Pse rriten çmimet e ushqimeve çdo fundviti?
A janë rritur çmimet e ushqimeve?
Absolutisht që po, megjithëse kjo rritje e çmimeve të produkteve agro ushqimore ndodh të paktën si një ngjarje e pashmangshme e tregut në çdo fund muaji Dhjetor.
Por në fundvitin 2023 rritja e çmimeve vjen e mbarsur edhe falë një kombinimi të inflacionit, ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit të lidhura me prishjen e raporteve të mëparshme furnitor-klient, si dhe tarifave për disa importe të huaja.
Tashmë shikojmë një fakt të pamohueshëm se çmimet e ushqimeve janë rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2020 me afër 30%[1].
Por, inflacioni është ngadalësuar vitin 2023 dhe të dhënat më të fundit tregojnë se kostoja e sendeve ushqimore nuk po rritet aq shpejt sa vitet e mëparshme.
Atëherë pse një rritje tjetër çmimesh në vendin tonë, kur konsumatori i gjerë nuk po përballon dot rritjet e deritanishme?
Pse po rriten çmimet e ushqimeve, atëherë?
A ndikohet nga të njëjtat faktorë si në vendet e tjera, ku vërehet se ka rritje të ndjeshme të çmimeve ushqimore?
Çmimet e ushqimeve në shumë vende po rriten për shkak të disa faktorëve që ndeshen në secilin vend të botës, ku më shumë dhe ku më pak sipas specifikave ekonomike, sociale dhe politike. Këta faktorë përfshijnë inflacionin, kostot e punës, zinxhirin e furnizimit dhe katastrofat natyrore dhe njerëzore (konfliktet e natyrave të ndryshme në vendet e furnizimit të disa produkteve bazë ushqimore).
Edhe në Shqipëri ndikimi nga këta faktorë është prezent dhe ka pjesën e vet të ndikimit.
Kostot e punës janë rritur me të paktën 18% përgjatë tre viteve të fundit dhe tentojnë të rriten edhe më tej, sipas të dhënave të INSTAT dhe llogaritjeve tona.
Kostot e prodhimeve ushqimore po ashtu vlerësohet të jenë rritur me 12.1% në vitin 2023, sipas llogaritjeve tona.
Përmbytjet, zjarret dhe politikat e mangëta për parandalimin e tyre që vijnë nga mungesa e investimeve të plota dhe në kohën e duhur kanë çuar në rendimente më të ulëta se mesatarja e të korrave nga fermat në rajon, duke rritur kostot e konsumatorit për ushqim. Çështjet e zinxhirit të furnizimit që kanë vazhduar që nga pandemia kanë ndikuar në furnizimin me ushqime.
Konfliktet politike rajonale dhe ato të brendshme të mbarsura nga elitat politike dhe ekonomike kanë ndikuar në aftësinë e vendit për të importuar, por edhe për të eksportuar ushqime.
Në këtë mes pjesa që mbetet për tu sistemuar dhe që varet direkt nga roli i agjensive dhe institucioneve të qeverisë është veprimi në kohë dhe reagimin parandalues i institucioneve që duket se kanë nevojë të reformohen, pasi masat e ndërmarra përgjatë viteve të fundit kanë ndikuar jo efektivisht, madje edhe mund të kenë penguar procese të ndryshme të zhvillimit dhe rritjes së prodhimit bujqësor, blegtoral dhe nënprodukteve të tjera të lidhura me to.
Roli i agjencive shtetërore për të ndihmuar në mbajtjen e një zinxhiri të qëndrueshëm të furnizimit ushqimor në përgjithësi duhet të kishte ndërhyrë shumë më ndryshe dhe me forcë në drejtim të:
- Investimeve në zinxhirin e furnizimit ushqimor, duke garantuar grante dhe subvencione për industrinë ushqimore në masën që nevojitet (sipas studimeve të ekspertëve) dhe jo në masën që planifikon qeveria dhe që vijon të jetë e pamjaftueshme, e vonuar dhe me probleme korrupsioni
- Garantimit të asistencë teknike dhe orientimeve për fermerët sipas nevojave në zinxhirin e furnizimit duke filluar nga fermeri që prodhon dhe deri te prodhuesit dhe përpunuesit e ushqimeve
- Kryerjes së studimeve dhe shpërndarjes së informacionit me gjithë palët në treg duke përfshirë gjithë aktorët me ndikim direkt dhe indirekt dhe duke analizuar vijimësisht performancën e institucioneve dhe të sektorit
- Rishikimit të politikave dhe zinxhirit rregullator nëpërmjet përshtatjes me kërkesat e fermerëve dhe grupeve të interesit dhe unifikimin e praktikave të mira nëpërmjet akteve rregullatore për të rritur sigurinë ushqimore dhe garantuar vijimësinë e qëndrueshme.
Në fakt në një shikim të raporteve nga institucionet që kanë lidhje direkt me sektorin agro ushqimor vëren se janë larg të qenit pjesë e zgjidhjes së problemeve.
Por, problem specifik dhe që shihet dukshëm në Shqipëri në raport me vendet fqinje janë edhe mosluftimi si dhe sa duhet i informalitetit të punës dhe ekonomisë.
Sektori informal po lulëzon i nxitur nga taksat dhe rregulloret e tepërta dhe të çorientuara dhe nga ana tjetër edhe nga realiteti se qeverisë i mungon aftësia për të zbatuar pajtueshmërinë apo thënë ndryshe ligjit dhe aktet që miraton vetë. Sektori informal ka ulur konkurueshmërinë e ndershme dhe i ka vënë në pozita të pabarabarta bizneset e zinxhirit të industrisë agro ushqimore duke dhënë efektin e vet në sektorin e stërmadh bujqësor, i cili mbizotërohet nga një produktivitet i ulët, biznese të vogla dhe sektor i copëzuar dhe me mungesën e drejtësisë tatimore që ndikon në rritjen e kostove të të bërit biznes dhe detyrimisht nxit spekullimin dhe rritjen artificiale të çmimeve.
Ky nivel informaliteti padyshim që lidhet sa me patronazhimin politik dhe me korrupsionin dhe shihet si një fenomen që përkeqëson ndjeshëm parashikimet e rritjes së vlerës së shtuar të sektorit dhe si rrjedhojë edhe rezistencës ndaj ndikimeve në rritje sipas faktorëve më lart. Ky fenomen ekonomik, po krijon pasoja katastrofike për zhvillimin e bujqësisë, si pjesë e ekonomisë së vendit, pasi përveç problemeve sa më lart po ndikon në përkeqësimin e pabarazisë socio-ekonomike deri te ikja e kapitalit njerëzor dhe financiar nga ekonomia e korruptuar. Po kështu ndikim në rritjen e çmimeve ushqimore finale vjen edhe nëpërmjet presioneve me taksat dhe përpjekjet e qeverisë për të kërkuar nga popullsia për të mbështetur tendencën e rritjes së shpenzimeve publike për infrastrukturën dhe shumë shpenzime të tjera të pakërkuara nga ta.
Ndërkohë, masat e dobëta antidumping dhe stimulimi de facto i importeve ka krijuar ambjent stimulues për krijimin dhe forcimin e oligopoleve në sektorin e produkteve bujqësore dhe ushqimore, të cilat diktojnë politikat e çmimeve për shumë produkte. Ky fakt është kërcënim dhe ndikim direkt mbi biznesin e fermerëve të vegjël dhe të mesëm duke ndikuar dhe në krijimin e një varësie të tyre nga çmimet e importit dhe rritjes së kostove të tyre duke i detyruar ti jepen tregut oligopol.
Kompanitë oligopole shihet se kontrollojnë çmimet duke bashkëpunuar me njëra-tjetrën, duke siguruar në fund çmime jo konkurruese në treg. Një efekt kryesor i kësaj politike të dëmshme për sektorin dhe konsumatorin është kufizimi i hyrjeve të reja në treg dhe ulja e inovacionit në sektor duke mbajtur tregun vazhdimisht nën kontrollin e tyre. Por, problemi që lidhet me veprimin e qeverisë është pikërisht se këto oligopole nuk veprojnë kurrë vetëm. Ata bashkëpunojnë për të siguruar që konsumatorët të mos kenë alternativa ndaj çmimeve të tyre të larta dhe mosveprimi i qeverisë apo masat e gabuara që ndërmerren me dashje ose jo ndihmojnë pikërisht bashkë edhe me faktorët e tjerë që konsumatori shqiptar të ndihet më i varfër se ata të vendeve përreth.
Në mbyllje të analizës sonë, shihet se edhe rritja e çmimeve të fundvitit është rrjedhojë më shumë e mosveprimit të qeverisë apo kapjes së pjesshme të institucioneve të saj nëpërmjet qasjeve korruptive, të veprimit konstant të kompanive oligopole importuese si dhe prezencës së një tregu kaotik dhe informal, që vepron jo sipas kuadrit rregullator, por sipas ligjit të xhunglës.
[1] https://www.instat.gov.al/al/temat/%C3%A7mimet/indeksi-i-%C3%A7mimeve-t%C3%AB-konsumit/
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.