Analiza krahasuese e bilancit të pagesave, 6-mujori i parë 2024 dhe 2025 dhe me vijimësinë e vitit 2024

Analiza krahasuese e bilancit të pagesave, 6-mujori i parë 2024 dhe 2025 dhe me vijimësinë e vitit 2024

Të dhënat e gjashtëmujorit të parë 2025 të bilancit të pagesave (sipas Bankës së Shqipërisë) ofrojnë një pasqyrë të qartë mbi sfidat strukturore dhe dinamikat mbështetëse të ekonomisë shqiptare, sidomos kur krahasohen me periudhën përkatëse të vitit 2024 dhe me ecurinë e plotë të vitit 2024.

Realiteti i shifrave tregon se ekonomia po mbështetet fort mbi hyrjet nga turizmi dhe remitancat, ndërkohë që konkurrueshmëria e mallrave dhe kapaciteti i prodhimit vendas mbeten të kufizuara.

Llogaria korrente

Në gjashtëmujorin e parë të 2024, deficiti i llogarisë korrente ishte -579 milionë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2025 zbriti lehtësisht në -561 milionë euro.

Ky ndryshim i vogël nuk reflekton përmirësim strukturor.

Edhe pse rezultati është disi më i favorshëm, ai konfirmon një model ekonomik të brishtë. Çekuilibrat e mallrave vazhdojnë të dominojnë dhe diferenca kompensohet kryesisht nga shërbimet dhe hyrjet valutore të qëndrueshme.

Në vitin e plotë 2024, deficiti ishte -610 milionë euro, duke treguar vijueshmëri të këtij modeli.

Mallrat

Deficiti tregtar në mallra është thelluar nga -2,591 milionë euro në gjashtëmujorin e parë 2024 në -2,711 milionë euro në të njëjtën periudhë të 2025. E gjithë 2024 e mbylli këtë komponent me një hendek prej -5,592 milionë euro.

Ky rezultat pasqyron dobësinë e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas dhe kapacitetin e ulët eksportues.

Produktiviteti i ulët, orientimi i ekonomisë drejt importeve të larta dhe mungesa e bazës industriale po e mbajnë mallin shqiptar jashtë garës në tregjet ndërkombëtare. Në këtë aspekt, masat e marra gjatë 2025 nuk kanë prodhuar ende ndikim të dukshëm, pasi deficiti ka vijuar të rritet.

Shërbimet

Bilanci i shërbimeve, nga ana tjetër ka ruajtur rritjen pozitive. Nga një tepricë prej +1,493 milionë euro në gjashtëmujorin e parë 2024, kaloi në +1,589 milionë euro në të njëjtën periudhë të 2025. Në vitin e plotë 2024, shërbimet sollën një bilanc pozitiv prej +3,875 milionë euro.

Kjo rritje reflekton fuqizimin e sektorëve që lidhen me turizmin, transportin dhe shërbimet mbështetëse. Por, përtej hyrjeve valutore, sfida që mbetet është transformimi i këtyre të ardhurave në rritje produktiviteti dhe investime në kapacitete prodhuese.

Deri tani, ndikimi është kryesisht te konsumi, duke mos e zhvendosur ekonominë drejt një strukture më konkurruese.

Udhëtimet (turizmi)

Turizmi është komponenti më dinamik i shërbimeve dhe një nga shtyllat kryesore të bilancit të jashtëm.

Në gjashtëmujorin e parë të 2024, ai solli një tepricë prej +740 milionë euro, ndërsa në gjashtëmujorin e parë 2025 arriti në +798 milionë euro. Viti i plotë 2024 mbylli me një rezultat prej +2,292 milionë euro, duke treguar rritje të vazhdueshme.

Ky fluks është në përputhje me pritjet dhe politikat për të zhvilluar sektorin e turizmit si motor ekonomik. Megjithatë, sfida është në shkallën se sa ekonomia arrin ta përkthejë këtë hyrje valutore në rritje produktiviteti të brendshëm.

Deri tani, prirja sugjeron se pjesa më e madhe e të ardhurave nga turizmi kanalizohet në konsum afatshkurtër dhe jo në rritje kapacitetesh prodhuese apo teknologjike.

Remitancat

Të ardhurat nga emigrantët mbeten një burim i qëndrueshëm dhe i besueshëm.

Në gjashtëmujorin e parë të 2024 ishin 510 milionë euro, ndërsa në 2025 u rritën lehtë në 532 milionë euro. Viti i plotë 2024 regjistroi 1,045 milionë euro. Rritja është e moderuar, por konsistente.

Megjithatë, si edhe në rastin e turizmit, remitancat përdoren kryesisht për konsum familjar dhe nuk kanë gjeneruar ndryshim të dukshëm në strukturën e produktivitetit apo konkurrueshmërisë së ekonomisë.

Investimet e huaja direkte (IHD)

Investimet e huaja direkte mbeten të stabilizuara, por jo dinamike.

Në gjashtëmujorin e parë 2024 ato arritën në 751 milionë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2025 në 759 milionë euro. Riinvestimi i fitimeve është rritur nga 394420 milionë euro, duke treguar besim të kompanive ekzistuese për të mbajtur kapitalin në Shqipëri.

Kapitali i ri dhe aksionet janë rritur nga 337345 milionë euro, ndërsa instrumentet e borxhit kanë kaluar nga një hyrje prej 20 milionë në një dalje prej -7 milionë euro.

Këto shifra dëshmojnë se hyrje të reja madhore të kapitalit nuk ka, ndërsa fokusi kryesor mbetet riinvestimi i fitimeve të akumuluara.

Për një ekonomi që kërkon të rrisë konkurrueshmërinë dhe produktivitetin, mungesa e flukseve të reja të investimeve është një kufizim i madh.

Përgjigjja e ekonomisë ndaj masave të marra në 6-mujorin e parë 2025

Shifrat tregojnë se masat e marra për të përmirësuar konkurrueshmërinë dhe për të nxitur produktivitetin nuk kanë prodhuar ende efekte të dukshme në strukturën e bilancit të pagesave.

Deficiti në mallra është thelluar, duke dëshmuar mungesën e kapacitetit eksportues dhe të industrive konkurruese.

Shërbimet, sidomos turizmi kanë gjeneruar të ardhura të larta, por këto të ardhura nuk janë shndërruar në nxitës të produktivitetit afatgjatë.

Remitancat mbeten të forta, por natyra e tyre konsumative e kufizon ndikimin zhvillimor.

Investimet e huaja edhe pse pozitive, tregojnë mungesë të kapitalit të ri në shkallë të gjerë dhe orientim të investitorëve ekzistues drejt ruajtjes së pranisë, jo zgjerimit të saj.

Nga këto të dhëna mund të lexohet qartë se ekonomia shqiptare po ecën mbi një bazë të brishtë.

Pesha kryesore e ekuilibrit mbështetet te turizmi dhe remitancat, dy burime që sjellin valutë, por nuk garantojnë rritje të qëndrueshme të konkurrueshmërisë dhe produktivitetit.

Struktura e mallrave mbetet një problem i pazgjidhur, që reflekton mungesë të industrive të forta dhe aftësisë eksportuese.

Investimet e huaja janë më shumë shenjë e një ekonomie tërheqëse për fitimet afatshkurtra, sesa e një destinacioni që gjeneron besim për kapital të ri dhe projekte transformuese.

Në këtë kuptim, mes rreshtave dhe statistikave fshihet një realitet i dyfishtë.

Shqipëria po rritet përmes konsumit dhe sektorëve të shërbimit, por jo përmes rritjes së produktivitetit dhe konkurrueshmërisë. Kjo do të thotë se pa ndryshime të thella në strukturën e prodhimit dhe në politikat e mbështetjes për eksportet, prirja aktuale do të mbetet e kufizuar dhe e brishtë përballë tronditjeve të jashtme.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.