A duhet që Tatimet të jenë “Mbreti” në falimentimet në Shqipëri?

A duhet që Tatimet të jenë “Mbreti” në falimentimet në Shqipëri?

Në diskutimet mbi të ardhmen e politikave fiskale dhe ekonomisë së drejtë në Shqipëri, një nga çështjet më të nënvlerësuara publikisht, por shumë të rëndësishme në praktikë, është ajo e statusit të tatimeve në procedurat e falimentimit. E vënë me ironi në pyetje nga një raport i fundit i FMN-së me titullin “Should Tax Be King?”, kjo temë fton një reflektim të thelluar edhe në kontekstin shqiptar, ku përparësia ligjore e tatimeve në faliment ka qenë e pandryshuar ndër vite, por edhe pak e efektshme në praktikë.

Tatimi si “mbret” vetëm në teori

Në sistemin ligjor shqiptar, tatimet klasifikohen si kreditorë të privilegjuar, me përparësi mbi kreditorët e zakonshëm në proceset e falimentit. Kjo nuk është një veçanti shqiptare: shumë vende, historikisht e kanë trajtuar shtetin si një kreditor sovran që duhet paguar përpara të tjerëve, me logjikën se tatimet financojnë shërbimet publike, mbështesin rendin ligjor dhe mbulojnë kostot e vetë sistemit të falimentimit.

Në parim, ky privilegj synon të garantojë mbledhjen e të ardhurave publike dhe të nxisë bindjen e përgjithshme se tatimet janë të detyrueshme edhe kur biznesi falimenton. Por, në kontekstin shqiptar kjo justifikim teorik bie përballë realitetit të zbatimit të dobët, abuzimeve të shumta dhe mungesës së efektit real në rikuperimin e borxheve.

Falimentimi në Shqipëri, si një procedurë e dobët e deformuar dhe e keqpërdorur

Përkundër ekzistencës së një ligji modern për falimentimin (Ligji nr. 110/2016), praktika shqiptare tregon se:

  • Procedurat e falimentimit janë të rralla dhe të pasuksesshme.
  • Bizneset mbyllen në mënyrë joformale pa hyrë në proces të rregullt falimentimi.
  • Gjykatat mungojnë në ekspertizë janë të tejngarkuara dhe shpesh nuk garantojnë as shpejtësinë dhe as cilësinë e procesit.
  • Rrallëherë përdoret falimentimi si instrument për ristrukturim apo për mbrojtjen e kreditorëve, por vetëm si mjet për “pastrim ligjor”.

Edhe kur procedurat nisin, administratorët e falimentit përballen me mungesë asetesh, mungesë bashkëpunimi nga debitorët dhe mungesë informacioni. Kjo do të thotë se çdo përparësi, përfshirë atë të tatimeve ka shumë pak vlerë reale në mungesë të pasurisë që të shpërndahet.

Shteti nuk merr asgjë, por kreditorët e vegjël humbasin gjithçka

Një nga paradokset më të mëdha është se shteti shpesh nuk arrin të mbledhë dot detyrimet tatimore edhe pse ka përparësi, ndërkohë që kreditorët e vegjël, si: furnitorët lokalë, punonjësit, individët që kanë investuar apo huazuar pësojnë humbje të plotë.

Në praktikë:

  • Shteti rrallëherë siguron të ardhura të ndjeshme nga falimentimet.
  • Por përparësia e tij ngushton mundësinë që të paguhen kreditorët e tjerë, sidomos ata që nuk kanë garanci ose kolateral.

Në mungesë të një sistemi efikas dhe transparent, përparësia e tatimeve nuk e rrit barazinë dhe drejtësinë, por përkundrazi e thellon pabarazinë duke ndëshkuar më shumë të pambrojturit dhe duke lejuar abuzuesit e sistemit të dalin të padëmtuar.

Skemat fiktive të falimentit si një plagë fiskale dhe financiare e hapur

Në disa raste, falimentimi në Shqipëri është i fabrikuar me qëllim për të shmangur detyrimet financiare. Kompani me borxhe ndaj shtetit, bankave dhe furnitorëve deklarojnë falimentim të rremë dhe më pas rihapen me emra të rinj me të njëjtët pronarë, duke e rifilluar ciklin e biznesit nga zero pa pasur nevojë të paguajnë askënd.

Këto raste nuk janë të izoluara dhe janë evidentuar në sektorë të ndërtimit, tregtisë, prodhimit, shërbimeve turistike dhe agropërpunimit. Në këtë kontekst, prioriteti i tatimeve nuk ka asnjë efekt ndalues, sepse nuk ka as zbatim të rregullt, as kontroll të pronësisë dhe as ndëshkim ligjor.

Çfarë ndodh jashtë Shqipërisë?

Eksperiencat ndërkombëtare tregojnë një trend drejt reduktimit ose heqjes së përparësisë së tatimeve:

  • SHBA, IRS ka përparësi të kufizuar dhe nuk kalon kurrë kreditorët e siguruar.
  • vendet nordike, shteti trajtohet si kreditor i zakonshëm, duke besuar se drejtësia ekonomike është më e rëndësishme sesa privilegji fiskal.
  • BE, një sërë vendesh kanë rishikuar përparësinë e tatimeve për të nxitur barazinë në tregun e kredisë dhe për të përmirësuar klimën e biznesit.

Argumenti kyç kundër përparësisë së tatimeve është se shteti ka mjetet më të fuqishme për të mbledhur detyrimet, përfshirë kontrollin, bllokimet dhe ndëshkimin penal dhe nuk ka nevojë për përparësi në falimentim, sidomos kur ajo dëmton të tjerët.

Çfarë duhet të ndryshojë në Shqipëri?

Në vend që ta shohim përparësinë e tatimeve si “mbretëri” është më e dobishme ta trajtojmë si mjet ligjor që duhet të funksionojë në një sistem të drejtë dhe efikas. Për këtë arsye, nevojiten disa reforma kyçe:

  1. Transparencë dhe evidencë të qartë mbi efektet reale të përparësisë tatimore.

A rikuperon vërtet shteti më shumë? Apo është kjo një iluzion ligjor?

  1. Vendosje e një tavan për përparësinë e tatimeve, për të garantuar që kreditorët e vegjël të mos dëmtohen.
  2. Ndëshkim ligjor për falimentimet fiktive dhe rihapjet e kompanive fantazmë. Kjo mund të bëhet përmes ndërlidhjes së QKR, Tatimeve dhe Gjykatave.
  3. Krijimi i një trupe gjyqësore të specializuar në falimentime, si pjesë e reformës së drejtësisë ekonomike.
  4. Trajtim më të drejtë të kreditorëve të pambrojtur, si punonjësit dhe mikro-furnitorët që nuk kanë mundësi për mbrojtje ligjore apo kolateral.

Pra, a duhet të jetë tatimi “mbret”?

Në Shqipëri, tatimi nuk është “mbret” në praktikë, por është një figurë simbolike në një proces të rrënuar. Mbrojtja që i jep ligji nuk shërben për të mbledhur të ardhura, as për të garantuar barazi. Ajo shërben vetëm për të justifikuar një rend ligjor që nuk funksionon në praktikë.

Për këtë arsye, pyetja “Should Tax Be King?” në Shqipëri nuk ka nevojë për përgjigje teorike. Ka nevojë për një përgjigje empirike, të bazuar në të dhëna, në drejtësi dhe në efikasitet ekonomik. Nëse do të kemi një sistem që funksionon, nuk na duhet as mbret, as përparësi të verbër.

Neve na duhet ligj që respektohet dhe procedura që funksionon për të gjithë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.