Transformimi i modelit të vjetër të pastrimit të parave drejt një modeli të ri

Transformimi i modelit të vjetër të pastrimit të parave drejt një modeli të ri

Nga paradigma e pasurive të paluajtshme drejt ekonomisë së rrjeteve financiare

Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), Policia e Shtetit, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Drejtoria e Hetimit Tatimor (DHT) tregojnë se gjatë vitit 2025 sistemi shqiptar i luftës kundër pastrimit të parave po përballet me një transformim të rëndësishëm të natyrës së rrezikut financiar dhe kriminal.

Nëse për më shumë se një dekadë debati publik është dominuar nga lidhja midis pastrimit të parave dhe sektorit të ndërtimit, evidenca institucionale e vitit 2025 sugjeron një realitet më kompleks. Treguesit e raportuar nga institucionet nuk identifikojnë më pasuritë e paluajtshme si qendrën e gravitetit të aktivitetit të dyshimtë financiar. Përkundrazi, ato evidentojnë një zhvendosje drejt rrjeteve financiare të shpërndara, kriptovalutave, evazionit fiskal të organizuar, mikrofinancës, transaksioneve ndërkombëtare dhe ndërmjetësve financiarë e juridikë.

Ky ndryshim nuk nënkupton se sektori i ndërtimit është jashtë rrezikut. Ai mbetet një instrument i rëndësishëm për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë. Por të dhënat sugjerojnë se pasuritë e paluajtshme janë gjithnjë e më shumë destinacioni final i fondeve të pastruara dhe jo domosdoshmërisht mekanizmi kryesor përmes të cilit ato transferohen, maskohen ose integrohen në ekonomi.

Kjo do të thotë se debati publik vazhdon të fokusohet tek vendi ku përfundon paraja, ndërsa rreziku real po zhvendoset tek mënyra se si ajo lëviz dhe transformohet përgjatë zinxhirit financiar.

Çfarë tregojnë institucionet?

AIF raportoi gjatë vitit 2025 administrimin e 1,759 Raporteve të Aktivitetit të Dyshimtë (RAD), ndërsa 83% e tyre janë gjeneruar nga subjektet raportuese financiare. Njëkohësisht vihet re rritje e rolit të noterëve, institucioneve mikrofinanciare, strukturave të kadastrës dhe ndërmjetësve të tjerë ekonomikë.

Ky është një sinjal i rëndësishëm se rreziku nuk është më kryesisht bankar. Sistemi po identifikon gjithnjë e më shumë kanale alternative të qarkullimit të kapitalit dhe po përballet me një ekonomi kriminale më të decentralizuar.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit raportoi rreth 16.9 milionë euro sekuestrime, prej të cilave 3.3 milionë euro cash, ndërsa konfiskimet mbeten ndjeshëm më të ulëta. Kjo diferencë vazhdon të tregojë se sistemi arrin të identifikojë dhe bllokojë pasuri të dyshuara, por ka ende vështirësi në transformimin e tyre në konfiskime përfundimtare.

Ndërkohë, SPAK raportoi rreth 45.4 milionë euro sekuestrime dhe konfiskime, ku afro 12.4–14.5 milionë euro lidhen me kriptovalutat. Ky është ndoshta treguesi më i fortë i transformimit të modelit të pastrimit të parave në Shqipëri.

Nëse kriptovalutat përfaqësojnë pothuajse një të tretën e aseteve të identifikuara nga SPAK, atëherë bëhet e vështirë të mbrohet teza se pastrimi i parave po zhvillohet kryesisht përmes ndërtimit apo pasurive të paluajtshme.

Po aq domethënëse është edhe rritja me 93.7% e procedimeve të pezulluara, e cila tregon se hetimet po bëhen më komplekse, më ndërkombëtare dhe më të vështira për t’u përfunduar për shkak të mungesës së provave ndërkufitare.

Një rol gjithnjë e më të rëndësishëm po merr edhe Drejtoria e Hetimit Tatimor. Gjatë vitit 2025 referimet në Prokurori janë rritur me 67%, numri i tatimpaguesve të referuar me 102%, ndërsa vlera e detyrimeve të evidentuara është rritur me 1090% krahasuar me vitin paraardhës.

Vetëm për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale (neni 287 i Kodit Penal), Hetimi Tatimor ka evidentuar mbi 517 milionë lekë. Kjo tregon se evazioni fiskal dhe pastrimi i parave po shfaqen gjithnjë e më shumë si dy anë të së njëjtës problematikë.

Pse vazhdojmë të flasim për ndërtimin?

Një nga denoncimet më të dukshme që del nga të dhënat është diferenca midis narrativës politike dhe evidencës institucionale.

Diskursi publik vazhdon të identifikojë ndërtimin si sektorin kryesor të pastrimit të parave. Megjithatë, grupet kriminale të goditura nga SPAK, raportimet e AIF dhe rastet e referuara nga Hetimi Tatimor tregojnë një panoramë shumë më të gjerë, ku dominojnë rrjetet kriminale transnacionale, kompanitë guackë, kriptovalutat, mashtrimet fiskale dhe me TVSH, transfertat ndërkombëtare dhe përdorimi i ndërmjetësve financiarë dhe juridikë.

Kjo na sugjeron se pastrimi i parave nuk duhet parë më si një fenomen sektorial, por si një ekosistem financiar kriminal, ku pasuritë e paluajtshme përfaqësojnë vetëm një hallkë të zinxhirit. Në këtë kuptim, fokusimi pothuajse ekskluziv tek ndërtimi rrezikon të fshehë evolucionin real të fenomenit. Megjithatë, numri i lartë i lejeve të ndërtimit të miratuara gjatë vitit 2025 tregon se sektori i ndërtimit mbetet një nga shtyllat kryesore të aktivitetit ekonomik dhe nuk del në plan të dytë.

Ekonomia cash, treguesi që kundërshton optimizmin institucional

Një tjetër element që meriton vëmendje është niveli i lartë i parasë fizike që vazhdon të qarkullojë në ekonomi.

Sekuestrimi i 3.3 milionë eurove cash nga Policia e Shtetit nuk është vetëm një tregues operacional. Ai sugjeron se, pavarësisht zgjerimit të sistemit bankar, dixhitalizimit të pagesave dhe forcimit të kontrollit financiar, ekonomia informale dhe aktivitetet kriminale vazhdojnë të mbështeten në para fizike.

Kjo krijon një dualitet interesant. Në nivelet e larta të organizimit kriminal po përdoren instrumente gjithnjë e më të sofistikuara financiare, ndërsa në nivelet e ndërmjetme dhe lokale vazhdon të dominojë qarkullimi cash.

Rezultati është krijimi i një sistemi hibrid ku kapitali kriminal lëviz vazhdimisht nga paraja fizike tek instrumentet financiare dhe më pas rikthehet në investime të ligjshme.

Korrupsioni si faktor lehtësues

Analiza e të dhënave të vitit 2025 sugjeron se pastrimi i parave nuk mund të trajtohet i ndarë nga problematika e korrupsionit.

Në praktikë, rrjetet kriminale nuk kanë nevojë vetëm për mekanizma financiarë. Ato kanë nevojë edhe për mundësi depërtimi në ekonomi, për shmangie të kontrolleve dhe për dobësi institucionale që lehtësojnë integrimin e kapitalit me origjinë të paligjshme.

Prandaj, rritja e inteligjencës financiare dhe e numrit të rasteve të referuara nuk duhet të interpretohet automatikisht si sukses. Nëse numri i RAD-ve rritet, por konfiskimet mbeten të ulëta; nëse referimet shtohen, por procedimet pezullohen; nëse qarkullimi cash mbetet i lartë, atëherë sistemi po prodhon më shumë informacion, por jo domosdoshmërisht më shumë efekt ekonomik kundër kriminalitetit.

Kjo është një nga sfidat kryesore të politikave publike në vitet e ardhshme.

Problemi themelor është mungesa e integrimit institucional

Më shumë pastrimin e parave në volum financiar total rezulton se e ka luftuar SPAK, ndërsa në kapje direkte është Policia e Shtetit. Ndërkaq, në zbulim dhe sinjalizim janë AIF dhe DHT.

Edhe pse shikojmë se SPAK mban një status të veçantë në luftën ndaj pastrimit të parave, realisht sistemi nuk është konkurrencë, por zinxhir sipas fushave të mbulimit të institucioneve. AIF prodhon inteligjencën financiare. DHT identifikon evazionin dhe burimet e të ardhurave të padeklaruara. Policia godet asetet dhe rrjedhat monetare. SPAK ndjek strukturat komplekse kriminale.

Në këtë kuptim, SPAK duket më i fortë në publik sepse merret me finalizimin e rasteve dhe prek struktura kriminale, që kryesisht operojnë me vlera të mëdha monetare. Por, pavarësisht progresit të secilit institucion, analiza tregon se hallka më e dobët vazhdon të jetë koordinimi.

Megjithatë, sistemi vazhdon të funksionojë më shumë si një grup institucionesh paralele sesa si një arkitekturë e integruar kombëtare kundër pastrimit të parave.

Mungesa e një platforme të përbashkët të riskut, fragmentimi i informacionit dhe hendeku midis sekuestrimit dhe konfiskimit mbeten problemet më të dukshme të modelit aktual.

Analiza e vitit 2025 çon në një përfundim thelbësor, se lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri nuk është më një luftë kundër pasurive të paluajtshme, por një luftë për kontrollin e rrjeteve financiare kriminale.

Përqendrimi vetëm tek ndërtimi nuk mjafton më për të kuptuar fenomenin. Treguesit e rinj të rrezikut po gjenden tek kriptovalutat, evazioni fiskal i organizuar, ekonomia cash, transfertat ndërkombëtare, ndërmjetësit financiarë dhe aftësia e institucioneve për të ndjekur flukset financiare përgjatë gjithë ciklit të tyre. Në këtë kuptim, sfida kryesore për periudhën 2026–2028 nuk është vetëm rritja e numrit të rasteve të identifikuara, por rritja e kapacitetit të shtetit për të transformuar inteligjencën financiare në konfiskim efektiv, reduktim të ekonomisë kriminale dhe kufizim të ndikimit të korrupsionit në qarkullimin e kapitalit me origjinë të paligjshme.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.