Sistemi kontabël publik dhe tranzicioni drejt kontabilitetit akrual
Në një epokë ku besueshmëria e financave publike përbën themelin e stabilitetit ekonomik dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, Shqipëria ndodhet në një moment kyç të tranzicionit drejt një modeli më modern të kontabilitetit publik, atë të kontabilitetit akrual.
Ky proces nuk është vetëm një ndryshim teknik në mënyrën e regjistrimit të shpenzimeve dhe të ardhurave, por reflekton një transformim thelbësor institucional, që prek direkt mënyrën se si qeveria raporton transparencën e përdorimit të fondeve publike ndaj qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në kontekstin e përpjekjeve të vendit për t’u integruar në Bashkimin Evropian, ku standardet e larta të raportimit fiskal dhe transparencës janë kërkesa kryesore, kalimi nga kontabiliteti bazuar në cash drejt kontabilitetit akrual përfaqëson një hap thelbësor.
Ai siguron një pasqyrë më të plotë dhe të besueshme të detyrimeve, aseteve dhe performancës fiskale, duke fuqizuar mekanizmat e përgjegjshmërisë dhe menaxhimit efektiv të burimeve publike.
Ky udhëtim reformues, megjithatë është i sfiduar nga kompleksiteti i institucioneve shqiptare, nga kapacitetet e kufizuara teknike dhe nga nevoja për një koordinim më efektiv ndërmjet institucioneve përkatëse.
Përtej aspektit teknik, kjo është edhe një sfidë kulturore dhe politike, që kërkon vullnet të fortë politik dhe angazhim të vazhdueshëm për ngritjen e besimit në sistemin financiar publik.
Në këtë kuadër, përshkrimi analitik dhe qasja jonë e bazuar në analizat e thelluara të fundit[1] synon të hedhë dritë mbi pozicionin aktual të Shqipërisë në këtë proces, duke e krahasuar atë me përvojat dhe praktikat më të mira të vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian, si dhe duke identifikuar faktorët kryesorë që mund të përcaktojnë suksesin ose ngecjen e këtij tranzicioni strategjik.
Nga kontabiliteti “cash” drejt akrualit
Aktualisht, sistemi kontabël publik i Shqipërisë bazohet kryesisht në metodologjinë “cash”, ku regjistrimi i të ardhurave dhe shpenzimeve bëhet vetëm në momentin kur paratë hyjnë ose dalin nga arkët e qeverisë.
Ky model, megjithëse relativisht i thjeshtë ofron një pamje të pjesshme dhe shpesh të vonuar të gjendjes financiare të shtetit, duke lënë jashtë vëmendjes detyrimet e pashlyera, amortizimin e aseteve publike, dhe angazhimet financiare afatgjata që ndikojnë në qëndrueshmërinë fiskale.
Në vitet e fundit, Shqipëria ka nisur të fusë elementë të kontabilitetit akrual në sistemin e saj financiar. Ky sistem, më kompleks dhe gjithëpërfshirës synon të ofrojë një pasqyrë më të plotë dhe realiste të situatës fiskale, duke përfshirë regjistrimin e të drejtave dhe detyrimeve sapo lindin, pavarësisht lëvizjes reale të parasë.
Sipas vlerësimit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria ndodhet në fazën “On the Way to Accrual”[2], që reflekton një periudhë tranzicioni ku reforma ka filluar, por zbatimi i plotë dhe harmonizimi i plotë i standardeve mbeten ende sfida kryesore.
Në krahasim me fqinjët e rajonit, përparimi i Shqipërisë është i matur. Vende si Serbia, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut kanë arritur të kalojnë në faza më të avancuara si “Well on the Way” dhe në disa raste madje kanë konsoliduar sistemet e tyre në kategorinë e “Mature Accruals”. Kjo diferençë tregon jo vetëm sfidat teknike e institucionale që Shqipëria përballet, por edhe nevojën për një angazhim më të thellë dhe më të përqendruar për të arritur një nivel të qëndrueshëm kontabiliteti akrual, i cili është thelbësor për transparencën fiskale dhe për besueshmërinë në nivel ndërkombëtar.
Pse kjo reformë përbën një sfidë të madhe për Shqipërinë?
Kalimi nga kontabiliteti tradicional “cash” në sistemin më kompleks dhe gjithëpërfshirës të kontabilitetit akrual nuk është thjesht një ndryshim teknik apo metodologjik. Ai përfaqëson një transformim thelbësor dhe gjithëpërfshirës të mënyrës se si funksionojnë institucionet publike dhe bashkëveprojnë me njëra-tjetrën.
Një prej sfidave kryesore qëndron në mungesën e një koordinimi të efektshëm ndërmjet institucioneve kyçe. Në shumë raste, njësitë buxhetore operojnë në izolim nga institucionet e statistikës apo organet e auditimit, duke e bërë kështu të vështirë një përputhje harmonike të të dhënave financiare dhe statistikore. Ky fragmentarizim institucional pengon jo vetëm gjenerimin e raporteve të sakta, por edhe aftësinë për të interpretuar me saktësi gjendjen financiare të shtetit.
Në të njëjtën kohë, kapacitetet teknike brenda administratës publike mbeten të pamjaftueshme. Stafi përgjegjës për kontabilitetin dhe menaxhimin financiar shpesh nuk ka njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të aplikuar standardet komplekse të kontabilitetit akrual, sidomos në vlerësimin e pasurive publike, borxheve të pashlyera dhe përgjegjësive të tjera financiare afatgjata.
Pa një trajnim të specializuar dhe një zhvillim të vazhdueshëm profesional, zbatimi i kësaj reforme mbetet i pamundur.
Një tjetër pengesë e madhe është infrastruktura digjitale, që sot në Shqipëri është e fragmentuar dhe shpesh jo e integruar. Sistemet ekzistuese ERP nuk janë ende të zhvilluara në mënyrë të tillë që të lejojnë raportimin financiar në kohë reale dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare IPSAS/EPSAS.
Pa një investim serioz në teknologji të informacionit dhe sistemet e menaxhimit financiar, sfida për t’u përshtatur me kërkesat e BE-së mbetet e paqëndrueshme.
Këto sfida nuk janë vetëm të Shqipërisë; shumë vende në tranzicion ballafaqohen me të njëjtat probleme.
Megjithatë, për Shqipërinë, moskapja e reformës në kohë rrezikon jo vetëm vonesa në përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare, por edhe minimin e besueshmërisë fiskale dhe të integrimit në BE, ku transparenca dhe raportimi i saktë financiar janë kushtet thelbësore për suksesin e mëtejshëm ekonomik dhe institucional.
Cilat janë pritshmëritë për kontabilitetin akrual në Shqipëri?
Nëse vazhdohet të zhvillohet reforma e kontabilitetit publik në mënyrë të fragmentuar, me një plan kombëtar që ka nevojë të jetë i qartë dhe i integruar, ekziston rreziku real që ajo të ngelet në një fazë të gjatë dhe të pasigurt të tranzicionit.
Kjo do të thotë që publikimet fiskale, raportet financiare dhe analizat ekonomike do të vazhdojnë të jenë të pjesshme dhe jo gjithmonë të pasqyrojnë me saktësi detyrimet dhe pozicionin real financiar të vendit.
Një situatë e tillë do të krijonte vështirësi serioze për planifikimin afatgjatë të politikave fiskale dhe zhvillimore.
Pa një pasqyrë të qartë dhe të besueshme financiare, institucionet dhe politikat do të kenë më shumë vështirësi për të marrë vendime të bazuara në të dhëna të plota dhe të sakta.
Në këtë kontekst, besimi i publikut dhe i investitorëve të huaj do të dobësohet, duke ngadalësuar kështu edhe zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin financiar.
Për më tepër, menaxhimi i borxhit public, një çështje thelbësore për qëndrueshmërinë fiskale do të mbetet i paqartë dhe i ekspozuar ndaj rreziqeve të mëdha, për shkak të mungesës së një raportimi të plotë dhe të saktë mbi detyrimet e afatgjata. Në përfundim, kalimi nga kontabiliteti “cash” në kontabilitetin akrual duhet të trajtohet jo si një ndryshim formal, teknik, por si një reformë themelore dhe e nevojshme për forcimin e institucioneve shtetërore, rritjen e transparencës dhe ndërtimin e një marrëdhënieje më të ndershme dhe më të hapur midis shtetit dhe qytetarëve.
[1] Referuar edhe punimit “Accounting and fiscal reporting in EU Countries” të ekspertëve nga FMN
[2] “Në rrugën drejt kontabilitetit akrual” i referohet procesit të kalimit në ose zbatimit të kontabilitetit akrual, një metodë kontabiliteti që njeh të ardhurat dhe shpenzimet kur ato fitohen ose ndodhin, në vend të kur shkëmbehen paratë e gatshme. Kjo ndryshon nga kontabiliteti i bazuar në para të gatshme, ku transaksionet regjistrohen vetëm kur paratë e gatshme ndryshojnë duar.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.