A do të rriten çmimet në sezonin veror 2025?

A do të rriten çmimet në sezonin veror 2025?

Vera në Shqipëri nuk është më vetëm një stinë.

Është stres-testi i një ekonomie që edhe pse e maskuar nga rritjet sezonale të PBB-së, ekspozon plagët e veta të thella, informalitetin endemik, pabarazinë territoriale, dhe një shtet që shpesh është spektator në vend që të jetë rregullator.

Kjo verë, më shumë se çdo tjetër do të tregojë saktësisht se sa e brishtë është arkitektura mbi të cilën kemi ndërtuar modelin ekonomik të vendit.

Ekonomia shqiptare është e mbështetur rëndë mbi sektorin e shërbimeve dhe turizmit sezonal, me produktivitet të ulët dhe zinxhir furnizimi të brishtë, sidomos në zonat bregdetare. Ky model rrit varësinë nga flukset e parave në dorë dhe çon në një formim çmimi që nuk ndjek rregullat klasike të konkurrencës, por të mungesës së ofertës së formalizuar.

Duke u mbështetur pothuajse tërësisht në turizëm si lokomotivë të rritjes, Shqipëria ka prodhuar një ekonomi me ritme të shpejta konsumi, por me themele të dobëta, pa një sektor prodhues të mirëfilltë dhe me një treg pune të deformuar nga pagesa informale dhe mungesa e standardeve të punës.

Në vend që të pyesim nëse do të rriten çmimet këtë verë, duhet të pyesim: si ka ndërtuar Shqipëria një ekonomi që nuk i kontrollon dot çmimet në sezon?

Ekonomia cash dhe informaliteti janë ndër shkaqet themelore që çmimet rriten pa ndonjë logjikë tregu. Pagesat “në dorë” nuk përputhen me cilësinë e shërbimit dhe krijojnë iluzionin e një ekonomie të gjallë, kur në fakt është thjesht ekonomi jashtë kontrollit.

Ky fenomen shton spekulimin me çmimet, minimizon ndikimin e politikave monetare ose fiskale në frenimin e rritjes së çmimeve dhe e bën të vështirë monitorimin real të marzheve të fitimit dhe çmimeve për konsumatorin fundor.

Kapacitetet e dobëta monitoruese të shtetit janë të njohura. Në shumë zona turistike nuk ka kontrolle reale mbi çmimet nuk ka inspektime eficente për kushtet e punës, si dhe nuk ka analizë të vazhdueshme mbi çmimet e formuara. Institucionet duken më të pranishme në konferenca shtypi se sa në terren.

Një tjetër ndikues që shtohet sistematikisht gjatw verws nw vitet e fundit janw vendimet e qeverisw me synime tw mira nw thelb, por me ndikim tw menjwherwshwm nw tregun shqiptar.

Kshtu, p.sh. nw vitin 2025 vendimi për pagat indikative në sektorin e turizmit dhe shërbimeve është një hap i rëndësishëm drejt formalizimit, por vjen me kosto afatshkurtra që tregu i deformuar nuk i përthith dot pa i kaluar konsumatorit. Për shumë operatorë që funksionojnë në informalitet, vendimi do të interpretohet si kosto shtesë, e përkthyer automatikisht në rritje çmimi për pushuesit.

Në sezonin veror, ky vendim mund të shtyjë subjektet të kompensojnë rritjen e kostove të punës me rritje çmimesh për konsumatorin final, sidomos në tregun e restoranteve, hoteleve dhe plazheve;

Në zonat bregdetare, kryesisht në jug, çmimet po i afrohen niveleve të vendeve me të ardhura shumë më të larta për frymë, por pa ofruar as shërbimin, as infrastrukturën, as sigurinë që ofrojnë këto destinacione.

Çfarë ndodh në praktikë?

  • Rritja e kërkesës së përqendruar në pak javë të verës përballet me një ofertë të informalizuar, të përkohshme dhe shpesh spekulative;
  • Çmimet nuk kontrollohen nga kostoja reale, por nga pritshmëritë e fitimit të shpejtë;
  • Mungesa e politika të qëndrueshme për kontrollin e çmimeve dhe formalizimin nxit kaosin dhe frenon konkurrencën e ndershme.

Në vend që të ndërtojmë një treg të qëndrueshëm, ku operatorët konkurrues rrisin cilësinë dhe punësojnë në mënyrë të rregullt, jemi duke krijuar një klimë ku vetëm më të fortët informalë mbijetojnë.

Një tjetër dimension që ndikon në formimin e çmimeve është asimetria e zhvillimit territorial. Të gjitha politikat dhe flukset turistike janë përqendruar në disa pika të jugut, duke krijuar një efekt “balonë çmimi”, ku rritja artificiale e kërkesës për shërbim të kufizuar sjell shpërthime të menjëhershme në çmime.

Ndërkohë, zona si veriu, periferia urbane, dhe zonat e brendshme rurale, mbeten të pazhvilluara, të pambështetura dhe jashtë skemave të investimeve. Në këtë mënyrë, konkurrenca territoriale që do të sillte çmime më të balancuara, nuk ekziston.

Duke analizuar faktorët më sipër, rritja e çmimeve në sezonin veror 2025 është e pritshme dhe pothuajse e pashmangshme, sidomos në:

  • Zonat bregdetare nga Vlora në Sarandë dhe segmentet elitare të bregdetit;
  • Sektorin e akomodimit dhe ushqimit;
  • Sherbimet transportuese, argëtuese dhe çmimet e karburantit në zonat turistike.

Rritja nuk do të jetë e njëtrajtshme. Kemi të bëjmë me një rritje selektive dhe të pabarabartë, që:

  • Favorizon operatorët që funksionojnë në informalitet;
  • Godet konsumatorin vendas dhe turistët me buxhet mesatar;
  • Dëmton konkurrencën e ndershme dhe investimet afatgjata.

Çfarë e shton më tej presionin mbi çmimet?

Turizmi me kapacitetet e tejkaluara. Mungesa e një planifikimi hapësinor dhe urban në zonat turistike ka çuar në mbingarkesë infrastrukturore, mungesë uji, energjie dhe shërbimesh bazë, duke e bërë “normal” justifikimin për çmime të larta.

Rritja e kostove të importit. Duke qenë se Shqipëria importon shumicën e produkteve ushqimore dhe të konsumit për turizëm, çdo luhatje në kursin e këmbimit ose rritje e çmimeve ndërkombëtare reflektohet drejtpërdrejt në treg.

Tregjet e lokalizuara dhe mungesa e tregut të brendshëm konkurrues. Mungesa e zinxhirëve të mirëstrukturuar të furnizimit lokal e shtyn rritjen e çmimeve, sepse operatorët mbështeten në pak burime dhe përballen me kosto të larta logjistike.

Kujt i shërben rritja e çmimeve? Jo konsumatorit. Jo turizmit afatgjatë. Jo zhvillimit.

Rritja e çmimeve në mungesë të kontrollit, pa lidhje me cilësinë apo me një treg të mirëstrukturuar, dëmton:

  • Konsumatorin vendas, që e ka të pamundur të përballojë pushime cilësore në vendin e vet;
  • Turistët e huaj të segmentit të mesëm, që e ndiejnë mungesën e vlerës për paranë dhe kthehen në vende me më shumë cilësi dhe stabilitet;
  • Operatorët formalë që përballen me konkurrencë të pandershme nga subjektet informale;
  • Bizneset që duan të investojnë afatgjatë, por përballen me rregulla të paqarta dhe tregje të papërshtatshme.

Po, çmimet në sezonin veror 2025 pritet të rriten. Kjo nuk është vetëm pasojë e logjikës së kërkesës dhe ofertës sezonale, por e një strukture të ekonomisë së shërbimeve që operon në mënyrë të deformuar, të pabarabartë dhe shpesh jashtë kontrollit shtetëror.

Çfarë duhet të ndryshojë?

Katër hapa urgjentë:

  1. Zbatim i pagave indikative, por me monitorim dinamik të efekteve të saj në çmime dhe informalitet. Pa këtë, çdo përpjekje për formalizim do të jetë një fletë e shpërfillur në murin e strukturave paralele.
  2. Krijimi i një Observatori të Çmimeve të Turizmit, që përditëson çmimet mesatare sipas zonave dhe publikon anomali. Transparenca është forma më e mirë e kontrollit indirekt.
  3. Forcimi i kontrolleve të kombinuara fiskale dhe të punës, me përfshirje të përkohshme të strukturave të tjera, si tatimet, AKU, dhe njësitë vendore, për të ndalur valën e rritjes së pakontrolluar të çmimeve.
  4. Përhapja gjeografike e turizmit dhe nxitja e destinacioneve alternative, për të ulur presionin mbi pak zona dhe për të krijuar një ekuilibër më të shëndetshëm midis kërkesës dhe ofertës.

Sezoni turistik nuk krijon probleme. Ai vetëm i bën të dukshme ato që ekzistojnë gjatë gjithë vitit: mungesën e konkurrencës, informalitetin, shtetin që nuk rregullon, dhe një model ekonomik që gjeneron konsum të shpejtë, por jo zhvillim të qëndrueshëm.

Çmimet do të rriten, dhe kjo nuk është as shenjë tregu të lirë, as sukses turistik. Është sinjal alarmi i një sistemi që shfrytëzon sezonin për të maskuar dështimet e veta.

Koha për ndërhyrje nuk është korriku.

Është tani. Përndryshe, do të vazhdojmë të prodhojmë një “turizëm për të pasurit dhe informalitet për të tjerët”. Një vend ku pushimet janë luks, ndërsa zhvillimi mbetet vetëm një fjali në PowerPoint-et e konferencave.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.