Ti kthejmë borxhin vendit

borxhi ndaj vendit

Ti kthejmë borxhin vendit

Është e vështirë dhe e rëndë ta thuash se një pjesë e mirë e shoqërisë që konsiderohet si elitë pas viteve ’90 përmbysi vlerat tona, ashtu si i trashëguam nga e kaluara.

Janë bërë shumë vite tashmë që puna e ndershme dhe e vështirë e njerëzve të thjeshtë u kthye në mekanizëm për të bërë pasuri lehtësisht kush u përfshi në perimetrin e pushtetit. Ndërkohë, urtësia dhe maturia e njerëzve të zakonshëm u konvertua në pasuri për njerëzit e pushtetshëm. Jetës ju ul vlera dhe në vend të kësaj  u vendos një çmim mbi të.

Por, më e keqja nga të gjitha është realiteti i ri i stimuluar nga po të njëjtët njerëz. Megjithëse kemi ende një rrugë të gjatë për të përshkruar, po i vjen koha ti rimarrim pak nga pak vlera të tilla si jeta, respekti dhe liria individuale.

Por, që ky proces të vijojë ka ardhur momenti që ti kthejmë vendit atë që i kemi marrë secili nga pak e përditë. Secili sipas marëdhënies që ka ndërtuar me vendin e punës apo formën e përdorimit të pasurive kombëtare ka ndërtuar një raport të zhdrejtë, pasi në pak raste na ndodh të ndeshemi me individë që kanë dhënë më shumë se kanë marrë. Ky fenomen epidemik, i pwrhapur në formën e korruptimit të vullnetit individual drejt formimit të një joshje kolektive tashmë e ka mbërthyer atë si një qasje morale të bazuar vetëm te kënaqësia matëriale për të patur shumë të mira, por duke humbur shijen për t’i gëzuar ato. Me këtë qasje shoqëria ka humbur edhe mundësinë për të qenë e sinqetë me vetveten.

Momenti na kërkon secilit që të kërkojmë me kurajo dhe duke ditur se mund të dalim nga vetja në ndonjë moment me qëllim që të mundemi të kthejmë borxhin që i kemi secili vendit tonë.

Dhe kjo qasje nis nga veprime të thjeshta, pa ndonjë kosto që prek përditshmërinë, por dhe me veprime mjaft praktike.

Një nga mënyrat më efektive të kthimit të borxhit është mënyra e përkushtimit sadopak nga koha  tone në aktivitete joftimprurëse dhe ne përçimin e vlerave familjare dhe personale ne vendin ku jetojme e punojme.

Koha është e vlefshme dhe dhuntia e saj mund ta bëjë këtë botë të ndryshme duke dhënë efekt pozitiv në jetën e shumë njerëzve. Por, nuk ka rrugë të shkurtër për t’i rikthyer jetës vlerat dhe ngjyrat e saj, si dhe vendit borxhin që ka secili.

Megjithatë ka zgjidhje praktike dhe të thjeshta.

Një prej këtyre është puna në ekip si shoqëri. Ky organizim është një faktor përcaktues në transformimin shoqëror të vendit.

Por, për ta arritur këtë transformim nevojitet një vizion që kalon përtej llumit politik aktual.

Së pari është njohja e rezultateve të arritura në të kaluarën, duke vazhduar por edhe duke u mbështetur në to, duke pasur parasysh se koha e një lideri në detyrë është e shkurtër. Por një detyrë madhore e secilit që kërkon të drejtojë vendin duhet të jetë objektivi për përmirësimin e cilësisë së jetës.

Së dyti është ndikimi i qeverisjeve nëpërmjet financimit të projekteve me siguri afatgjatë. Buxheti për edukimin p.sh. duhet të transformohet në buxhetin më të lartë në histori. Kjo është strategjia më e mirë për sigurinë në terma afatgjatë duke i dhënë mundësi shoqërisë sonë të arrijë suksesin brenda kufijve të ligjshmërisë. Qasje të tjera që ndikojnë në cilësinë e jetës (jo vetëm të infrastrukturës) mund të gjenden nga përvojat e fqinjëve tanë, por edhe vende të tjera me ngjashmëri sociale dhe ekonomike.

Së treti është mënyra e të investuarit në burimet e vendit në mënyrë efikase dhe transparente dhe jo atje ku parashikohet të grumbullohen më shumë vota.

Mënyra e dialogut me njerëzit e thjeshtë, të dëgjuarit e zërit të tyre dhe vendosja e vetes në vend të tyre me qëllimin që të kuptojë betejat e përditshme të tyre është fillimi, por jo çelësi i suksesit për ti rikthyer vendit atë që i kemi borxh secili

Suksesi duhet të bazohet te njerëzit që punojnë dhe kanë të përbashkët besimin tek e ardhmja e Shqipërisë për të rifituar garat e humbura me ekonominë dhe vetveten. Procesi afatgjatë i rindërtimit është një përpjekje kolektive pasi askush nuk ka sukses nëse mbetet i vetëm.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: