A do të sjellin reformat e qeverisë rezultatet e pritura?
Pavarësisht zhvillimeve negative në ambientin global dhe në partnerët tanë tregtarë më të afërt, vendi nuk përjetoi recesion ose lëkundje të mëdha çmimesh gjatë rënies ekonomike globale. Megjithatë, zhvillimet kanë pasur një efekt të rëndësishëm nga pikëpamja e normës së rritjes, e cila ra nga 6 – 7%, në poshtë 1.5%.
Para rënies ekonomike globale, Shqipëria ka patur një periudhë me norma rritjeje të larta dhe të vazhdueshme të mbështetura nga kreditimi dhe zgjerimi i shpejtë i ndërmjetësimit financiar dhe zhvillimi i sektorit të patregtueshëm. Pas krizës, të dy faktorët u tkurrën, po ashtu edhe aktiviteti ekonomik.
Rritja ka rifituar ritmet e rimëkëmbjes dhe vitin 2015 ishte 2.77%, ndërsa në 2016 arrihet niveli 3.1, për të vijuar në vitin 2017 me 3.8% rritje dhe një pritshmëri rritje për 2018 me 4.2% – 4.3%. Megjithatë, më e rëndësishme është prirja pozitive e rritjes. Analizat e Bankës së Shqipërisë (BSH) tregojnë që për të mbështetur më tej aktivitetin ekonomik, është e nevojshme të thithen akoma më tepër investime të huaja direkte (IHD).
Tregu i brendshëm nuk ofron kapacitete të mjaftueshme për të mbështetur ritmet e larta të rritjes që i nevojiten vendit. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të përfitonte shumë nga investime të huaja në industri të reja, në veçanti në sektorin e tregtueshëm. IHD-të do të ishin financimi alternativ që do të përkrahte rritjen.
Shqipëria ka siguruar flukse të rëndësishme të IHD-ve në periudhën para krizës, sidomos në shërbimet financiare dhe bankare. Bankat që veprojnë në Shqipëri i dhanë një shtytje të suksesshme rritjes dhe patën ndikim pozitiv në zhvillimin e tregut të brendshëm. Përveçse ndihmuan tregun financiar me njohuri dhe kapital, bankat e huaja ndikuan pozitivisht mbi tërë ekonominë duke dhënë një mbështetje të fortë financiare për aktivitetin ekonomik.
Kur hynë në tregun shqiptar 15 vite më parë, bankat e huaja filluan një proces ndërmjetësimi financiar të shpejtë dhe furnizuan ekonominë me kreditim të bollshëm. Shumë shpejt, aktorë të tjerë po i ndiqnin, çka solli si rezultat rritjen e konkurrencës në treg dhe rritjen e shpejtë të kreditimit. Kjo nga ana e saj, shkaktoi një rritje të shpejtë të konsumit dhe investime në sektorë të tjerë. Gjithashtu, po rriteshin industri të tjera dhe si rezultat IHD-të u drejtuan drejt sektorit të telekomunikacionit dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë.
Ky proces ishte një zhvillim që përfshiu tërë rajonin. NË atë kohë, investitorët, sidomos investitorët e mëdhenj evropianë dhe ndërkombëtarë e konsideronin rajonin e Evropës Juglindore si një të tërë dhe si një treg tërheqës e fitimprurës. Investitorët ishin shumë më të përqendruar te rajoni. Perspektivat e integrimit në BE dhe perceptimi i perspektivave ekonomike ishin shumë pozitive.
Edhe pse nuk kishte trokitur në rajon, prania e krizës do të ndihej në të. Ishte një krizë e importuar natyrisht, por ajo veproi në një mjedis me dobësi ekzistuese të trashëguara, të krijuara nga modeli jonë i rritjes se ekonomisë.
Ndikimi i goditjes së krizës nuk do të ndihej menjëherë dhe ekonomia vazhdoi të kishte, për nja dy vite të tjera, mbështetjen e një zgjerimi financiar më të lartë. Në përgjithësi besohej që ndoshta ekonomitë tona nuk ishin mjaft të integruara me tregjet ndërkombëtare dhe për pasojë ishin të imunizuara ndaj krizës.
Në Shqipërinë e atyre viteve mendohej se rajoni do t’i shpëtonte krizës. Fatkeqësisht kjo rezultoi e pavërtetë. Efektet e krizës herët apo vonë u ndien. Për këtë arsye ekonomia shqiptare akoma po vuan nga nivele të ulta në investime, konsum, rritje ekonomike dhe inflacion, i cili ky i fundit ka qenë poshtë objektivit të bankës së Shqipërisë në tre vitet e fundit.
Megjithatë, ka potencial domethënës për një rritje ekonomike më të shpejtë. Disa sektorë, sidomos ata të tregtueshëm mund të përfitojnë nga një zgjerim më i shpejtë i kreditimit, rritje e prodhimtarisë dhe përgjithësisht reforma strukturore. Potenciali i rritjes mbetet i lartë në rajon. Ekonomitë e Evropës Juglindore kanë të njëjtat avantazhe krahasuese si më parë dhe në të njëjtët sektorë.
Sistemi bankar dhe sektori financiar kanë qenë të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm edhe përballë krizës globale. Bankat kanë kapital të mjaftueshëm dhe likuiditet të bollshëm për të zhvilluar veprimtarinë e tyre me fitim dhe për të mbështetur ekonominë. Paratë janë aty, potenciali është aty, aftësitë për të mbështetur rritjen janë aty.
Ajo që mungon është kërkesa agregate nga ekonomia reale. Kërkesa për investime dhe konsumi kane qenë dobët. Kërkesa për kredi është shumë e ulët për arsye të peshës së rëndë të borxhit ekzistues, kredive me probleme dhe pritjeve jo optimiste në ekonomi. Megjithëse ka disa projekte në vazhdim, ende zgjerimi i kreditimit mbetet i ngadaltë, ndërsa sektori financiar po përballet me vështirësi për të identifikuar projekte investimi serioze dhe të shëndetshme. BSH mendon se efekti pozitiv i reformave strukturore të ndërmarra së fundmi nga qeveria dhe ndryshimet legjislative dhe rregullatore për zgjidhjen e kredive me probleme do të krijojnë optimizmin e nevojshëm dhe do të rrisin besimin në ekonominë shqiptare.
BSH ka ndjekur politika aktive makroprudenciale dhe monetare, duke ndjekur një politikë monetare shumë lehtësuese dhe duke u munduar të nxisë kreditimin bankar. Ka pasur rezultate pozitive të qarta, megjithëse jo gjithmonë në nivelin e dëshiruar.
Shqipëria ka nevojë për një rritje më të lartë se 3%, për të pasur një ekonomi të begatë dhe konvergjente.
A do të realizohet kjo rritje?
A do të sjellin reformat rezultatet e pritura?
Nga njëra anë kemi një sistem financiar shumë të fortë, shumë të mirë, me likuiditet të bollshëm dhe kapital të mjaftueshëm. Nga ana tjetër, aktualisht po përballemi me një kërkesë shumë të dobët për ndërmjetësim financiar.
Situata reflekton mbi të gjitha pritjet pesimiste dhe peshën e borxhit të papaguar mbi bilancet e familjeve dhe të sektorit privat.
Kriza tregoi një problem thelbësor në ekonomitë e brendshme të rajonit që shtoi mundësinë e përhapjes së saj: rrugën e pa ekuilibruar te modelit të rritjes dhe përthithjes se IHD mbi të cilën mbështetej rajoni. Zgjerimi i shpejtë i kreditimit, sidomos i kredive të pambuluara në valutë në mbështetje të konsumit dhe investimeve në sektorët jo të tregtueshëm, ishte thjeshtë i papërballueshem.
Në Shqipëri kjo u bë e qartë që para krizës, duke çuar në një përgjigje politike kundërciklike. Kur kriza goditi, ne vend kishin filluar të ndërmerreshin disa reforma të tregjeve financiare për të frenuar rritjen e shpejtë të kreditimit në valutë dhe u rrit norma bazë për të qetësuar kërkesën e tepërt. Pas krizës dhe zhvillimeve të tregut financiar, banka qendrore uli normën bazë, duke zbatuar një politikë monetare shumë aktive dhe akomoduese.
Ndërkohë u morën disa masa makro dhe mikroprudenciale për të stimuluar kreditimin dhe inkurajuar rritjen ekonomike. Megjithatë ka një peshë të mbetur të rëndësishme që ndalon rigjallërimin e kreditimit të investimeve dhe rritjes ekonomike.
Prandaj, për të nxitur projekte biznesi serioze, është e rëndësishme të shtohen investimet e huaja direkte në vend. Për këtë arsye konsiderohen si jetësore reformat strukturore për vazhdueshmërinë e rritjes ekonomike.
Shqipëria ka ndërmarrë disa reforma strukturore, si për shembull reforma e pensioneve, reforma e energjisë dhe lufta kundër informalitetit, përveç disa reformave të tjera ligjore të lidhura me sektorin financiar, përfshirë dhe agjencinë e Sigurimit të Depozitave. Këto reforma janë ndërmarrë njëkohësisht dhe, kur ekzekutohen të gjitha së bashku, sidomos gjatë një periudhe krize, ato mund dëmtojnë optimizmin ekonomik.
Jemi të gjithë të vetëdijshëm se duhet të përmirësojmë me shpejtësi sistemin ligjor, të luftojmë korrupsionin, të formalizojmë ekonominë, e kështu me radhë. Jam plotësisht dakord me kolegët që disa reforma duan kohë të materializohen dhe të japin efektet pozitive të pritura. Por, nëse përcaktojmë prioritetet e objektivave, rezultatet do të vijnë.
Është e rëndësishme në këtë fazë që të ketë një komunikim të vazhdueshëm me publikun. Kjo është thelbësore jo vetëm për zbatimin e suksesshëm të vetë reformës, por edhe për të lehtësuar ose kufizuar efektet e mundshme anësore në periudhën afatshkurtër.
Për shembull, aktualisht janë ndërmarrë reforma për të luftuar informalitetin në ekonominë tonë. Informaliteti i lartë është i dëmshëm jo vetëm për shoqërinë në përgjithësi, por edhe për individët ose bizneset që veprojnë në të. Për të ndërtuar pritje të duhura, publiku duhet të informohet mirë në mënyrë që këto reforma të japin rezultate afatgjata.
Në thelb, kemi nevojë të nxisim rritjen, dhe reformat janë të nevojshme për të realizuar e mbështetur një rritje më të shpejtë. Potenciali është i pranishëm, por mbetet i pashfrytëzuar për shkak të mungesës së besimit, që ndikon negativisht te investitorët dhe konsumi privat. Zhvillimet ekonomike janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Kjo ka potencialin të krijojë një spirale papunësie në rritje, zvogëlim të të ardhurave personale, konsumit privat dhe investimeve, duke çuar herët apo vonë në pritje pesimiste të mëtejshme.
Në një ambient ekonomik shumë optimist, pritje për të ardhura më të larta, nxisin konsumin dhe investimet, gjë që prodhon më tepër optimizëm ekonomik. Prandaj, të gjitha reformat duhet të kenë si qëllim ndryshimin e këtij mentaliteti, të këtij ambienti, si dhe rikthimin e një optimizmi të ripërtërirë.
Por, ajo që shpresojmë dhe mendojmë se duhet të ndodhi është futja e modelit ekonomik bazuar te rritja e konkurueshmerise se ekonomise shqiptare me produkte që konkurojnë tregjet me diversitetin (veçantitë) e tyre.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.