ALTAX publikon Raportin Analitik mbi Ndërmarrjet Aktive në Shqipëri, 2015–2025
ALTAX – Qendra e Kërkimeve Fiskale dhe Ekonomike ka publikuar një raport të ri analitik që dokumenton për herë të parë, në mënyrë të integruar, evolucionin e ndërmarrjeve aktive në Shqipëri gjatë periudhës 2015–2025. Raporti ofron analizë sistematike të strukturës ekonomike, produktivitetit të biznesit dhe dinamikave të punësimit, duke u bazuar në të dhënat zyrtare të INSTAT, DPT dhe Bankës së Shqipërisë.
| 2× Rritja e PBB-së 2015–2024 | 162,835 Ndërmarrje aktive (kulmi 2018) | 88% Mikro-ndërmarrje (< 5 punonjës) | ~167k € PBB mesatare / njësi biznesi (2023) |
Çfarë tregon raporti?
Analiza mbështetet në katër dimensione kryesore: numrin dhe dinamikën e ndërmarrjeve aktive gjatë dhjetë viteve; krahasimin me rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB); strukturën sektoriale dhe madhësinë e bizneseve; si dhe dinamikën e punësimit dhe produktivitetin mesatar për njësi.
Gjetja qendrore e raportit është e qartë: ekonomia shqiptare ka pothuajse trefishuar vlerën e saj nominale brenda një dekade, nga 10.3 miliardë euro në 2015 në rreth 25 miliardë euro në 2024, ndërkohë që numri i ndërmarrjeve aktive ka mbetur relativisht i qëndrueshëm. Kjo divergjencë sinjalizon një rritje të fortë të produktivitetit mesatar për njësi biznesi.
“PBB-ja shqiptare u rrit mbi dyfish, por numri i ndërmarrjeve aktive mbeti i qëndrueshëm, një sinjal i qartë i konsolidimit ekonomik dhe rritjes së produktivitetit mesatar.”
Tre fazat e transformimit 2015–2025
Raporti identifikon tre faza të qarta të transformimit strukturor të ekonomisë:
- Fragmentimi (2015–2018) me ekonomi me numër të lartë ndërmarrjesh të vogla, produktivitet mesatar të ulët dhe dominim të vetëpunësimit. Kulmi arrihet në 2018 me 162,835 ndërmarrje aktive.
- Tranzicioni (2019–2021), një periudhë e ndikuar nga pandemia COVID-19 dhe korrigjimi metodologjik i regjistrit statistikor të INSTAT. Rënia e numrit të ndërmarrjeve, deri në rreth 116,000 njësi në 2021 pasqyron pjesërisht pastrimin statistikor dhe jo vetëm mbyllje reale biznesesh.
- Konsolidimi (2022–2025) me zgjerim të moderuar të bazës së biznesit, i nxitur nga turizmi, ndërtimi dhe shërbimet urbane. Rritja e PBB-së tejkalon ndjeshëm zgjerimin numerik të ndërmarrjeve, duke treguar fitim produktiviteti.
Struktura e bizneseve tregon dominimin e shërbimeve dhe fragmentimin e madh
Rreth 86% e ndërmarrjeve aktive veprojnë në sektorin e shërbimeve, kryesisht tregtia (35%), akomodimi dhe restorantet (14%) dhe shërbimet profesionale (8%). Industria përpunuese dhe ndërtimi zënë vetëm 13–15% të numrit të ndërmarrjeve, por gjenerojnë një pjesë disproporcionale të punësimit formal, gjë që pasqyron karakterin intensiv në punë të këtyre sektorëve.
Struktura sipas madhësisë mbetet shumë e fragmentuar: 51% e ndërmarrjeve nuk kanë asnjë të punësuar të regjistruar (vetëpunësim familjar), dhe 37% të tjera kanë 1–4 punonjës. Vetëm 6% e ndërmarrjeve kanë 10 ose më shumë punonjës, por kjo pakicë gjeneron pjesën më të madhe të prodhimit dhe eksportit.
Produktiviteti +160% brenda tetë viteve
Një nga gjetjet më domethënëse të raportit ka të bëjë me rritjen e produktivitetit mesatar nomimal për njësi biznesi: nga rreth 64,000 euro në 2015 në mbi 167,000 euro në 2023. Kjo rritje prej mbi 160% brenda tetë viteve reflekton zgjerimin e turizmit dhe shërbimeve me vlerë të lartë të shtuar, konsolidimin e bizneseve, formalizimin ekonomik dhe efektin e inflacionit nominal.
Raporti thekson se kjo rritje është kryesisht nominale dhe se produktiviteti real, i korrigjuar për inflacionin ka dinamikë më të moderuar. Analiza e Faktorëve Total të Produktivitetit (TFP) identifikohet si objekt studimi i veçantë.
“Mbi 88% e ndërmarrjeve shqiptare janë mikro-ndërmarrje me më pak se 5 punonjës, një fragmentim strukturor që kufizon inovacionin, aksesin në financim dhe kapacitetin eksportues.”
Implikimet e politikave
Raporti nxjerr pesë implikime kryesore për aktorët publikë dhe vendimmarrësit:
- Diversifikimi industrial, ku pesha e ulët e sektorëve prodhues (industria dhe ndërtimi) sinjalizon nevojën urgjente për politika mbështetëse që nxisin vlerën e shtuar dhe eksportet e produkteve.
- Formalizimi ekonomik, ku rreth gjysma e ndërmarrjeve aktive veprojnë si vetëpunësues pa punonjës të regjistruar, segment i ndjeshëm ndaj reformave fiskale dhe i rëndësishëm për zgjerimin e bazës tatimore.
- Mbështetja e ndërmarrjeve të mesme, ku vetëm 6% e ndërmarrjeve kanë 10+ punonjës. Politikat që nxisin kalimin nga mikro- në ndërmarrje të vogla dhe të mesme janë kritike për rritjen afatgjatë.
- Vëzhgimi statistikor nga ana jonë tregon korrigjimin metodologjik i INSTAT (2021–2022), çfarë shtron nevojën për regjistër biznesi të qëndrueshëm dhe metodologji të harmonizuara me standardet europiane.
- Varësia sektoriale, sepse koncentrimi i ekonomisë rreth turizmit dhe tregtisë krijon vulnerabilitet ciklik ndaj goditjeve të jashtme, një rrezik që kërkon strategji diversifikimi afatgjatë.
Raporti “Evolucioni i Ndërmarrjeve Aktive në Shqipëri, 2015–2025” është i disponueshëm në platformën ALTAX. Ai ka dy versione (shqip dhe anglisht) dhe përfshin 10 seksione analitike, 6 tabela të detajuara dhe 5 grafike origjinale.
Raporti mbulon katër dimensione: demografinë e ndërmarrjeve, PBB-në nominale, strukturën sektoriale dhe dinamikën e punësimit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.