Projekti Zvërnec, mundësi ekonomike apo model i vazhdueshëm i mungesës së transparencës institucionale?

Projekti Zvërnec, mundësi ekonomike apo model i vazhdueshëm i mungesës së transparencës institucionale?

Projekti turistik Zvërnec–Pishë Poro–Nartë, i shpallur si investim mbi 4 miliardë euro nga Zvërnec South Adriatic Development, mbetet një nga nismat më ambicioze private në Shqipëri. Megjithatë, siç thekson raporti i ALTAX Observatory, ai operon me një nivel transparence jashtëzakonisht të ulët.

Kjo analizë e thelluar lidh gjetjet e ALTAX me praktikat ndërkombëtare të Bankës Botërore, OECD-së, BE-së dhe Konventës së Aarhusit.
Në fazën aktuale, pas ndryshimit të statusit të zonës mbrojtëse (2022), themelimit të kompanisë (gusht 2024), lidhjes me pronën private dhe fillimit të punimeve paraprake (maj 2026) dokumentet themelore të fizibilitetit ekonomik, mjedisor dhe ligjor duhej të ishin jo vetëm të përgatitura, por të publikuara dhe të diskutuara me palët e interesit.

Qeveria shqiptare, nëpërmjet institucioneve si Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) dhe Kryeministria ka ndjekur një model operimi që përsëritet në projekte të mëdha me probleme transparence ndaj publikut dhe analiza munguese ose të paplota në funksion të interesit publik.
Ky model ka prodhuar protesta lokale, të grupeve të interesit, hetime antikorrupsion dhe vonesa në integrimin europian në raste të mëparshme.

Në rastin e projekt idesë së Zvërnecit parashikohet një resort luksoz (hotele 5*, vila, infrastrukturë golfi, marina e hequr sipas deklaratave të Kryeministrit në qershor 2026) në një zonë me vlera të larta ekologjike.
Pronësia e investitorëve kalon përmes një strukture holandeze Dutch Trust1, me pronarë përfitues të paidentifikuar publikisht.

Kronologjia e ALTAX tregon një sekuencë problematike, nga ndryshim statusi mbrojtës (2022–2024), themelim kompanie, njoftime publike dhe punime paraprake (rrethim i zonës së njoftuar të investimit) para VNM-së.
Kjo pasqyron një qasje institucionale ku prioriteti i investimit privat tejkalon procedurat ligjore.

Struktura me Dutch Trust krijon pengesa për identifikimin e pronarëve përfitues, pavarësisht Ligjit 112/2020. Pasqyrat financiare 2024 tregojnë kapital neto negativ dhe financim me borxh të lartë, një fakt që nuk tregon anomali për momentin fillestar ku kryhen shpenzime të nisjes së aktivitetit. Mirëpo, shqetësimi nuk është te kapitali, por te pronësia p/rfituese finale jotransparente, e cila rrit rreziqet AML/CFT dhe konfliktin e interesit, duke e bërë të vështirë verifikimin e burimeve të fondeve nga institucione si Ministria e Financave dhe QKB.

Praktikat ndërkombëtare, sipas standardeve të Bankës Botërore, OECD-së dhe DG REGIO (Drejtoria Përgjithshme për politikat rajonale dhe urbane) të BE-së, për projekte >50–100 milionë euro, rezultojnë me një studim i plotë fizibiliteti (përfshirë Cost-Benefit Analysis – CBA, modelim input-output dhe skenarë financiarë), i cili duhet të ekzistojë para lidhjes së marrëdhënieve me pronën ose fillimit të punimeve. Dokumentet bëhen publike herët për konsultim me palët e interesit, bizneset lokale dhe OJQ-të.

rastin e Zvërnecit, siç analizon ALTAX, mungon publikimi i çdo studimi të tillë.
Nisur nga mungesa, llogaritjet e pavaruara bazuar te pretendimi për kontribut 3–4% të PBB-së (840–1.120 milionë euro/vit) vlerësohen të pambështetura në studime dhe analiza të posaçme dhe nëse konsiderojmë këtë kontribut si më lart do të kërkonte që resorti të gjenerojë 25–30% të turizmit kombëtar.
Krahasimet me Mali të Zi (Porto Montenegro) ose Bahamas tregojnë se pretendime të tilla kërkojnë studime të pavarura 1–3 vjeçare.

Punësimi (10,000 vende) konsiderohet si një numër teorik maksimal. Standardet e ILO, OECD dhe Bankës Botërore kërkojnë analiza të detajuara (sezonale vs. permanent, lokal vs. i importuar, paga, plane trajnimi) si pjesë e fizibilitetit, diçka që Ministria e Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, por edhe Ministria e Financave duhej ta kishte kërkuar paraprakisht.

Përfitimi publik neto (Net Public Benefit, NPB), sipas skenarëve hipotetikë të ALTAX tregojnë se mund të arrijë të jetë pozitiv vetëm në kushte optimiste. Ndërkombëtarisht, CBA-ja është e detyrueshme për të vlerësuar efektin neto fiskal dhe për të krahasuar me alternativa publike (arsim, infrastrukturë).
Mungesa krijon asimetri informacioni dhe rrezik subvencionimi të fshehur.

Në funksionet që institucionet qeveritare duhet të kryejnë është fakti, se qeveria ka avancuar në procedurat që varen prej saj pa kërkuar ose publikuar këto dokumente, duke përsëritur modelin e projekteve të mëparshme turistike ku incentivat fiskale dhe infrastruktura publike jepen pa vlerësim të plotë kosto-përfitim.
Kjo rrit barrën fiskale për buxhetin shtetëror pa garanci transparence.

Pra, këto sa më lart janë elementët e transparencës, që në këtë fazë duhej të ishin publike gjithë dokumentet ekonomike për diskutim me grupet e interesit, sipas praktikave të OECD-së dhe Bankës Botërore.

Një pjesë tejet e rëndësishme e transpafrencës lidhet me mjedisin dhe mbrojtjen e tij nga efektet që pritet të vijnë nga investimi në infrastrukturë dhe projekti ndërtimor.
Zona ka vlera të jashtëzakonshme (Laguna e Nartës, Pisha e Poros, korridor shpendësh). Ndryshimi i statusit nga IUCN IV në V (2022) hapi rrugën për zhvillim, por mungojnë plotësisht VNM-ja, studimi i biodiversitetit, analiza kumulative dhe plani i monitorimit.

Praktikat ndërkombëtare, që lidhen me zbatimin e Direktivës 2011/92/UE (amenduar 2014/52/UE) dhe udhëzimet e World Bank/EPA kërkojnë që VNM-ja (EIA) dhe SEA (Vlerësim Strategjik Mjedisor) të fillojnë herët (screening + scoping) dhe të përfundojnë para fillimit të veprimeve në terren.
Konsultimi publik është i detyrueshëm (min. 30 ditë + seanca dëgjimore) sipas Konventës së Aarhusit.

Por, Ministria e Mjedisit dhe AKZM kanë lejuar ndryshime statusi dhe punime paraprake pa dokumentacionin e kërkuar, duke përsëritur modele të mëparshme ku zonat e mbrojtura “përshtaten” për investitorë pa studime të pavarura. Kjo më e pakta ndikoi në fillimin e protestave masive (“Flamingo Revolution”) dhe fillimin e hetimeve nga SPAK.

Mirëpo, transparenca duhej të ishte absolutisht e detyrueshme për tu bërë nga institucionet para këtyre reagimeve. Studimet duhej të ishin publike për konsultim me komunitetet, OJQ-të dhe ekspertët për të shmangur konflikte dhe dëmtime potenciale dhe të pakthyeshme, si ka ndodhur në raste të tjera në investime me vlera më të vogla.

Sekuenca VNM → Konsultim Publik → Leje Ndërtimi → Punime mbetet e pandryshueshme. Rastet si El Algarrobico (Spanjë) tregojnë anulime, prishje dhe kosto të larta. Transparenca e pronësisë kërkohet nga Direktivat AML (5AMLD/6AMLD) dhe FATF.

KKTU, Ministria e Mjedisit dhe Kryeministria kanë lejuar avancim procedural pa respektuar renditjen ligjore, duke krijuar precedentë të dëmshëm. Kjo qasje ka karakterizuar disa projekte të mëdha turistike, duke rrezikuar Kapitullin 27 të negociatave me BE-në (Mjedisi) dhe duke sjellë ankesa në Komitetin e Aarhusit.

Në këtë fazë të fillimit të investimit, të gjitha dokumentet ligjore duhej të ishin transparente për grupet e interesit. Konventa e Aarhusit garanton të drejtën e informimit, pjesëmarrjes dhe drejtësisë, por të drejta të cunguara deri tani.

Indeksi i Transparencës të llogaritur nga ALTAX e vlerëson procesin institucional deri më tani në nivelin 15/100. Rezultati konfirmon dështim sistemik në pronësi përfituese, VNM, fizibilitet ekonomik, studime mjedisore dhe kontrata me shtetin.

Në mbyllje, Projekti Zvërnec, ashtu si dhe iniciativa të tjera madhore si Porta e Alpeve, përfaqëson një mundësi të rëndësishme transformuese për zhvillimin ekonomik afatgjatë të Shqipërisë. Rëndësia kombëtare e këtyre projekteve tejkalon çdo autorësi qeveritare të momentit dhe kërkon një qasje institucionale konsistente, transparente dhe të qëndrueshme që i shërben interesit publik mbi afat.

Suksesi i tyre varet nga korrigjimi i menjëhershëm i boshllëqeve të identifikuara në transparencë, studime të pavarura dhe respektim rigoroz të procedurave ligjore. Kur është e nevojshme, interesat e individëve ose grupeve specifike duhet të lënë vend për të siguruar vijueshmërinë institucionale, legjitimitetin publik dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të këtyre iniciativave kombëtare.

Siç thekson raporti i ALTAX Observatory, kontradikta kryesore nuk qëndron te vetë investimi, por te modeli i qeverisjes që në disa raste ka priorizuar avancimin e shpejtë mbi standardet e plota të mirëqeverisjes.

Publikimi i menjëhershëm i dokumenteve të kërkuara (VNM, analiza kosto-përfitim, pronarët përfitues) nuk përbën pengesë për zhvillimin, por përkundrazi një garanci thelbësore për minimizimin e rreziqeve, mbrojtjen e mjedisit, ruajtjen e besimit publik dhe forcimin e kredibilitetit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

  1. Sipas informacionit nga QKB deri në datën e publikimit ↩︎

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.