Rritja ekonomike T2 me 3.61%, më shumë volum, por më pak kapacitet prodhues
Të dhënat e INSTAT për tremujorin e dytë të vitit 2026 tregojnë se PBB-ja reale u rrit me 3.61% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025. Nga këto 3.61 pikë përqindje, 1.38 pikë erdhën nga grupi “administratë publike, arsim dhe shëndetësi”, ndërsa 1.13 pikë nga taksat neto mbi produktet. Së bashku, këto dy komponentë shpjegojnë rreth 69.5% të rritjes.
Por, nga analizat tona në vijimësi problemi është cilësia dhe përbërja e saj. Kjo arkitekturë aktuale e ekonomisë po shton volum, por nuk po zgjeron “kolonat” dhe të forcojë bazat për më tej.
Pra, rritja nuk po mbështetet kryesisht te zgjerimi i kapaciteteve prodhuese private. Një pjesë e rëndësishme vjen nga sektori publik dhe nga komponenti fiskal i PBB-së. Në metodologjinë e llogaritjes së PBB-së sipas metodës së prodhimit, PBB-ja është shuma e vlerës së shtuar bruto plus taksat mbi produktet minus subvencionet. Rritja e tyre mund të rrisë matematikisht kontributin, por kjo rritje nuk përbën krijim të kapacitetit të ri prodhues.
Sektorët e tjerë e konfirmojnë këtë panoramë, ku tregtia, transporti, akomodimi, ndërtimi dhe shërbimet ushqimore u rritën, ndërsa bujqësia dhe disa aktivitete për eksport me ndikim në tregun e punës ranë.
Në anën e shpenzimeve, konsumi final i familjeve u rrit, dhe po ashtu edhe formimi bruto i kapitalit fiks vetëm.
Pra, burimet reale të rritjes sot janë më shumë të lidhura me konsumin, shërbimet, turizmin, pasuritë e paluajtshme, sektorin publik dhe zgjerimin e të ardhurave fiskale, sesa me një cikël të fuqishëm investimesh prodhuese.
Modeli deri më sot ka prodhuar rritje për çdo vit, por kjo nuk ka mjaftuar për të shërbyer si bazë për një fazë të re konvergjence ekonomike.
Të ardhurat tatimore janë rritur për shkak të formalizimit, zgjerimit të bazës tatimore, rritjes së pagave, konsumit, importeve dhe përmirësimit të administrimit.
Kjo rritje ka forcuar kapacitetin fiskal, por nuk është e barasvlershme me rritjen e produktivitetit. Problemi potencial me të ardhurat fiskale është se janë rritur më shpejt se rritja e bazës produktive që i gjeneron ato. Ky realitet fiskal nuk i shërben qëndrueshmërisë së ekonomisë, që të konvertohet në produktivitet, investim dhe zgjerim të bazës prodhuese, për vijimësinë e ciklit fiskal.
Formimi bruto i kapitalit fiks u rrit vetëm 1.76% në terma realë dhe ra lehtë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Pra, ekonomia po zgjerohet më shpejt përmes përdorimit të kapaciteteve ekzistuese sesa krijimit të kapaciteteve të reja. Investimet e fragmentuara dhe të pamjaftueshme në teknologji, kapital njerëzor, industri, agropërpunim dhe eksporte me vlerë të shtuar në raport me nevojën për zhvillimin e ekonomisë kanë ndikuar në një ritëm rritje me pak ndikim për një konvergjencë të shpejtë.
Konsumi i rritur që mban pjesë të rritjes ekonomike mbështetet në aktivitete me ndikim afatshkurtër, si shërbimi dhe tregtia. Por, nëse nuk zgjerohet kapaciteti prodhues po me të njëjtin ritëm, atëherë një pjesë e kërkesës shtesë do të fuqizojë edhe më tej importet, si deri më sot duke mbajtur një efekt bumerang në ciklikën e ekonomisë.
Papunësia është 8.3% dhe paga mesatare bruto ka arritur 92,150 lekë, që do të thotë se një pjesë e madhe shkon për konsumin. Por, nisur nga fakti se pagat po rriten më shpejt se produktiviteti dhe kostot e punës, gjasat janë që të ulin më tej konkurrueshmërinë e sektorëve eksportues. Nëse kjo ekonomi do të vazhdojë të mbështetet te konsumi, shërbimet dhe aktiviteti publik, efekti do të vijojë të ndihet në vlerën e ulët të shtuar dhe zbehjen më tej të perspektivës për mbajtjen e fuqisë së re dhe të aftë në vend.
Faza në të cilën po ecën ekonomia duhet të transformohet gradualisht në fazën e re të kalimit nga rritja e nxitur nga kërkesa në një rritje të nxitur nga produktiviteti dhe investimet.
Politikës i mungon lidhja e fortë midis të ardhurave fiskale dhe krijimit të kapacitetit të ri ekonomik. Politika duhet të dorëhiqet nga ideja e realizimit të të ardhurave buxhetore, pasi më urgjente është transformimi i të ardhurave në produktivitet, investime dhe kapital njerëzor.
Prioritetet që duhet të shoqërojnë edhe projektbuxhetin 2027 duhet të jenë rritja e cilësisë së investimit publik dhe disiplina buxhetore (infrastrukturë, energji, digjitalizim), shoqërimi i rritjes së pagave me rritjen e produktivitetit, kalimi nga pasuritë e paluajtshme drejt investimeve produktive, zgjerimi i bazës ekonomike (bujqësi, industri, shërbime profesionale) dhe së fundmi matja e politikës fiskale sipas rezultatit, jo sipas planit buxhetor.
Rritja e të ardhurave tatimore nga rritja e konsumit, pagave, importeve dhe aktivitetit nominal, në kushtet kur kapaciteti prodhues dhe produktiviteti janë rritur shumë më ngadalë, mund të ketë forcuar buxhetin e shtetit, por nuk kanë arritur të përdoren efektivisht për fuqizimin e bazës prodhuese me të njëjtin ritëm.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.