Analiza e portofolit të investimeve publike, sipas DPP 2026 – 2029

Analiza e portofolit të investimeve publike, sipas DPP 2026 – 2029

Për herë të parë, qendra kërkimore ALTAX ka publikuar një analizë të thelluar të portofolit të investimeve publike në Shqipëri, duke hedhur dritë mbi sfidat strukturore dhe financiare të projekteve strategjike për periudhën 2026–2029.

Ky dokument analizon portofolin e investimeve publike shqiptare sipas Dokumentit të Politikave Prioritare (DPP) për periudhat 2026–2028 dhe 2027–2029, duke mbuluar 86 dhe 121 projekte me vlerë totale zyrtare respektivisht 11,251,273,745 € dhe 14,834,486,864 € sipas VKM-ve Nr. 91/2025 dhe Nr. 145/2026.

Më poshtë vijojnë pikat kryesore dhe të rejat që sjell ky studim:

1. “Mbingarkesa” e sistemit, mbi dyfishi i mundësive reale

Gjetja më alarmante e raportit është mbiprogramimi sistemik. Portofoli i planifikuar është 2.25 herë më i madh se kapaciteti real financiar i strategjive sektoriale. Ndërsa shteti ka kapacitet për rreth 7.38 miliardë euro, lista e projekteve (DPP) arrin në 16.6 miliardë euro, duke krijuar një “gropë” prej 9.2 miliardë eurosh që rrezikon stabilitetin fiskal dhe rrit presionin mbi borxhin publik.

2. Statusi i maturimit për zbatim, ku vetëm 36% e projekteve janë gati

Edhe pse lista e projekteve është e gjatë, raporti zbulon se:

  • Vetëm 36% e vlerës totale (rreth 5.29 miliardë euro) i përket projekteve plotësisht të maturuara dhe të gatshme për zbatim.
  • Pjesa tjetër prej 64% mbart rrezik të lartë për vonesa, mbikosto ose mosrealizim.
  • Me ritmet historike të ekzekutimit (~680 milionë euro/vit), do të duheshin mbi 20 vite për të realizuar portofolin aktual.

3. Ngecja e Projektive (Full-Matching Analysis)

Një risi metodologjike e këtij raporti është krahasimi i drejtpërdrejtë i projekteve mes dy periudhave (2026-2028 dhe 2027-2029). Rezultatet tregojnë një stagnim në 73% të projekteve, të cilat nuk kanë pësuar asnjë progres në statusin e tyre teknik apo financiar.

4. Energjia dhe Transporti “pllakosin” sektorët socialë

Portofoli dominohet masivisht nga Transporti dhe Energjia (58% e vlerës totale). Në krahun tjetër, sektorët jetikë si arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale mbeten të nënpeshuar, duke zënë më pak se 5% të peshës financiare të investimeve.

5. Propozimet për reformimin e programimit dhe zbatimit të projekteve të investimeve

Për të dalë nga ky cikël listash “dëshirash”, ALTAX rekomandon:

  • Vendosjen e një tavani fiskal detyrues për dokumentet e politikave prioritare.
  • Krijimin e një Njësie të pavarur për Menaxhimin e Investimeve Publike (PIM) brenda Ministrisë së Financave.
  • Ndarjen e qartë midis “Projekteve Bazë” (Core) dhe “Listës së Rezervës” (Pipeline).
  • Ndalimin e përfshirjes së projekteve në buxhet pa pasur më parë një marrëveshje të qartë financimi.

Ky raport shërben si një thirrje për politikëbërësit dhe institucionet ndërkombëtare për të kaluar nga “prodhimi i listave” drejt një filtri rigoroz që siguron që paratë publike të shkojnë në projekte që vërtet mund të realizohen dhe sjellin zhvillim.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.