Shoqëritë shtetërore nën peshën e borxhit tatimor dhe të ndërsjelltë

Shoqëritë shtetërore nën peshën e borxhit tatimor dhe të ndërsjelltë

Borxhi i akumuluar nga shoqëritë publike në Shqipëri nuk përfaqëson vetëm një problem teknik kontabël, por një simptomë të thellë të mangësive strukturore në mënyrën se si operojnë këto entitete në raport me shtetin, tregun dhe shoqërinë. Shoqëritë si OSHEE, KESH, OST dhe ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve janë jo vetëm ofrues të shërbimeve bazë, por edhe faktorë të drejtpërdrejtë në balancat fiskale dhe financiare të shtetit.

Nga të dhënat e vitit 2024 dhe pasqyra e borxheve të tyre deri në fillim të 2025, del qartë që ato përfaqësojnë një përqindje të konsiderueshme të borxhit tatimor të mbartur, me OSHEE dhe ndërmarrjet e ujësjellësit që mbajnë peshën më të madhe.

2. Përmasa e borxheve dhe ndërlidhjet institucionale

Në vlerë absolute, borxhi i shoqërive publike ndaj institucioneve tatimore dhe financiare kap vlerën mbi 17.5 miliardë lekë, që përfaqëson rreth 11% të totalit të borxhit tatimor të mbartur në fund të vitit 2024 (rreth 162.5 miliardë lekë). Ky borxh nuk është i izoluar. Ai përfshin gjithashtu:

  • Detyrime ndër-institucionale (ndërmjet OSHEE, KESH dhe OST) që arrijnë në mbi 57 miliardë lekë;
  • Borxhe të shoqërive UK ndaj OSHEE-së për energji të papaguar që arrijnë në 36.7 miliardë lekë;
  • Detyrime të UK-ve dhe OSHEE-së ndaj Ministrisë së Financave, që reflektojnë pagesa të papërmbushura ndaj buxhetit të shtetit, për kredi të garantuara ose detyrime të papaguara për kontribute.

Kjo situatë përbën një cikël borxhi të mbyllur dhe regresiv, ku njëra palë nuk paguan tjetrën, duke e thelluar deficitin e secilit aktor, pa krijuar asnjë përgjegjësi të matshme.

3. Ndikimi i borxhit në performancën operacionale të shoqërive publike

OSHEE, ndërmarrja me ndikimin më të gjerë në sistemin ekonomik, vuan nga humbje të larta teknike dhe jo-teknike në rrjet (mbi 20%), çka e pengon të gjenerojë të ardhura të mjaftueshme për të shlyer detyrimet ndaj KESH, OST dhe DPT-së. Ndërkohë, tarifat e shpërndarjes mbeten të rregulluara në mënyrë të tillë që nuk reflektojnë koston reale të humbjeve apo të investimeve të domosdoshme.

KESH, megjithëse eksporton energji në kushte të favorshme klimatike, nuk arrin të shlyejë të gjitha detyrimet pasi OSHEE nuk likuidon pagesat. Më shumë se 36.8 miliardë lekë të papaguara nga OSHEE ndaj KESH e vënë në pozitë të pasigurt për likuiditetet dhe përballimin e investimeve kapitale në sektorin hidroenergjetik.

OST, nga ana tjetër, ka më pak borxh të raportuar ndaj tatimeve, por vuan nga pagesat e papaguara që prishin rrjedhën e cash-floë dhe ndikojnë negativisht në kapacitetin për të kryer investime strategjike për transmetimin.

Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve, në rreth 50% të tyre janë të paafta të mbulojnë shpenzimet operative, e lëre më të paguajnë energjinë elektrike që përbën mbi 40% të kostove totale. Për më tepër, ato përballen me tarifa shumë të ulëta (jo-ekonomike), numër të lartë lidhjesh ilegale dhe eficiencë të dobët teknike, duke rezultuar në borxhe të pashlyera ndaj OSHEE-së dhe për pasojë, ndaj të gjithë zinxhirit energjetik publik.

4. Pesha e tyre në sistemin tatimor dhe fiskal

Detyrimet tatimore të këtyre shoqërive nuk janë të parëndësishme. Vetëm OSHEE dhe UK-të përfaqësojnë mbi 10% të të gjithë borxhit tatimor të mbartur, duke konkurruar me bizneset e mëdha private. Megjithatë, ndryshe nga sektori privat, shoqëritë publike nuk përballen me procedura të ngurta të ekzekutimit apo konfiskimit, gjë që krijon pabarazi tatimore dhe deformim të konkurrencës.

Për më tepër, borxhi i tyre nuk është vetëm tatimor, por përkthehet në subvencione të përsëritura nga buxheti i shtetit, shpesh jashtë një logjike reformuese. Kjo e bën çështjen jo vetëm fiskale, por edhe politike, pasi mbart kostot e paaftësisë menaxheriale te taksapaguesit.

Borxhi i shoqërive publike një cikël i plotë i nevojshëm nga reforma në letër drejt zbatimit real

Sektori publik ekonomik në Shqipëri, i përfaqësuar nga shoqëritë shtetërore dhe ndërmarrjet e shërbimeve publike, vijon të mbetet një burim presioni të dyfishtë mbi financat publike: si përfitues i vazhdueshëm i subvencioneve dhe mbështetjes buxhetore, ashtu edhe si kontribuues në akumulimin e borxhit tatimor të mbartur. Megjithëse janë ndërmarrë reforma strukturore në disa drejtime, të dhënat dhe sjellja institucionale tregojnë se problemi nuk është më mungesa e kornizës, por moszbatimi dhe mungesa e mekanizmave të detyrimit dhe përgjegjësisë.

a. Marrëveshja trepalëshe energjetike: zbatim që nuk po ndodh

Në sektorin energjetik, marrëveshja mes KESH–OSHEE–OST për netimin dhe kompensimin e ndërsjellë të detyrimeve ekziston prej disa vitesh. Megjithatë, ajo nuk po implementohet në praktikë, për shkak të:

  • Konfliktit të interesit institucional dhe presionit për tregues financiar artificial, ku secila shoqëri përpiqet të ruajë bilancin e saj financiar, edhe në kurriz të pagesës reale të detyrimeve ndaj aktorëve të tjerë.
  • Mungesës së një mekanizmi ligjor të detyrueshëm dhe të sanksionuar, që të diktojë përmbushjen automatike të marrëveshjes.
  • Ndikimit të ciklik të borxhit dhe mosristrukturimit real të cash-floë-ve, ku likuiditetet përdoren për operacione emergjente dhe jo për shlyerje të borxheve strukturore.

Ekspertët e ALTAX mendojnë se marrëveshja ekzistuese duhet të kalojë në një fazë të dytë me status të detyrueshëm ligjor, përmes një VKM-je që sanksionon detyrimet reciproke dhe i ndërlidh ato me kriteret për mbështetje buxhetore.

b. Reforma në sektorin e ujit: nga konsolidimi drejt menaxhimit të depolitizuar

Konsolidimi i ndërmarrjeve të ujësjellësve në 15 njësi rajonale është një arritje institucionale e rëndësishme që ka rritur kapacitetin teknik dhe operacional në teori. Por problemet reale nuk qëndrojnë më tek fragmentimi, por:

  • Politizimi i drejtimit të ndërmarrjeve, ku drejtorët dhe bordet vijojnë të jenë emërime politike pa lidhje me performancën teknike.
  • Mungesa e autonomisë në vendimmarrjen tarifore, e cila vazhdon të jetë peng i interesave afatshkurtra të bashkive apo influencave qendrore.
  • Niveli i ulët i arkëtimeve dhe abuzimet me lidhjet ilegale, që tregojnë se problemi është në zbatimin e rendit financiar dhe ligjor, jo në strukturën menaxheriale.

Ekspertët e ALTAX mendojnë se reforma duhet të kalojë në fazën e depolitizimit të menaxhimit, përmes emërimeve me konkurs dhe standardeve të qeverisjes së mirë, si dhe me forcimin e rolit mbikëqyrës të Entit Rregullator të Ujit dhe KLSH-së.

c. Sistemi i monitorimit financiar: ekziston, por është inefektiv

Në teori, sistemi i monitorimit financiar ekziston dhe funksionon në nivel raportimi nga shoqëritë publike drejt Ministrisë së Financave dhe strukturave të tjera përkatëse. Problemi thelbësor është se:

  • Raportimi nuk pasohet me masa korrigjuese – pra nuk ekziston mekanizëm që ndëshkon apo ndalon financimin nëse shoqëria publike ka devijime të mëdha nga objektivat.
  • Të dhënat janë të fragmentuara, të vonuara dhe shpesh të papërputhshme me realitetin operativ.
  • Nuk ka auditim real të performancës financiare në raport me borxhin tatimor dhe ndër-institucional, dhe askush nuk mbahet përgjegjës për rezultatet e dobëta.

Ekspertët e ALTAX mendojnë se nevojitet të vendoset një regjim “i ashpër fiskal” me tre shtylla: (1) masa automatike për ndërmarrjet me përkeqësim tremujor të indikatorëve; (2) bllokim i aksesit në fonde publike për ato që nuk përmbushin detyrimet tatimore; dhe (3) publikimi i performancës në mënyrë të krahasueshme për nxitjen e konkurrencës së shëndetshme.

d. Disiplina tatimore për ndërmarrjet publike: një boshllëk i rëndë sistemik

Ndryshe nga sektori privat, ndërmarrjet publike nuk i nënshtrohen të njëjtit regjim penalizues për detyrimet tatimore. Moszbatimi i disiplinës fiskale ka çuar në:

  • Akumulim sistematik të borxhit tatimor të mbartur, pa ndonjë plan konkret për shlyerjen apo restrukturimin e tij.
  • Ndërtimin e një kulture imuniteti fiskal, ku shoqëritë publike shihen si “të paprekshme”, duke krijuar padrejtësi sistemike në raport me sektorin privat.
  • Mungesë të transparencës dhe kontrollit të kualifikuar nga administrata tatimore, që shpesh e trajton borxhin si “inaktive” dhe e shtyn për zgjidhje politike.

Ekspertët e ALTAX mendojnë se duhet një përfshirje e DPT-së në një program të dedikuar të ristrukturimit të borxhit tatimor të ndërmarrjeve publike, me plan pagesash, kushte penalizimi dhe përjashtim të përkohshëm nga kontratat publike deri në përmbushje.

Situata aktuale reflekton qartë një hendek të madh midis dizajnit institucional dhe zbatimit real të reformave. Marrëveshjet ekzistojnë, sistemet janë në vend, por mungesa e vullnetit politik, mekanizmave detyrues dhe depolitizimit të vendimmarrjes i ka kthyer këto reforma në fasada formale. Për të thyer këtë cikël, nevojitet një pakt i ri fiskal ndërmjet qeverisë, ndërmarrjeve publike dhe institucioneve mbikëqyrëse, i bazuar në llogaridhënie, transparencë dhe zbatim të rregullave me masa reale.

Vetëm atëherë do të mund të përkthehen reformat në ulje të borxhit tatimor dhe rritje të qëndrueshmërisë së financave publike.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.