Një buxhet që tejkalon planin, por a i shërben qytetarit?
Shifrat më të fundit të Ministrisë së Financave tregojnë një realitet të pazakontë për financat publike shqiptare. Të ardhurat e buxhetit për periudhën janar–gusht 2025 kanë tejkaluar planin me mbi 69 milionë euro. Në shikim të parë kjo është një arritje e rëndësishme.
Por pyetja e domosdoshme është:
– A do të përkthehet ky suficit në më shumë siguri sociale, në pensione më të qëndrueshme dhe shërbime publike më cilësore, apo do të shpërndahet në mënyrë fragmentare për projekte afatshkurtra?
Nga vijnë të ardhurat shtesë?
Burimi kryesor janë TVSH-ja dhe tatimi mbi të ardhurat personale.
Kjo tregon dy gjëra. E para, rritja e formalizimit të tregut të punës, me më shumë punonjës që marrin pagën e deklaruar dhe kontribuojnë në skemën e sigurimeve; dhe e dyta, rritja e çmimeve dhe konsumit, e cila ka zgjeruar automatikisht bazën tatimore. Pra, një pjesë e këtij suksesi është strukturore, por një pjesë tjetër është e përkohshme, sepse nëse çmimet bien, arkëtimet mund të mos jenë në të njëjtin nivel.
Megjithatë, për qytetarët, ky është një sinjal pozitiv. Formalizimi i pagave rrit të ardhurat për pensione dhe ul hapësirat për konkurrencë të pandershme mes bizneseve. Ky është një hap i domosdoshëm drejt një ekonomie më të drejtë.
Rreziku i shpenzimeve në fundvit
Përvoja e viteve të fundit tregon se shpenzimet e buxhetit përqendrohen në muajt e fundit të vitit.
Kjo mënyrë menaxhimi sjell rrezik serioz. Projektet shpesh nisen me nxitim, cilësia bie dhe tenderimet bëhen më pak transparente. Në vend që suficiti të përkthehet në siguri sociale dhe investime afatgjata, ekziston rreziku që të përdoret për shpenzime elektorale ose për projekte që nuk japin impakt real në jetën e qytetarëve.
Prandaj, mesazhi kryesor është i thjeshtë. Menaxhimi i fondeve të tepërta duhet të bëhet me kujdes, duke pasur përparësi qytetarin, jo ciklin politik.
Prioriteti duhet te siguria sociale
Në një vend ku mbi 30% e popullsisë është e lidhur me skemat e pensioneve, ku arsimi dhe shëndetësia vuajnë mungesë fondesh dhe ku papunësia informale ende është problem është e qartë se çdo e ardhur shtesë duhet të orientohet drejt forcimit të sigurisë sociale.
- Rritja e pensioneve nuk mund të shtyhet pafund, por duhet të mbështetet mbi rritjen e numrit të kontribuesve, jo vetëm mbi borxh publik.
- Shëndetësia publike ka nevojë për financim që të ofrojë shërbime bazike pa pagesa shtesë për qytetarët.
- Arsimi kërkon më shumë investime, jo vetëm në infrastrukturë, por në cilësi, trajnime dhe teknologji.
Këto janë investime që kthehen në produktivitet afatgjatë, ndryshe nga projektet e përkohshme të infrastrukturës që shpesh kanë efekt vetëm vizual.
Integrimi dhe kostot e tij
Në këtë moment, Shqipëria ndodhet në një fazë ku integrimi në BE nuk është më një slogan politik, por një proces real me kosto konkrete buxhetore. Standardet e BE-së kërkojnë fonde më të larta për bujqësinë, energjinë, mjedisin dhe kibernetikën. Nëse sot nuk i alokojmë burimet në mënyrë të strukturuar, nesër do të përballemi me presion më të madh financiar dhe me risk për të humbur fonde të BE-së.
Pra, orientimi i buxhetit drejt harmonizimit me standardet europiane është i pashmangshëm. Kjo nuk duhet parë si barrë, por si investim strategjik për të ardhmen.
Buxheti 2026, një test i madh
Qeveria ka nisur hartimin e buxhetit për vitin 2026. Nëse ky vit karakterizohet nga një performancë më e mirë se pritshmëritë, atëherë viti i ardhshëm është testi i madh.
Si do të shpërndahen të ardhurat shtesë?
Do të shkojnë për rrugë të reja dhe projekte infrastrukturore, apo për shërbime publike dhe siguri sociale?
Nëse për 2026 prioriteti nuk vendoset qartë tek pensionet, shëndetësia dhe arsimi, atëherë çdo suficit është vetëm një iluzion statistikor, jo një fitore reale për qytetarët.
Qytetari nuk ndjen përfitim nga shifrat dhe raportet e ministrisë nëse nuk shikon ndryshim real në jetën e përditshme.
Pagat e deklaruara, pensionet e sigurta, shërbimet shëndetësore falas dhe arsimi i qasshëm janë treguesit që e bëjnë buxhetin të vlefshëm. Përndryshe, suficiti është vetëm një tabelë me numra, që e kanë justifikimin brenda.
Shqipëria është në një moment ku ka mundësi të rrallë.
Të ardhurat janë mbi plan, integrimi kërkon harmonizim, qytetarët kanë pritshmëri më të larta.
Sfida e madhe është të transformojmë këtë suficit në siguri sociale dhe në një ekonomi të qëndrueshme, jo ta shpërndajmë në mënyrë fragmentare.
Ky është momenti për të treguar se buxheti nuk është thjesht një dokument financiar, por një kontratë sociale midis shtetit dhe qytetarit. Dhe kjo kontratë duhet të ketë një mesazh të vetëm!
Çdo euro shtesë duhet të kthehet në më shumë mbrojtje sociale, shëndetësi dhe arsim për qytetarët shqiptarë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.