevojë për kapital të lartë për zhvillimin e teknologjisë ose procesëve prodhues.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.