Qokat fiskale në prag zgjedhjesh: Si e kanë gërryer Amnistitë Tatimore moralitetin në Shqipëri

Qokat fiskale në prag zgjedhjesh: Si e kanë gërryer Amnistitë Tatimore moralitetin në Shqipëri

Në më shumë se një dekadë, Shqipëria ka zhvilluar një traditë të përhershme dhe thellësisht të dëmshme: përdorimin e amnistive dhe faljeve fiskale si “qoka” parazgjedhore, duke i transformuar ato nga instrumente të jashtëzakonshme politike në mjete klienteliste për përfitime afatshkurtra.

Përpara se të fillojmë me analizimin tonë le të shikojmë kronoligjikisht amnistitë/faljet fiskale në 16 vitet e fundit nga viti 2009 deri në 2024

Amnistitë dhe Faljet Fiskale 2009–2024

VitiAkti/PolitikaPërmbajtja kryesoreQëllimi
2009Ligji nr. 10192/2009Amnisti për tatimpaguesit dhe individët; përfshiu falje detyrimesh dhe mundësi deklarimi pasuror pa ndëshkim.Legalizim pasurish dhe zgjerim baze tatimore.
2011VKM nr. 531, korrik 2011Falje e gjobave dhe kamatëvonesave për tatimpagues që paguanin principalin.Lehtësim borxhesh dhe rritje e arkëtimeve.
2014Ligji nr. 43/2014Falje e detyrimeve deri më 2010 për ndërmarrje publike dhe biznese me borxhe problematike.Rehabilitim financiar dhe riorganizim publik.
2015Ligji nr. 41/2015Falje pjesore për detyrimet e papaguara për Ujësjellësat dhe OSHEE.Stabilitet sektorësh strategjikë.
2019Paketë në kuadër të reformës në energji (OSHEE, ujësjellësat)Falje e detyrimeve për familjarët dhe bizneset nëse paguanin energjinë në vazhdimësi.Ulje e humbjeve jo-teknike.
2020Paketa COVID-19Shtyrje dhe fshirje gjobash për mospagesa gjatë pandemisë; fshirje kamatëvonesash për bizneset e vogla.Lehtësim i goditjes ekonomike.
2021Ligji nr. 33/2021 për amnistinë fiskaleJo miratuar – propozim për amnisti për pasuri deri 2 mln euro, me taksë të ulët dhe pa penalitete.Rritje të të ardhurave dhe rikthim kapitalesh.
2022–2024Projektligji për Amnistinë Fiskale (në debat të fortë publik e ndërkombëtar)Përfshin deklarim vullnetar pasurie për individë dhe biznese, me tatim 5–10%; kritika për risk pastrimi parash.Legalizim kapitalesh dhe zgjerim i formalizimit.

Kur “falja” bëhet rregull dhe jo përjashtim

Nga viti 2009 deri më 2024, Shqipëria ka ndërmarrë të paktën gjashtë masa me karakter amnistues apo falës, të cilat pa përjashtim kanë ndodhur në periudha që përkojnë me zgjedhje vendore ose parlamentare. Në vitin 2009, ndërkohë që vendi shkonte në votime, u propozua legalizimi i kapitalit të padeklaruar. Në 2011 dhe 2014, u falën gjoba dhe detyrime të vjetra, për t’u pasuar më 2019 me falje për borxhet në energji. Në 2021 dhe sërish në 2023-2024, qeveria ringjalli projektligjin për amnistinë fiskale edhe pse paralajmërimet e FMN, BE dhe MONEYVAL qenë më të zhurmshme se kurrë.
Lidhja e flajeve/amnistive tatimore me ciklet zgjedhore

VitiMasa FiskaleKonteksti Politik
2009Amnistia fiskale – legalizim pasurishZgjedhjet parlamentare (qershor 2009)
2011Falje gjobash dhe kamatëvonesashZgjedhjet vendore (maj 2011)
2014Fshirje borxhesh për ndërmarrje publikeParazgjedhor për zgjedhjet vendore 2015
2019Falje për borxhe të energjisëZgjedhje të debatueshme vendore (bojkot i opozitës)
2021Projektligji për amnisti fiskaleZgjedhjet parlamentare (prill 2021)
2023–2024Rishfaqje e projektligjit për amnisti fiskaleZgjedhjet vendore 2023 dhe përgatitje për zgjedhjet 2025

Nga sa shihet nuk ka ndonjë rast domethënës të amnistive ose faljeve të mëdha që të mos përkojë me një kohë zgjedhore, çka provon dyshimet mbi qëllimin real të këtyre masave. Ky model nuk është rastësi, por një strategji e përsëritur elektorale, ku shteti përdor politikën fiskale si mjet për të blerë tolerancën në vend që të ndërtojë disiplinën fiskale.

Krahasimi me vendet e rajonit

Tabela krahasuese më poshtë paraqet një panoramë të qartë të divergjencës së qasjeve fiskale në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në raport me përdorimin dhe abuzimin e amnistive dhe faljeve fiskale. Ajo shërben si një pasqyrë ku Shqipëria rezulton si rast ekstrem i “ciklit të qokave fiskale” dhe bie menjëherë në sy për frekuencën, qëllimet dhe riskun e lartë të politikave të saj amnistuese, veçanërisht në krahasim me fqinjët.

Shifrat flasin vetë:
– mbi 5 masa të natyrës amnistuese dhe falëse, të shpërndara në mënyrë të rregullt çdo 2–3 vjet, me një përputhje pothuaj të përkryer me ciklet zgjedhore. Kjo e vendos Shqipërinë në krye të listës për përdorim politik dhe oportunist të politikës fiskale, në dëm të koherencës sistemike.
Kjo “tendencë ciklike” e tregon qartë në mënyrë sintetike këtë normalizim të amnistisë si instrument elektoral, i cili çon në:

  • Pajtueshmëri selektive tatimore, ku ligji perceptohet si i negociueshëm.
  • Korrupsion të moralit fiskal, ku tatimpaguesi ndershëm ndëshkohet dhe shkelësi shpërblehet.

Nga tabela shikojmë një dallim të rëndësishëm midis faljes së gjobave apo borxheve tatimore (rastet e Kosovës, Bosnjës) dhe amnistisë pasurore që tenton të legalizojë kapital të padeklaruar (Shqipëri, Serbi). Ky dallim është thelbësor për të kuptuar se ku qëndron rreziku real për deformimin e sistemit fiskal dhe financiar.

Shqipëria dhe Serbia e kanë përdorur më shpesh si instrument të politizuar, me risk të lartë për moralin tatimor dhe pastrim parash.

Kosova dhe Bosnja kanë pasur qasje më konservatore me fokus më të qartë në rehabilitimin fiskal dhe menaxhimin e borxheve.

Shtetet që kanë mbajtur një ritëm të matur dhe me arsyetim të fortë ekonomik apo shëndetësor për faljet (si Kosova gjatë COVID-19) rezultojnë me më pak erozion të besimit publik. Në të kundërt, në Shqipëri dhe Serbi përdorimi i përsëritur i amnistisë ka krijuar pritshmëri të padrejtë dhe ka minuar parimin e barazisë përpara ligjit.

Nga ana tjetër, vetëm Shqipëria dhe Serbia kanë nivel të lartë të riskut për pastrim parash, duke marrë kritika të përsëritura nga FMN, BE dhe MONEYVAL. Në rastin shqiptar kjo lidhet drejtpërdrejt me mungesën e kontrollit të burimit të pasurisë dhe me projektligjin e fundit për amnistinë fiskale që nuk plotëson standardet e transparencës, verifikimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në kontrast, Kosova dhe Bosnja kanë një qasje më konservatore dhe të orientuar drejt rehabilitimit fiskal, jo legalizimit të pasurive të paligjshme, çka reflektohet edhe në qëndrimin më të butë të aktorëve ndërkombëtarë.

Kjo tabelë duhet lexuar si indikator i maturisë fiskale dhe seriozitetit institucional. Shqipëria, në këtë analizë nuk ka problem vetëm me numrin e masave të faljes, por me motivet, mënyrën e aplikimit dhe momentin politik të ndërhyrjes. Ndaj, çdo diskutim për amnisti të re duhet të fillojë me këtë pyetje: A është masa në shërbim të sistemit apo thjesht në shërbim të një cikli zgjedhor tjetër?
Amnistitë dhe Faljet Fiskale në rajon, 2009–2024

ShtetiFrekuencaLlojiQëllimiQëndrim NdërkombëtarRisk AMLKoment
Shqipëri5+ masaTë dyjaLegalizim kapitalesh dhe rritje e të ardhuraveKritikë e fortë nga FMN, BELartëTendencë për amnisti ciklike; përdorur si instrument politik.
Kosovë2 raste (2013, 2021)Falje për tatime, jo amnisti pasuroreRistrukturim borxhesh; COVID-19Mbështetje për masat anti-COVIDUletMë e kujdesshme; orientim drejt përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave.
Maqedonia e Veriut3 rasteFalje + disa elemente amnistieFormalizim dhe stabilizim fiskalMbështetje nga FMN në disa rasteMesatarKa pasur një amnisti pasurore të kufizuar më 2014.
Mali i Zi2 raste (2010, 2020)Kryesisht faljeLegalizim i energjisë dhe borxheveParalajmërim nga MONEYVAL për risk AMLMesatar-LartëMungesë transparence në procedurat e zbatimit.
Bosnje dhe Hercegovinë1 rast i kufizuarFalje gjobash, jo pasuroreStimulim pas reformës tatimorePa kritika të theksuaraUletSistemi i fragmentuar kufizon amnistitë e mëdha.
Serbi4+ raste (2010, 2014, 2020)Të dyjaLegalizim pasurish dhe rritje të të ardhuraveKritikë nga MONEYVAL në 2020LartëPërfshirë elementë amnistie për bizneset pas privatizimeve.

Për kë është falja? Jo për të ndershmit

Amnistia në teori është një mjet radikal, për situata të jashtëzakonshme. Në praktikën shqiptare ajo është kthyer në kalkulim politik, ku përfitues janë pikërisht ata që nuk kanë respektuar ligjin tatimor, ndërsa humbësit janë ata që kanë kontribuar rregullisht në buxhet. Kur dikush që ka fshehur pasuri nuk ka deklaruar të ardhura ose nuk ka paguar asnjë detyrim tatimor për vite legalizohet pa ndëshkim. Ndërsa një qytetar apo biznes i vogël që ka paguar çdo muaj penalizohet me vonesa ose gjoba ku qëndron drejtësia?

Ky është dëmi më i madh: shkatërrimi i moralit tatimor dhe bashkë me të i besimit qytetar te shteti.

Shteti që rregullon me “pajtime”

Në vend që të ndërtojë sisteme të besueshme fiskale dhe tatimore, Shqipëria ka kultivuar një model që ngjan më shumë me një qeverisje me “pajtueshmëri” e jo me rregulla. Politikat fiskale janë kthyer në instrumente për të mbledhur vota, për të kënaqur klientelën, ose për të “rregulluar” borxhet e trashëguara nga mungesa e vullnetit për zbatim.

Këto masa nuk kanë as analizë kosto-përfitimi, as kontroll për burimin e pasurisë që legalizohet. Kjo në vetvete, jo vetëm që bie ndesh me parimet themelore të BE-së për administrim të mirë fiskal, por hap edhe kanale të rrezikshme për pastrim parash, siç është theksuar në mënyrë të përsëritur nga FMN dhe MONEYVAL.

Pse ky model duhet të ndalet urgjentisht?

Nëse Shqipëria vazhdon në këtë rrugë, pasojat do jenë afatgjata dhe të thella:

  • Do rritet informaliteti, sepse tatimpaguesit do priren të mos paguajnë me shpresën për një “falje tjetër”.
  • Do dëmtohet barazia fiskale, sepse shteti i “falurve” nuk mund të jetë kurrë i drejtë.
  • Do forcohet klientelizmi, sepse falja fiskale po ndodh gjithnjë përpara kutive të votimit.

Një amnisti që nuk paraprihet dhe nuk pasohet nga reforma fiskale, tatimore dhe ligjore është thjesht një “qokë” e veshur me gjuhë teknike. Shqipëria, për shembull ka dështuar ta lidhë ndonjë nga amnistitë e saj me reforma reale të administratës tatimore ose me politikë të qëndrueshme të formalizimit.

Pa mekanizma të qartë dhe të pavarur për verifikimin e burimeve të pasurisë dhe përfituesve të amnistisë, çdo politikë faljeje është vulnerabël ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ky është një dështim i përsëritur në Shqipëri dhe një ndër arsyet kryesore për kritikat nga FMN, BE dhe MONEYVAL.
Transparenca nuk është vetëm kërkesë morale, por garanci funksionale për suksesin dhe legjitimitetin e masës.

Koha për kthesë fiskale morale

Ky është thelbi i debatit!
Politika fiskale nuk mund të bazohet në ndërhyrje të përkohshme, elektorale apo oportuniste. Shtetet duhet të ndërtojnë besueshmëri institucionale duke përdorur mjetet e zakonshme të administrimit fiskal, jo amnisti të përsëritura që shpërblejnë sjelljen e padrejtë. Ky është një mësim që Kosova dhe Bosnja e kanë përvetësuar më mirë, ndërsa Shqipëria është ende e kapur në ciklin e “zgjidhjeve të shpejta”.

Në fund të ditës, nuk është thjesht çështje teknike, por është çështje morali dhe drejtësie fiskale.
Një shtet që fal dhe amniston në mënyrë të përsëritur e thotë hapur se respektimi i rregullit nuk ka vlerë afatgjatë.
Në një shoqëri që kërkon të ndërtojë besim në shtet dhe institucione çmimi i këtyre masave nuk matet vetëm në euro, por në dëmtimin e kontratës sociale.

Është koha që politika shqiptare të kuptojë se konsolidimi i sistemit fiskal nuk bëhet me “qoka” elektorale, por me strategji të drejta, transparente dhe të barabarta për të gjithë.
Amnistitë apo faljet fiskale mund të jenë të nevojshme vetëm në kushte të jashtëzakonshme me verifikim të fortë të pasurisë, monitorim ndërkombëtar dhe jashtë çdo konteksti elektoral. Në të kundërt, çdo “falje” e radhës do jetë një thikë pas shpine për ata që e mbajnë mbi supe shtetin me taksat e tyre.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.