Administrim fiskal reformator: Pse?

Administrim fiskal reformator: Pse?

Arsyeja bazë e krijimit të autonomisë për autoritetin fiskal të të ardhurave publike është e lidhur ngushtë me rritjen e nivelit të produktivitetit duke hequr pengesat për menaxhimin efektiv, por dhe duke qenë drejtpërdrejt objekt i llogaridhënies dhe transparencës publike.

Nga njëra anë, autonomia shpreh nivelin në të cilin administratat e të ardhurave publike do të ishin të afta të punonin të pavarura nga varësia aktuale (organizim dhe buxhet si institucion qendror). Nga ana tjetër, një ripërcaktim i qartë i rolit dhe përgjegjësive në nivele individuale e organizative, si dhe një strukturë që përkufizohet nga përgjegjësia, autoriteti për vendimmarrje dhe transparenca, do të jenë pika lidhëse në vendimmarrjen me qeverinë qendrore sipas programit qeverisës dhe strategjive të administrimit fiskal.

Në propozimin në fjalë, arsyet kryesore mbështeten në argumentet se:
– Administrata fiskale qendrore është e njohur dhe po përballet me problemet e saj të administrimit. Ky fakt është tashmë pjesë e konkluzioneve në të cilën kanë arritur ekspertët e Fondit Monetar dhe drejtuesit e administratës tatimore.
– Administrata fiskale qendrore ka hyrë në një proces modernizimi. Ky proces, në konsultim me ekspertët e Fondit Monetar, ka filluar me miratimin e strategjive, mjeteve dhe taktikave për të arritur objektivat strategjikë.
– Administrimi fiskal lokal është ne nivele bazike dhe mjaft mbrapa standardit te administratës qendrore.
– Administrata fiskale qendrore synon të përmbushë një model të ri administrimi nëpërmjet ndryshimit të modelit të vjetër. Në një konkluzion të përbashkët me asistencën e huaj është vendosur të zbatohet modeli i administrimit sipas rrezikut të përmbushjes vullnetare të ligjit nga tatimpaguesit. Ky model është novator për të gjitha vendet e Bashkimit Europian, dhe aq më tepër për rajonin e Ballkanit.
– Administrata fiskale e bashkuar (qendrore dhe lokale) synon që nëpërmjet zhvillimit të modelit të ri të rritë edhe kapacitetet administrative të saj.

Por, bashkëshoqëruar me vizionin dhe programet operacionale për të shkuar deri në përmbushje të tij, ka edhe pika të dobëta.
Pika më e debatueshme është pikërisht autonomia aktuale e administratës fiskale qendrore. Aktualisht, për administratën mbetet një pikë e dobët politika për kapacitetet dhe alokimet e burimeve njerëzore, sipas nevojave për zbatim të modelit të ri.

Përderisa qeveria përcakton burimet aktuale sipas një skeme të centralizuar, por që nuk është e mirëpërshtatur me nevojat e modelit të ri të administrimit, do të vijonte të sillte pasoja të lidhura me shpërndarjen e tyre sipas nevojave, por edhe me mënyrën e trajtimit sipas arritjeve.

Nëse përfshijmë në këtë pikë edhe bashkimin e mundshëm të administratave fiskale qendrore dhe lokale në të ardhmen e afërt (më të madhe në numër), atëherë ka akoma më tepër nevojë për një autoritet më të pavarur në inxhinierimin e administratës së re, për të mos rikaluar në gabimet e mbivendosjeve të detyrave, uljes së motivimit për detyrën dhe krijimit të problemeve sociale me largimin e “të panevojshmëve” nga zbatimi i skemës së re strukturore.

Një anë tjetër e nevojshme për tu trajtuar është niveli i pagesës së kësaj administrate. Një nga cilësitë e mira të disa administratave fiskale është se pagat e punonjësve fiskalë i kanë më të larta se shumica e punonjësve të tjerë të administratës publike.

Një pikë tjetër e dobët e vërejtur nga e kaluara është problemi i dialogut dhe komunikimit midis institucioneve eprore-vartëse, apo pushtet qendror me pushtet lokal. Kjo kulturë është e dobët, e pa standardizuar dhe problematike. Një administratë fiskale jo autonome, nga përvoja e derisotshme është e varur në një fije të dobët e gati për tu këputur sa herë nuk ka një vullnet bashkëpunimi apo koordinimi të veprimeve. Kusuret i vuan qeverisja dhe tatimpaguesit.

Në këtë kornizë administrimi aktual, por duke e parë në vizionin e të ardhmes, nevojitet që të diskutohet, si dhe më tej të provohet modeli më efektiv duke mbajtur parasysh se:
Administrata fiskale nuk është ilaçi universal për të gjitha “dhimbjet” e qeverisjes. Ndjekja e modelit më efektiv është një investim që ka kosto fillestare, por jep efekte afatgjata në qeverisjen fiskale. Modeli, që tashmë po synon të shtrihet në administrim, është përzgjedhur me kujdes duke konsideruar strategjinë më të përshtatshme dhe moderne për vendin.

Pavarësisht se ideja mund të gjejë kundërshtime, mbetet për t’u mbajtur mend se rritja e standartit të administrimit nuk të çon automatikisht drejt përmirësimit të efektivitetit dhe rritjes së vullnetarizmit të tatimpaguesve. Kjo ndodh nëse çiftoset me një plan reformues të kapaciteteve të saj, si dhe një strategji komunikimi proaktive që fillon nga Kuvendi, qeveria, tatimpaguesit dhe shtrihet tek ekspertët e brendshëm dhe të jashtëm.

Ajo që duhet është një mbështetje politike e fortë për institucionin. Pasi mbështetja politike të provojë veten se ka krijuar një strukturë me integritet duhet të fillojë të promovojë vlerat e administratës, si një aset i qeverisjes dhe ardhmërisë europiane të vendit. Pas kësaj, administrata fiskale është platforma e suksesshme menaxheriale e qeverisjes, nga ku do nisin të lançohen projektet e saj.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: