Tregtia e Jashtme në Tetor dhe 10-Mujorin 2026
Të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) tregojnë se në muajin Tetor 2026, defiçiti tregtar i Shqipërisë arriti në 55,9 miliardë lekë, duke shënuar një zgjerim prej 15,1% krahasuar me Tetorin e vitit të kaluar dhe 18,0% në raport me Shtatorin 2026. Ky përkeqësim mujor i bilancit vjen si pasojë e rritjes së shpejtë të importeve përballë një rritjeje modeste të eksporteve, në një vit që po shoqërohet me ndryshime të rëndësishme në strukturën e prodhimit dhe shitjeve jashtë vendit.
Treguesit e Tetorit 2026, importet rriten gati shtatë herë më shpejt se eksportet
Në Tetor 2026, vlera e eksporteve të mallrave arriti në 31,6 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 1,5% dhe një rritje mujore prej 1,2% krahasuar me Shtatorin. Nga ana tjetër, importet e mallrave kapën vlerën 87,5 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 9,8% dhe një zgjerim mujor prej 11,3%. Për shkak të kësaj disbalance, shkalla e mbulimit të importeve me eksporte në Tetor zbriti në 36,1%.
Rritja e importeve u drejtua nga energjia, makineritë dhe materialet e ndërtimit, ndërsa eksportet shfaqën shenja diversifikimi drejt sektorëve të rinj që kompensojnë rënien e metaleve dhe fasononisë. Për 10-mujorin, eksportet u rritën me 7,6%, por defiçiti arriti në 467 miliardë lekë. Bashkimi Evropian mbetet tregu kryesor, megjithëse duket një rritje e blerjeve nga Kina dhe Greqia.
Implikimet fiskale dhe presioni i kursit të këmbimit
Vëllimi i lartë i importeve solli 207 miliardë lekë të ardhura doganore, por kjo shifër u frenua me rreth 6,3 miliardë lekë për shkak të mbiçmimit të lekut ndaj euros dhe dollarit, çka uli bazën e TVSH-së në monedhë vendase.
Për eksportuesit, forcimi i lekut me kursin e Bankës së Shqipërisë që ka zbritur në rreth 90,48 lekë për euro vazhdon të gërryejë marzhet e fitimit në valutë. Së bashku me rritjen e kostove të punës dhe debatet rreth Paketës Fiskale 2027, kjo situatë po i detyron bizneset të orientohen drejt produkteve me vlerë më të lartë të shtuar.
Për dy muajt e fundit të vitit (Nëntor–Dhjetor 2026), pritet që bilanci tregtar të mbetet nën presionin e sezonalitetit të fundvitit, i cili tradicionalisht rrit importet e mallrave të konsumit, energjisë dhe pajisjeve, ndërsa aktiviteti ekonomik i brendshëm vijon të rritet me ritme rreth 3,4%–3,7% sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore.
Në këto kushte, eksportet vjetore pritet ta mbyllin vitin 2026 me një rritje pozitive prej rreth 6% deri në 7% (duke kapërcyer nivelin prej 365–370 miliardë lekësh dhe rikuperuar tkurrjen e vitit 2025), por importet e larta, që po ushqejnë edhe presionet inflacioniste mbi objektivin prej 3% do ta mbajnë defiçitin tregtar vjetor mbi kufirin e 560–570 miliardë lekëve. Në rast se nuk do të ndodhë një lehtësim të kostove prodhuese apo stabilizim të kursit të këmbimit, duket se performanca e eksporteve në mbyllje të vitit do të vazhdojë të varet nga konjukturat e energjisë dhe segmentet e reja industriale, teksa industria përpunuese tradicionale mbetet në fazë përshtatjeje.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.