Strategjitë e diversifikimit dhe mësimet për ekonomitë e vogla
Rasti i Shqipërisë përballë modeleve të Ishujve të Paqësorit
Nga një lexim i strategjive të rritjes ekonomike në vendet ishullore të Paqësorit (PICs), del një mori leksionesh të vlefshme për vende të vogla si Shqipëria, që ndajnë karakteristika si madhësia e kufizuar e tregut, varësia nga disa sektorë dhe ndjeshmëria ndaj goditjeve të jashtme.
Por a është Shqipëria duke ndjekur një rrugë të qëndrueshme të rritjes ekonomike apo po mbështetet në specializime që kufizojnë elasticitetin dhe qwndrueshmwrinë e saj?
Turizmi, një motor jo gjithmonë i mjaftueshëm
Ashtu si në vendet e Paqësorit edhe në Shqipëri turizmi po shihet tashmë, si një strategji kyçe për nxitjen e rritjes ekonomike.
Por le të jemi të qartë!
Në mungesë të rritjes së vlerës së shtuar për njësi dhe pa një strategji eksporti të turizmit (përtej sezonit dhe modeleve standarde), kjo strategji mbetet e kufizuar. Investimet e mëdha të nevojshme në infrastrukturë, mjedis dhe cilësi shërbimesh nuk mund të mbulohen vetëm nga të ardhurat sezonale.
Për më tepër, specializimi i tepruar në turizëm ekspozon ekonominë ndaj krizave të jashtme (si pandemia COVID-19 ose goditjet klimatike). Ndërkohë që vendet e Paqësorit kanë ndjerë pasojat e bllokimeve të kufijve, Shqipëria u ekspozua ndaj pasojave të dobësisë së diversifikimit ekonomik dhe mungesës së zinxhirëve alternativë të vlerës.
Diversifikimi për rritje ekonomike dhe ulje të paqëndrueshmërisë
Raporti i FMN-së për vendet e Paqësorit tregon se strategjitë e diversifikimit të eksporteve janë më efektive në rritjen e qëndrueshme dhe uljen e volatiliteteve ekonomike[1].
Në këtë pikë, Shqipëria ka mbetur pas.
Struktura e eksporteve dominohet nga një grusht mallrash (tekstile, fasoneri, minerale) dhe produktiviteti i ulët i sektorit bujqësor dhe industrial ka bërë që vendi të mos arrijë një zë të konsoliduar eksporti me vlerë të shtuar.
Një model zhvillimi që fokusohet vetëm në prodhimin për konsum të brendshëm dhe jo në konkurrueshmërinë rajonale nuk sjell efekte të qëndrueshme për PBB-në. Megjithatë, siç theksohet në rastin e PICs, diversifikimi i brendshëm mund të jetë i vlefshëm për qëllime si siguria ushqimore, e cila për Shqipërinë merr rëndësi të veçantë në një botë me tensione të rritura të furnizimeve.
FMN thekson se politikat horizontale, tw tilla si: infrastruktura, arsimi, shëndetësia, mbrojtja ndaj fatkeqësive natyrore krijojnë një bazë të fortë për të gjitha strategjitë. Për Shqipërinë, mungesa e koordinimit ndërsektorial dhe e planifikimit afatgjatë në këto fusha ka minuar efektivitetin e çdo përpjekjeje për diversifikim.
Politikat vertikale që synojnë sektorë të veçantë (si agro-industria, teknologjia e informacionit, energjia e rinovueshme) duhet të trajtohen jo si subvencione pa strategji, por si ndërhyrje të mençura me kritere matjeje, vlerësimi dhe daljeje në rast dështimi. Shqipëria ka nevojë për një arkitekturë politike që i jep fund eksperimenteve të rastësishme dhe pilotimeve pa ndikim.
Në rastin e vendeve të Paqësorit (PICs), ndërtimi i qëndrueshmërisë përballë ndryshimeve klimatike konsiderohet si një parakusht thelbësor për çdo strategji zhvillimi afatgjatë.
Por edhe Shqipëria po bëhet gjithnjë e më e ekspozuar ndaj rreziqeve natyrore si përmbytjet, thatësirat dhe rrëshqitjet e tokës, veçanërisht në zonat me zhvillim të pakontrolluar urban apo në territoret rurale të braktisura nga investimet.
Mungesa e zbatimit efektiv të planit kombëtar për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, i cili duhet tw mbështetet jo vetëm në fonde të fragmentuara për projekte sporadike, por në instrumente të integruara financimi dhe zbatimi e vë në rrezik çdo përpjekje për zhvillim të qëndrueshëm.
Në këtë kontekst, transformimi i territorit rural përmes forcimit të kapaciteteve prodhuese dhe ndërlidhjes me zinxhirët rajonalë të vlerës duhet të jetë pjesë përbërëse e një strategjie të gjerë diversifikimi ekonomik. Kjo strategji duhet të orientohet përtej trekëndëshit tradicional të zhvillimit (Tiranë–Durrës–Vlorë), duke ndërtuar baza të reja ekonomike në zonat periferike dhe duke reduktuar pabarazitë territoriale.
Një leksion i drejtpërdrejtë nga vendet ishullore të Paqësorit (PICs) është se izolimi gjeografik, tregjet e vogla dhe mungesa e shkallës ekonomike nuk mund të kapërcehen në mënyrë individuale – por përmes veprimit të përbashkët dhe ndarjes së burimeve. Kjo qasje ka përfshirë krijimin e platformave të përbashkëta për shërbime publike, ndërveprim rajonal për blerje të përbashkëta dhe harmonizim rregullator për qasje të barabartë në tregje.
Për Shqipërinë, ky mësim është më aktual se kurrë, sidomos për zonat periferike dhe të varura nga një sektor i vetëm ekonomik. Forcimi i bashkëpunimit rajonal në Ballkan – jo thjesht si koncept politik, por si praktikë ekonomike – mund të materializohet në disa drejtime konkrete, tashmw tw pwrfshira nw masw tw madhe te Plani i Rritjes pwr Ballkanin Perwndimor.
Shqipëria ndodhet në një pikë kthese ku është e domosdoshme të rikonsiderojë rrënjësisht strategjinë e saj të rritjes ekonomike. Deri më sot, modeli dominues ka mbështetur rritjen mbi sektorë të ngushtë dhe të paqëndrueshëm, si ndërtimi i orientuar drejt fitimit afatshkurtër, turizmi sezonal apo rritja e të ardhurave nga remitancat pa një bosht strategjik që të garantojë transformim ekonomik real dhe gjithëpërfshirës.
Mësimet që vijnë nga vendet e vogla ishullore të Paqësorit (PICs) janë më aktuale se kurrë për një vend si Shqipëria.
Ekonomitë e vogla nuk mund të mbijetojnë pa diversifikim të menduar mirë, të koordinuar me reforma horizontale. Vetëm kështu mund të ndërtohet një ekonomi e qëndrueshme, elastike dhe më e drejtë, që u shërben jo vetëm qyteteve bregdetare, por edhe fshatrave të braktisur të brendësisë.
Nuk është turizmi ai që duhet të shpallet “mbret”, as ndonjë politikë e veçuar ekonomike. Ajo që mungon dhe duhet të ngrihet në piedestal është strategjia ekonomike gjithëpërfshirëse, e mbështetur në objektiva të matshëm, koordinim institucional dhe orientim afatgjatë. Pa këtë, Shqipëria do të mbetet në cikle të pafundme reformash pa rezultat, rritjeje pa shpërndarje dhe zhvillimi që nuk prek shumicën
[1] ndryshime të mëdha dhe të paparashikueshme në treguesit ekonomikë të një vendi, si prodhimi i brendshëm bruto (PBB), inflacioni, punësimi, normat e këmbimit, apo flukset e investimeve. Këto luhatje shpesh shkaktohen nga faktorë të jashtëm (si çmimet globale të mallrave, krizat financiare ndërkombëtare, goditje klimatike) ose të brendshëm (mungesë e politikave të qëndrueshme, varësi nga pak sektorë, informalitet).
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.