Deklarata e FMN: Stabilitet makroekonomik, por kufizime të qarta për politikën fiskale të 2027-ës

Deklarata e FMN: Stabilitet makroekonomik, por kufizime të qarta për politikën fiskale të 2027-ës

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar deklaratën përmbyllëse të misionit të nenit IV për Shqipërinë. Dokumenti konfirmon stabilitetin makroekonomik të vendit, por njëkohësisht vë theksin te nevoja për një politikë fiskale më pak ekspansioniste në 2027 dhe te dobësitë strukturore që kufizojnë potencialin e rritjes.

Për ALTAX, ky vlerësim është i rëndësishëm sepse jep një vlerësim të drejtpërdrejtë të zgjedhjeve të Paketës Fiskale 2027 dhe të hapësirës që ka Buxheti 2027.

Treguesit kryesorë

TreguesiVlerësimi i FMN-së
Rritja ekonomike 20253.7%
Rritja ekonomike 20263.5%
Potenciali afatmesëm (nga 2027)rreth 3.2%
Inflacioni (tetor 2026)3.4%
Inflacioni i pritur fund 20272.7%
Borxhi publik51% e PBB-së
Presione shtesë shpenzimesh deri në 2031deri në 3% e PBB-së
Masa fiskale kumulative të nevojshme 2026–20313.7% e PBB-së

Ekonomia ka treguar qëndrueshmëri, e mbështetur nga konsumi privat, turizmi dhe rritja e kredisë. Megjithatë, FMN-ja parashikon ngadalësim gradual drejt potencialit të ulët afatmesëm, të ndikuar nga emigracioni, plakja e popullsisë dhe produktiviteti i pamjaftueshëm.

Paketa Fiskale 2027 merr mbështetje e pjesshme nga ky mision.

FMN-ja mbështet disa masa që zgjerojnë bazën tatimore dhe reduktojnë trajtimet preferenciale:

  • Uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë.
  • Rritjen e tatimit mbi dividendin.
  • Uljen e preferencës së TVSH-së për akomodimin.
  • Përforcimin e masave kundër informalitetit.

Në të kundërt, kundërshton qartë:

  • Uljen e përhershme të TVSH-së për ushqimet.
  • Heqjen e taksës së qarkullimit të karburanteve.

Sipas FMN-së, këto dy masa kanë kosto fiskale, deformojnë sinjalet e çmimeve dhe nuk janë të targetuara te familjet në nevojë. Efekti i pritur i uljes së TVSH-së mbi inflacionin vlerësohet rreth 0.3 pikë përqindjeje si efekt njëherësh, por nuk garanton ulje të qëndrueshme të kostos së jetesës, sepse varët nga konkurrenca dhe marzhet e tregut.

ALTAX ka ngritur të njëjtën pyetje në analiza të mëparshme: a përkthehet automatikisht ulja e normës tatimore në çmime më të ulëta për konsumatorin? Përvoja tregon se jo gjithmonë.

Buxheti 2027 dhe hapësira fiskale

FMN-ja vlerëson se teprica primare pritet të jetë rreth 0.3% e PBB-së në 2026 dhe të zbresë në zero në 2027. Politika fiskale është vlerësuar si ekspansioniste në 2025 dhe mbetet lehtësisht e tillë. Për këtë arsye, rekomandon masa korrigjuese prej 0.3% të PBB-së në buxhetin e 2027-ës krahasuar me politikat aktuale.

Një kritikë e rëndësishme institucionale është përdorimi i përsëritur i akteve normative për rialokimin e të ardhurave më të larta se plani ose i fondeve të investimeve të pashpenzuara drejt shpenzimeve korrente. Kjo mënyrë e aktivitetit qeveritar dobëson besueshmërinë e planifikimit buxhetor dhe kontrollin parlamentar.

Në terma afatmesëm, FMN-ja llogarit nevojën për masa fiskale kumulative prej 3.7% të PBB-së deri në 2031 për të përballuar presionet nga shëndetësia, arsimi, pensionet dhe mbrojtja. Kjo e bën të rëndësishme që lehtësimet tatimore të përhershme të vlerësohen në kontekstin e nevojave të ardhshme për të ardhura.

Roli i shtetit, strehimi dhe qeverisja

FMN-ja paralajmëron kundër zgjerimit të pakujdesshëm të ndërmarrjeve shtetërore, PPP-ve dhe garancive qeveritare, duke theksuar rreziqet fiskale dhe zhvendosjen e aktivitetit privat. Kërkon që çdo ndërhyrje e tillë të bazohet në dështime të qarta të tregut, qeverisje të fortë dhe mbikëqyrje efektive.

Për strehimin, mbështetja duhet të përqendrohet te familjet më në nevojë dhe të mos krijojë presione të mëtejshme mbi çmimet e banesave. FMN-ja sugjeron edhe një tatim mbi pronën të bazuar në vlerën e tregut, për të nxitur përdorimin më eficient të pronave të lira ose të pashfrytëzuara. Për pensionet, thekson se përmirësimi i tyre duhet të bëhet brenda një sistemi të qëndrueshëm kontributiv, duke shmangur bonuset ad hoc që dobësojnë lidhjen midis kontributeve dhe përfitimeve. Këtu FMN-ja vendos një standard të rëndësishëm, ku politika sociale duhet të jetë e qëndrueshme, e parashikueshme dhe e financuar.

Në fushën e qeverisjes, prioritete mbeten pavarësia dhe efektiviteti i SPAK-ut, modernizimi i kadastrës, të drejtat e pronësisë dhe kritere transparente për investimet. Projektligji i ri i investimeve vlerësohet pozitivisht në parim, por kërkon kritere objektive dhe transparente për të kufizuar diskrecionin dhe trajtimin preferencial të investitorëve apo projekteve të përzgjedhura.

Vlerësimi ALTAX

Deklarata e FMN-së nuk është një kundërshtim i përgjithshëm i politikës fiskale, por një paralajmërim i qartë për kufijtë e modelit aktual. Stabiliteti makroekonomik është arritur, borxhi është ulur dhe turizmi ka dhënë kontribut pozitiv. Megjithatë, rritja e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse kërkon produktivitet më të lartë, formalizim, investime prodhuese dhe institucione më të forta.

Tre mesazhet kryesore për politikëbërësit dhe për analizën e Buxhetit 2027 janë:

  1. Lehtësimet tatimore duhet të kenë objektiv të qartë, përfitues të identifikueshëm dhe kosto të matshme.
  2. Cilësia e shpenzimeve dhe eficienca e investimeve publike janë po aq të rëndësishme sa niveli i të ardhurave.
  3. Pa përmirësim të kapitalit njerëzor, sigurisë juridike dhe konkurrencës, potenciali i rritjes do të mbetet i kufizuar.

Duhet theksuar se kjo është deklaratë e stafit të FMN-së pas misionit, jo ende vendim i Bordit Ekzekutiv. Ajo mbetet një vlerësim teknik me peshë të lartë për diskutimin e Paketës Fiskale dhe të Buxhetit 2027.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.